Jehovai: Një Perëndi që zbulon sekretet
«Ekziston një Perëndi në qiej, i cili është Zbuluesi i sekreteve.»—DANIELI 2:28, BR.
1, 2. (a) Si ndryshon Jehovai nga Kundërshtari i tij i madh? (b) Si e pasqyrojnë njerëzit këtë ndryshim?
JEHOVAI, Perëndia suprem e i dashur i universit, Krijuesi i parë dhe i vetëm, është Perëndi i mençurisë dhe i drejtësisë. Ai nuk ka pse ta fshehë identitetin e tij, veprat apo qëllimet e tij. Në kohën e vet dhe me maturinë e tij, ai zbulon veten. Në këtë mënyrë, ai ndryshon nga Kundërshtari i tij, Satana Djalli, i cili përpiqet të fshehë identitetin dhe qëllimet e tij të vërteta.
2 Ashtu siç janë kundërshtarë Jehovai me Satanain, po ashtu janë edhe adhuruesit e tyre. Ata që ndjekin udhëheqjen e Satanait, karakterizohen nga dyfytyrësia dhe mashtrimi. Ata mundohen ta paraqesin veten si mirëbërës, ndërkohë që bëjnë vepra që i përkasin errësirës. Të krishterëve korintas iu tha të mos çuditeshin lidhur me këtë fakt. «Sepse njerëz të tillë janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që e transformojnë veten në apostuj të Krishtit. Dhe s’është çudi, pasi vetë Satanai transformohet në një engjëll drite.» (2. Korintasve 11:13, 14, BR) Nga ana tjetër, të krishterët shikojnë nga Krishti si Drejtuesi i tyre. Kur ishte në tokë, ai pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij, Perëndisë Jehova. (Hebrenjve 1:1-3) Kështu, duke ndjekur Krishtin, të krishterët janë duke imituar Jehovain, Perëndinë e së vërtetës, Perëndinë me personalitet të hapur, Perëndinë e dritës. Edhe ata s’kanë pse ta fshehin identitetin e tyre, veprat apo qëllimet e tyre.—Efesianëve 4:17-19; 5:1, 2.
3. Si mund të hedhim poshtë akuzën se njerëzit që bëhen Dëshmitarë të Jehovait detyrohen për t’u bashkuar me një «sekt sekret»?
3 Në kohën kur e di se është më mirë, Jehovai nxjerr në dritë hollësira lidhur me qëllimet e tij dhe me të ardhmen që më parë ka qenë e panjohur për njerëzit. Në këtë kuptim, ai është një Perëndi që zbulon sekretet. Prandaj, njerëzit që dëshirojnë t’i shërbejnë atij, janë të ftuar, po, të nxitur, që të mësojnë këtë informacion të zbuluar. Një anketë e vitit 1994 me mbi 145.000 Dëshmitarë në një vend evropian, zbuloi se secili prej tyre kishte shqyrtuar në nivel personal mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait, mesatarisht për tre vjet para se të zgjidhte për t’u bërë Dëshmitar. Ata e kishin bërë zgjedhjen sipas vullnetit të tyre të lirë, pa qenë të detyruar. Dhe ata vazhduan të kishin liri vullneti dhe veprimi. Për shembull, më vonë, për shkak se disa nuk kanë arritur të pajtohen me normat e larta morale për të krishterët, më vonë, këta kanë vendosur që të mos duan të vazhdojnë si Dëshmitarë. Megjithatë, është interesant fakti që gjatë pesë vjetëve të kaluar, një numër i madh nga këta ish-Dëshmitarë, kanë ndërmarrë hapat për të rifilluar shoqërimin dhe aktivitetin e tyre si Dëshmitarë.
4. Çfarë nuk duhet t’i shqetësojë të krishterët besimplotë dhe përse jo?
