«Përpara maleve»
«TI KE qenë vendbanimi ynë gjatë gjithë brezave. Përpara se të lindnin malet, ose që ti të lindje me dhimbje tokën dhe botën, nga përjetësia në përjetësi, ti je Perëndi.» (Psalmi 90:1, 2, New International Version) Këto fjalë iu drejtuan Krijuesit tonë dhe sa ngushëlluese janë, veçanërisht sot, kur asgjë nuk duket e qëndrueshme!
Me keqësimin e gjendjes ekonomike, shumë pak besojnë tek e ardhmja. Rritja e kriminalitetit dhe e abuzimit me drogën, i ka kthyer disa qytete në zona lufte. Madje edhe një institucion i tillë i vjetër si familja, po lëkundet. Po dëgjojmë të reja të tilla si familje homoseksuale. Rriten familjet me një prind të vetëm, që shpesh i nënshtrohet një stresi të fortë. Paqja e shumë familjeve është tronditur nga gjendje tragjike, si bashkëshortë të keqtrajtuar dhe abuzime ndaj të vegjëlve.
Kush do të na udhëheqë në këto kohë të vështira? Këshillat e psikologëve, edukatorëve dhe të tjerëve nuk mungojnë, por janë në pjesën më të madhe kontradiktore. Për një brez të tërë, në Perëndim, dr. Benjamin Spock konsiderohej këshilltari më i njohur në çështjet e edukimit të fëmijëve. Më vonë ai e pranoi se këshillat e tij kishin qenë të gabuara!
Do të tregoheshim më të mençur po të kishim Perëndinë si «vendbanimin tonë»! Në këto kohë të turbullta, ai është një shkëmb i qëndrueshëm, që ekziston «nga përjetësia në përjetësi». Me anë të profetit Malakia, ai tha për veten e tij: «Unë jam Jehovai; nuk kam ndryshuar.» (Malakia 3:6) Rregullat e Perëndisë, ashtu siç gjenden në Bibël, janë plotësisht të besueshme. Ai ka ekzistuar «përpara maleve» dhe këshillat e tij, të pranuara nga Shkrimet e Shenjta, bazohen në mençurinë e tij të përjetshme. Kjo është pikërisht ajo që na duhet për të pasur lumturi dhe sukses.
Do të ishte e mençur, pra, të besonim në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Studioje atë, që të përfitosh prej mençurisë së Perëndisë. Beso tek ato që mëson dhe le të të jetë një dritë udhërrëfyese përgjatë shtegut të jetës. (Psalmi 119:105) Vetëm ata që veprojnë kështu kanë arsye për të besuar tek e ardhmja dhe gëzojnë paqe të vërtetë mendore.