BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • Mendjemadhësia çon në çnderim
    Kulla e Rojës—2000 | 1 Gusht
    • Mendjemadhësia çon në çnderim

      «A erdhi mendjemadhësia? Atëherë do të vijë çnderimi, por mençuria është me modestët.»​—PROVERBAT 11:2, BR.

      1, 2. Çfarë është mendjemadhësia dhe në ç’mënyra ka çuar në shkatërrim?

      NJË levit smirëkeq udhëheq një turmë rebele kundër autoriteteve të emëruara nga Jehovai. Një princ ambicioz sajon një plan dinak për të uzurpuar fronin e të atit. Një mbret i paduruar shpërfill udhëzimet e qarta të profetit të Perëndisë. Këta tre izraelitë kanë një karakteristikë të përbashkët: mendjemadhësinë.

      2 Mendjemadhësia është një karakteristikë zemre që përbën një rrezik të madh për të gjithë. (Psalmi 19:13) Personi mendjemadh merr guximin të veprojë lirisht, pa pasur autorizimin për ta bërë këtë. Shpesh, kjo çon në shkatërrim. Në fakt, mendjemadhësia ka rrënuar mbretër dhe ka rrëzuar perandori të tëra. (Jeremia 50:29, 31, 32; Danieli 5:20) Madje, ka zënë në kurth edhe disa shërbëtorë të Jehovait dhe i ka çuar në rrënim.

      3. Si mund të mësojmë për rreziqet e mendjemadhësisë?

      3 Bibla ka arsye të vlefshme kur thotë: «A erdhi mendjemadhësia? Atëherë do të vijë çnderimi, por mençuria është me modestët.» (Proverbat [Fjalët e urta] 11:2, BR) Bibla na tregon shembuj që konfirmojnë vërtetësinë e këtij proverbi. Duke shqyrtuar disa prej tyre, do të ndihmohemi të kuptojmë rrezikun që vjen kur kapërcehen kufijtë e duhur. Prandaj, le të shqyrtojmë se si smira, ambicia dhe padurimi i bënë tre burrat e përmendur në hyrje të artikullit, të vepronin me mendjemadhësi, e cila çoi në çnderimin e tyre.

      Koreu​—Një rebel smirëkeq

      4. (a) Kush ishte Koreu dhe në cilat ngjarje historike ka marrë pjesë, pa dyshim? (b) Në vitet e tij të vonshme, cilin veprim famëkeq nxiti Koreu?

      4 Koreu ishte një levit kohathit, kushëri i parë i Moisiut dhe i Aaronit. Me sa duket, i kishte qëndruar besnik Jehovait për dekada. Koreu kishte pasur privilegjin të ishte mes atyre që u çliruan me anë të një mrekullie nëpër Detin e Kuq dhe, me sa duket, kishte marrë pjesë në ekzekutimin e gjykimit të Jehovait kundër izraelitëve që adhuronin viçin, në malin Sinai. (Eksodi [Dalja] 32:26) Por, në fund, Koreu u bë kryetari i një revolte kundër Moisiut dhe Aaronit, revoltë ku u përfshinë edhe rubenitët Datan, Abiram dhe On, si edhe 250 prijës izraelitë.a «Mjaft më me ju,​—i thanë ata Moisiut dhe Aaronit,​—sepse tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?»​—Numrat 16:1-3.

      5, 6. (a) Përse u rebelua Koreu kundër Moisiut dhe Aaronit? (b) Përse mund të thuhet se ka të ngjarë që Koreu të ketë nënvlerësuar vendin e tij në rregullimin e Perëndisë?

      5 Përse u rebelua Koreu, pas kaq viteve që kishte jetuar besimplotë? Patjetër, Moisiu nuk e udhëhiqte Izraelin në mënyrë shtypëse, sepse ai ishte «një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3) Megjithatë, duket se Koreu i kishte smirë Moisiun dhe Aaronin, dhe i vinte inat që ata shquheshin. Kjo e çoi të thoshte në mënyrë të gabuar se ata e kishin ngritur veten mbi kongregacionin, duke vepruar me kokën e tyre dhe me egoizëm.​—Psalmi 106:16.

      6 Ka shumë të ngjarë që një pjesë e problemit të Koreut ishte se nuk i çmonte privilegjet e tij në rregullimin e Perëndisë. Vërtet, levitët kohathitë nuk ishin priftërinj, por, megjithatë, ishin mësues të Ligjit të Perëndisë. Gjithashtu, ata mbanin pajisjet dhe enët e tabernakullit, kur këto duheshin transportuar. Kjo nuk ishte një detyrë e parëndësishme, sepse enët e shenjta mund t’i mbanin vetëm individë që ishin të pastër nga ana fetare dhe morale. (Isaia 52:11) Prandaj, kur Moisiu u ballafaqua me Koreun, ai, në fakt, po e pyeste: A e konsideron caktimin tënd si diçka kaq të parëndësishme, saqë duhet të sigurosh për vete edhe priftërinë? (Numrat 16:9, 10) Koreu nuk arriti të kuptonte se nderi më i madh është t’i shërbesh Jehovait me besim të plotë në përputhje me rregullimin e tij, jo arritja e ndonjë pozite të veçantë.​—Psalmi 84:10.

