Dobitë e frikës ndaj Perëndisë së vërtetë
«Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson për dobinë tënde, Ai që të bën të ndjekësh rrugën nëpër të cilën duhet të ecësh.»—ISAIA 48:17, BR.
1. Cilat vuajtje mund të shmangeshin duke pasur frikë Perëndie?
SIKUR Adami të kultivonte frikë Perëndie, ajo do ta përmbante nga mëkati që e çoi atë vetë drejt vdekjes së përhershme dhe pasardhësit e tij në mijëra vjet hidhërim. Sikur kombi i lashtë i Izraelit të kishte ndjekur këshillën e Jehovait për t’iu frikësuar dhe për ta dashur atë, ai nuk do të ishte marrë rob në Babiloni e as nuk do ta kishte hedhur poshtë Birin e Perëndisë e të bëhej fajtor për derdhjen e gjakut të tij. Sikur sot bota t’i frikësohej Perëndisë, nuk do të kishte korrupsion në qeveri dhe në biznes, as krime, as luftë.—Proverbat 3:7.
2. Përse duhet të kultivojmë frikën e Jehovait, pavarësisht nga kushtet e botës përreth nesh?
2 Megjithatë, pavarësisht se çfarë bën bota rreth nesh, ne si individë, si familje dhe si kongregacion i shërbëtorëve të Jehovait mund të përfitojmë nga kultivimi i frikës ndaj Perëndisë së vërtetë. Kjo është në harmoni me kujtesën që i dha Moisiu kombit të Izraelit: «Çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit.» (Ligji i përtërirë 10:12, 13) Cilat janë disa nga dobitë që nxjerrim kur i frikësohemi Jehovait, Perëndisë së vërtetë?
Mençuria: Më e çmuar se ari
3. (a) Cila është dobia kryesore që mund të marrim? (b) Cila është domethënia e Psalmit 111:10?
3 Dobia e parë është mençuria e vërtetë. Psalmi 111:10 thotë: «Frika e Jehovait është fillimi i mençurisë.» (BR) Çfarë do të thotë kjo? Mençuria është aftësia e përdorimit të njohurisë për të zgjidhur me sukses problemet, për t’i shpëtuar rrezikut dhe për të arritur disa synime. Ajo përfshin gjykimin e shëndoshë. Fillimi, themeli i kësaj mençurie është frika e Jehovait. Përse? Sepse i gjithë krijimi është vepër e duarve të tij. Varet prej tij. Ai e pajisi njerëzimin me vullnetin e lirë, por jo me aftësinë për t’i drejtuar hapat e tij me sukses pa udhëheqjen e tij. (Josiu 24:15; Jeremia 10:23) Vetëm nëse i çmojmë këto fakte themelore mbi jetën dhe jetojmë në harmoni me to, mund të kemi sukses të qëndrueshëm. Nëse njohuria jonë mbi Jehovain na jep bindje të patundur se vullneti i Perëndisë do të plotësohet me sukses dhe se premtimet dhe aftësia e tij për të shpërblyer besnikërinë janë të sigurta, atëherë kjo frikë Perëndie do të na nxisë të veprojmë me mençuri.—Proverbat 3:21-26; Hebrenjve 11:6.
4, 5. (a) Përse pavarësisht nga edukimi universitar, një i ri mbeti pa mençuri të vërtetë? (b) Si fituan më vonë mençuri të vërtetë ai dhe e shoqja dhe në ç’mënyrë e ndryshoi kjo jetën e tyre?
4 Le të bëjmë një shembull. Disa dekada më parë, një i ri ndiqte studimet në universitetin Saskatçevan, në Kanada. Në programin mësimor përfshihej biologjia dhe ai mësonte evolucionin. Pas diplomimit, ai u specializua në fizikën atomike dhe mori një të drejtë studimi për të vazhduar studimet në universitetin e Torontos. Gjatë studimeve, ai pa dëshminë e mrekullueshme të rregullit dhe projektimit në strukturën e atomeve, por nuk gjeti përgjigje për pyetjet: Kush i projektoi të gjitha ato? Kur dhe përse? Pa këto përgjigje, a do të mund ta përdorte me mençuri njohurinë e tij në një botë që në atë kohë ziente nga lufta? Ç’gjë do ta drejtonte atë? Nacionalizmi apo dëshirat materialiste? A kishte fituar mençuri të vërtetë?
