Pikëpamja e Biblës
A mund të shpëtohet një martesë pas jobesnikërisë?
«Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja e tij, me përjashtim të arsyes së kurvërisë dhe martohet me një tjetër, kryen tradhti bashkëshortore.»—MATEU 19:9, BR.
ME KËTO fjalë, Jezu Krishti lejoi për një të krishterë që të zgjedhë divorcimin nga një bashkëshort jobesnik.a Megjithatë, ç’mund të thuhet nëse bashkëshorti i pafajshëm zgjedh që ta ruajë martesën dhe nëse çifti vendos rindërtimin e marrëdhënies së tyre? Çfarë sfidash shtrihen përpara për çiftin dhe si mund t’i përballojnë ata me sukses këto sfida? Le të shohim se si ndihmon Bibla për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve.
Një shtëpi e shembur
Në radhë të parë duhet të kuptojmë madhësinë e dëmit të shkaktuar nga jobesnikëria. Siç e shpjegoi Jezu Krishti, Krijuesi i martesës pati si qëllim që një burrë dhe një grua të mos ishin «më dy, por një mish i vetëm». Ai shtoi: «Atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.» Po, martesa është projektuar për t’i lidhur njerëzit në mënyrë të pandashme. Kur një person shkel betimin martesor, duke kryer kurorëshkelje, rrjedhin pasoja të dhimbshme.—Mateu 19:6; Galatasve 6:7.
Dëshmi e kësaj, është brenga e përjetuar nga bashkëshorti i pafajshëm. Pasojat e kurorëshkeljes mund të krahasohen me ato të një tufani që i bën shtëpitë copë-copë. Dr. Shërli P. Gles, vërejti: «Disa prej pacienteve, me të cilat kam punuar, më kanë thënë se për to do të kishte qenë më e lehtë sikur burri t’u kishte vdekur.» Vërtet, disa prej atyre që i kanë humbur burrat në vdekje, mund të mos jenë dakort. Megjithatë, është e qartë që kurorëshkelja shkakton dhimbje të tmerrshme. Disa njerëz, pas tradhtisë, nuk e marrin kurrë veten plotësisht.
Duke pasur parasysh një angështi të tillë, dikush mund të pyesë: ‘A duhet që kurorëshkelja t’i japë fund një martese?’ Jo medoemos. Thënia e Jezuit në lidhje me kurorëshkeljen, tregon se bashkëshorti besnik ka mundësinë Shkrimore për t’u divorcuar, por nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Disa çifte vendosin që ta rindërtojnë dhe ta forcojnë atë që ishte copëtuar, duke bërë ndryshimet e nevojshme, ndonëse asgjë nuk e shfajëson kurorëshkeljen.
Sigurisht, është më mirë që ndryshimet e nevojshme në një marrëdhënie martesore të bëhen, kur të dy partnerët i janë besnikë njëri-tjetrit. Megjithatë, edhe kur ndodh një jobesnikëri, disa bashkëshortë të pafajshëm zgjedhin ruajtjen e martesës. Në vend që ta bazojë një vendim të tillë tek dëshira për mirë, bashkëshorti i pafajshëm duhet të peshojë pasojat. Ka të ngjarë që ajo të mendojë për nevojat e fëmijëve të saj, si dhe për nevojat e veta frymore, emocionale, fizike dhe financiare.b Nga ana e saj do të ishte e mençur, gjithashtu, që të merrte në konsideratë faktin nëse kjo martesë është apo jo e shpëtueshme.
A është e shpëtueshme martesa?
Përpara se të përpiqet që të rindërtojë një shtëpi të shkatërruar nga tufani, një ndërtues duhet të përcaktojë nëse ajo mund të restaurohet apo jo. Ngjashëm, përpara se të përpiqet për ta rindërtuar një marrëdhënie që është thyer nga jobesnikëria, një çift, dhe veçanërisht bashkëshorti besnik, duhet të bëjë një vlerësim realist të potencialit për një intimitet dhe besim të restauruar në martesë.
Një faktor që duhet shqyrtuar është nëse bashkëshorti fajtor tregon pendim të sinqertë apo, në vend të kësaj, është duke kryer ende kurorëshkelje «në zemrën e vet». (Mateu 5:27, 28) Megjithëse ai premton se do të ndryshojë, a ngurron që t’i japë menjëherë fund marrëdhënies së tij imorale? (Eksodi 20:14; Levitiku 20:10; Ligji i përtërirë 5:18) A i bredhin ende sytë lule më lule? A fajëson gruan për kurorëshkeljen e tij? Nëse është kështu, vështirë që përpjekjet për rindërtimin e besimit në martesë t’ia dalin mbanë. Nga ana tjetër, nëse ai i jep fund çështjes së paligjshme, pranon përgjegjësinë për sjelljen e tij të gabuar dhe tregon se është plotësisht i angazhuar për rindërtimin e martesës, gruaja e tij mund të shohë një bazë për të shpresuar se një ditë besimi i vërtetë mund të rivendoset.—Mateu 5:29.
Gjithashtu, a mundet bashkëshorti besnik të arrijë të falë? Kjo nuk do të thotë se ajo s’duhet të shprehë ndjenjat e saj të një lëndimi të thellë, në lidhje me atë që ka ndodhur apo se duhet të pretendojë që asgjë s’ka ndryshuar. Kjo do të thotë se ajo do të përpiqet, me kalimin e kohës, që të mos vazhdojë të mbajë një inat të thellë. Një falje e tillë kërkon kohë, por mund të ndihmojë në vendosjen e një baze të fortë, mbi të cilën duhet rindërtuar martesa.
Heqja e «rrënojave»
Pasi bashkëshorti besnik të ketë vendosur ta shpëtojë martesën e vet, çfarë hapash duhet të ndërmarrë më pas një çift? Ashtu si rrënojat përreth një shtëpie të dëmtuar keqas nga një tufan duhen hequr, po kështu duhen hequr edhe «rrënojat» rreth e qark martesës. Deri në njëfarë mase, kjo mund të kryhet, nëse çifti i shpreh ndjenjat njëri-tjetrit. Fjalët e urta 15:22 thotë: «Planet prishen atje ku nuk ka një bisedim me zemër të hapur.» (BR) Fjala hebraike e përkthyer «bisedim me zemër të hapur», nënkupton intimitetin dhe në Psalmin 89:7, është përkthyer «grup intim». Pra, ajo duhet të përfshijë jo thjesht një dialog sipërfaqësor, por një komunikim të ndershëm e të zjarrtë, në të cilin si njëra palë, ashtu dhe tjetra, zbulojnë ndjenjat e tyre më të thella.—Fjalët e urta 13:10.
Për shembull, në disa raste bashkëshortja besnike mund të ketë pyetje të mëtejshme për t’i drejtuar burrit të saj. Si nisi kjo çështje? Për sa kohë vazhdoi? Kush tjetër ka dijeni për të? Sigurisht që për çiftin do të jetë e dhimbshme të diskutojë këto hollësi. Megjithatë, bashkëshorti besnik mund ta konsiderojë një njohuri të tillë, të domosdoshme për rivendosjen e besimit. Nëse është kështu, më e mira është që bashkëshorti jobesnik të përgjigjet ndershmërisht dhe me konsideratë ndaj tjetrit. Ai duhet t’i shpjegojë çështjet në një mënyrë të dashur dhe me lehtësi, duke mbajtur parasysh se qëllimi i këtij shkëmbimi mendimesh është që të shërojë, jo të lëndojë. (Fjalët e urta 12:18; Efesianëve 4:25, 26) Si njëri, ashtu dhe tjetri duhet të përdorin aftësi shquese, vetëkontroll dhe dëgjim empatik, ndërsa shprehin ndjenjat e tyre rreth asaj që ka ndodhur.c—Fjalët e urta 18:13; 1. Korintasve 9:25; 2. Pjetrit 1:6.
Ata që janë Dëshmitarë të Jehovait mund të kenë dëshirë që të kërkojnë ndihmë nga pleqtë e kongregacionit. Sigurisht, për të krishterët, mëkate serioze të tilla si kurorëshkelja, u duhen rrëfyer menjëherë pleqve, të cilët shqetësohen për mirëqënien frymore të çiftit dhe të kongregacionit. Mund të ndodhë që kur takohet me pleqtë, kurorëshkelësi të tregojë pendim të vërtetë dhe t’i lejohet të mbetet në kongregacion. Në një rast të tillë, pleqtë mund t’u japin ndihmë të vazhdueshme si njërit bashkëshort, ashtu edhe tjetrit.—Jakovit 5:14, 15.
Rindërtimi
Pasi të ketë stabilizuar ndjenjat e tij në masën e mundshme, çifti ndodhet në një pozitë të mirë për të rindërtuar aspektet jetësore të martesës së tyre. Komunikimi i zjarrtë vazhdon të jetë i domosdoshëm. Aty ku zbulohen dobësi, duhen bërë ndryshimet e përshtatshme.
Nevoja për të bërë ndryshime, do të bjerë kryesisht mbi bashkëshortin fajtor. Megjithatë, bashkëshortja besnike duhet të bëjë pjesën e saj në forcimin e zonave të dobëta në martesë. Kjo nuk do të thotë se kurorëshkelja ishte faji i saj apo se ajo mund të shfajësohet: nuk ka asnjë shfajësim të vlefshëm për kryerjen e një mëkati të tillë. (Krahaso Zanafillën 3:12; 1. Gjonit 5:3) Kjo do të thotë thjesht se në martesë mund të ketë pasur probleme, të cilat duheshin zgjidhur. Rindërtimi është një projekt i përbashkët. A ka nevojë për forcimin e vlerave dhe synimeve të përbashkëta? A janë lënë pas dore aktivitetet frymore? Ky proces i zbulimit të dobësive domethënëse dhe bërja e ndryshimeve të nevojshme, është tamam në zemër të rindërtimit të një martese të dëmtuar keqas.
Mirëmbajtja
Edhe një shtëpi e ndërtuar mirë kërkon mirëmbajtje të rregullt. Sa e rëndësishme është atëherë që të mirëmbahet një marrëdhënie e rindërtuar! Çifti nuk duhet të lejojë që kalimi i kohës të gërryejë vendosmërinë e tyre për t’iu përmbajtur vendimeve të reja. Në vend që t’i lëshojë zemra nëse përjetojnë dështime të vogla, të tilla si rënia përsëri në zakonet e komunikimit të varfër, ata duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’u kthyer në gjurmët e mëparshme dhe të vazhdojnë të shkojnë përpara.—Fjalët e urta 24:16; Galatasve 6:9.
Mbi të gjitha, burri dhe gruaja duhet t’i japin rutinës së tyre frymore përparësinë më të madhe, duke mos lejuar kurrë që ajo ose martesa e tyre të kalojnë në vendin e dytë, pas ndonjë aktiviteti tjetër. Psalmi 127:1 thotë: «Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit.» Gjithashtu, Jezui paralajmëroi: «Ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.»—Mateu 7:24-27.
Po, nëse parimet biblike nuk përfillen, sepse janë të vështira për t’u zbatuar, martesa do të mbetet e zbuluar ndaj sprovës tjetër të stuhishme të besnikërisë. Megjithatë, nëse burri dhe gruaja për çdo çështje u përmbahen normave biblike, martesa e tyre do të ketë bekimin hyjnor. Ata do të kenë, gjithashtu, nxitjen më të fuqishme ndaj besnikërisë bashkëshortore: dëshirën për t’i pëlqyer Krijuesit të martesës, Perëndisë Jehova.—Mateu 22:36-40; Predikuesi 4:12.
[Shënimet]
a Ka arsye të vlefshme se përse një person mund të zgjedhë divorcimin nga një bashkëshort kurorëshkelës. Për një trajtim të hollësishëm të kësaj çështjeje, shikoni «Pikëpamja e Biblës—Kurorëshkelja: Të falni apo të mos falni?» në numrin e Zgjohuni!, 8 gusht 1995, anglisht.
b Ne i referohemi bashkëshortit jobesnik si të ishte mashkull. Nga një anketë është llogaritur se burrat kanë një tregues jobesnikërie dy herë më të madh se ai i grave. Sidoqoftë, kur bashkëshorti i pafajshëm është një burrë i krishterë, parimet e trajtuara zbatohen njësoj.
c Për informacione mbi mënyrën e mirë të të dëgjuarit, shiko Zgjohuni!, 22 janar 1994, faqe 6-9 dhe 8 dhjetor 1994, faqe 10-13, anglisht.