4 Natyrisht, jo të gjithë ish-Dëshmitarët kthehen e madje mes tyre janë edhe disa nga ata që dikur kishin pozita përgjegjësie brenda kongregacionit të krishterë. Kjo s’duhet të na çudisë, pasi edhe një nga ithtarët më të afërt të Jezuit, apostulli Judë, u largua. (Mateu 26:14-16, 20-25) Por, a është kjo një arsye për t’u shqetësuar në lidhje me vetë krishterimin? Mos vallë kjo mohon suksesin, me të cilin Dëshmitarët e Jehovait po vazhdojnë aktivitetin e tyre të arsimimit? Në asnjë mënyrë jo, ashtu si edhe tradhtia e Judë Iskariotit nuk çoi në amulli qëllimet e Perëndisë.
I plotfuqishëm, por i dashur
5. Si e dimë se Jehovai dhe Jezui i duan njerëzit dhe si e kanë treguar ata këtë dashuri?
5 Jehovai është një Perëndi i dashurisë. Ai kujdeset për njerëzit. (1. Gjonit 4:7-11) Pavarësisht nga pozita e tij e lartë, ai kënaqet tek i bën njerëzit miq të tij. Për një nga shërbëtorët e tij të lashtë, lexojmë: «‘Abrahami vuri besimin në Jehovain dhe kjo iu llogarit atij si drejtësi’ dhe u quajt ‘miku i Jehovait’.» (Jakovit 2:23, BR; 2. Kronikave 20:7; Isaia 41:8) Ashtu si miqtë njerëzorë ndajnë bashkë çështje konfidenciale apo sekrete, po ashtu bën edhe Jehovai me miqtë e tij. Për sa i përket këtij aspekti, Jezui e imitoi Atin e tij, pasi ai bëri miq nga dishepujt e tij dhe ndau me ta sekrete. «Unë nuk ju quaj më skllevër,—u tha ai atyre,—sepse skllavi nuk e di se çfarë bën zotëria e tij. Por unë ju kam quajtur miq, sepse të gjitha gjërat që kam dëgjuar nga Ati im, ua kam bërë të njohura ju.» (Gjoni 15:15, BR) Informacioni privat apo «sekretet» e mbajtura bashkarisht nga Jehovai, Biri i tij dhe miqtë e tyre i bashkojnë ata në një lidhje të pathyeshme dashurie dhe devotshmërie.—Kolosianëve 3:14.
6. Përse Jehovai nuk ka pse t’i fshehë qëllimet e tij?
6 Domethënia e emrit Jehova, «Ai shkakton të bëhet», tregon aftësinë e tij për t’u kthyer në çdo gjë që ai duhet të kthehet, për të përmbushur qëllimin e tij. Ndryshe nga njerëzit, Jehovai s’ka pse t’i fshehë qëllimet e tij, nga frika se mos të tjerët mund të jenë në gjendje ta pengojnë atë në përmbushjen e tyre. Me fjalë të thjeshta, ai nuk mund të dështojë, prandaj zbulon hapur në Fjalën e tij, Biblën, shumë nga ato që ka për qëllim të bëjë. Ai premton: «Fjala ime . . . nuk do të kthehet tek unë pa rezultate, por me siguri që do të bëjë atë, në të cilën kam kënaqësi dhe do të ketë sukses të sigurt në atë, për të cilën e kam dërguar.»—Isaia 55:11, BR.
7. (a) Çfarë paratha Jehovai në Eden dhe si provoi Satanai se Perëndia është i vërtetë? (b) Si mbetet gjithmonë i vërtetë parimi në 2. Korintasve 13:8?