      7. (a) Si veproi Moisiu me Koreun dhe me njerëzit e tij? (b) Si përfundoi në mënyrë shkatërrimtare rebelimi i Koreut?

      7 Moisiu i ftoi Koreun dhe njerëzit e tij që të mblidheshin mëngjesin vijues në tendën e mbledhjes me mbajtëset e zjarrit dhe me temjan. Koreu dhe njerëzit e tij nuk ishin të autorizuar të ofronin temjan, sepse nuk ishin priftërinj. Nëse do të vinin me mbajtëset e zjarrit dhe me temjanin, kjo do të tregonte qartësisht se këta burra ende mendonin që kishin të drejtën të vepronin si priftërinj, edhe pasi të kishin pasur një natë të tërë për t’i shqyrtuar edhe një herë gjërat. Kur u paraqitën mëngjesin vijues, Jehovai shprehu me të drejtë zemërimin e tij. Sa për rubenitët, ‘toka e hapi gojën dhe i gëlltiti’. Pjesa tjetër, duke përfshirë edhe Koreun, u përpi nga zjarri që dërgoi Perëndia. (Ligji i përtërirë 11:6; Numrat 16:16-35; 26:10) Mendjemadhësia e Koreut çoi përfundimisht në çnderim, domethënë, në mosmiratimin e Perëndisë.

      T’i rezistojmë ‘prirjes drejt smirës’

      8. Si mund të shfaqet ndër të krishterët «një prirje drejt smirës»?

      8 Tregimi për Koreun është një paralajmërim për ne. Meqë «një prirje drejt smirës» është e pranishme te njerëzit e papërsosur, ajo mund të shfaqet edhe në kongregacionin e krishterë. (Jakovit 4:5) Për shembull, mund të jemi persona që i japim shumë vëmendje pozitës. Ashtu si Koreu, mund të kemi smirë për ata që kanë privilegje të cilat i dëshirojmë ne. Ose mund të bëhemi si i krishteri i shekullit të parë me emrin Diotref. Ai e kritikonte shumë autoritetin apostolik, me sa duket sepse donte ta kishte vetë përgjegjësinë në dorë. Në fakt, Gjoni shkroi se Diotrefit «i pëlqen të jetë i pari».​—3 Gjonit 9.

      9. (a) Cilin qëndrim ndaj përgjegjësive në kongregacion duhet të shmangim? (b) Cila është pikëpamja e duhur për vendin që kemi në rregullimin e Perëndisë?

      9 Sigurisht, nuk është e gabuar që një burrë i krishterë të synojë të ketë përgjegjësi në kongregacion. Madje, Pavli e inkurajoi këtë gjë. (1 Timoteut 3:1) Megjithatë, nuk duhet t’i konsiderojmë kurrë privilegjet e shërbimit si shenjë e arritjeve tona, sikur, duke i fituar ato, kemi ngjitur një shkallë më lart në të ashtuquajturën shkallë të suksesit. Kujtoni, Jezui tha: «Kushdo që dëshiron të bëhet i madh mes jush, duhet të jetë shërbëtori juaj dhe kushdo që dëshiron të jetë i pari mes jush, duhet të jetë skllavi juaj.» (Mateu 20:26, 27) Qartë, do të ishte e gabuar të kishim smirë ata që kanë përgjegjësi më të mëdha, sikur vlera jonë para Perëndisë të varej nga «rangu» që kemi në organizatën e tij. Jezui tha: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mateu 23:8) Po, qofshin lajmëtarë ose pionierë, të sapopagëzuar ose mbajtës të integritetit nga shumë kohë, që të gjithë ata që i shërbejnë Jehovait me gjithë shpirt kanë një vend të çmuar në rregullimin e tij. (Luka 10:27; 12:6, 7; Galatasve 3:28; Hebrenjve 6:10) Është vërtet një bekim të punojmë krah për krah me miliona veta që po përpiqen të zbatojnë këshillën e Biblës: «Ngjeshuni të gjithë me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit.»​—1 Pjetrit 5:5.

      Absalomi​—Një oportunist ambicioz

      10. Kush ishte Absalomi dhe si u përpoq të fitonte miratimin e atyre që vinin te mbreti për gjykim?

      10 Drejtimi i jetës së birit të tretë të mbretit David, Absalomit, siguron një mësim praktik për ambicien. Ky oportunist komplotues u përpoq të fitonte miratimin e atyre që shkonin te mbreti për gjykim. Së pari, ai e hidhte fjalën se Davidi ishte indiferent ndaj nevojave të tyre. Pastaj e hiqte maskën dhe hynte drejt e në temë. «Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit,​—thoshte me ton melodramatik Absalomi,​—kushdo që të kishte një proces apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t’i siguroja drejtësi.» Propaganda mjeshtërore e Absalomit nuk njihte kufi. «Kur dikush afrohej për të rënë përmbys para tij,​—thotë Bibla,​—ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte. Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi.» Me çfarë rezultati? «Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.»​—2 Samuelit 15:1-6.