5 Jo shumë kohë pas diplomimit, ai i ri dhe e shoqja filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Në vetë Fjalën e Perëndisë, ata filluan të gjenin përgjigjet që nuk i kishin gjetur më parë. Arritën të njihnin Krijuesin, Perëndinë Jehova. Pasi studiuan për Moisiun në Detin e Kuq dhe për Danielin dhe shokët e tij në Babiloni, ata kuptuan rëndësinë e frikës jo ndaj njeriut, por ndaj Perëndisë. (Të Dalët 14:10-31; Danieli 3:8-30) Kjo frikë Perëndie bashkë me dashurinë e vërtetë për Jehovain filloi t’i nxisë ata. Shumë shpejt, gjithë mënyra e tyre e jetesës ndryshoi. Më në fund, i riu njohu Atë, veprën e duarve të të cilit kishte studiuar në biologji. Ai filloi të kuptonte qëllimin e Atij, mençurinë e të cilit kishte parë të pasqyruar gjatë studimeve të tij në fizikë. Në vend që ta përdorte njohurinë e tij për të prodhuar mjete që do të shkatërronin njerëzit e tjerë, ai bashkë me të shoqen kishte dëshirë të ndihmonte të tjerët të donin Perëndinë dhe të afërmin e tyre. U regjistruan në shërbimin e plotë kohor si lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë. Më vonë, ata morën pjesë në Shkollën Biblike të Galaadit (Watchtower) dhe u dërguan jashtë si misionarë.
6. Cilat synime dritëshkurtra do të shmangim, nëse kemi mençurinë që është rrënjosur në frikën e Jehovait dhe çfarë do të bëjmë në vend të kësaj?
6 Pa dyshim, jo të gjithë mund të jemi misionarë. Megjithatë, secili prej nesh mund të gëzojë mençurinë që është rrënjosur në frikën e Jehovait. Nëse e kultivojmë këtë mençuri, nuk do të jemi të etur për të thithur filozofitë e njeriut, që në të vërtetë vetëm të zhysin në hamendje mbi kuptimin e jetës. Ne i dedikohemi studimit të Biblës, të frymëzuar nga Burimi i jetës, Perëndia Jehova, ai që mund të na japë jetën e përhershme. (Psalmi 36:9; Kolosianëve 2:8) Në vend që të bëhemi skllevër të sistemit tregtar që vetë po lëkundet në buzë të shkatërrimit, ne do të ndjekim këshillën e Jehovait për t’u kënaqur me ushqimin dhe veshjen, ndërkohë që e bëjmë marrëdhënien tonë me Perëndinë gjënë më kryesore në jetë. (1. Timoteut 6:8-12) Në vend se të veprojmë sikur e ardhmja jonë të varej nga një pozitë e qëndrueshme në këtë botë, ne do t’i besojmë Fjalës së Jehovait kur na thotë se bota po kalon e po kështu dhe dëshira e saj, por ai që kryen vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.—1. Gjonit 2:17.
7. (a) Në ç’mënyrë na ndihmon Proverbat 16:16 që të kemi një shkallë të ekuilibruar vlerash? (b) Çfarë bekimesh vijnë kur e bëjmë vullnetin e Perëndisë epiqendrën e jetës sonë?
7 Proverbat 16:16 na inkurajon duke shpallur me plot bindjen: «Fitimi i mençurisë, [mençurisë që fillon me frikën e Jehovait], o sa më i mirë se ari është! Dhe fitimi i kuptueshmërisë është për t’u zgjedhur më shumë sesa argjendi.» (BR) Kjo mençuri dhe kuptueshmëri na nxit ta bëjmë kryerjen e vullnetit të Perëndisë epiqendrën e jetës sonë. Cila është vepra që Perëndia u ka besuar Dëshmitarëve të tij për këtë periudhë të historisë njerëzore? Predikimi mbi Mbretërinë e tij dhe ndihma ndaj njerëzve me zemër të sinqertë për t’u bërë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Kjo është një vepër që të sjell kënaqësi të vërtetë dhe shumë lumturi. Prandaj, Bibla ka arsye kur thotë: «I lumtur është njeriu që ka gjetur mençurinë.»—Proverbat 3:13, BR.
Mbrojtje ndaj shkeljeve
8. (a) Përmend një dobi të dytë që vjen nga frika ndaj Perëndisë. (b) Cila është e keqja kundër të cilës ne ruhemi? (c) Si bëhet frika hyjnore një forcë e fuqishme nxitëse?
8 Dobia e dytë e frikës ndaj Perëndisë, është se në këtë mënyrë ruhemi ndaj kryerjes së të keqes. Ata që e respektojnë thellësisht Perëndinë, nuk vendosin vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe. Ata nuk e shohin si të keqe atë që Perëndia thotë se është e mirë dhe as nuk i konsiderojnë të mira gjërat që Perëndia thotë se janë të këqija. (Psalmi 37:1, 27; Isaia 5:20, 21) Për më tepër, një person që është i nxitur nga frika hyjnore nuk mjaftohet vetëm me njohjen e asaj që Jehovai thotë se është e mirë dhe asaj që është e keqe. Një person i tillë e do atë që Jehovai do dhe e urren atë që Jehovai urren. Si rezultat, ai vepron në harmoni me normat e Perëndisë. Kështu, siç deklarohet në Proverbat 16:6, «me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja». Kjo frikë Perëndie bëhet një forcë e fuqishme nxitëse që e ndihmon një person të arrijë atë që mund të mos jetë i aftë ta bëjë me fuqinë e tij.
9. Si ndikoi dëshira e fortë për të mos shkaktuar mospëlqimin e Perëndisë në vendimin e një gruaje nga Meksika dhe me çfarë rezultati?
9 Kjo frikë Perëndie, edhe kur sapo ka filluar të zhvillohet, mund t’i japë personit forcën e nevojshme për të mos bërë diçka për të cilën mund të ndiejë keqardhje për gjithë jetën. Për shembull, një grua shtatzënë në Meksikë pyeti një Dëshmitare të Jehovait mbi abortin. Dëshmitarja i lexoi asaj disa shkrime dhe pastaj arsyetoi: «Për Krijuesin, jeta është shumë e rëndësishme, madje edhe jeta e atyre që akoma nuk kanë lindur.» (Të Dalët 21:22, 23; Psalmi 139:13-16) Analizat klinike të linin të mendoje se fëmija mund të lindte jonormal. Por, tani e nxitur nga ajo që kishte parë në Fjalën e Perëndisë, gruaja vendosi ta mbante fëmijën. Doktori i saj nuk pranoi ta shikonte përsëri dhe i shoqi e kërcënoi ta linte, por ajo ishte e vendosur. Përfundimisht, lindi një vajzë normale, të shëndetshme dhe të bukur. E nxitur nga mirënjohja ajo kërkoi Dëshmitarët, të cilët filluan të studionin Fjalën e Perëndisë me të. Brenda një viti, ajo dhe i shoqi u pagëzuan. Disa vite më pas, në një Kongres krahinor ata patën kënaqësinë të takonin përsëri Dëshmitaren e parë dhe i prezantuan asaj vajzën e tyre simpatike 4-vjeçare. Respekti i duhur për Perëndinë dhe dëshira e fortë se mos nuk i pëlqen atij, sigurisht që ushtron ndikim të fuqishëm në jetën e një personi.
10. Nga cilat forma të shkeljes frika e Perëndisë mund t’u japë forcë njerëzve të lirohen?
10 Frika hyjnore na përforcon kundër një spektri të gjerë shkeljesh. (2. Korintasve 7:1) Kur kultivohet siç duhet, ajo mund ta ndihmojë një person t’i japë fund mëkateve të fshehta, që dihen vetëm nga ai vetë dhe Jehovai. Ajo mund ta ndihmojë atë të lirohet nga skllavëria ndaj abuzimit të alkoolit dhe drogës. Një ish-përdorues i drogës në Afrikën Jugore tha: «Pak nga pak që fitoja njohurinë e Perëndisë, zhvilloja, gjithashtu, frikën për të mos e lënduar dhe për të mos shkaktuar mospëlqimin e tij. Unë e dija se ai më shihte dhe kisha një dëshirë të zjarrtë për të qenë i miratuar në sytë e tij. Kjo gjë më ndihmoi ta shkatërroja drogën që më kishte mbetur, duke e hedhur në banjo.» Në të njëjtën mënyrë, frika hyjnore ka ndihmuar me qindra të tjerë.—Proverbat 5:21; 15:3.
Mbrojtje kundër frikës ndaj njeriut
11. Kundër cilës grackë të përbashkët mund të na ruajë frika e shëndoshë ndaj Jehovait?
11 Frika e shëndoshë e Perëndisë na mbron, gjithashtu, kundër frikës ndaj njeriut. Pjesa dërrmuese e njerëzve pak apo shumë janë të ndikuar nga frika ndaj njeriut. Edhe apostujt e Jezu Krishtit e braktisën atë dhe ia mbathën kur ai u kap nga ushtarët në kopshtin e Getsemanisë. Më pas, në kopshtin e kryepriftit, Pjetri humbi ekuilibrin dhe i pushtuar nga frika, mohoi se ishte një nga dishepujt e Jezuit dhe madje se e njihte. (Marku 14:48-50, 66-72; Gjoni 18:15-27) Megjithatë, apostujt u ndihmuan të rifitonin ekuilibrin e tyre frymor. Nga ana tjetër, në ditët e mbretit Johakim, Uriahu, i biri i Shemajahut, aq shumë u tmerrua nga frika, saqë e la shërbimin e tij si profet i Jehovait dhe ia mbathi me të katra nga vendi, vetëm për t’u kapur e për t’u vrarë në çdo rast.—Jeremia 26:20-23.
12. (a) Cilën mbrojtje kundër frikës ndaj njeriut tregon Proverbat 29:25? (b) Si zhvillohet besimi në Perëndinë?
12 Çfarë mund ta ndihmojë një person të mposhtë frikën ndaj njeriut? Pasi paralajmëron se «frika e njeriut përbën një lak», Proverbat 29:25 shton: «Por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.» Besimi në Jehovain është kyçi. Ky besim bazohet tek njohuria dhe përvoja. Duke studiuar Fjalën e tij, shohim prova të drejtësisë së rrugëve të Jehovait. Njihemi me ngjarjet që tregojnë besueshmërinë tek ai dhe sigurinë e premtimeve të tij (duke për-fshirë edhe atë të ringjalljes), dashurinë e tij dhe fuqinë e plotë. Më pas, kur veprojmë sipas asaj njohurie, duke bërë gjërat që Jehovai urdhëron dhe duke hedhur poshtë me vendosmëri ato, kundër të cilave ai na paralajmëron, fillojmë të përjetojmë personalisht kujdesin e tij të dashur dhe besueshmërinë tek ai. Personalisht ne shohim se fuqia e tij bëhet vepruese për të plotësuar vullnetin e tij. Besimi ynë në të, dashuria dhe dëshira jonë e zjarrtë për të shmangur mospëlqimin nga ana e tij rritet. Ky besim ndërtohet në një themel të fortë. Ai shërben si mburojë kundër frikës ndaj njeriut.
13. Si mund të na ndihmojë frika hyjnore në punë, në shtëpi dhe në shkollë?
13 Besimi ynë në Jehovain bashkë me frikën hyjnore, do të na bëjë të jemi të vendosur për atë që është e drejtë, nëse një punëdhënës na kërcënon me humbjen e punës për mospranim në pjesëmarrjen në praktika të pandershme biznesi. (Krahaso Mikean 6:11, 12.) Kjo frikë Perëndie i ka aftësuar qindra të krishterë të ngulmojnë në adhurimin e vërtetë përballë kundërshtimit nga anëtarët jobesimtarë të familjes. Gjithashtu, të rinjve që frekuentojnë shkollën mund t’u japë kurajën për t’u identifikuar si Dëshmitarë të Jehovait dhe i forcon ata për të përballuar përqeshjet nga shokët e shkollës, të cilët tallen me normat biblike. Kështu, një Dëshmitar adoleshent tha: «S’e vras shumë mendjen se çfarë mendojnë ata. Ajo që ka më shumë rëndësi për mua është ajo që mendon Jehovai.»
14. Si kanë mundësi shërbëtorët e Jehovait të dalin fitimtarë edhe kur kërcënohet jeta e tyre?
14 Vetë kjo bindje u jep të krishterëve të vërtetë forcën për t’iu përmbajtur me vendosmëri rrugëve të Jehovait edhe kur kërcënohet jeta e tyre. Ata e dinë se duhet të presin persekutim nga bota. E kuptojnë se apostujt u rrahën dhe se Jezu Krishti vetë u rrah dhe u vra nga njerëzit e ligj. (Marku 14:65; 15:15-39; Veprat 5:40; krahaso Danielin 3:16-18.) Por shërbëtorët e Jehovait kanë bindje të plotë se ai mund t’i forcojë për të duruar, se me ndihmën e Perëndisë ata do të dalin fitimtarë, se pa dështuar, Jehovai do t’i shpërblejë ata që janë besnikë, nëse është e nevojshme edhe me ringjallje për të jetuar në botën e tij të re. Dashuria e tyre për Perëndinë bashkë me frikën hyjnore i nxit fuqimisht ata të shmangin kryerjen e çdo gjëje që do të shkaktonte mospëlqimin e tij.
15. Ç’gjë u dha mundësi Dëshmitarëve të Jehovait të mbanin integritetin në kampet naziste të përqendrimit?
15 Kjo nxitje u dha mundësi Dëshmitarëve të Jehovait të mbaheshin të fortë nga tmerret e kampeve naziste të përqendrimit gjatë viteve 1930 dhe 1940. Ata morën për zemër këshillën e Jezuit që gjendet në Lukën 12:4, 5: «Po ju them juve, o miq të mi, të mos keni frikë nga ata që vrasin trupin, por pas kësaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër. Unë do t’ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë; druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në Gehena; po, po ju them, nga ai të keni frikë.» Kështu, Gustav Aushner, një Dëshmitar nga kampi i përqendrimit Zaksenhauzen, më vonë shkroi: «SS-të pushkatuan vëllanë August Dikman dhe kërcënuan se do të pushkatonin edhe të tjerët, nëse nuk nënshkruanim një dokument që hidhte poshtë besimin tonë. Asnjëri prej nesh nuk nënshkroi. Kishim më shumë frikë se mos nuk i pëlqenim Jehovait, sesa plumbat e tyre.» Frika ndaj njeriut të çon në kompromis, kurse frika ndaj Perëndisë e bën një person të jetë i vendosur për atë që është e drejtë.
Ruajtja e jetës
16. Ç’gjë i lejoi Noes të vazhdonte të vepronte me drejtësi dekada me radhë deri në kohën e përmbytjes dhe cili ishte rezultati për të dhe familjen e tij?
16 Noeja jetoi gjatë ditëve të fundit të botës para përmbytjes. Jehovai kishte vendosur ta shkatërronte botën e ligë të asaj kohe, për shkak të ligësisë së njeriut. Megjithatë, në të njëjtën kohë Noeja ishte në atë botë plot dhunë, imoralitet të rëndë dhe indiferentizëm kundrejt vullnetit hyjnor. Megjithëse Noeja predikonte drejtësinë, «ata nuk ia vunë veshin, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë». (Mateu 24:39, BR) Megjithatë, Noeja nuk u shkëput nga vepra që Perëndia kishte vënë përpara tij. Ai «veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar». (Zanafilla 6:22) Ç’gjë e ndihmoi Noen të vazhdonte të vepronte me drejtësi vit pas viti deri në kohën përmbytjes? Hebrenjve 11:7 përgjigjet: «Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua [tregoi frikë Perëndie, BR].» Si rezultat, ai, e shoqja, bijtë e tij dhe nuset e bijve të tij u ruajtën nga përmbytja.
17. (a) Çfarë duhet të bëjmë ne, pavarësisht nga ajo që bëjnë njerëzit e tjerë? (b) Përse ata që i frikësohen Jehovait janë vërtet njerëz të lumtur?
17 Në shumë aspekte, ne jetojmë në një periudhë të ngjashme me ditët e Noes. (Luka 17:26, 27) Edhe një herë dëgjohet një paralajmërim. Zbulesa 14:6, 7 tregon për një engjëll që fluturon në mes të qiellit e që i nxit njerëzit e çdo kombi, fisi dhe gjuhe t’i ‘druhen Perëndisë e t’i japin lavdi’. Pavarësisht nga ajo që bën bota përreth teje, ndiqi ato fjalë dhe më pas shpallua ftesën të tjerëve. Ashtu si Noeja, vepro në besim dhe trego frikë Perëndie. Nëse vepron kështu, do të ruash jetën tënde dhe të shumë të tjerëve. Ndërsa sodisim dobitë që gëzojnë ata që i frikësohen Perëndisë së vërtetë, s’mund të bëjmë gjë tjetër veçse të pajtohemi me psalmistin e frymëzuar, i cili këndoi: «Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.»—Psalmi 112:1.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilat janë disa dobi të spikatshme nga frika ndaj Perëndisë së vërtetë?
◻ Si mund të na mbrojë mençuria që bazohet në frikën hyjnore?
◻ Përse frika hyjnore na largon nga e keqja?
◻ Si na mbron frika hyjnore kundër frikës ndaj njeriut?
◻ Çfarë lidhje ka mes frikës hyjnore dhe perspektivës sonë për jetën e ardhshme?
[Figurat në faqet 16, 17]
«Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.»—Psalmi 112:1.