7 Pak kohë pas rebelimit në Eden, Jehovai zbuloi në mënyrë të përmbledhur rezultatin përfundimtar të armiqësisë në rritje mes tij dhe Kundërshtarit të tij, Satanait. Fara e premtuar e Perëndisë do të përjetonte një shtypje të dhimbshme, por jo vdekjeprurëse, kurse Satanai do të vuante tekefundit një shtypje shkatërrimtare. (Zanafilla 3:15) Në vitin 33 të e.s., Djalli faktikisht shtypi Farën, Krishtin Jezu, duke shkaktuar vdekjen e tij. Në këtë mënyrë, Satanai përmbushi Shkrimin dhe njëkohësisht provoi se Jehovai është Perëndi i së vërtetës, edhe pse sigurisht që nuk ishte kjo ajo që Satanai kishte ndër mend. Urrejtja e tij për të vërtetën dhe për të drejtën, si edhe qëndrimi i tij krenar dhe i papenduar, e shpunë atë të bënte saktësisht atë që Perëndia kishte parathënë se ai do të bënte. Po, për të gjithë kundërshtarët e së vërtetës e madje për vetë Satanain, mbetet i vërtetë ky parim: «Nuk mund të bëjmë asgjë kundër së vërtetës, por vetëm për të vërtetën.»—2. Korintasve 13:8, BR.
8, 9. (a) Çfarë di Satanai, por a e vë në rrezik kjo dijeni çuarjen në vend të qëllimeve të Jehovait? (b) Cilin paralajmërim të qartë shpërfillin kundërshtarët e Jehovait dhe përse?
8 Duke qenë se në vitin 1914, Mbretëria e Perëndisë u vendos në mënyrë të padukshme, është zbatuar Zbulesa 12:12: «Për këtë arsye gëzohuni, ju qiej dhe ju që banoni në ta! Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli zbriti tek ju me zemërim të madh, sepse e di që i mbetet një periudhë e shkurtër kohe.» (BR) Por, mos vallë dijenia se koha e tij është e shkurtër, e bën Satanain të ndryshojë rrugë? Kjo do të ishte një pranim nga ana e Satanait se Jehovai është Perëndi i së vërtetës dhe se si Sundimtari Suprem, vetëm ai është i denjë për t’u adhuruar. Gjithsesi, Djalli nuk është i gatshëm të pranojë disfatën, edhe pse i di këto fakte.
9 Jehovai zbulon hapur se çfarë do të ndodhë kur Krishti të vijë për të gjykuar sistemin botëror të Satanait. (Mateu 24:29-31; 25:31-46) Në këtë aspekt, Fjala e tij lajmëron lidhur me sundimtarët e botës: «Kur ata të thonë: ‘Paqe dhe siguri!’ atëherë shkatërrimi i papritur do të jetë menjëherë mbi ta, ashtu si dhimbja e mundimit mbi një grua shtatzënë.» (1. Selanikasve 5:3, BR) Ata që ndjekin shembullin e Satanait, shpërfillin këtë paralajmërim të qartë. Ata janë të verbër, për shkak të zemrave të tyre të liga, gjë kjo që i pengon të pendohen për drejtimin e tyre të ligë dhe të ndryshojnë planet e strategjitë e tyre, që orvaten të pengojnë qëllimet e Jehovait.
10. (a) Deri në ç’masë mund të jetë përmbushur 1. Selanikasve 5:3, por si duhet të reagojë populli i Jehovait? (b) Përse njerëzit pa besim mund të bëhen më agresivë në kundërshtimin e popullit të Perëndisë në të ardhmen?
10 Veçanërisht që nga viti 1986, kur Kombet e Bashkuara shpallën Vitin Ndërkombëtar të Paqes, bota ka qenë e mbushur me bisedime për paqen dhe sigurinë. Janë ndërmarrë hapa të përcaktuar në përpjekje për të siguruar paqen botërore dhe kjo gjë ka sjellë njëfarë suksesi. Mos ndoshta është kjo përmbushja në tërësi e kësaj profecie apo mund të presim një lajmërim të bujshëm të ndonjë lloji në të ardhmen? Jehovai do ta sqarojë këtë çështje në kohën e duhur. Ndërkohë, le të qëndrojmë të zgjuar frymësisht, «duke pritur e duke mbajtur mirë në mendje praninë e ditës së Jehovait». (2. Pjetrit 3:12, BR) Ndërsa koha vazhdon të kalojë me më shumë bisedime për paqen dhe sigurinë, disa individë që e dinë këtë paralajmërim, por që vendosin ta shpërfillin atë, mund të bëhen më kundërshtues në supozimin se Jehovai nuk do ta përmbushë apo nuk mund ta përmbushë fjalën e tij. (Krahaso Eklisiastiun (Predikuesi) 8:11-13; 2. Pjetrit 3:3, 4.) Kurse të krishterët e vërtetë e dinë se Jehovai do ta çojë në vend qëllimin e tij.