      11. Si u përpoq Absalomi të uzurponte fronin e Davidit?

      11 Absalomi ishte i vendosur që të uzurponte fronin e të atit. Pesë vjet më parë, ai kishte vrarë djalin e madh të Davidit, Amnonin. Në pamje të parë dukej se e kishte bërë që të hakmerrej për përdhunimin e motrës së vet, Tamarës. (2 Samuelit 13:28, 29) Megjithatë, edhe atëherë Absalomi mund t’i kishte pasur sytë te froni, duke e konsideruar vrasjen e Amnonit si mënyrë të volitshme për të eliminuar një rival.b Sidoqoftë, kur mbërriti koha e duhur, Absalomi bëri lëvizjen e tij. Ai bëri që mbretërimi i tij të shpallej në të gjithë vendin.​—2 Samuelit 15:10.

      12. Shpjegoni se si mendjemadhësia e çoi Absalomin në çnderim.

      12 Për pak kohë, Absalomi pati sukses, ngaqë «komploti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit». Me kohë, mbreti David u detyrua t’ia mbathte për të shpëtuar jetën. (2 Samuelit 15:12-17) Gjithsesi, shumë shpejt karriera e Absalomit u ndërpre kur Joabi e vrau, e hodhi në një gropë dhe e mbuloi me gurë. Imagjinoni: këtij njeriu ambicioz, që donte të ishte mbret, kur vdiq nuk iu bë as edhe një varrim siç duhej!c Vërtet, mendjemadhësia e çoi Absalomin në çnderim.​—2 Samuelit 18:9-17.

      Të shmangim ambicien egoiste

      13. Si mund të zërë rrënjë në zemrën e një të krishteri fryma ambicioze?

      13 Ngritja e Absalomit në pushtet dhe rënia e tij e mëvonshme na shërbejnë si mësim. Në botën e sotme të pamëshirshme, është e zakonshme që njerëzit t’u servilosen eprorëve të tyre, duke u përpjekur t’i bëjnë për vete, vetëm e vetëm për të bërë përshtypje tek ata ose ndoshta për të fituar ndonjë lloj privilegji a ngritjeje në përgjegjësi. Në të njëjtën kohë, mund t’u bëjnë komente lavdëruese vartësve, duke shpresuar të fitojnë miratimin dhe mbështetjen e tyre. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, kjo frymë ambicioze mund të zërë rrënjë në zemrën tonë. Me sa duket, kjo ndodhi me disa në shekullin e parë, duke bërë të nevojshme që apostujt të jepnin paralajmërime të forta kundër personave të tillë.​—Galatasve 4:17; 3 Gjonit 9, 10.

      14. Përse duhet ta shmangim frymën ambicioze, që lartëson vetveten?

      14 Jehovai nuk ka vend në organizatën e tij për intrigues që i rritin vlerat vetes, të cilët përpiqen që të ‘kërkojnë lavdinë e tyre’. (Fjalët e urta 25:27) Në fakt, Bibla paralajmëron se ‘Zoti do t’i presë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari’. (Psalmi 12:3) Absalomi kishte buzë lajkatare. Ai u fliste gjëra lajkatuese atyre që donte t’u merrte miratimin dhe të gjithë këtë e bënte për të fituar një pozitë autoriteti që e lakmonte. Në kontrast, sa të bekuar jemi që ndodhemi mes një vëllazërie, e cila ndjek këshillën e Pavlit: «Mos [bëni] asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, [mendoni] se të tjerët janë më të lartë se ju.»​—Filipianëve 2:3.

      Sauli​—Një mbret i paduruar

      15. Si e tregoi për një periudhë Sauli se ishte modest?

      15 Kishte një periudhë kur Sauli, i cili më vonë u bë mbret i Izraelit, ishte modest. Shqyrtoni, për shembull, çfarë i ndodhi në vitet e rinisë. Kur Samueli, profeti i Perëndisë, foli në mënyrë të favorshme për të, Sauli u përgjigj me përulësi: «A nuk jam unë një beniaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?»​—1 Samuelit 9:21.

      16. Si shfaqi Sauli një qëndrim të paduruar?

      16 Gjithsesi, më vonë modestia e Saulit u zhduk. Kur ishte në luftë me filistejtë, ai u tërhoq në Gilgal, ku duhej të priste që të vinte Samueli dhe t’i lutej Perëndisë me flijime. Kur Samueli nuk erdhi në kohën e caktuar, me mendjemadhësi Sauli e ofroi vetë flijimin e djegur. Sapo kishte mbaruar, mbërriti Samueli. «Çfarë bëre kështu?»​—e pyeti Samueli. Sauli iu përgjigj: «Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe ardhur ditën e caktuar . . . e mblodha veten dhe ofrova olokaustin.»​—1 Samuelit 13:8-12.

      17. (a) Në pamje të parë, përse veprimet e Saulit mund të duken të justifikuara? (b) Përse e ndëshkoi Jehovai Saulin për veprimin e tij të paduruar?

      17 Në pamje të parë, veprimi i Saulit mund të duket i justifikuar. Në fund të fundit, populli i Perëndisë ishte «në rrezik», «u gjend ngushtë» dhe po dridhej për shkak të situatës së dëshpëruar në të cilën gjendej. (1 Samuelit 13:6, 7) Sigurisht, nuk është e gabuar të merret iniciativa kur rrethanat e përligjin.d Por, mbani në mend se Jehovai mund të lexojë zemrat dhe të perceptojë motivet tona më të brendshme. (1 Samuelit 16:7) Prandaj, ai duhet të ketë parë disa veçori te Sauli që nuk përmenden drejtpërdrejt në tregimin biblik. Për shembull, Jehovai mund të ketë parë që padurimi i Saulit ishte i nxitur nga krenaria. Ndoshta Sauli ishte thellësisht i irrituar që ai, mbreti i tërë Izraelit, duhej të priste dikë që e konsideronte një profet të plakur, i cili i zvarriste gjërat. Sidoqoftë, Sauli mendonte se vonesa e Samuelit i jepte të drejtën t’i rregullonte vetë gjërat dhe të shpërfillte udhëzimet e qarta që i ishin dhënë. Rezultati? Samueli nuk e lavdëroi iniciativën e Saulit. Përkundrazi, e ndëshkoi duke i thënë: «Mbretëria jote nuk ka për të vazhduar, . . . sepse ti nuk ke respektuar atë që Zoti të pati urdhëruar.» (1 Samuelit 13:13, 14) Edhe një herë, mendjemadhësia çoi në çnderim.

      Të ruhemi nga padurimi

      18, 19. (a) Përshkruaj se si padurimi mund ta bëjë një shërbëtor të Perëndisë në kohët moderne të veprojë me mendjemadhësi. (b) Çfarë duhet të mbajmë në mend për funksionimin e kongregacionit të krishterë?

      18 Tregimi për veprimin mendjemadh të Saulit është dokumentuar në Fjalën e Perëndisë për dobinë tonë. (1 Korintasve 10:11) Është e lehtë që të mërzitemi me papërsosmëritë e vëllezërve tanë. Ashtu si Sauli, mund të bëhemi të paduruar, duke menduar që, nëse duam që gjërat të bëhen siç duhet, duhet t’i marrim vetë në dorë. Supozoni, për shembull, që një vëlla shkëlqen në disa aftësi organizative. Është i përpiktë, i përditësuar me procedurat e kongregacionit dhe ka dhunti për të folur e për të mësuar. Në të njëjtën kohë, e ndien se të tjerët nuk janë në lartësinë e normave të hollësishme që ka ai dhe nuk janë po aq të efektshëm, sa do të donte ai. A i jep kjo lejen për të shprehur padurim? A duhet t’i kritikojë vëllezërit e tij, ndoshta duke nënkuptuar se, po të mos ishin përpjekjet e tij, asgjë nuk do të bëhej dot dhe kongregacioni do të dobësohej? Kjo do të ishte mendjemadhësi!

      19 Çfarë e mban, në të vërtetë, të bashkuar një kongregacion të krishterësh? Aftësitë drejtuese? Efektshmëria? Njohuria e thellë? Kuptohet, këto gjëra janë të dobishme që një kongregacion të funksionojë sa më mirë. (1 Korintasve 14:40; Filipianëve 3:16; 2 Pjetrit 3:18) Megjithatë, Jezui tha se ithtarët e tij do të identifikoheshin në radhë të parë nga dashuria e tyre. (Gjoni 13:35) Ja përse pleqtë e dashur, ndonëse janë të rregullt, e kuptojnë që kongregacioni nuk është një biznes që ka nevojë për drejtim të ngurtë, por, përkundrazi, është i përbërë nga një kope që ka nevojë për kujdes të butë. (Isaia 32:1, 2; 40:11) Mungesa arrogante e respektit për këto parime shpesh sjell si pasojë grindje. Përkundrazi, rregulli i perëndishëm sjell paqe.​—1 Korintasve 14:33; Galatasve 6:16.

      20. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

      20 Tregimet biblike për Koreun, Absalomin dhe Saulin e bëjnë të qartë se mendjemadhësia çon në çnderim, siç thuhet te Proverbat 11:2. Megjithatë, i njëjti varg biblik shton: «Mençuria është me modestët.» Çfarë është modestia? Cilët shembuj nga Bibla mund të na ndihmojnë të hedhim dritë mbi këtë cilësi dhe si mund ta tregojmë sot modestinë? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues.

      [Shënimet]

      a Meqë Rubeni ishte i parëlinduri i Jakobit, ata pasardhës të tij që Koreu i shtyu të rebeloheshin, mund të kenë pasur inat që Moisiu, një pasardhës i Levit, kishte autoritet administrativ mbi ta.

      b Kileabi, djali i dytë i Davidit, nuk përmendet më pas lindjes. Ka mundësi që të ketë vdekur para rebelimit të Absalomit.

      c Në kohët biblike, ceremonia e varrimit të trupit të një të vdekuri ishte një akt me rëndësi të konsiderueshme. Prandaj, të të privonin nga varrimi ishte një e keqe shumë e madhe dhe shpesh ishte shprehje e mosmiratimit të Perëndisë.​—Jeremia 25:32, 33.

      d Për shembull, Fineasi ndërmori veprime të shpejta për të ndalur murtajën që vrau dhjetëra mijë izraelitë dhe Davidi i inkurajoi njerëzit e tij të uritur të bashkoheshin me të për të ngrënë nga buka e paraqitjes në «shtëpinë e Perëndisë». Asnjë nga këto veprime nuk u dënua nga Perëndia si veprim mendjemadh.​—Mateu 12:2-4; Numrat 25:7-9; 1 Samuelit 21:1-6.

  • «Mençuria është me modestët»
    Kulla e Rojës—2000 | 1 Gusht
    • «Mençuria është me modestët»

      «Çfarë kërkon Jehovai prej teje, përveçse . . . të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»​—MIKEA 6:8, BR.

      1, 2. Çfarë është modestia dhe si ndryshon ajo nga mendjemadhësia?

      NJË apostull i shquar refuzon të tërheqë vëmendjen te vetja. Një gjykatës i guximshëm izraelit e quan veten më të voglin në shtëpinë e atit të tij. Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë e pranon se nuk ka autoritet të pakufizuar. Secili nga këta burra shfaq modesti.

      2 Modestia është e kundërta e mendjemadhësisë. Personi që është modest ka një vlerësim realist për aftësitë e për vlerën e tij dhe nuk ka mendjemadhësi ose mburrje. Në vend që të jetë krenar, mburravec ose ambicioz, personi modest është gjithnjë i vetëdijshëm për kufizimet e tij. Prandaj, i respekton dhe u jep konsideratën e duhur ndjenjave dhe pikëpamjeve të të tjerëve.

      3. Në ç’mënyrë mençuria është «me modestët»?

      3 Bibla ka arsye të vlefshme kur thotë: «Mençuria është me modestët.» (Proverbat [Fjalët e urta] 11:2, BR) Personi modest është i mençur, sepse ndjek një drejtim që Perëndia e miraton dhe shmang frymën mendjemadhe që çon në çnderim. (Fjalët e urta 8:13; 1 Pjetrit 5:5) Mençuria e modestisë vërtetohet nga jeta e disa shërbëtorëve të Perëndisë. Le të shqyrtojmë tri shembujt që u cituan në paragrafin hyrës.

      Pavli​—Një ‘vartës’ dhe ‘kujdestar’

      4. Cilat privilegje të pashoqe gëzonte Pavli?

      4 Pavli ishte një figurë e shquar mes të krishterëve të hershëm dhe kjo është e kuptueshme. Gjatë shërbimit, ai kishte udhëtuar mijëra kilometra në det dhe në tokë, si edhe kishte formuar shumë kongregacione. Përveç kësaj, Jehovai e bekoi Pavlin me vizione dhe me dhuratën për të folur gjuhë të huaja. (1 Korintasve 14:18; 2 Korintasve 12:1-5) Ai, gjithashtu, e frymëzoi Pavlin të shkruante 14 letrat që tani janë pjesë e Shkrimeve të Krishtere Greke. Qartë, mund të thuhet se mundi i Pavlit ia kalonte atij të të gjithë apostujve të tjerë.​—1 Korintasve 15:10.

      5. Si e tregoi Pavli se kishte pikëpamje modeste për veten?

      5 Meqë Pavli ishte në ballë të aktivitetit të krishterë, disa ndoshta pritnin që ta shihnin të kënaqej duke qenë në qendër të vëmendjes, madje, duke vënë në dukje autoritetin e vet. Por nuk ishte kështu, sepse Pavli ishte modest. Ai e quajti veten «i fundit i apostujve», duke shtuar: «Nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e persekutova kongregacionin e Perëndisë.» (1 Korintasve 15:9) Si ish-persekutues i të krishterëve, Pavli nuk harronte asnjëherë se ishte vetëm falë dashamirësisë së pamerituar që ai mund të kishte qoftë edhe një marrëdhënie me Perëndinë, e jo më pastaj të gëzonte privilegje të veçanta shërbimi. (Gjoni 6:44; Efesianëve 2:8) Prandaj, Pavli nuk mendonte se arritjet e jashtëzakonshme në shërbim e bënin më të lartë se të tjerët.​—1 Korintasve 9:16.

      6. Si tregoi Pavli modesti në marrëdhëniet me korintasit?

      6 Modestia e Pavlit ishte veçanërisht e dukshme në marrëdhëniet me korintasit. Me sa duket, disa prej tyre ishin të magjepsur pas atyre për të cilët mendonin se ishin mbikëqyrës të shquar, duke përfshirë Apolin, Kefën dhe vetë Pavlin. (1 Korintasve 1:11-15) Por Pavli as nuk kërkoi lavdërim nga korintasit, as nuk e shfrytëzoi admirimin e tyre. Kur i vizitoi, nuk u paraqit «me epërsi fjalësh ose mençurie». Në vend të kësaj, Pavli tha për veten dhe për bashkëpunëtorët e tij: «Njeriu le të na konsiderojë si vartës të Krishtit dhe kujdestarë të sekretit të shenjtë të Perëndisë.»a​—1 Korintasve 2:1-5; 4:1.

      7. Si e shfaqi Pavli modestinë, edhe kur jepte këshilla?

      7 Pavli shfaqi modesti edhe kur i duhej të jepte këshilla të forta dhe udhëzime. Ai iu lut të bashkëkrishterëve «nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë» dhe «në bazë të dashurisë», në vend që ta bënte këtë me peshën e autoritetit apostolik. (Romakëve 12:1, 2; Filemonit 8, 9) Përse e bënte Pavli këtë? Sepse e konsideronte vërtet veten si një ‘bashkëpunëtor’ të vëllezërve të tij, jo si një ‘zotëri mbi besimin e tyre’. (2 Korintasve 1:24) Pa dyshim, modestia e ndihmoi Pavlin që të bëhej veçanërisht i dashur për kongregacionet e krishtere të shekullit të parë.​—Veprat 20:36-38.

      Një pikëpamje modeste për privilegjet tona

      8, 9. (a) Përse duhet të kemi pikëpamje modeste për veten? (b) Si mund të shfaqin modesti ata që kanë një masë përgjegjësie?

      8 Pavli la një shembull të shkëlqyer për të krishterët sot. Pavarësisht çfarë përgjegjësish na janë besuar, asnjëri prej nesh nuk duhet të mendojë se është më i lartë nga të tjerët. «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë,​—shkroi Pavli,​—gënjen veten.» (Galatasve 6:3) Përse? Sepse «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23; 5:12) Po, nuk duhet të harrojmë kurrë se të gjithë ne kemi trashëguar mëkatin dhe vdekjen nga Adami. Privilegjet e veçanta nuk na ngrenë nga gjendja e ulët mëkatare. (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:2) Siç ishte në rastin e Pavlit, është vetëm falë dashamirësisë së pamerituar që njerëzit mund të kenë qoftë edhe një marrëdhënie me Perëndinë, e jo më t’i shërbejnë atij në ndonjë detyrë të privilegjuar.​—Romakëve 3:12, 24.

      9 Duke kuptuar këtë, një person që është modest as nuk ngazëllehet tepër për privilegjet e tij, as nuk mburret për arritjet. (1 Korintasve 4:7) Kur jep këshilla ose udhëzime, e bën këtë si një bashkëpunëtor e jo si një zotëri. Sigurisht, për ndonjë që shkëlqen në disa detyra do të ishte e gabuar të kërkonte lavdërime ose të shfrytëzonte admirimin e bashkëbesimtarëve. (Fjalët e urta 25:27; Mateu 6:2-4) I vetmi lavdërim që vlen diçka vjen nga të tjerët dhe duhet të vijë pa ua kërkuar atyre. Nëse na jepet ndonjë lavdërim, nuk duhet ta lëmë që të na bëjë të mendojmë për veten më tepër se ç’është e nevojshme.​—Fjalët e urta 27:2; Romakëve 12:3.

      10. Shpjegoni përse disa që mund të duken se janë njerëz të thjeshtë, mund të jenë në të vërtetë «të pasur në besim».

      10 Kur na besohet një masë përgjegjësie, modestia do të na ndihmojë të mos e vëmë theksin në mënyrë të panevojshme mbi veten, duke krijuar përshtypjen se kongregacioni po lulëzon vetëm e vetëm nga përpjekjet dhe aftësitë tona. Për shembull, mund të kemi dhunti veçanërisht në mësimdhënie. (Efesianëve 4:11, 12) Gjithsesi, duke qenë modestë, duhet ta pranojmë se disa nga mësimet më të mëdha që marrim në mbledhjet e kongregacionit nuk jepen nga podiumi. A nuk inkurajohemi, për shembull, kur shikojmë atë prind të vetëm që vjen rregullisht në Sallën e Mbretërisë me fëmijët nga pas? Ose kur shikojmë atë shpirt të dëshpëruar që vjen me besnikëri në mbledhje, me gjithë ndjenjat e vazhdueshme të pavlefshmërisë? Ose të riun që bën vazhdimisht përparim frymor, me gjithë ndikimet e këqija në shkollë e gjetkë? (Psalmi 84:10) Këta individë mund të mos jenë në qendër të vëmendjes. Në përgjithësi, të tjerët nuk i vërejnë sprovat e integritetit që hasin ata. Megjithatë, këta persona mund të jenë po aq «të pasur në besim», sa edhe ata që dallohen më shumë. (Jakovit 2:5) Sidoqoftë, përfundimisht është besnikëria ajo që fiton miratimin e Jehovait.​—Mateu 10:22; 1 Korintasve 4:2.

      Gideoni: «Më i vogli» në shtëpinë e të atit

      11. Si tregoi modesti Gideoni, kur po fliste me engjëllin e Perëndisë?

      11 Gideoni, një i ri i fortë nga fisi i Manaseut, jetoi gjatë një kohe të turbullt në historinë e Izraelit. Për shtatë vjet, populli i Perëndisë kishte vuajtur nën shtypjen e midianitëve. Megjithatë, tani kishte ardhur koha që Jehovai ta çlironte popullin e tij. Kështu, një engjëll iu shfaq Gideonit dhe i tha: «Zoti është me ty, o luftëtar trim!» Gideoni ishte modest, kështu që nuk u vetëkënaq nga lavdia e këtij komplimenti të papritur. Në vend të kësaj, me respekt i tha engjëllit: «Imzot, nëse Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto?» Engjëlli ia qartësoi gjërat dhe i tha Gideonit: ‘Do ta shpëtosh Izraelin nga dora e Madianit.’ Si u përgjigj Gideoni? Në vend që të përfitonte menjëherë nga ky caktim, duke e parë si një rast për ta bërë veten hero kombëtar, Gideoni u përgjigj: «O imzot [Jehova, BR], si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja familja ime është më e dobëta e Manasit dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim.» Çfarë modestie!​—Gjyqtarët 6:11-15.

      12. Si tregoi maturi Gideoni, kur kreu caktimin e tij?

      12 Para se ta dërgonte në betejë, Jehovai e vuri në provë Gideonin. Si? Gideonit iu tha të shembte altarin që i ati i kishte ngritur Baalit dhe të rrëzonte shtyllën e shenjtë që qëndronte anash këtij altari. Ky caktim do të kërkonte guxim, por Gideoni tregoi edhe modesti e maturi në mënyrën se si e kreu. Në vend që të bënte një spektakël publik, ai punoi në errësirën e natës, kur kishte më shumë të ngjarë që të mos e vinin re. Më tej, Gideoni tregoi kujdesin e duhur për caktimin e tij. Mori me vete dhjetë shërbëtorë, ndoshta që disa prej tyre të rrinin rojë, ndërsa pjesa tjetër ta ndihmonte për të shkatërruar altarin dhe shtyllën e shenjtë.b Gjithsesi, me bekimin e Jehovait, Gideoni e kreu caktimin e tij dhe, me kohë, Perëndia e përdori për ta çliruar Izraelin nga midianitët.​—Gjyqtarët 6:25-27.

      Të shfaqim modesti dhe maturi

      13, 14. (a) Si mund të tregojmë modesti, kur na ofrohet një privilegj shërbimi? (b) Si la vëllai A. H. Mekmilan një shembull të shkëlqyer në shfaqjen e modestisë?

      13 Nga modestia e Gideonit mund të mësojmë shumë. Për shembull, si reagojmë kur na ofrohet një privilegj shërbimi? A mendojmë menjëherë për spikatjen ose për prestigjin që do të vijë si rezultat? Apo me modesti dhe në lutje shqyrtojmë nëse mund t’i plotësojmë ose jo kërkesat e caktimit? Vëllai A. H. Mekmilan, i cili e mbaroi rrugën tokësore në vitin 1966, la një shembull të shkëlqyer në këtë aspekt. C. T. Rasëlli, presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower, e pyeti një herë vëllanë Mekmilan se cili mendonte që mund të merrte mbi vete përgjegjësinë e veprës në mungesë të tij. Në bisedën që pasoi, vëllai Mekmilan nuk e rekomandoi as edhe një herë veten, ndonëse do të kishte qenë më se e volitshme për të që ta bënte këtë. Në fund, vëllai Rasëll e ftoi vëllanë Mekmilan të mendohej për të pranuar këtë caktim. «Mbeta aty si i trullosur,​—shkroi disa vjet më vonë vëllai Mekmilan.​—U mendova vërtet shumë seriozisht dhe u luta për njëfarë kohe para se t’i thosha më në fund se do të isha i lumtur të bëja gjithçka që mundesha për ta ndihmuar.»

      14 Jo shumë kohë më pas, vëllai Rasëll vdiq, duke e lënë të lirë vendin e presidentit të Shoqatës Watch Tower. Meqë vëllait Mekmilan i ishte lënë përgjegjësia gjatë udhëtimit të fundit të predikimit të vëllait Rasëll, një vëlla i tha: «Mek, ti ke shumë mundësi për ta zënë këtë vend. Ti ishe përfaqësuesi i veçantë i vëllait Rasëll, kur ai nuk ishte këtu, dhe ai na tha të gjithëve që të bënim siç thoshe ti. E pra, ai iku dhe nuk u kthye më. Duket se je ti ai që do të vazhdosh.» Vëllai Mekmilan iu përgjigj: «Vëlla, nuk është kjo mënyra për ta konsideruar këtë çështje. Kjo është vepra e Zotërisë dhe i vetmi vend që zëmë në organizatën e Zotërisë është ai që Zotëria e sheh të përshtatshme të na japë. E unë jam i sigurt se nuk jam njeriu i duhur për këtë punë.» Pastaj, vëllai Mekmilan rekomandoi dikë tjetër për atë vend. Ashtu si Gideoni, ai kishte një pikëpamje modeste për veten, një pikëpamje që bëjmë mirë ta kemi edhe ne.

      15. Cilat janë disa mënyra praktike për të përdorur aftësi dalluese kur u predikojmë të tjerëve?

      15 Edhe ne duhet të jemi modestë në mënyrën si e kryejmë caktimin që kemi. Gideoni ishte i matur dhe u përpoq të mos i zemëronte pa qenë nevoja kundërshtarët e tij. Në mënyrë të ngjashme, në veprën tonë të predikimit, duhet të jemi modestë dhe të matur në mënyrën se si u flasim të tjerëve. Vërtet, ne jemi angazhuar në një luftë frymore për të përmbysur «gjëra të fortifikuara mirë» dhe «arsyetime». (2 Korintasve 10:4, 5) Por, nuk duhet t’u flasim me nënvlerësim të tjerëve ose të japim ndonjë shkak të vlefshëm që ata të lëndohen nga mesazhi ynë. Në vend të kësaj, duhet t’i respektojmë pikëpamjet e tyre, të theksojmë atë që mund të kemi të përbashkët dhe, pastaj, të përqendrohemi në aspektet pozitive të mesazhit tonë.​—Veprat 22:1-3; 1 Korintasve 9:22; Zbulesa 21:4.

      Jezui: Shembulli më i madh i modestisë

      16. Si e tregoi Jezui se kishte një pikëpamje modeste për veten?

      16 Shembulli më i shkëlqyer i modestisë është ai i Jezu Krishtit.c Pavarësisht nga marrëdhënia e ngushtë që kishte me Atin e tij, Jezui nuk ngurroi të pranonte se disa gjëra ishin përtej sferës së autoritetit të tij. (Gjoni 1:14) Për shembull, kur nëna e Jakovit dhe e Gjonit i kërkoi që dy bijtë e saj të uleshin afër Jezuit në mbretërinë e tij, Jezui i tha: «Kjo ulje në të djathtën dhe në të majtën time nuk është e imja që ta jap.» (Mateu 20:20-23) Në një rast tjetër, Jezui e pranoi hapur: «Unë nuk mund të bëj as edhe një gjë të vetme me nismën time. . . . Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.»​—Gjoni 5:30; 14:28; Filipianëve 2:5, 6.

      17. Si e tregoi Jezui modestinë në marrëdhëniet me të tjerët?

      17 Jezui ishte në çdo kuptim më i lartë se njerëzit e papërsosur dhe kishte një autoritet të pakrahasueshëm që ia kishte dhënë Ati i tij, Jehovai. Gjithsesi, ishte modest në marrëdhëniet me ithtarët e tij. Nuk i mbyti ata me një shfaqje mbresëlënëse njohurie. Tregoi ndjeshmëri e dhembshuri dhe i mori në konsideratë nevojat e tyre si njerëz. (Mateu 15:32; 26:40, 41; Marku 6:31) Kështu, edhe pse ishte i përsosur, Jezui nuk kishte maninë për përsosmëri. Ai nuk kërkonte kurrë nga dishepujt e tij më shumë sesa mund të jepnin dhe nuk u vuri kurrë përsipër më shumë gjëra sesa mund të mbanin. (Gjoni 16:12) Nuk habitemi që shumë veta e konsideronin freskues!​—Mateu 11:29.

      Imitoni shembullin e modestisë që la Jezui

      18, 19. Si mund ta imitojmë modestinë e Jezuit në (a) mënyrën si e konsiderojmë veten dhe (b) mënyrën si i trajtojmë të tjerët?

      18 Nëse njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë tregoi modesti, sa më shumë duhet të tregojmë ne. Njerëzit e papërsosur, shpesh, mezi e pranojnë që, thjesht, nuk kanë autoritet absolut. Por, duke imituar Jezuin, të krishterët përpiqen të jenë modestë. Ata nuk janë tepër krenarë, sa të mos u japin përgjegjësi atyre që janë të kualifikuar për ta marrë atë, as nuk janë fodullë dhe jo të gatshëm për të pranuar drejtim nga ata që janë të autorizuar për ta dhënë. Duke treguar një frymë bashkëpunimi, ata lënë që çdo gjë në kongregacion të bëhet «siç ka hije dhe me rregull».​—1 Korintasve 14:40.

      19 Gjithashtu, modestia do të na shtyjë të jemi të arsyeshëm në atë që presim nga të tjerët dhe të marrim në konsideratë nevojat e tyre. (Filipianëve 4:5) Mund të kemi disa aftësi dhe pika të forta që të tjerët ndoshta nuk i kanë. Por, nëse jemi modestë, nuk do të presim gjithnjë që të tjerët të veprojnë ashtu siç do të donim ne. Duke e ditur se çdo person ka kufizimet e tij, me plot modesti do të marrim parasysh mangësitë e të tjerëve. Pjetri shkroi: «Mbi të gjitha, kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.»​—1 Pjetrit 4:8.

      20. Çfarë mund të bëjmë për të kapërcyer ndonjë prirje ndaj mungesës së modestisë?

      20 Siç e kemi mësuar, mençuria është vërtet me modestët. Por, ç’të themi nëse kuptoni se keni prirje ndaj mungesës së modestisë ose ndaj mendjemadhësisë? Mos u shkurajoni. Në vend të kësaj, ndiqni shembullin e Davidit, i cili u lut: «Ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit [nga veprat e mendjemadhësisë, BR] dhe bëj që ato të mos më sundojnë.» (Psalmi 19:13) Duke imituar besimin e burrave si Pavli, Gideoni dhe, mbi të gjithë, si Jezu Krishti, do të përjetojmë personalisht vërtetësinë e fjalëve: «Mençuria është me modestët.»​—Proverbat 11:2, BR.

      [Shënimet]

      a Fjala greke e përkthyer «vartës» mund t’i referohet një skllavi që ulej në radhën e fundit të vozitësve në një anije të madhe. Në kontrast, ‘kujdestarëve’ mund t’u besoheshin më shumë përgjegjësi, ndoshta kujdesi për një pronë. Gjithsesi, për shumë pronarë, kujdestari ishte njësoj në shërbim si edhe skllavi që voziste në anije.

      b Maturia dhe kujdesi që tregoi Gideoni nuk duhen keqinterpretuar si shenjë burracakërie. Përkundrazi, guximi i tij konfirmohet te Hebrenjve 11:32-38, ku Gideoni përfshihet ndër ata që «u bënë të fuqishëm» dhe që «u bënë trima në luftë».

      c Meqenëse modestia përfshin vetëdijen për kufizimet që ka një person, për Jehovain nuk mund të thuhet me të drejtë se është modest. Megjithatë, ai është i përulur.​—Psalmi 18:35.

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo