BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/8 f. 16-21
  • T’u tregojmë nderim të tjerëve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • T’u tregojmë nderim të tjerëve
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Jehovai i nderon njerëzit
  • Jezui i nderoi të tjerët
  • Pavli tregoi nderim
  • Tregohet nderim në ditët tona
  • Të nderojmë Jehovain
  • T’u japim nderim atyre që u takon
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
  • A jeni të parët për t’i nderuar bashkëbesimtarët?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • A jeni të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Le të nderojmë të gjithë Jehovain dhe Birin e tij!
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/8 f. 16-21

T’u tregojmë nderim të tjerëve

«Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»—Romakëve 12:10, BR.

1, 2. (a) Çfarë duhet të praktikojmë për të shfaqur përulësi mendjeje? (b) Si e përdor shpesh Bibla fjalën «nderim» dhe cilët e kanë më të lehtë të tregojnë nderim?

ARTIKULLI i mëparshëm e vuri theksin mbi këshillën e Fjalës së Perëndisë: «Ngjeshuni me përulësi mendjeje, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1. Pjetrit 5:5, BR) Një mënyrë se si mund të ngjeshemi me përulësi mendjeje është duke praktikuar tregimin e nderimit ndaj të tjerëve.

2 Në Bibël, fjala «nderim» përdoret shpesh për të treguar respektin, vlerësimin dhe konsideratën që duhet t’u shfaqim të tjerëve. I nderojmë të tjerët duke qenë dashamirës me ta, duke respektuar dinjitetin e tyre, duke dëgjuar pikëpamjen e tyre, duke qenë gati për të përmbushur kërkesat e arsyeshme që na bëhen. Për ata që janë të përulur në mendje, zakonisht kjo nuk është e vështirë. Megjithatë, atyre që janë zemërkrenarë, mund t’u duket e vështirë t’u tregojnë nderim të sinqertë të tjerëve dhe, në vend të kësaj, mund të përpiqen të fitojnë favore dhe avantazhe, duke përdorur lajka me hipokrizi.

Jehovai i nderon njerëzit

3, 4. Si i tregoi Jehovai nderim Abrahamit dhe përse?

3 Vetë Jehovai jep shembullin e tij në tregimin e nderimit. Ai i krijoi njerëzit me vullnet të lirë dhe nuk i trajton thjesht si robotë. (1. Pjetrit 2:16) Për shembull, kur i tha Abrahamit se Sodoma do të shkatërrohej për shkak të ligësisë së saj të madhe, Abrahami e pyeti: «Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin? Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet. Ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t’i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë?» Jehovai iu përgjigj se do ta kursente qytetin për hir të pesëdhjetë të drejtëve. Pastaj, Abrahami vazhdoi të lutej me përulësi. Po sikur të kishte vetëm 45? 40? 30? 20? 10? Jehovai e siguroi Abrahamin se nuk do ta shkatërronte Sodomën, sikur të gjendeshin në të edhe vetëm dhjetë njerëz të drejtë.—Zanafilla 18:20-33.

4 Jehovai e dinte se në Sodomë nuk kishte as dhjetë njerëz të drejtë, e megjithatë e nderoi Abrahamin, duke dëgjuar pikëpamjen e tij dhe duke e trajtuar me respekt. Përse? Sepse Abrahami «vuri besim në Jehovain dhe ai vazhdoi t’ia llogariste si drejtësi». Abrahami u quajt «miku i Perëndisë». (Zanafilla 15:6, BR; Jakovit 2:23) Për më tepër, Jehovai pa që Abrahami i nderonte të tjerët. Kur lindi një grindje mes barinjve të tij dhe atyre të nipit të tij, Lotit, lidhur me territorin, Abrahami e nderoi Lotin, duke i thënë të zgjidhte i pari zonën që dëshironte. Loti zgjodhi atë pjesë toke që e konsideronte si vendin më të mirë dhe Abrahami u transferua në një vend tjetër.—Zanafilla 13:5-11.

