Mos u dorëzoni!
«Le të mos dorëzohemi në bërjen e asaj që është e shkëlqyer, sepse, nëse nuk do të lodhemi, do të korrim në kohën e duhur.»—GALATASVE 6:9, BR.
1, 2. (a) Në ç’mënyrë gjuan një luan? (b) Mbi kë interesohet për të gjuajtur në mënyrë të veçantë Djalli?
NJË luan gjuan në mënyra të ndryshme. Në ndonjë rast ai do t’i zërë pritë gjahut të tij pranë gropës së ujit ose përgjatë shtigjeve të rrahura mirë. Por në ndonjë rast tjetër, thotë libri Portrete të egra, një luan «përfiton thjesht nga situata, për shembull, duke hasur një mëz zebre që është duke fjetur».
2 ‘Kundërshtari ynë, Djalli,—shpjegon apostulli Pjetër,—sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.’ (1. Pjetrit 5:8) Duke e ditur që koha e tij e mbetur është e shkurtër, Satanai është duke ushtruar një presion edhe më të madh mbi njerëzit për t’i mbajtur ata larg shërbimit të Jehovait. Sidoqoftë, ky «luan vrumbullues» është në mënyrë të veçantë i interesuar për të gjuajtur shërbëtorët e Jehovait. (Zbulesa 12:12, 17) Metodat e tij të gjuajtjes janë të ngjashme me ato të ekuivalentit të tij në mbretërinë e kafshëve. Si kështu?
3, 4. (a) Çfarë metodash përdor Satanai në gjuajtjen mbi shërbëtorët e Jehovait? (b) Meqë këto janë «kohë kritike», çfarë pyetjesh dalin?
3 Herë pas here Satanai përpiqet të bëjë një pritë, persekutim ose kundërshtim, me synimin që të thyejë integritetin tonë, kështu që ne të ndërpresim shërbimin e Jehovait. (2. Timoteut 3:12) Por, tamam si një luan, herë të tjera Djalli, thjesht përfiton nga situata. Ai pret derisa ne të shkurajohemi ose të lodhemi dhe atëherë përpiqet të shtjerë në dorë gjendjen tonë të ulët emocionale, me qëllim që të na bëjë të dorëzohemi. Ne nuk duhet të bëhemi një pre e lehtë!
4 Por, ne po jetojmë në periudhën më të vështirë të të gjithë historisë njerëzore. Në këto «kohë kritike», shumë prej nesh mund të ndihen të shkurajuar ose të rënduar sipas rastit. (2. Timoteut 3:1) Si mund të shmangim atëherë lodhjen, aq sa të mund të mos bëhemi lehtë pre e Djallit? Po, si mund t’i kushtojmë vëmendje këshillës së frymëzuar të apostullit Pavël që «të mos dorëzohemi në bërjen e asaj që është e shkëlqyer, sepse, nëse nuk do të lodhemi, do të korrim në kohën e duhur»?—Galatasve 6:9, BR.
Kur të tjerët na zhgënjejnë
5. Çfarë e bëri Davidin të lodhej, por çfarë nuk bëri ai?
5 Në kohët biblike, madje edhe shërbëtorët më besnikë të Jehovait mund të jenë ndier të rënduar. «Jam lodhur nga rënkimet,—shkroi psalmisti David.—Çdo natë e laj shtratin me lotët e mi. Sytë i kam të enjtur nga vajtimet.» Pse ndihej kështu Davidi? «Nga ato që më shkaktojnë armiqtë e mi»,—shpjegoi ai. Veprimet lënduese të të tjerëve i shkaktuan Davidit një dhimbje të tillë zemre, saqë lotët e tij vërshuan lirshëm. Megjithatë, Davidi nuk u tërhoq nga Jehovai për ato që njerëzit i bënë atij.—Psalmi 6:6-9, ECM.
6. (a) Si mund të ndikohemi nga fjalët ose veprimet e të tjerëve? (b) Si e bëjnë disa veten e tyre pre të lehtë të Djallit?
6 Po në të njëjtën mënyrë fjalët ose veprimet e të tjerëve mund të na shkaktojnë një rritje të lodhjes, me shumë dhimbje në zemër. «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë»,—thotë Proverbat 12:18. Kur i pamendi është një vëlla ose motër e krishterë, ‘e shpuara’ mund të bëhet më e thellë. Prirja njerëzore mund të të bëjë të ofendohesh, ndoshta duke ushqyer inat. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ne mendojmë se na kanë trajtuar pa mirësjellje ose padrejtësisht. Mund ta kemi të vështirë të flasim me ofenduesin; ndoshta me qëllim do ta shmangim atë. Të rënduar me zemërim, disa janë dorëzuar dhe e kanë ndërprerë ardhjen në mbledhjet e krishtere. Mjerisht, me anë të kësaj ata i lënë «vend Djallit» që të përfitojë mbi ta si mbi një pre të lehtë.—Efesianëve 4:27.
7. (a) Si mund të shmangim të bëhemi lojë në duart e Djallit, kur të tjerët na zhgënjejnë ose na lëndojnë? (b) Pse duhet të lirohemi nga inati?
7 Si mund të shmangim rënien në duart e Satanait, kur të tjerët na zhgënjejnë ose na lëndojnë? Duhet të përpiqemi të mos strehojmë inat. Në vend të tij, le të marrim iniciativën për të vendosur paqe ose të zgjidhim çështjen sa më shpejt të jetë e mundur! (Efesianëve 4:26) Kolosianëve 3:13 na nxit: «[Vazhdoni] duke falur njëri-tjetrin, në qoftë se dikush ankohet kundër një tjetri.» Falja është në mënyrë të veçantë e përshtatshme kur ai që ka shkaktuar ofendimin e pranon gabimin dhe kërkon me të vërtetë falje. (Krahaso Psalmin 32:3-5 dhe Proverbat 28:13.) Megjithatë, ajo na ndihmon nëse mbajmë në mendje që të falësh nuk do të thotë të mbyllësh një sy ose të minimizosh gabimet e të tjerëve. Falja përfshin lirimin nga inati. Inati është një barrë e rëndë për t’u mbajtur. Ai mund të konsumojë mendimet tona, na grabit lumturinë. Madje, ai mund të ndikojë edhe mbi shëndetin tonë. Në dallim, falja, kur është e duhur, vepron në dobinë tonë. Ashtu si Davidi, le të mos dorëzohemi e të mos largohemi kurrë nga Jehovai, për shkak të asaj që njerëzit e tjerë thonë ose bëjnë ndaj nesh!
Kur gabojmë
8. (a) Pse disa ndihen veçanërisht fajtorë ndonjëherë? (b) Çfarë rreziku ka në përpirjen nga faji deri në atë pikë sa të dorëzohemi?
8 «Të gjithë gabojmë në shumë gjëra»,—thotë Jakovi 3:2. Kur na ndodh, është krejt e natyrshme të ndihemi fajtorë. (Psalmi 38:3-8) Ndjenjat e fajit mund të jenë veçanërisht të forta nëse jemi duke luftuar kundër një dobësie të mishit dhe kur provojmë dështime periodike.a Një e krishterë, e cila përballoi një betejë të tillë shpjegoi: «Nuk dëshiroja më të jetoja e jo më t’ia dija nëse kisha kryer një mëkat të pafalshëm apo jo. Gjithashtu, mendoja që nuk mund ta ushtroja veten në shërbimin e Jehovait, sepse kishte mundësi që për mua të ishte shumë vonë.» Kur ndihemi kaq të përpirë nga faji saqë dorëzohemi, i japim Djallit një rast dhe ai mund të përfitojë me shpejtësi prej tij! (2. Korintasve 2:5-7, 11) Ajo që kërkohet mund të jetë një pikëpamje më e ekuilibruar ndaj fajit.
9. Pse duhet të kemi besim në mëshirën e Perëndisë?
9 Kur mëkatojmë, është e përshtatshme të ndiejmë një masë faji. Ndonjëherë, megjithatë, ndjenjat e fajit vazhdojnë të ngulmojnë për arsye se një i krishterë mendon se nuk mund të jetë kurrë i vlefshëm për mëshirën e Perëndisë. Por, Bibla me ngrohtësi na siguron: «Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.» (1. Gjonit 1:9) A ka ndonjë arsye të shëndoshë për të besuar që Perëndia nuk do të veprojë kështu në rastin tonë? Mos harro, në fjalën e tij Jehovai thotë se është «i gatshëm të falë»! (Psalmi 86:5; 130:3, 4) Duke qenë se nuk mund të gënjejë, ai do të bëjë ashtu siç premton Fjala e tij, në qoftë se ne vijmë tek ai me një zemër të penduar.—Titit 1:2.
10. Çfarë sigurimi që të ngroh zemrën bëri një botim i hershëm i Kullës së Rojës në lidhje me luftimin e një dobësie të mishit?
10 Çfarë do të bëje nëse je duke luftuar një dobësi dhe ke një përsëritje të vesit? Mos u dorëzo! Një përsëritje e vesit nuk e fshin medoemos përparimin që tashmë ke bërë. Numri i 15 shkurtit 1954 i kësaj reviste, ofronte këtë siguri që të ngrohte zemrën: «Ne [mund] të pengohemi dhe të dështojmë shumë herë përpara disa zakoneve të këqija, që e kanë goditur më thellësisht sesa mendonim modelin tonë të mëparshëm të jetës. . . . Mos u dëshpëroni! Mos arrini në përfundimin se keni kryer një mëkat të pafalshëm! Ky është pikërisht arsyetimi që Satanai do të dëshironte që të bënit. Fakti që ndiheni të pikëlluar dhe të mërzitur me veten tuaj është një provë në vetvete që nuk keni shkuar shumë larg. Kurrë mos u lodhni së kthyeri përulësisht dhe të etur nga Jehovai, duke kërkuar faljen, pastrimin dhe ndihmën e tij. Shkoni tek ai si shkon një fëmijë te babai i tij, kur ka shqetësim, pavarësisht sesa shpesh për të njëjtën dobësi dhe Jehovai do t’ju japë me mirësi ndihmë me anë të dashamirësisë së tij të pamerituar dhe nëse jeni të sinqertë, ai do t’ju japë kuptimin e një ndërgjegjeje të pastruar.»
Kur mendojmë që nuk po bëjmë aq sa duhet
11. (a) Si duhet të ndihemi në lidhje me pjesëmarrjen në veprën e predikimit të Mbretërisë? (b) Me çfarë ndjenjash, në lidhje me pjesëmarrjen në shërbim, luftojnë disa të krishterë?
11 Vepra e predikimit të Mbretërisë luan një rol të rëndësishëm në jetën e një të krishteri dhe pjesëmarrja në të sjell gëzim. (Psalmi 40:8) Disa të krishterë, megjithatë, ndihen shumë fajtorë, sepse nuk janë të aftë të bëjnë më shumë në shërbim. Një faj i tillë mund të gërryejë madje edhe gëzimin tonë dhe të na bëjë të dorëzohemi, duke imagjinuar që Jehovai mendon se ne kurrë nuk do të bëjmë sa duhet. Le të shqyrtojmë ndjenjat me të cilat luftojnë disa.
«A e dini sa kohë të harxhon varfëria?—shkroi një motër e krishterë, së cilës, bashkë me burrin e saj, i duhej të rriste tre fëmijë.—Unë duhet të kursej sa herë që mundem. Kjo do të thotë të harxhosh kohë për të kërkuar në dyqanet e rrobave të përdorura, në vendet ku shiten me çmime të lira apo edhe vetëm duke i qepur. Gjithashtu, çdo javë, harxhoj një ose dy orë, duke punuar mbi latat [zbritje në mallrat ushqimore], duke i prerë, për t’i vënë në rregull dhe për t’i tregëtuar. Ka raste kur ndihem shumë fajtore duke bërë këto gjëra, pasi mendoj se duhet ta harxhoj këtë kohë në shërbimin në fushë.»
«Mendoj se nuk e dua aq sa duhet Jehovain,—shpjegoi një motër me katër fëmijë dhe me burrë jobesimtar.—Kështu që luftoj me shërbimin tim ndaj Jehovait. Unë vërtet jam përpjekur shumë, por kurrë nuk kam menduar që kjo ka qenë e mjaftueshme. Ju e shihni, nuk kam asnjë ndjenjë vlerësimi për veten, kështu që nuk mund ta imagjinoj se si do të mund ta pranojë Jehovai shërbimin që i bëj atij.»
Një e krishterë, e cila e pa të nevojshme ta linte shërbimin e plotë kohor tha: «Nuk mund ta duroj mendimin që po dështoja në angazhimin tim, për t’i shërbyer Jehovait në kohë të plotë. Nuk mund ta imagjinoni sa e zhgënjyer isha! Tani qaj kur e kujtoj.»
12. Pse disa të krishterë ndihen me të vërtetë fajtorë mbi faktin që nuk janë në gjendje të bëjnë më shumë në shërbim?
12 Është krejt e natyrshme të dëshirosh t’i shërbesh Jehovait sa më shumë që është e mundur. (Psalmi 86:12) Megjithatë, përse disa ndihen shumë fajtorë kur nuk janë në gjendje të bëjnë më shumë? Për disa, kjo duket se ka lidhje me një ndjenjë të përgjithshme pavlefshmërie, ndoshta si pasojë e përvojave të pakëndshme në jetë. Në rastet e tjera, faji i papërshtatshëm mund të vijë nga një pamje joreale e asaj që Jehovai pret prej nesh. «Mendoja se po të mos punosh derisa të sfilitesh, nuk je duke bërë aq sa duhet»,—pohoi një e krishterë. Si pasojë, ajo vuri norma jashtëzakonisht të larta për veten e saj dhe pastaj u ndje madje fajtore kur nuk ishte e zonja t’i arrinte ato.
13. Çfarë pret Jehovai prej nesh?
13 Çfarë pret Jehovai prej nesh? Thjesht, Jehovai pret që ne t’i shërbejmë atij me gjithë shpirt, duke bërë atë që na lejojnë rrethanat. (Kolosianëve 3:23) Sidoqoftë, mund të ketë një ndryshim të madh midis asaj që duam të bëjmë dhe asaj që realisht mund të bëjmë. Mund të jemi të kufizuar nga faktorë të tillë si mosha, shëndeti, forca fizike ose përgjegjësitë familjare. Megjithatë, kur bëjmë atë që mundemi, mund të ndihemi të sigurt që shërbimi ynë ndaj Jehovait është me gjithë shpirt, as më shumë e as më pak sesa ai i ndonjë tjetri, shëndeti dhe rrethanat e të cilit e lejojnë të jetë në shërbimin e plotë kohor.—Mateu 13:18-23.
14. Çfarë mund të bësh nëse ke nevojë për ndihmë në përcaktimin e asaj që realisht duhet të presësh nga vetja?
14 Si mund të përcaktosh, atëherë, se çfarë mund të presësh në mënyrë reale prej vetes? Mund të dëshirosh të flasësh mbi çështjen me një shok të besuar e të pjekur të krishterë, ndoshta me një plak ose me një motër me përvojë, që i njeh aftësitë e tua, kufizimet dhe përgjegjësitë e tua familjare. (Proverbat 15:22) Mos harro se në sytë e Perëndisë vlera jote si person nuk matet nga sasia e asaj që bën në shërbimin në fushë. Të gjithë shërbëtorët e Jehovait janë të çmuar për të. (Hageu 2:7; Malakia 3:16, 17) Ajo që ti bën në veprën e predikimit mund të jetë më tepër ose më pak sesa bëjnë të tjerët, por për sa kohë që ajo përfaqëson më të mirën tënde, Jehovai është i kënaqur dhe nuk ka vend për t’u ndier fajtorë.—Galatasve 6:4.
Kur nga ne kërkohet shumë
15. Në ç’mënyra kërkohet shumë nga pleqtë e kongregacionit?
15 «Kujt iu dha shumë,—tha Jezui,—do t’i kërkohet shumë.» (Luka 12:48) Patjetër ‘shumë u kërkohet’ atyre që shërbejnë si pleq në kongregacion. Ashtu si Pavli, ata ofrojnë veten për dobinë e kongregacionit. (2. Korintasve 12:15) Ata kanë fjalime për të përgatitur, vizita baritore për të bërë, çështje gjyqësore për të trajtuar, të gjitha pa lënë pas dore familjet e tyre. (1. Timoteut 3:4, 5) Disa pleq janë gjithashtu të zënë në ndihmën që japin për të ndërtuar Sallat e Mbretërisë, duke shërbyer në Komitetet e Lidhjes me Spitalet dhe duke u ofruar si vullnetarë në asamble dhe në kongrese. Si munden këta njerëz të palodhur dhe të devotshëm, të shmangin shtimin e lodhjes, nën peshën e përgjegjësive të tilla?
16. (a) Çfarë zgjidhjeje praktike i ofroi Jetroi Moisiut? (b) Çfarë cilësie do ta ndihmojë një plak që të ndajë në mënyrë të përshtatshme përgjegjësitë me të tjerët?
16 Kur Moisiu, një burrë modest dhe i përulur, po lodhej me përkujdesjen për problemet e të tjerëve, vjehrri i tij Jetro, i ofroi një zgjidhje praktike: ndarjen e disa përgjegjësive me burra të tjerë të kualifikuar. (Të Dalët 18:17-26; Numrat 12:3) «Mençuria është me modestët»,—thotë Proverbat 11:2. (BR) Të jesh modest do të thotë të dallosh dhe të pranosh kufizimet e tua. Një njeri modest nuk ngurron t’u ngarkojë të tjerëve disa detyra, as nuk frikësohet se do të humbasë disi kontrollin, duke ndarë përgjegjësitë e duhura me burra të tjerë të kualifikuar.b (Numrat 11:16, 17, 26-29) Në vend të kësaj, ai është i etur për t’i ndihmuar ata të përparojnë.—1. Timoteut 4:15.
17. (a) Si mund të lehtësojnë pjesëtarët e kongregacionit peshën e pleqve? (b) Çfarë sakrificash bëjnë gratë e pleqve dhe si mund t’u tregojmë atyre se nuk i nënvlerësojmë ato?
17 Pjesëtarët e kongregacionit mund të bëjnë shumë për të lehtësuar peshën e pleqve. Duke e kuptuar se pleqtë kanë familjet e tyre për t’u kujdesur, të tjerët nuk do të bëjnë kërkesa të paarsyeshme mbi kohën dhe vëmendjen e pleqve. As nuk do të marrin si të parëndësishme sakrificat e zellshme që gratë e pleqve bëjnë, ndërsa pa egoizëm ndajnë me kongregacionin kohën, që do të mund ta kishin harxhuar me familjet e tyre. Një nënë e tre fëmijëve, burri i së cilës shërben si plak, shpjegoi: «Një diçka për të cilën nuk jam ankuar kurrë është pesha e tepërt që unë me dëshirë e kam mbajtur në shtëpi, në mënyrë që burri im të mund të shërbejë si plak. E di që bekimi i Jehovait është i pasur mbi familjen tonë për shkak të shërbimit të burrit dhe nuk e kam zili për atë që ai jep. Por, në mënyrë realiste, shpesh duhet të punoj më shumë në kopsht dhe të bëj më shumë në disiplinimin e fëmijëve tanë, sesa do të bëja në rast se burri im nuk do të ishte kaq i zënë.» Mjerisht, kjo motër pa se disa, në vend që të vlerësonin peshën e saj të tepërt, bënë vlerësime të paarsyeshme të tilla si: «Pse nuk bëhesh pioniere?» (Proverbat 12:18) Sa më e mençur do të ishte t’i përgëzonim të tjerët për atë që ata po bëjnë, sesa t’i kritikonim për atë që nuk janë në gjendje të bëjnë!—Proverbat 16:24; 25:11.
Sepse fundi akoma nuk ka ardhur
18, 19. (a) Pse nuk është koha të ndalim vrapimin në garën për jetën e përhershme? (b) Çfarë këshille në kohën e duhur u dha apostulli Pavël të krishterëve në Jerusalem?
18 Kur një vrapues e di se është afër fundit të një gare të gjatë, nuk dorëzohet. Trupi i tij mund të jetë në kufijtë e durimit të tij: i lodhur, i tejnxehur dhe i tharë, por është kaq afër vijës së finishit, saqë nuk ka kohë të ndalojë vrapimin. Njëlloj, si të krishterë, ne jemi në një garë për çmimin e jetës dhe jemi shumë afër vijës së finishit. Tani për ne nuk është koha që të ndalojmë vrapimin!—Krahaso 1. Korintasve 9:24; Filipianëve 2:16; 3:13, 14.
19 Të krishterët në shekullin e parë përballuan një situatë të ngjashme. Rreth vitit 61 të e.s., apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Jerusalem. Koha po kalonte, «brezi» i lig, sistemi jude apostat i gjërave, ishte në të «kaluar». Të krishterët në Jerusalem duhej të ishin veçanërisht të vëmendshëm dhe besnikë; atyre iu desh të largoheshin nga qyteti, kur e panë atë të rrethuar nga ushtritë e fushuara rreth tij. (Luka 21:20-24, 32) Sa me vend ishte, pra, këshilla e frymëzuar e Pavlit: ‘Mos u lodhni dhe mos u lëshoni në shpirtrat tuaj.’ (Hebrenjve 12:3, BR) Apostulli Pavël këtu përdori dy folje të forta: «lodhem» (kaʹmno) dhe «lëshohem» (e·klyʹo·mai). Sipas një studiuesi të Biblës, këto fjalë greke ishin «përdorur nga Aristoteli për vrapuesit, të cilët lëshoheshin dhe shembeshin përtokë mbasi kishin kaluar finishin. Lexuesit e [letrave të Pavlit] ishin akoma në garë. Ata nuk duhej të lëshoheshin para kohe. Ata nuk duhej ta lejonin veten të bëheshin të pafuqishëm dhe të shembeshin të lodhur. Edhe njëherë bëhej thirrje për këmbëngulje përballë vështirësive».
20. Pse këshilla e Pavlit është e përshtatshme edhe sot?
20 Sa e përshtatshme është këshilla e Pavlit për ne sot! Përballë presioneve në rritje, mund të ketë momente kur ndihemi si një vrapues i lodhur, këmbët e të cilit janë gati duke u shembur. Por jemi kaq afër vijës së finishit, saqë nuk duhet të dorëzohemi! (2. Kronikave 29:11) Kjo është pikërisht ajo që Kundërshtari ynë, «luani vrumbullues», do të dëshironte të bënim. Me mirënjohje, Jehovai ka bërë përgatitje që i japin «forcë të lodhurit». (Isaia 40:29) Cilat janë këto përgatitje dhe si mund të pëfitojmë prej tyre, do të diskutohet në artikullin e ardhshëm.
[Shënimet]
a Për shembull, disa mund të luftojnë për të kontrolluar një tipar të pandreqshëm, të tillë si një karakter negativ ose për të kapërcyer një problem me masturbimin.—Shiko Zgjohuni!, 22 maj 1988, faqet 19-21 angl.; 8 nëntor 1981, faqet 16-20 angl.; dhe Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike, faqet 198-211 angl.; botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Shiko artikullin «Pleq, delegoni detyrat!» në artikullin e 15 tetorit 1992 të Kullës së Rojës, faqet 20-23, angl.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të shmangim dorëzimin, kur të tjerët na zhgënjejnë ose na lëndojnë?
◻ Cila pikëpamje e ekuilibruar mbi fajin nuk do të na lejojë të dorëzohemi?
◻ Çfarë pret Jehovai prej nesh?
◻ Si mund t’i ndihmojë modestia pleqtë e kongregacionit që të shmangin lodhjen?
◻ Pse këshilla e Pavlit në Hebrenjve 12:3 është e përshtatshme për ne sot?