T’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë
14 SHTATORI i vitit 2002 ishte një ditë e ngrohtë dhe me diell në Nju-Jork, SHBA. Atë ditë, një shumicë ndërkombëtare prej 6.521 vetash u mblodhën në Qendrën e Arsimimit në Paterson dhe në dy komplekse të tjera ndërtesash të Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë. U mblodhën për të marrë pjesë në diplomimin e klasës së 113-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Studentët ishin nga 14 vende dhe i kishin kaluar pesë muajt e fundit duke u përgatitur për shërbimin misionar në 19 vendet ku do të caktoheshin.
Drejtues i programit ishte Keri Barberi, i cili është më tepër se 97 vjeç dhe është anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai e përqendroi vëmendjen te trashëgimia gati 60-vjeçare e Shkollës së Galaadit, e cila ka pajisur mijëra persona për të shkuar në fushën misionare. Vëlla Barberi tha: «Nuk e teprojmë po të themi se nga stërvitja e mëtejshme e tyre kanë ardhur rezultate të mëdha. Në kuptimin e mirëfilltë, qindra mijë njerëz zemërbutë anembanë tokës ia kanë kushtuar jetën Jehovait, kanë pranuar adhurimin e vërtetë dhe kanë ndërmarrë shërbimin e shenjtë falë ndihmës që u kanë dhënë atyre misionarët.»
Para se të ndiqnin Shkollën e Galaadit, shumë studentë e treguan interesimin e tyre për të zgjeruar shërbimin. Një çift kishte ndjekur për më tepër se një vit një kurs të gjuhës kineze mandarin me qëllim që t’i predikonin popullsisë së madhe kineze në zonën e tyre në Kanada. Një çift tjetër filloi të studionte vetë gjuhën shqipe dhe më vonë u transferua në Shqipëri për të ndjekur interesin e madh që kishin njerëzit atje për Biblën. Pjesëtarët e tjerë të klasës ishin nga Hungaria, Guatemala dhe Republika Domenikane, vende ku ishin transferuar për të shërbyer sepse kishte nevojë të madhe për mësues të Fjalës së Perëndisë.
Përpara se të niseshin për në caktimet e tyre në Afrikë, në Evropën Lindore, në Amerikën Qendrore e Jugore, si dhe në Lindjen e Largët, të gjithë studentët e diplomuar u nxitën që të marrin parasysh Perëndinë në gjithçka që bëjnë.
T’i shohim gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë
Pas fjalëve hyrëse, vëlla Barberi prezantoi Maksuell Llojdin, anëtar i Komitetit të Degës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u përqendrua në temën: «T’i shohim të gjitha gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë.» Vëlla Llojdi përqendroi vëmendjen te shembulli i Davidit dhe i Birit të Perëndisë, Jezuit. (1 Samuelit 24:6; 26:11; Luka 22:42) Pasi u kujtoi studentëve se studimi pesëmujor i Biblës u kishte dhënë atyre stërvitjen për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë, oratori bëri pyetjen: «A do t’i ndihmoni njerëzit me të cilët do të studioni në caktimin tuaj të ri të arsyetojnë sipas këndvështrimit të Perëndisë?» Gjithashtu në lidhje me dhënien e këshillave të tjerëve, ai i këshilloi studentët: «Mos thoni: ‘Sipas pikëpamjes sime, mendoj që . . . ’ Përkundrazi, ndihmojini të kuptojnë se cila është pikëpamja e Perëndisë. Duke ndjekur këtë drejtim, do të tregoni se jeni një bekim i vërtetë për ata me të cilët do të shoqëroheni në caktimin tuaj.»
Më pas në program ishte Gerrit Loshi, anëtar i Trupit Udhëheqës. Duke folur për temën «Unë jam me ty», ai tërhoqi vëmendjen ndaj shumë rasteve kur Jehovai u tha shërbëtorëve të tij besnikë: «Unë jam me ty.» (Zanafilla 26:23, 24; 28:15; Jozueu 1:5; Jeremia 1:7, 8) Në ditët tona mund të kemi të njëjtën siguri te Jehovai nëse qëndrojmë besnikë. Vëlla Loshi theksoi: «A shqetësoheni nëse do të gjeni apo jo njerëz me të cilët të studioni Biblën? Kujtoni se Jehovai tha: ‘Unë jam me ty.’ A shqetësoheni nëse do të keni apo jo mjaftueshëm nga ana materiale? Jehovai tha: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’» (Hebrenjve 13:5) Vëlla Loshi përfundoi duke u kujtuar studentëve që Jezui premtoi se do të ishte me ithtarët e tij besnikë në veprën e bërjes së dishepujve.—Mateu 28:20.
Tema e instruktorit të Galaadit Lorenc Bouen ishte: «A do të gjeni siguri gjatë sprovave të zjarrta?» Ai theksoi se për shkak të çështjeve të ngritura në Eden, të gjithë ata që kanë dashur t’i japin Jehovait përkushtim të veçantë kanë hasur vështirësi dhe ndonjëherë edhe sprova të zjarrta. I inkurajoi të diplomuarit të ndiqnin shembullin e Jezuit, i cili gjeti siguri të vërtetë duke u mbështetur plotësisht te Jehovai dhe duke i pranuar sprovat e zjarrta që Jehovai lejoi për ta përsosur bindjen e Birit të tij. (Hebrenjve 5:8, 9) Jehovai mund të krahasohet me një rafinues ari, i cili përdor pikërisht sasinë e duhur të nxehtësisë për të hequr papastërtitë. Patjetër që besimi i sprovuar nga provat e zjarrta krijon një siguri shumë më të madhe sesa ari i rafinuar. Përse? Vëlla Boueni tha: «Sepse besimi i rafinuar mund t’i qëndrojë çdo presioni dhe ai na pajis për të qëndruar deri në ‘fund’. »—Mateu 24:13.
Një instruktor tjetër i Galaadit, Mark Numari, bëri pyetjen: «A do të jeni të pëlqyer?» Tema e tij përqendrohej te fjalët e 1 Samuelit 2:26, (BR) të cilat përshkruajnë se Samueli ishte ‘i pëlqyer, si për Jehovain, ashtu edhe për njerëzit’. Pasi trajtoi shembullin e Samuelit, vëlla Numari, i cili ka kaluar më tepër se 10 vjet në shërbimin misionar në Afrikë, tha: «Edhe ju mund të jeni shumë të pëlqyer në sytë e Perëndisë duke iu përmbajtur me besnikëri veprës që Perëndia ju ka dhënë për të bërë. Ai ju ka dhënë një caktim misionar të çmuar.» Pastaj vëlla Numari e inkurajoi klasën e të diplomuarve që ta shihnin caktimin e tyre si diçka të shenjtë që iu është besuar nga Perëndia dhe të kishin mënyrën e të menduarit të Jehovait në përmbushjen e caktimeve të tyre.
Gjatë shkollës, në fundjavë, studentët kishin mundësi të shumta për të folur me njerëzit në atë zonë për «gjërat madhështore të Perëndisë» të paraqitura në Bibël. (Veprat 2:11) Në fakt, ata arritën të flitnin për këto gjëra në dhjetë gjuhë. Uollas Livërënsi, një instruktor tjetër i Galaadit, gjatë trajtimit të temës « ‘Gjërat madhështore të Perëndisë’ i nxitin njerëzit në veprim», intervistoi një grup studentësh të cilët treguan përvojat e tyre. Ai theksoi: «Fryma i shtyu ata që ndodheshin në dhomën e sipërme në Festën e Ditës së Pesëdhjetë që të flitnin për ‘gjërat madhështore të Perëndisë’. E njëjta frymë vepron sot te të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë.» Disa madje janë motivuar të mësojnë gjuhë të huaja me synimin që t’u dëshmojnë sa më shumë njerëzve.
Këshilla praktike për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë
Pas fjalimeve hyrëse, Geri Bro dhe Uilliam Jong, pjesëtarë të familjes Bethel të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, intervistuan anëtarë të komiteteve të ndryshme të degëve në vendet ku po shërbejnë misionarët, si dhe një çift i cili kishte kaluar 41 vjet në shërbimin misionar. Aty u tha një pohim i tillë: «Ata që kërkojnë sa më pak gjëra për veten e tyre qëndrojnë për një kohë më të gjatë. Këta persona e përqendrojnë vëmendjen te arsyet pse erdhën. E dinë se erdhën të predikojnë lajmin e mirë dhe për të ndihmuar njerëzit që të njohin Jehovain.»
Dejvid Splejn, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës, e mbylli programin me fjalimin me temë: «Nuk po shkoni shumë larg!» Çfarë donte të thoshte me këtë duke qenë se 46 të diplomuarit do t’i dërgonin nëpër vende anembanë globit? Ai shpjegoi: «Pavarësisht se në cilën pjesë të tokës ndodheni, për sa kohë të jeni besnikë, do të jeni gjithmonë në shtëpinë e Jehovait.» Po, të gjithë të krishterët besnikë, kudo që të ndodhen, po shërbejnë në një pjesë të tempullit ose të shtëpisë së madhe frymore të Perëndisë, i cili u krijua në kohën e pagëzimit të Jezuit në shekullin e parë. (Hebrenjve 9:9) Sa ngushëlluese ishte për të pranishmit të dinin se Jehovai është pranë të gjithë shërbëtorëve të tij besnikë në tokë! Ashtu si Jehovai interesohej për Jezuin kur ai ishte në tokë, po kështu Ai interesohet për të gjithë ne dhe për shërbimin që bëjmë, pavarësisht se ku ndodhemi. Prandaj në lidhje me adhurimin, nuk jemi kurrë larg nga njëri-tjetri dhe nga Jehovai e Jezui.
Pastaj u dëgjuan përshëndetjet e dërguara nga mbarë bota, u njoftuan caktimet e studentëve dhe u lexua një letër e klasës, në të cilën shprehej çmueshmëria për stërvitjen e marrë në Galaad. Pas kësaj drejtuesi e përfundoi programin me sukses. Ai i inkurajoi misionarët e rinj që të vazhdojnë veprën e tyre dhe të gëzohen në shërbimin e Jehovait.—Filipianëve 3:1.
[Kutia në faqen 23]
STATISTIKAT E KLASËS
Numri i vendeve të përfaqësuara: 14
Numri i shteteve ku u caktuan: 19
Numri i studentëve: 46
Mosha mesatare: 35
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 17,2
Mesatarja e viteve në shërbimin e plot- kohor: 13,7
[Figura në faqen 24]
Diplomimi i klasës së 113-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Ligthart, M.; Hosoi, S.; Berktold, A.; Liem, C.; Aoki, J. (2) Baglyas, J.; Bouqué, S.; Bossi, A.; Alton, J.; Escobar, I.; Escobar, F. (3) Stoica, A.; Stoica, D.; Freimuth, S.; Karlsson, M.; LeBlanc, R. (4) Bianchi, R.; Bianchi, S.; Kaminski, L.; Joseph, L.; Paris, S.; LeBlanc, L. (5) Paris, M.; Skidmore, B.; Horton, J.; Horton, L.; Skidmore, G. (6) Liem, B.; Alton, G.; Qirici, E.; Langlois, M.; Steininger, S.; Aoki, H. (7) Langlois, J.; Steininger, M.; Bossi, F.; Kaminski, J.; Bouqué, J.; Ligthart, E.; Hosoi, K. (8) Baglyas, J.; Qirici, M.; Karlsson, L.; Freimuth, C.; Berktold, W.; Joseph, R.