Respekt i përshtatshëm për mjetet që përdor Jehovai
11. Çfarë mësuan Danieli dhe Jozefi lidhur me Jehovain?
11 Kur mbretit Nabukodonosor, sundimtar i perandorisë Neo-Babilonase, iu shfaq një ëndërr shqetësuese, të cilën nuk mund ta kujtonte, ai kërkoi ndihmë. Priftërinjtë e tij, magjistarët dhe parashikuesit as nuk mund t’i tregonin atij se cila ishte ëndrra që kishte parë, as nuk mund t’i shpjegonin domethënien e saj. Megjithatë, Danieli, një shërbëtor i Perëndisë, ishte në gjendje ta bënte këtë, ndonëse ai pranoi menjëherë se zbulimi i ëndrrës dhe i domethënies së saj nuk vinte si rezultat i mençurisë së tij. Danieli tha: «Ekziston një Perëndi në qiej, i cili është Zbuluesi i sekreteve dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor se çfarë duhet të ndodhë në pjesën përfundimtare të ditëve.» (Danieli 2:1-30, BR) Disa shekuj më parë, Jozefi, një tjetër profet i Perëndisë, kishte përjetuar në mënyrë të ngjashme se Jehovai është Zbuluesi i sekreteve.—Zanafilla 40:8-22; Amosi 3:7, 8.
12, 13. (a) Kush ishte profeti më i madh i Perëndisë dhe përse përgjigjesh kështu? (b) Cilët shërbejnë sot si «kujdestarë të sekreteve të shenjta të Perëndisë» dhe si duhet t’i konsiderojmë ata?
12 Profeti më i madh i Jehovait që ka shërbyer në tokë, ishte Jezui. (Veprat 3:19-24) Pavli shpjegoi: «Perëndia, që kohë më parë u foli në shumë raste dhe në shumë mënyra etërve tanë me anë të profetëve, na ka folur ne në fund të këtyre ditëve me anë të një Biri, të cilin ai e emëroi trashëgimtar të të gjitha gjërave dhe përmes të cilit ai bëri sistemin e gjërave.»—Hebrenjve 1:1, 2, BR.
13 Jehovai u foli të krishterëve të hershëm nëpërmjet Birit të tij, Jezuit, i cili u bëri të njohur atyre sekretet hyjnore. Atyre Jezui u tha: «Juve ju është dhënë të kuptoni sekretet e shenjta të mbretërisë së Perëndisë.» (Luka 8:10, BR) Më vonë, Pavli foli për të krishterët e mirosur si «vartës të Krishtit dhe kujdestarë të sekreteve të shenjta të Perëndisë». (1. Korintasve 4:1, BR) Sot, të krishterët e mirosur vazhdojnë të shërbejnë si të tillë, duke formuar klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur, që përmes Trupit të tij Udhëheqës siguron ushqim frymor në kohën e duhur. (Mateu 24:45-47) Nëse respektojmë lartësisht profetët e frymëzuar të Perëndisë në ditët e shkuara dhe sidomos Birin e Perëndisë, a nuk duhet të respektojmë edhe mjetin njerëzor, që Jehovai po përdor sot për të zbuluar informacionin biblik kaq të nevojshëm për popullin e tij në këto kohë kaq kritike?—2. Timoteut 3:1-5, 13.
Personalitet i hapur apo që mban të fshehta?
14. Kur i kryejnë të krishterët aktivitetet fshehurazi dhe shembullin e kujt ndjekin me anën e kësaj?
14 Personaliteti i hapur i Jehovait në zbulimin e gjërave do të thotë se të krishterët duhet që gjithmonë dhe në çdo rrethanë të zbulojnë gjithçka që ata dinë? Në fakt, të krishterët ndjekin këshillën e Jezuit drejtuar apostujve të tij, për të qenë «të kujdesshëm si gjarpërinjtë dhe të pafajshëm si pëllumbat». (Mateu 10:16, BR) Nëse u thuhet se nuk mund ta adhurojnë Perëndinë, ashtu siç e kërkon ndërgjegjja e tyre, të krishterët vazhdojnë «t’i binden Perëndisë», pasi ata e kuptojnë se asnjë mjet njerëzor nuk ka të drejtën të kufizojë adhurimin e Jehovait. (Veprat 5:29) Vetë Jezui e tregoi përparësinë e kësaj. Për këtë lexojmë: «Tani, pas këtyre gjërave, Jezui vazhdoi të shkonte nëpër Galile, pasi nuk donte të shkonte nëpër Jude, sepse judenjtë po e kërkonin për ta vrarë. Por festa e judenjve, festa e tabernakujve, ishte pranë. Prandaj, Jezui u tha atyre [vëllezërve të tij mishorë që nuk besonin]: . . . ‘Ngjituni ju në festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk ka ardhur plotësisht.’ Kështu, pasi u tha atyre këto gjëra, qëndroi në Galile. Por kur vëllezërit e tij ishin ngjitur në festë, atëherë edhe ai u ngjit, jo haptazi, por fshehurazi.»—Gjoni 7:1, 2, 6, 8-10, BR.
Të tregojmë apo të mos tregojmë?
15. Si tregoi Jozefi se mbajtja e sekretit është nganjëherë një gjë e dashur?
15 Në disa raste, mbajtja e një çështjeje private, nuk është vetëm e mençur, por edhe e dashur. Për shembull, si reagoi Jozefi, babai adoptues i Jezuit, kur mësoi se e fejuara e tij, Maria, ishte shtatzënë? Le të lexojmë: «Por burri i saj, Jozefi, duke qenë se ishte i drejtë dhe nuk donte ta bënte atë një spektakël për publikun, kishte ndër mend të divorcohej prej saj fshehurazi.» (Mateu 1:18, 19, BR) Ç’gjë mosdashamirëse do të kishte qenë ta bënte atë një spektakël për publikun!
16. Çfarë përgjegjësie kanë pleqtë, si edhe të gjithë anëtarët e tjerë të kongregacionit, për sa u përket çështjeve konfidenciale?
16 Çështjet konfidenciale që mund të shkaktojnë një situatë të vështirë apo dhimbje, nuk u duhen zbuluar njerëzve të paautorizuar. Pleqtë e krishterë e mbajnë në mendje këtë, kur u duhet t’u ofrojnë një këshillë personale bashkë të krishterëve apo mundësisht edhe disiplinë atyre për mëkate serioze kundër Jehovait. Është i nevojshëm trajtimi i këtyre çështjeve në një mënyrë biblike; zbulimi i hollësive konfidenciale atyre që nuk janë të përfshirë, është i panevojshëm dhe jo i dashur. Sigurisht, anëtarët e kongregacionit të krishterë nuk mundohen për të nxjerrë me çengel nga pleqtë informacion konfidencial, por e respektojnë përgjegjësinë e pleqve, për t’i mbajtur sekret gjërat konfidenciale. Proverbat 25:9 vëren: «Mbro çështjen tënde me të afërmin tënd dhe mos e zbulo fjalimin konfidencial të një tjetri.»—BR.
17. Përse të krishterët në shumicën e rasteve i mbajnë sekret çështjet konfidenciale, por përse mund të mos bëjnë gjithnjë kështu?
17 Ky parim mbetet i vërtetë edhe brenda rrethit familjar apo mes miqve të ngushtë. Mbajtja e disa çështjeve konfidenciale është jetësore, për të shmangur keqkuptimet dhe marrëdhëniet e tendosura. «Era nga veriu sjell si me dhimbje lindjeje një rrebesh dhe gjuha që nxjerr një sekret, një fytyrë të denoncuar.» (Proverbat 25:23, BR) Natyrisht besnikëria ndaj Jehovait e ndaj parimeve të tij të drejta, si edhe dashuria për individët që gabojnë, mund të kërkojë në ndonjë rast që t’u tregojmë prindërve, pleqve të krishterë apo personave të tjerë të autorizuar edhe çështje konfidenciale.a Por në të shumtën e rasteve, të krishterët i mbajnë në mirëbesim çështjet sekrete të të tjerëve, duke i ruajtur ato siç do të ruanin të tyret.
18. Cilat tri cilësi të krishtere mund të na ndihmojnë për të vendosur se çfarë duhet të tregojmë e çfarë jo?
18 Me pak fjalë, një i krishterë imiton Jehovain, duke mbajtur disa çështje konfidenciale kur është e nevojshme e duke i zbuluar ato vetëm kur është e përshtatshme. Për të vendosur se çfarë duhet të tregojë dhe çfarë jo, ai drejtohet nga përulësia, besimi dhe dashuria. Përulësia e ndalon të mos ekzagjerojë rëndësinë e vet, duke u munduar të lërë përshtypje tek të tjerët, qoftë edhe duke u treguar atyre gjithçka që di apo duke i munduar me sekrete, të cilat nuk mund t’i tregojë. Besimi në Fjalën e Jehovait dhe në kongregacionin e krishterë e nxit atë të predikojë në mënyrë hyjnore informacionin e siguruar biblik, ndërkohë që tregohet i kujdesshëm për të mos thënë gjëra që mund t’i ofendojnë të tjerët në fillim. Po, dashuria e nxit atë t’i thotë hapur gjërat që lavdërojnë Perëndinë e që njerëzit duhet t’i dinë, me qëllim që të fitojnë jetën. Nga ana tjetër, ai nuk i tregon çështjet personale konfidenciale, duke kuptuar se në të shumtën e rasteve zbulimi i tyre do të tregonte mungesë dashurie.
19. Cila rrugë veprimi ndihmon për të identifikuar të krishterët e vërtetë dhe në çfarë rezulton ajo?
19 Ky afrim i ekuilibruar ndihmon për të identifikuar të krishterët e vërtetë. Ata nuk e fshehin identitetin e Perëndisë pas një maske të paemër apo pas një doktrine Triniteti misterioze e të pashpjegueshme. Perënditë e panjohura janë karakteristikë e fesë së rremë, jo të së vërtetës. (Shiko Veprat 17:22, 23.) Dëshmitarët e mirosur të Jehovait e çmojnë me të vërtetë privilegjin për të qenë «kujdestarë të sekreteve të shenjta të Perëndisë». Duke ua zbuluar hapur të tjerëve këto sekrete, ata ndihmojnë për të tërhequr personat me zemër të ndershme, që të kërkojnë miqësinë e Jehovait.—1. Korintasve 4:1, BR; 1Ko 14:22-25; Zaharia 8:23; Malakia 3:18.
[Shënimi]
a Shiko «Mos merr pjesë në mëkatet e të tjerëve», në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1985, të botuar në anglisht.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse Jehovai nuk ka pse t’i fshehë qëllimet e tij?
◻ Kujt ia zbulon Jehovai sekretet e tij?
◻ Çfarë përgjegjësie kanë të krishterët, për sa u përket çështjeve konfidenciale?
◻ Cilat tri cilësi do t’i ndihmojnë të krishterët se çfarë të tregojnë e çfarë jo?
[Figurat në faqet 8, 9]
Jehovai i zbulon sekretet me anë të Fjalës së tij