5. Si e nderoi Jehovai Lotin?

5 Jehovai e nderoi Lotin e drejtë në mënyrë të ngjashme. Para se të shkatërrohej Sodoma, ai i tha atij që të nxitonte për t’u larguar në një zonë malore. Megjithatë Loti tha se nuk dëshironte të shkonte atje, por preferonte të qëndronte në Coarin aty afër, edhe pse ky qytet gjendej në zonën që duhej shkatërruar. Jehovai i tha Lotit: «Unë po ta plotësoj edhe këtë kërkesë, të mos shkatërroj qytetin për të cilin fole.» Jehovai i tregoi nderim Lotit besnik, duke bërë atë që ky i kërkoi.—Zanafilla 19:15-22; 2. Pjetrit 2:6-9.

6. Si e nderoi Jehovai Moisiun?

6 Kur Jehovai i tha Moisiut të kthehej në Egjipt për ta nxjerrë popullin e Tij nga skllavëria dhe për t’i folur faraonit, që ta linte popullin të shkonte, Moisiu iu përgjigj: «Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës.» Jehovai e siguroi Moisiun: «Unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash.» Por, Moisiu ngurronte ende. Atëherë Jehovai e qetësoi Moisiun dhe rregulloi që bashkë me të të shkonte si zëdhënës edhe Aaroni, vëllai i tij.—Eksodi (Dalja) 4:10-16.

7. Përse Jehovai ishte i gatshëm të nderonte të tjerët?

7 Në të gjitha këto raste, Jehovai shfaqi gatishmërinë për të nderuar të tjerët, e veçanërisht ata që i shërbenin atij. Edhe pse ajo që kërkuan ata mund të ketë qenë e ndryshme nga ajo që kishte fillimisht ndër mend Jehovai, ai i mori në konsideratë kërkesat e tyre dhe i pati parasysh ato, për sa kohë që nuk shkelnin qëllimin e tij.

Jezui i nderoi të tjerët

8. Si e nderoi Jezui një grua që ishte shumë e sëmurë?

8 Jezui imitoi Jehovain në nderimin e të tjerëve. Në një rast, mes një turme ishte një grua, e cila kishte 12 vjet që vuante nga fluksi i gjakut. Mjekët nuk kishin qenë në gjendje ta kuronin. Sipas Ligjit të Moisiut, ajo konsiderohej e papastër dhe nuk duhej të kishte qenë atje, mes turmës. Ajo i shkoi nga pas Jezuit, preku rrobën e tij dhe u shërua. Jezui nuk u përqendrua mbi aspektet teknike të Ligjit, duke e qortuar gruan për atë që bëri. Përkundrazi, duke njohur rrethanat e saj, ai e nderoi, duke i thënë: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!»—Marku 5:25-34; Levitiku 15:25-27.

9. Si e nderoi Jezui një johebreje?

9 Në një rast tjetër, një grua fenikase i tha Jezuit: «Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Bija ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon.» Duke e ditur se ishte dërguar për kombin e Izraelit dhe jo për johebrenjtë, Jezui i tha: «Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve [Izraelit] dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve [johebrenjve].» Gruaja iu përgjigj: «[Por] këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.» Atëherë Jezui i tha: «O grua, i madh është besimi yt, t’u bëftë ashtu si dëshiron.» Vajza e saj u shërua. Jezui e nderoi këtë johebreje për shkak të besimit të saj. Edhe shprehja që përdori ai, ‘këlyshët e qenve’, në vend që t’iu referohej qenve të egër, e zbuti krahasimin dhe tregoi dhembshurinë e tij.—Mateu 15:21-28.

10. Cilin mësim të fuqishëm u dha Jezui dishepujve të tij dhe pse nevojitej ky mësim?

10 Jezui u mësoi vazhdimisht dishepujve të tij mbi nevojën për të qenë të përulur në mendje dhe për të nderuar të tjerët, meqë ata e kishin ende problemin e unit. Një herë, pasi kishin pasur një diskutim, Jezui pyeti: «Për çfarë diskutonit ndërmjet jush?» Ata heshtën, sepse «kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi». (Marku 9:33, 34) Madje edhe natën para se të vdiste Jezui, «midis tyre lindi një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi». (Luka 22:24) Prandaj, gjatë darkës së Pashkës, Jezui «hodhi ujë në një legen dhe filloi të lante këmbët e dishepujve». Sa mësim i fuqishëm! Jezui ishte Biri i Perëndisë, i dyti pas Jehovait në të gjithë universin. Megjithatë, u dha dishepujve të tij një mësim madhështor, duke u larë atyre këmbët. Ai tha: «Ju kam dhënë shembullin, që ashtu siç kam bërë unë, të bëni edhe ju.»—Gjoni 13:5-15.

