A është real Perëndia për ty?
KUR përjeton probleme të rënda, a i drejtohesh menjëherë në lutje Perëndisë? Nëse po, a ndjen se po bisedon me një person real?
Duke iu referuar Atit të tij qiellor, Jezu Krishti tha: «Ai që më dërgoi është real.» (Gjoni 7:28, BR) Po, Perëndia Jehova është real dhe t’i lutesh atij është si t’i drejtohesh për ndihmë apo këshillë një miku shumë të ngushtë njerëzor. Sigurisht, që Perëndia t’i dëgjojë, lutjet tona duhet të përmbushin kërkesat biblike për një lutje të pranueshme. Për shembull, «Dëgjuesit të lutjes» duhet t’i drejtohemi me përulësi nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit.—Psalmi 65:2, BR; Ps 138:6; Gjoni 14:6.
Disa mund të mendojnë se meqenëse Perëndia është i padukshëm, është një person i largët. Për ta, Perëndia mund të duket diçka abstrakte. Madje edhe disa të krishterë, që kanë njohuri mbi cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë, ndonjëherë mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë se sa real është ai. A të ka ndodhur edhe ty kështu? Nëse po, ç’gjë mund të të ndihmojë për të ta bërë real Perëndinë Jehova?
Studio Shkrimet
A i studion rregullisht Shkrimet e Shenjta? Sa më të shpeshta dhe intensive të jenë periudhat e studimit të Biblës, aq më real do të të bëhet Perëndia Jehova. Në këtë mënyrë besimi yt do të forcohet, duke të aftësuar që në të vërtetë të ‘shohësh Atë që është i padukshëm’. (Hebrenjve 11:6, 27, BR) Nga ana tjetër, kur Bibla studiohet rrallë ose me hope, ka të ngjarë të mos ushtrojë ndikim domethënës te besimi yt.
Për ta ilustruar: imagjino sikur një mjek të ka udhëzuar që për të hequr një shpërthim puçrrash që po zgjat, të përdorësh dy herë në ditë një pomadë. A do të të iknin puçrrat, nëse do ta përdorje pomadën vetëm një ose dy herë në muaj? Vështirë. Në mënyrë të ngjashme, psalmisti na jep një «recetë» për shëndetin frymor. Lexoje Fjalën e Perëndisë «nën zë ditë e natë». (Psalmi 1:1, 2, BR) Për të gëzuar dobitë e akumuluara, duhet të zbatojmë «recetën»: shqyrtim i përditshëm i Fjalës së Perëndisë, me ndihmën e botimeve të krishtere.—Jozueu 1:8.
A të pëlqen që gjatë periudhës së studimit, besimi yt të forcohet më shumë? Ja një sugjerim: Pasi të kesh lexuar një kapitull nga Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta ose nga ndonjë Bibël tjetër me referime, zgjidh një varg interesant dhe kërko shkrimet që janë treguar në referim. Kjo do ta pasurojë studimin tënd dhe pa dyshim që harmonia e brendshme e Biblës do të të lërë mbresa. Bibla, nga ana e saj, do të ta bëjë më real Autorin e vet, Perëndinë Jehova.
Duke përdorur referimet mund të njohësh mirë edhe profecitë biblike dhe përmbushjen e tyre. Ndoshta ti i di profecitë më të mëdha biblike, të tilla si ato që kanë të bëjnë me shkatërrimin e Jerusalemit nga babilonasit. Por megjithatë, Bibla përmban një rrjet të tërë profecish të ndërthurura dhe përmbushjen e tyre. Disa prej këtyre profecive nuk janë shumë të njohura.
Për shembull, lexo profecinë mbi dënimin për rindërtimin e Jerikos dhe pastaj shqyrto përmbushjen e saj. Jozueu 6:26 thotë: «Në atë kohë të veçantë Josiu bëri një betim, duke thënë: ‘Qoftë i mallkuar përpara Jehovait njeriu që ngrihet dhe e ndërton këtë qytet, Jerikon. Me humbjen e të paralindurit të tij hedhtë themelin e saj dhe me humbjen e më të voglit vëntë dyert.’» (BR) Përmbushja e saj ndodhi rreth 500 vjet më vonë, sepse në 1. Mbretërve 16:34 lexojmë: «Në ditët e [Mbretit Akab], Hieli, betheliti, ndërtoi Jerikon. Me humbjen e Abiramit, të paralindurit të tij, ai hodhi themelet e saj dhe me humbjen e Segupit, më të voglit, ai vuri dyert sipas fjalës së Jehovait, që ai i tha përmes Josiut, birit të Nunit.»a (BR) Vetëm një Perëndi real mund të frymëzonte profeci të tilla dhe të kujdesej për përmbushjen e tyre.
Ndërsa lexon Biblën, mund të bëhesh kureshtar për ndonjë pikë të veçantë. Për shembull, mund të pyesësh veten se sa vite kanë kaluar nga një profeci deri te përmbushja e saj. Në vend që thjesht të pyesësh dikë, pse të mos përpiqesh ta gjesh vetë? Duke përdorur tabelat dhe literaturën ndihmëse për studimin e Biblës, kërkoji përgjigjet me po aq zell sa do të përpiqeshe të deshifroje një hartë thesari. (Fjalët e urta 2:4, 5) Gjetja e përgjigjes do të ketë ndikim të thellë në besimin tënd dhe do të ta bëjë më real Perëndinë Jehova.
Lutu rregullisht dhe me zjarr
Mos e nënvlerëso rëndësinë e lutjes dhe të besimit. Dishepujt i bënë Jezuit këtë kërkesë të drejtpërdrejtë: «Na jep më shumë besim.» (Luka 17:5, BR) Nëse Jehovai nuk të është dukur real, pse të mos i lutesh rreth nevojës që ke për më shumë besim? Me një ndjenjë sigurie, kërkoji Atit tënd qiellor ndihmë, që ai vetë të bëhet real për ty.
Nëse të mundon një problem, gjej kohën e nevojshme për t’iu shprehur me zemër të hapur Mikut tënd qiellor. Kur po i afrohej vdekja, Jezui u lut me intensitet. Megjithëse Jezui e dënoi praktikën fetare për të thënë lutje të stërgjata sa për sytë e të tjerëve, përpara se të zgjidhte 12 apostujt e tij ai kaloi një natë të tërë duke u lutur vetëm. (Marku 12:38-40; Luka 6:12-16) Një mësim mund ta nxjerrim edhe nga Ana, e cila u bë nëna e profetit Samuel. E dëshiruar për një pasardhës mashkull, «ajo u lut gjatë përpara Jehovait».—1. Samuelit 1:12, BR.
Cili është mësimi bazë i gjithë kësaj? Nëse shpreson të marrësh përgjigje për lutjet e tua, duhet të lutesh me gjithë shpirt, me zjarr, pa pushim dhe sigurisht, në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Luka 22:44; Romakëve 12:12; 1. Thesalonikasve 5:17; 1. Gjonit 5:13-15) Duke vepruar kështu, do të ndihmohesh që Perëndia të të bëhet real.
Vëzhgo krijimin
Personaliteti i një artisti mund të zbulohet nga pikturat e tij. Ngjashëm, «cilësitë e padukshme» të Jehovait, Projektuesit dhe Krijuesit të universit, shihen qartë nga krijimi. (Romakëve 1:20, BR) Kur vëzhgojmë me kujdes veprën e duarve të Jehovait, ne fitojmë një kuptueshmëri më të mirë mbi personalitetin e tij dhe kështu, ai bëhet për ne më real.
Nëse shkon përtej një vëzhgimi sipërfaqësor të gjërave që ka krijuar Perëndia, realiteti i cilësive të tij mund të të lërë mbresa të thella. Për shembull, informacioni mbi aftësitë lundruese të zogjve mund ta rritë shumë çmueshmërinë tënde për mençurinë e Jehovait. Kur lexon për universin, mund të mësosh se Udha e Qumështit, e cila ka një diametër rreth 100.000 vjet drite, është vetëm njëra prej miliarda galaktikave të llogaritura që ndodhen në hapësirë. A nuk ta bën të qartë kjo realitetin e mençurisë së Krijuesit?
Sigurisht, mençuria e Jehovait është reale! Por ç’do të thotë kjo për ty? E pra, patjetër që ai nuk hutohet nga problemet që i paraqet secili prej nesh në lutje. Po, edhe njohuria e paktë mbi krijimin mund të ta bëjë më real Jehovain.
Ec me Jehovain
A mund ta përjetosh personalisht se sa real është Jehovai? Po, nëse je si patriarku besimplotë Noe. Ai iu bind gjithmonë Jehovait, aq sa për të u tha: «Noeja eci me Perëndinë e vërtetë.» (Zanafilla 6:9, BR) Noeja jetoi sikur ta kishte përkrah Jehovain. Perëndia mund të jetë po kaq real edhe për ty.
Nëse po ecën me Perëndinë, u beson premtimeve biblike dhe vepron në harmoni me to. Për shembull, ti i beson fjalët e Jezuit: «Vazhdoni . . . të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë [e Perëndisë] dhe të gjitha këto gjëra të tjera [nevojat materiale], do t’ju shtohen.» (Mateu 6:25-33, BR) Vërtet, Jehovai mund të mos e sigurojë gjithmonë atë që të nevojitet në atë mënyrë që pret ti. Por megjithatë, kur lutesh dhe pastaj përjeton ndihmën e Perëndisë, për ty ai do të jetë po aq real sa dhe dikush që ke përkrah.
Një marrëdhënie kaq e ngushtë me Jehovain zhvillohet ndërsa një person ngulmon në ecjen me Perëndinë. Merr rastin e Manuelës, një Dëshmitare që flet gjuhën spanjolle, e cila ka duruar sprova të shumta. Ajo thotë: «Sa herë që jam e shqetësuar ose në hall, aplikoj parimin që gjendet në Fjalët e urta 18:10. Rend drejt Jehovait për ndihmë. Për mua, ai ka qenë gjithmonë ‘një kështjellë e fortë’.» Manuela mund ta thotë këtë pas 36 vjetësh që mbështetet te Jehovai dhe përjeton përkrahjen e tij.
Mos vallë sapo ke filluar ta bësh Jehovain besimin tënd? Nëse marrëdhënia jote me të nuk është ende ashtu siç e do ti të jetë, mos u shkurajo. Jeto çdo ditë si një person që ecën me Perëndinë. Ndërsa ndërton një model jete me besim të plotë, do të gëzosh një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain.—Psalmi 25:14; Fjalët e urta 3:26, 32.
Një mënyrë tjetër për të ecur me Perëndinë është të jesh i zhytur në shërbimin e tij. Kur angazhohesh në aktivitetin e predikimit të Mbretërisë, je një bashkëpunëtor i Jehovait. (1. Korintasve 3:9) Fakti që ti e di këtë gjë, të ndihmon që Perëndia të të bëhet shumë real.
Psalmisti nxiti: «Rrokullise mbi Jehovain udhën tënde dhe beso në të dhe ai vetë do të veprojë.» (Psalmi 37:5, BR) Mos rri kurrë pa hedhur mbi Jehovain çfarëdo barre ose meraku që të kesh. Gjithmonë drejtoju atij për ndihmë dhe udhëheqje. Nëse me anë të lutjes mbështetesh te Perëndia Jehova dhe i beson gjithmonë pa u lëkundur, do të ndihesh i sigurt, sepse e di që ai nuk do të dështojë kurrë të veprojë në dobinë tënde. A ndihesh i sigurt kur i drejtohesh Jehovait për shqetësimet e tua personale? Do të ndihesh i tillë, nëse për ty Perëndia është real.
[Shënimet]
a Si shembull tjetër, në 1. Mbretërve 13:1-3 lexo për ndotjen e parathënë të altarit të Jeroboamit. Pastaj vëre përmbushjen që është shkruar në 2. Mbretërve 23:16-18.
[Figura në faqen 21]
Bëji periudhat e studimit, periudha që të forcojnë besimin
[Figura në faqen 22]
Gjej kohë për t’u lutur rregullisht dhe me zjarr
[Figurat në faqen 23]
Vëzhgo se si janë të dukshme nga krijimi cilësitë e Perëndisë
[Burimet]
Kolibër: U.S. Fish and Wildlife Service, Washington, D.C./Dean Biggins; yje: Foto: E drejta e autorit IAC/RGO 1991, Dr. D. Malin et al, Teleskopi i Isak Njutonit, Roque de los Muchachos Observatory, La Palma, Ishujt Kanarie