«Kush vuri mençuri në shtresat e reve»?
«KUR ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi menjëherë thoni, ‘Do të vijë shiu’, dhe ashtu ndodh; përkundrazi kur fryn juga, ju thoni, ‘Do të bëjë vapë’, dhe ashtu ndodh.» Këto fjalë të Jezuit, shkruar nga shkrimtari i ungjillit, Luka, janë shembuj të parashikimit të motit siç bëhej në Palestinën e lashtë. (Luka 12:54, 55) Në rrethana të tilla, të lashtët mund të lexonin shenjat dhe të bënin një parashikim të saktë afatshkurtër.
Sot, për të matur të dhënat e motit për një periudhë më afatgjatë, meteorologët përdorin instrumente të ndërlikuara të tilla, si: satelitë që janë në orbitë përqark tokës, radar Dopler dhe kompjutera të fuqishëm. Por parashikimet e tyre janë shpesh të gabuara. Pse?
Ka shumë faktorë që e vështirësojnë parashikimin e saktë të motit. Për shembull, ndryshimet e paparashikuara të temperaturës, lagështisë, presionit të ajrit dhe të shpejtësisë dhe drejtimit të erës mund t’i ndërlikojnë gjërat. U shtojmë këtyre edhe bashkëveprimin e ndërlikuar të diellit, reve dhe oqeaneve që shkencëtarët nuk e kuptojnë ende plotësisht. Për këtë arsye, parashikimi i motit mbetet një shkencë e pasaktë.
Njohuria e kufizuar e njeriut për motin na sjell ndër mend pyetjen që bëri Jobi: «Kush i lindi pikat e vesës? Nga barku i kujt del në të vërtetë akulli? . . . A mund ta ngresh ti zërin deri në re, në mënyrë që një masë e trazuar uji vetë të mund të të mbulojë? . . . Kush vuri mençurinë në shtresat e reve ose kush i dha kuptueshmëri dukurisë qiellore? Kush mund t’i numërojë saktësisht retë me mençuri, ose qypat e ujit të qiellit—kush mund t’i derdhë ato?»—Jobi 38:28-37, BR.
Përgjigjja për të gjitha këto pyetje është: jo njeriu, por Perëndia Jehova. Po, sado të mençur që mund të duken njerëzit, mençuria e Krijuesit tonë është shumë, shumë më e lartë. Është me të vërtetë një tregues i dashurisë nga ana e tij, fakti që na ka bërë të mundur të kemi mençurinë e tij në faqet e Biblës, në mënyrë që të mund ta bëjmë rrugën tonë të suksesshme.—Proverbat 5:1, 2.