Pavli tregoi nderim

11, 12. Pasi u bë i krishterë, çfarë mësoi Pavli dhe si e zbatoi këtë mësim në lidhje me Filemonin?

11 Duke qenë imitues i Krishtit, apostulli Pavël u tregoi nderim të tjerëve. (1. Korintasve 11:1) Ai tha: «Nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve . . . Përkundrazi, qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha [nëna që ushqen, BR] që rrit me dashuri fëmijët e saj.» (1. Thesalonikasve [Selanikasve] 2:6, 7) Një nënë kujdeset për të vegjlit e saj. Pasi u bë i krishterë, Pavli mësoi të ishte i përulur në mendje dhe u tregoi nderim të bashkëkrishterëve, duke i trajtuar me butësi. Duke bërë kështu, respektoi edhe vullnetin e tyre të lirë, siç u tregua nga një ngjarje që ndodhi kur ai ishte i burgosur në Romë.

12 Një skllav i arratisur, me emrin Onesim, dëgjoi mësimin e Pavlit. Ai u bë i krishterë dhe mik i Pavlit. Pronari i skllavit ishte Filemoni, i cili ishte, gjithashtu, një i krishterë që jetonte në Azinë e Vogël. Në një letër drejtuar Filemonit, Pavli shkroi se sa i dobishëm ishte për të Onesimi, duke thënë: «Do të desha ta mbaja pranë vetes.» Megjithatë, Pavli ia ktheu Onesimin Filemonit, duke shkruar: «Nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde, që e mira të cilën do të bësh, të mos jetë nga detyrimi, por me dashje.» Pavli nuk përfitoi nga fakti që ishte apostull, por e nderoi Filemonin duke mos i kërkuar ta mbante Onesimin në Romë. Për më tepër, Pavli e nxiti Filemonin që ta nderonte Onesimin, duke e trajtuar «shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur».—Filemonit 13-16.

Tregohet nderim në ditët tona

13. Çfarë na thotë Romakëve 12:10 se duhet të bëjmë?

13 Fjala e Perëndisë këshillon: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10, BR) Kjo do të thotë se nuk duhet të presim që të tjerët të na tregojnë të parët nderim, por ne duhet të marrim iniciativën. «Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.» (1. Korintasve 10:24; 1. Pjetrit 3:8, 9) Kështu, shërbëtorët e Jehovait kërkojnë mundësi për t’u treguar nderim atyre që janë brenda rrethit familjar, të bashkëkrishterëve në kongregacion e madje edhe atyre që janë jashtë kongregacionit.

14. Si tregojnë nderim për njëri-tjetrin burri dhe gruaja?

14 Bibla thotë: «Kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri.» (1. Korintasve 11:3) Jehovai ia vë si detyrë burrit që ta trajtojë gruan e vet siç e trajtoi Krishti kongregacionin. Në 1. Pjetrit 3:7, burrit i jepet udhëzimi që t’i japë gruas së vet «nder, si një ene më të dobët, asaj femërore». (BR) Ai mund ta bëjë këtë, duke shfaqur një gatishmëri të sinqertë për ta dëgjuar dhe duke i marrë në konsideratë sugjerimet e gruas. (Zanafilla 21:12) Ai mund ta lërë gruan të zgjedhë, atëherë kur nuk bëhet fjalë për parime biblike, bën gjëra për ta ndihmuar atë dhe e trajton me dashamirësi. Nga ana e saj, «gruaja ta respektojë burrin». (Efesianëve 5:33) Ajo e dëgjon burrin e saj, nuk përpiqet gjithnjë që t’i bëjë gjërat sipas mënyrës së vet dhe nuk ia ul vlerat ose t’i gjejë vazhdimisht të meta. Ajo tregon përulësi mendjeje, duke mos u përpjekur të zotërojë mbi burrin e saj, edhe atëherë kur ka aftësi më të mëdha se ai në disa aspekte.

15. Çfarë konsiderate u tregohet të moshuarve dhe si duhet të reagojnë ata?

15 Brenda kongregacionit të krishterë, ka nga ata që e meritojnë në veçanti të nderohen, siç janë të moshuarit. «Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun [dhe gruan e plakur].» (Levitiku 19:32) Kjo bëhet në veçanti në rastin e atyre që i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait për shumë vjet, pasi «flokët e bardhë janë një kurorë bukurie, kur gjenden në rrugën e drejtësisë». (Fjalët e urta [Proverbat] 16:31) Mbikëqyrësit duhet të japin shembullin e tyre, duke treguar konsideratën e duhur për të bashkëkrishterët që janë më të moshuar se ata. Sigurisht, edhe të moshuarit duhet të shfaqin një qëndrim të respektueshëm ndaj më të rinjve, e veçanërisht ndaj atyre që kanë përgjegjësinë për të kullotur kopenë.—1. Pjetrit 5:2, 3.

16. Si e nderojnë njëri-tjetrin prindërit dhe fëmijët?

16 Të rinjtë duhet të nderojnë prindërit e tyre: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. ‘Ndero babanë dhe nënën tënde’, ky është urdhërimi i parë me premtim, ‘që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe’.» Nga ana tjetër, prindërit i nderojnë fëmijët e tyre, pasi u thuhet ‘të mos i provokojnë për zemërim fëmijët, por t’i edukojnë në disiplinë dhe në këshillë të Zotit’.—Efesianëve 6:1-4; Eksodi 20:12.

17. Cilët janë të denjë që t’u japim «nderim të dyfishtë»?

17 Nderim u duhet treguar edhe atyre që punojnë pa u lodhur për t’i shërbyer kongregacionit: «Pleqtë që drejtojnë në një mënyrë të shkëlqyer le të llogariten të denjë për nderim të dyfishtë, sidomos ata që punojnë shumë në të folur e në të mësuar.» (1. Timoteut 5:17, BR) Një mënyrë se si mund t’u tregojmë nderim atyre është duke bërë atë që thuhet në Hebrenjve 13:17: «Jini të bindur ndaj atyre që drejtojnë mes jush dhe jini të nënshtruar.»—BR.

18. Çfarë duhet të bëjmë ndaj atyre që janë jashtë kongregacionit?

18 A duhet t’u tregojmë nderim atyre që janë jashtë kongregacionit? Po. Për shembull, na jepet ky udhëzim: «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.» (Romakëve 13:1, BR) Këto autoritete janë sundimtarët botërorë, të cilët Jehovai i lejon të ushtrojnë autoritet derisa të zëvendësohen nga Mbretëria e tij. (Danieli 2:44) Prandaj, ne ‘i japim secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtjen atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim’. (Romakëve 13:7) Ne duhet të ‘nderojmë [njerëz] të çdo lloji’.—1. Pjetrit 2:17.

19. Si mund të ‘bëjmë të mirën’ ndaj të tjerëve dhe si mund t’u tregojmë atyre nderim?

19 Ndonëse është e vërtetë që duhet të nderojmë edhe ata që janë jashtë kongregacionit, vër re se çfarë thekson Fjala e Perëndisë: «Sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.» (Galatasve 6:10) Sigurisht, mënyra më e mirë për ‘t’u bërë mirë’ të tjerëve është të kultivojmë dhe të plotësojmë nevojat e tyre frymore. (Mateu 5:3) Këtë mund ta bëjmë, duke i vënë veshin përkujtuesit që na jep apostulli Pavël: «Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.» Kur përdorim me takt çdo mundësi për të dhënë dëshmi, ‘duke përmbushur plotësisht shërbesën tonë’, ne jo vetëm që po u bëjmë mirë të gjithëve, por edhe po u tregojmë nderim.—2. Timoteut 2:15; 4:5.

Të nderojmë Jehovain

20. Çfarë i ndodhi faraonit dhe ushtrive të tij e përse?

20 Jehovai i nderon krijesat e tij. Prandaj, është e arsyeshme që edhe ne, nga ana jonë, ta nderojmë atë. (Fjalët e urta 3:9; Zbulesa 4:11) Fjala e Jehovait thotë, gjithashtu: «Unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen, gjithashtu, nga ana ime.» (1. Samuelit 2:30) Kur faraonit të Egjiptit iu tha ta linte popullin e Perëndisë që të ikte, ai pyeti me arrogancë: «Kush është Zoti që unë duhet t’i bindem zërit të tij?» (Eksodi 5:2) Kur faraoni dërgoi ushtritë e tij për të shtypur izraelitët, Jehovai ndau ujërat e Detit të Kuq që të kalonte Izraeli. Por, kur egjiptianët i ndoqën, Jehovai bëri që ujërat të ktheheshin në vend. «Ai [Jehovai] hodhi në det qerret e faraonit dhe ushtrinë e tij.» (Eksodi 14:26-28; 15:4) Kështu, refuzimi me krenari nga ana e faraonit për të nderuar Jehovain, çoi në fundin e tij shkatërrimtar.—Psalmi 136:15.

21. Pse Jehovai ishte kundër Belshazarit dhe çfarë solli kjo si pasojë?

21 Mbreti Belshazar i Babilonisë refuzoi të nderonte Jehovain. Gjatë një gostie, ku të gjithë ishin dehur, ai e talli Jehovain, duke pirë verë me enët e shenjta prej ari e argjendi që ishin marrë nga tempulli i Jerusalemit. Ndërsa bënte këtë, ai lavdëronte perënditë e tij pagane. Por shërbëtori i Jehovait, Danieli, i tha: «Ti nuk e ke përulur zemrën tënde, përkundrazi je ngritur kundër Zotit të qiellit.» Po atë natë Belshazari u vra dhe iu mor mbretëria.—Danieli 5:22-31.

22. (a) Pse ra zemërimi i Jehovait mbi udhëheqësit e Izraelit dhe popullin e tyre? (b) Cilët favorizoi Jehovai dhe me çfarë rezultati?

22 Në shekullin e parë të e.s., mbreti Herod po mbante një fjalim para popullit dhe ata bërtitën: «Zë i perëndisë dhe jo i njeriut!» Mbreti krenar nuk refuzoi, por përkundrazi, i pëlqeu kjo lavdi. Në këtë çast, «një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë». (Veprat 12:21-23) Herodi nderoi vetveten, jo Jehovain dhe u godit për vdekje. Udhëheqësit fetarë të asaj kohe e kishin turpëruar Perëndinë, duke komplotuar për të vrarë Birin e tij, Jezuin. Disa krerë e dinin se Jezui mësonte të vërtetën, por nuk e ndoqën atë, «sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë». (Gjoni 11:47-53; 12:42, 43) Kombi, si një i tërë, nuk e nderoi Jehovain dhe as Përfaqësuesin e tij të emëruar, Jezuin. Për pasojë, Jehovai nuk i nderoi më, duke i braktisur ata dhe tempullin e tyre në shkatërrim. Megjithatë, i ruajti gjallë ata që e nderonin Atë dhe Birin e tij.—Mateu 23:38; Luka 21:20-22.

23. Çfarë duhet të bëjmë për të jetuar në botën e re të Perëndisë? (Psalmi 37:9-11; Mateu 5:5)

23 Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë në botën e re të Perëndisë, pasi të shkatërrohet ky sistem i tanishëm, duhet të nderojnë Perëndinë dhe Birin e tij, Krishtin Jezu dhe t’u binden atyre. (Gjoni 5:22, 23; Filipianëve 2:9-11) Ata që nuk tregojnë një nderim të tillë, «do të shfarosen nga toka». Nga ana tjetër, të drejtët që e nderojnë Perëndinë e Krishtin dhe u binden atyre, janë ata që «do të banojnë tokën».—Fjalët e urta 2:21, 22.

Rishikim

◻ Çfarë do të thotë të nderosh të tjerët dhe si e ka bërë Jehovai këtë?

◻ Si i nderuan të tjerët Jezui dhe Pavli?

◻ Cilët meritojnë nderim në ditët tona?

◻ Pse duhet të nderojmë Jehovain dhe Jezuin?

[Figura në faqen 17]

Jehovai e nderoi Abrahamin, duke marrë në konsideratë kërkesën e tij

[Figura në faqen 18]

Në një martesë të suksesshme, burri dhe gruaja nderojnë njëri-tjetrin

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo