BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/1 f. 10-19
  • Strehohuni në Jehovain

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Strehohuni në Jehovain
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kori i fuqishëm i lajmëtarëve të Mbretërisë
  • Një kala ku mund të banojmë
  • Të predikojmë me besim
  • «Një thesar mirësie»
  • Strehimi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • ‘Gjej strehë tek emri i Jehovait’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/1 f. 10-19

Strehohuni në Jehovain

«Tek ty, O Jehova, jam strehuar.»​—PSALMI 31:1, BR.

1. Si e shpreh Psalmi 31 besimin në aftësinë e Jehovait për të siguruar strehim?

NJË ZË melodioz këndon për një njeri që i kapitur mendërisht dhe fizikisht, e mbështet veten mbi Jehovain. Besimi triumfon, thonë vargjet e asaj kënge të shenjtë. Në krahët e hapura të të Plotfuqishmit, njeriu gjen strehë prej persekutuesve që e ndjekin. «Tek ty, O Jehova, jam strehuar,—vazhdon psalmi i tij.—Oh, kurrë mos u turpërofsha. Në drejtësinë tënde më siguro shpëtim.»​—Psalmi 31:1, BR.

2. (a) Mbi cilat dy shtylla mund ta vendosim besimin në kështjellën tonë, Jehovain? (b) Çfarë lloj Perëndie është Jehovai?

2 Psalmisti ka një strehim, më të mirin! Gjithçka le të jetë e dyshimtë, por ky fakt mbetet: Jehovai është kështjella e tij, kalaja e tij. Besimi bazohet mbi dy shtylla të sigurta. Njëra është besimi i tij, për të cilin Jehovai do të bëjë që të mos i vijë kurrë turp dhe e dyta është drejtësia e Jehovait, që do të thotë se Ai nuk do ta braktisë kurrë shërbëtorin e Tij. Jehovai nuk është një Perëndi që i turpëron shërbëtorët e tij besnikë; ai nuk i shkel premtimet. Përkundrazi, është një Perëndi i së vërtetës, që i shpërblen ata që sinqerisht besimin e tyre e vendosin tek ai. Më në fund, besimi do të shpërblehet! Shpëtimi do të vijë!​—Psalmi 31:5, 6.

3. Si e lavdëroi psalmisti Jehovain?

3 Duke kompozuar muzikën e tij me melodi valëzuese që ngrihen prej thellësive të trishtimit dhe hidhërimit deri në majat e besimit, psalmisti gjen një forcë të brendshme. Ai lavdëron Jehovain për dashurinë e Tij besnike. «Qoftë i bekuar Zoti [Jehovai, BR], sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar»,—këndon ai.​—Psalmi 31:21.

Kori i fuqishëm i lajmëtarëve të Mbretërisë

4, 5. (a) Cili kor i fuqishëm po e lavdëron Jehovain sot dhe si e kanë bërë këtë gjatë vitit të kaluar të shërbimit? (Shiko tabelën në faqet 12-15.) (b) Në ç’mënyrë pjesëmarrja në Përkujtim tregon se ka edhe shumë individë që dëshirojnë t’i bashkohen korit të lajmëtarëve të Mbretërisë? (Shiko tabelën.) (c) Cili grup në kongregacionin tënd mund të jetë në radhë për t’iu bashkuar korit?

4 Sot, fjalët e psalmit vijnë përsëri në jetë. Këngët e lavdisë për Jehovain nuk mund të mbyten prej asnjë armiku djallëzor, prej asnjë shkatërrimi natyral ose prej asnjë trishtimi ekonomik; vërtet, dashamirësia e dashur e Jehovait është bërë e mrekullueshme për popullin e tij. Vitin e fundit të shërbimit, anembanë botës, një kor i fuqishëm që arriti kulmin prej 4.709.889 vetash në 231 vende, këndoi mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë. Qeveria qiellore e Jehovait, e kryesuar nga Krishti Jezu është një strehim që nuk do t’i zhgënjejë ata. Vitin e fundit, këta lajmëtarë të Mbretërisë prej 73.070 kongregacionesh, harxhuan një shumë prej 1.057.341.972 orësh në veprën e ungjillëzimit. Rezultat i kësaj qenë 296.004 persona që e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Perëndisë me pagëzim. Dhe çfarë surprize të bukur gëzuan të gjithë pjesëmarrësit në Kongresin Ndërkombëtar «Mësimi Hyjnor», që u mbajt në Kiev, Ukrainë, gushtin e kaluar. Ata panë historinë të shkruhej, duke qenë dëshmitarë të grupit më të madh të të krishterëve të vërtetë që janë pagëzuar ndonjëherë! Ashtu siç profetizoi Isaia 54:2, 3, populli i Perëndisë po shtohet në një numër që s’ka precedent.

5 Megjithatë, edhe nënshtetas të tjerë vullnetarë të Mbretërisë së Perëndisë janë në radhë për t’iu bashkuar korit. Vitin që shkoi, në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit morën pjesë 11.865.765 njerëz, një shumë e mahnitshme. Plot me shpresë, shumë prej tyre do të aftësohen për të kënduar këngën e Mbretërisë nga dera në derë gjatë këtij viti shërbimi. Me sa zemërim do ta mbushë kjo perspektivë armikun e së vërtetës, Satana Djallin!​—Zbulesa 12:12, 17.

6, 7. Shpjego se si një njeri i interesuar i mposhti shqetësimet e demonëve me ndihmën e Jehovait.

6 Satanai do të përpiqet për t’i bllokuar të tjerët që t’i bashkojnë zërat e tyre me këtë kor të fuqishëm. Për shembull, lajmëtarët në Tailandë shikonin një numër gjithnjë e në rritje njerëzish të goditur nga shqetësime demonike. Megjithatë, shumë njerëz të sinqertë janë liruar me ndihmën e Jehovait. Pasi vizitoi një magjistar i shtyrë nga kurioziteti, një burrë u gjend nën pushtetin e demonëve për dhjetë vjet. Ai u përpoq të lirohej nga pushteti i tyre me ndihmën e një kleriku, por nuk pati asnjë përmirësim të dukshëm. Një shërbëtor i plotë kohor i Dëshmitarëve të Jehovait filloi një studim biblik me të dhe i mësoi nga Bibla mënyrën e vetme për t’u liruar nga pushteti i demonëve: marrja e njohurisë së saktë për të vërtetën, besimi në Jehova Perëndinë dhe lutja ndaj tij.​—1. Korintasve 2:5; Filipianëve 4:6, 7; 1. Timoteut 2:3, 4.

7 Natën pas kësaj bisede, ky person pati një ëndërr në të cilën i ati i vdekur e kërcënoi që të kthehej sërish në një medium spiritist. Familja e tij filloi të vuante. Pa dashur të lëkundej, personi i vazhdoi mësimet e Biblës dhe filloi të ndiqte mbledhjet. Gjatë njërit prej këtyre studimeve, pionieri i shpjegoi se disa herë sendet e përdorura në ritualet spiritiste mund t’u hapin demonëve rrugën për të shqetësuar njerëzit që përpiqen të lirohen prej pushtetit të tyre. Atëherë burri u kujtua se kishte ca vaj që e kishte përdorur si hajmali. Tani ai e kuptoi se duhej ta hidhte tej. Që kur e hodhi atë, ai nuk pati më shqetësime prej frymërave të liga. (Krahaso Efesianëve 6:13; Jakovit 4:7, 8.) Ai dhe e shoqja po bëjnë një përparim të mirë në studimin e tyre dhe ndjekin rregullisht mbledhjet për t’u udhëzuar nga Bibla.

8, 9. Çfarë pengesash të tjera kanë kapërcyer disa lajmëtarë të Mbretërisë?

8 Edhe pengesa të tjera mund ta mbysin tingullin e lajmit të mirë. Për shkak të një gjendjeje ekonomike me të vërtetë shtypëse, shumë punëtorë në Gana kanë humbur punën. Kostoja e jetesës është ngritur në qiell, gjë që përbën një problem të vërtetë për sigurimin e nevojave më të thjeshta për të jetuar. Si e ka përballuar këtë situatë populli i Jehovait? Duke besuar jo tek vetja, por në Jehovain. Për shembull, një ditë një njeri la një zarf të mbyllur mbi tryezën e recepsionit në zyrën e degës. Në zarf kishte 200 dollarë, që është njësoj me pagën minimale të tre muajve. Zarfi vinte prej një dhuruesi anonim, por në mbështjellëse gjendej ky shënim: «E humba punën që kisha, por Jehovai më siguroi një tjetër. I jam mirënjohës atij dhe Birit të tij, Krishtit Jezu. Për të ndihmuar në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë para se të vijë fundi, po vendos një kontribut modest.»​—Krahaso 2. Korintasve 9:11.

9 Pjesëmarrja në mbledhje ndihmon në stërvitjen e atyre që i bashkohen korit të fuqishëm në lavdi të Jehovait. (Krahaso Psalmin 22:22.) Në pjesën jugore të Hondurasit, ndodhet një kongregacion i vogël i quajtur El Jordán. Por, çfarë është kaq e veçantë në këtë grup të vogël? Pjesëmarrja e tyre besnike në mbledhje. Prej 19 lajmëtarëve, 12 janë të detyruar të kalojnë një lumë të gjerë për të ndjekur rregullisht mbledhjet çdo javë. Dhe kjo nuk përbën ndonjë problem të madh gjatë stinës së thatë, pasi lumi mund të kalohet duke përdorur shkëmbinjtë si gurë kalimi. Megjithatë, gjatë periudhës së shirave kushtet ndryshojnë. Ajo që dikur ishte një shtrirje e parëndësishme uji, kthehet në një përrua që merr me vete gjithçka që gjen përpara. Për të kapërcyer këtë pengesë, vëllezërit dhe motrat duhet të jenë notarë të mirë. Para se të kapërcejnë, ata i fusin rrobat e mbledhjes në një tina (një tub metalik) dhe e mbulojnë atë me një thes plastik. Notarët më të fortë i përdorin tina-t si një bovë dhe udhëheqin grupin. Pasi mbërrijnë në krahun tjetër, thahen, ndërrohen dhe vijnë në Sallën e Mbretërisë të gëzuar dhe të pastër dritë!​—Psalmi 40:9.

Një kala ku mund të banojmë

10. Përse mund të kthehemi tek Jehovai gjatë kohëve të vështira?

10 Sido që të ndihesh, krejtësisht nën sulmet e demonëve apo nën shtypje që vijnë nga burime të tjera, Jehovai mund të bëhet kështjella jote. Thirre atë në lutje. Ai i dëgjon me kujdes edhe rënkimet e dobëta të popullit të vet. Psalmisti e kuptoi se kjo ishte e vërtetë dhe shkroi: «Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh. Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën. Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.»​—Psalmi 31:2-4.

11. Shpjego se përse kështjella e Jehovait nuk është një vend i përkohshëm.

11 Jehovai nuk siguron vetëm një strehim të përkohshëm, por një kala që nuk mund të sulmohet dot, në të cilën mund të jetojmë në siguri. Udhëheqja dhe drejtimi i tij nuk do t’i mungojnë popullit të tij. Forca hyjnore do t’i bëjë të papërdorshme të gjitha veprimet dinake të Satanait dhe të këlyshëve të tij. (Efesianëve 6:10, 11) Ndërsa besojmë me gjithë zemër në Jehovain, ai do të na largojë nga çdo grackë e Satanait. (2. Pjetrit 2:9) Gjatë katër viteve të shkuara, në 27 vende është legalizuar vepra e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu, nga disa zona të botës ku kushtet shoqërore, ekonomike apo politike e pengojnë predikimin e lajmit të mirë, disa njerëz ngjashëm deleve kanë shkuar në vende që mund të arrihen më me lehtësi. Japonia është një vend i tillë.

12. Si e bëri një pionier në Japoni Jehovain kalanë e tij?

12 Në Japoni ka pasur një vërshim të punëtorëve të ardhur nga përtej deti dhe kështu janë ngritur shumë kongregacione në gjuhë të huaja. Përvoja e një vëllai në një kongregacion japonez, ilustron se sa produktive mund të jetë kjo fushë në gjuhë të huaj. Ai dëshironte të shërbente aty ku kishte më shumë nevojë. Por, tashmë ai udhëhiqte dhjetë studime biblike aty ku gjendej. Duke bërë shaka, një nga miqtë e tij i tha: «Nëse shkon aty ku nevoja është më e madhe, do të kesh njëzet studime biblike!» Ai mori një caktim dhe shkoi në Hiroshima. Megjithatë, kaluan katër muaj dhe ai kishte vetëm një studim biblik. Një ditë takoi një brazilian që fliste vetëm portugalisht. Pasi nuk mundi të komunikonte me atë burrë, vëllai bleu një libër në portugalisht. Kur mësoi disa shprehje të thjeshta për të biseduar, ai e vizitoi sërish personin. Kur dëgjoi vëllain që e përshëndeti në portugalisht, burri u habit dhe me një buzëqeshje të madhe hapi derën dhe e ftoi brenda. Kështu filluan një studim biblik. Shumë shpejt vëllai udhëhiqte gjithsej 22 studime, 14 në portugalisht, 6 në spanjisht dhe 2 në japonisht!

Të predikojmë me besim

13. Përse askujt prej nesh nuk duhet t’i vijë turp gjatë shërbimit të Jehovait?

13 Populli i Jehovait këndon i sigurt këngën e Mbretërisë, me besim të plotë se Jehovai është streha e tij. (Psalmi 31:14) Atyre nuk do t’u vijë turp​—Jehovai nuk do t’i përulë, sepse ai do ta përmbushë fjalën e tij. (Psalmi 31:17) Djalli dhe bandat e tij demonike do të turpërohen. Pasi është i angazhuar në predikimin e një lajmi nga i cili nuk ka pse turpërohet, popullit të Jehovait nuk i vjen turp prej njerëzve në predikim. Nuk është kjo mënyra në të cilën Jehovai, apo Biri i tij, i nxit njerëzit për të adhuruar Atë. Kur zemrat e njerëzve janë plot me besim dhe çmueshmëri për mirësinë dhe dashamirësinë e dashur të Jehovait, kjo gjendje e mirë e zemrave të tyre i nxit buzët e tyre që të flasin. (Luka 6:45) Prandaj, sado qoftë koha që harxhojmë në shërbim çdo muaj, veçanërisht nëse kjo përfaqëson më të mirën e asaj që ne mund të bëjmë, është e mirë dhe nuk duhet të na vijë turp. A nuk e vlerësuan plotësisht Jezui dhe Ati i tij, ndihmën e vogël që dha vejusha.?​—Luka 21:1-4.

14. Çfarë komentesh mund të bësh në lidhje me veprën e pionierit? (Shiko edhe tabelën.)

14 Për një numër gjithnjë e në rritje lajmëtarësh, adhurimi me gjithë shpirt përfshin shërbimin si pionierë: vitin që shkoi arritën një maksimum prej 890.231 vetash! Përvoja vijuese tregon se si një motër nga Nigeria hyri në radhët e pionierëve. Ajo shkruan: «Kur isha në mbarim të shkollës së mesme, shkova për të ndihmuar në përgatitjen e ushqimit për ata që ndiqnin shkollën e pionierëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Atje takova dy motra që ishin më të vjetra se gjyshja ime. Kur mësova se ato ishin pioniere që ndiqnin shkollën, mendova me vete: ‘Nëse ato mund të jenë pioniere, përse nuk mund të jem edhe unë?’ Kështu, pasi mbarova shkollën, edhe unë u bëra një pioniere e rregullt.»

15. Në ç’mënyrë dëshmia jo formale mund t’u hapë rrugën të tjerëve për t’u strehuar në Jehovain?

15 Jo të gjithë mund të jenë pionierë, por të gjithë mund të dëshmojnë. Në Belgjikë, një motër 82-vjeçare shkoi për të blerë mish. Ajo vuri re se gruaja e kasapit ishte plotësisht e çoroditur prej trazirave të fundit politike. Kështu, bashkë me paratë e faturës, motra i dha edhe fletushkën Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait? Kur motra erdhi përsëri në dyqan, gruaja e kasapit pa ngurruar për asnjë çast e pyeti se çfarë thoshte Bibla për një luftë të tretë botërore të mundshme. Motra i solli asaj librin Paqe dhe siguri e vërtetë​—Si mund ta gjesh atë? (angl.) Pak ditë më vonë, kur motra e moshuar shkoi në dyqan, gruaja pati edhe më shumë pyetje për të. Zemra e motrës u tërhoq prej asaj gruaje; ajo i ofroi asaj një studim biblik dhe kjo gjë u pranua. Tani, gruaja e kasapit dëshiron të pagëzohet. Ç’mund të themi për kasapin? Edhe ai e lexoi fletushkën dhe tani po studion Biblën.

«Një thesar mirësie»

16. Në ç’mënyrë Jehovai ka lënë mënjanë një thesar mirësie për popullin e tij?

16 Gjatë këtyre ditëve të vështira të fundit, a «është treguar shumë dashamirës» Jehovai me ata që kanë gjetur strehim në të? Si një atë i dashur dhe mbrojtës, Jehovai ka vënë mënjanë një thesar mirësie për fëmijët e tij tokësorë. Ka derdhur lumturi mbi ta para gjithë shikuesve, pikërisht siç thotë psalmisti: «Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë streh te ti!»​—Psalmi 31:19, 21.

17-19. Çfarë rezultati të mirë pati në Gana, legalizimi i martesës nga një burrë i moshuar?

17 Për këtë arsye, njerëzit nga bota bëhen dëshmitarë okularë të ndershmërisë së këtyre adhuruesve të Jehovait dhe mrekullohen. Për shembull, në Gana një burrë 96-vjeçar shkoi në zyrën e regjistrimit të martesave dhe kërkoi që martesa e tij të regjistrohej, pas 70 vjetësh bashkëjetesë. Nënpunësi i zyrës shqeu sytë dhe pyeti: «A je i sigurt për këtë që do të bësh? Në moshën tënde?»

18 Burri shpjegoi: «Unë dua të bëhem një Dëshmitar i Jehovait dhe të marr pjesë në veprën më të rëndësishme para fundit të botës: në veprën e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Kjo vepër të çon në jetën e përhershme. Dëshmitarët e Jehovait u binden ligjeve, përfshi edhe atë për regjistrimin e martesës. Prandaj, të lutem, regjistroje edhe martesën time.» Nënpunësi shtangu. E bëri regjistrimin dhe burri i vjetër doli i lumtur pasi tani kishte një martesë të ligjshme.​—Krahaso Romakëve 12:2.

19 Pas kësaj, nënpunësi u mendua mbi gjërat që kishte dëgjuar. «Dëshmitarët e Jehovait . . . vepra më e rëndësishme . . . fundi i botës . . . Mbretëria e Perëndisë . . . jeta e përhershme.» I habitur mbi domethënien e gjithë kësaj në jetën e një 96-vjeçari, ai vendosi të kërkonte Dëshmitarët e Jehovait që të dinte më shumë për ta. Ai pranoi një studim biblik në shtëpi dhe bëri një përparim të shpejtë. Sot, ky nënpunës i zyrës së martesave është një Dëshmitar i pagëzuar. Kështu, pra, kur ne i bindemi Jehovait edhe në ato gjëra që për të tjerët mund të jenë hollësira, kjo mund të rezultojë në një të mirë të patregueshme për ne dhe për ata që janë dëshmitarë okularë të sjelljes sonë.​—Krahaso 1. Pjetrit 2:12.

20. Në ç’mënyrë një motër e re në Majnmar dha me ndershmëri një dëshmi të mirë?

20 Në këtë botë të pandershme, të rriturit që falë së vërtetës janë bërë njerëz të ndershëm, japin një shembull të mirë për tërinjtë. Në Majnmar jeton një motër e re. Ajo vjen nga një familje e varfër dhe e përulur me dhjetë fëmijë. Babai i saj, një pensionist, është pionier i rregullt. Një ditë në shkollë, motra gjeti një unazë diamanti dhe menjëherë ia çoi mësueses. Të nesërmen, kur klasa u mblodh, mësuesja u tha nxënësve se si u gjet unaza dhe se si iu dorëzua atij që i përkiste. Pastaj, ajo i kërkoi motrës së re që të qëndronte para gjithë klasës dhe të shpjegonte se përse kishte vepruar ashtu, duke ditur se ndoshta fëmijët e tjerë do ta fshihnin për ta mbajtur. Motra shpjegoi se ajo ishte një Dëshmitare e Jehovait dhe se Perëndia i saj nuk e pëlqente vjedhjen apo ndonjë lloj tjetër pandershmërie. E gjithë shkolla dëgjoi për këtë, duke i dhënë motrës sonë një rast të mirë për t’u dhënë dëshmi mësuesve dhe nxënësve.

21. Si pasqyrohet mbi Jehovain sjellja e të rinjve që besojnë në të?

21 Në Belgjikë, një mësues bëri në klasë një koment interesant mbi Dëshmitarët e Jehovait. Ai kishte vërejtur sjelljen e njërës prej nxënëseve të tij, edhe ajo një motër e re, dhe tha: «Tani, unë kam një mendim tjetër për Dëshmitarët e Jehovait. Paragjykimi më kish bërë të mendoja se ata duhej të ishin njerëzit me më pak tolerancë. Por, ata provuan se janë njerëzit më tolerantë, edhe pse pa bërë kompromise në parimet e tyre.» Çdo vit, nxënësve më të mirë u jepej një shpërblim prej mësuesve. Ndër të tjera, ekzistonte edhe një shpërblim për kursin e etikës. Për tre vite me radhë, shpërblimet e të trija shkallëve më të larta, mësuesit ua dhanë fëmijëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo ndodh shpesh me ata që besimin e tyre e vënë mbi Jehovain.​—Psalmi 31:23.

22. Cili është përfundimi trimfues i Psalmit 31 dhe si na ndihmon kjo gjatë ditëve përfundimtare të këtij sistemi gjërash?

22 Psalmi 31 tingëllon me një përfundim triumfues: «Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti [Jehovai, BR], dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.» (Psalmi 31:24) Kështu, pra, ndërsa ne ballafaqohemi me ditët përfundimtare të sistemit të lig të Satanait, në vend se të na braktisë, Jehovai do të qëndrojë shumë afër nesh dhe do të fusë brenda nesh vetë fuqinë e tij. Jehovai është besnik dhe nuk dështon. Ai është strehimi ynë; ai është kulla jonë.​—Proverbat 18:10.

A të kujtohet?

◻ Përse mund ta bëjmë me besim Jehovain strehimin tonë?

◻ Çfarë dëshmish ekzistojnë, se një kor i fuqishëm po i këndon lavdi Mbretërisë me guxim?

◻ Përse mund të besojmë se rrjetat e Satanait nuk do ta zënë në grackë popullin e Jehovait?

◻ Çfarë thesari ka vënë mënjanë Jehovai për ata që strehohen tek ai?

[Tabela në faqet 12-15]

RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 1993

(Shiko botimin)

[Figurat në faqet 16, 17]

Ata që strehohen në Jehovain, bëjnë një kor të fuqishëm të lajmëtarëve të Mbretërisë: i fuqishëm me 4.709.889!

1. Senegal

2. Brazil

3. Kili

4. Bolivi

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo