BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/10 f. 21-24
  • Pengesa që mund të kalohen!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pengesa që mund të kalohen!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • A je i mërzitur?
  • I shkurajuar nga ndonjë shembull i keq?
  • A duket tepër e vështirë të jesh një Dëshmitar?
  • Të ruajmë shtytjen
  • Si po na udhëheq Jehovai?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • A zë Perëndia vendin e parë në familjen tuaj?
    Broshura me artikujt e studimit—1995
  • Pse duhet të mblidhemi bashkë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Si mund ta mbaj mendjen të përqendruar?
    Zgjohuni!—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/10 f. 21-24

Pengesa që mund të kalohen!

NJË aeroplan tip Jumbo mund të mbajë në bordin e tij qindra pasagjerë dhe tonelata mall. Si mund të ngrihet nga toka një aeroplan i tillë i rëndë? E thjeshtë: falë forcës ngritëse.

Kur aeroplani e rrit shpejtësinë përgjatë pistës, ajri rrëshqet mbi dhe nën krahët e përkulur. Kjo prodhon një forcë të drejtuar nga poshtë lart, e cila quhet forca ngritëse. Kur përftohet forca e mjaftueshme ngritëse, aeroplani mund të shkëputet nga toka e të fluturojë. Natyrisht, një aeroplan i mbingarkuar nuk mund të prodhojë një forcë ngritëse të mjaftueshme për të qëndruar në ajër.

Edhe ne mund të mbingarkohemi. Qindra vjet më parë, mbreti David tha se gabimet e tij ishin «si një barrë e madhe, shumë e rëndë» për të. (Psalmi 38:4) Në mënyrë të ngjashme, Jezu Krishti paralajmëroi që të mos rëndohemi me ankthet e jetës. (Luka 21:34) Mendime dhe ndjenja negative mund të na rëndojnë, aq sa mund të duket e vështirë «të ngrihesh në fluturim». A ndihesh i rënduar në këtë mënyrë? Apo ke hasur ndonjë pengesë në zhvillimin tënd të mëtejshëm frymor? Nëse po, çfarë mund të të jetë e dobishme?

A je i mërzitur?

Mërzia, një ankesë e zakonshme sot, mund të bëhet një pengesë mendore, madje edhe për disa shërbëtorë të Jehovait. Veçanërisht të rinjtë kanë prirjen që të shmangin disa aktivitete që për ta mund të jenë të mërzitshme. A mendon ndonjëherë kështu edhe për mbledhjet e krishtere? Nëse është kështu, si mund ta bësh praninë tënde në mbledhje sa më nxitëse?

Çelësi është pjesëmarrja aktive. Pavli i shkroi Timoteut të ri: «Ushtrohu në perëndishmëri [devotshmëri hyjnore, BR], sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.» (1. Timoteut 4:7, 8) Një libër gjimnastike do të ishte i mërzitshëm dhe me pak vlerë, nëse nuk do të ndiqnim ushtrimet e rekomanduara. Mbledhjet e krishtere janë bërë për të ushtruar mendjet tona dhe do të veprojnë kështu nëse përgatitemi dhe marrim pjesë. Kjo pjesëmarrje do t’i bëjë mbledhjet më të pëlqyeshme dhe më interesante.

Në lidhje me këtë, një e re e krishterë, e quajtur Mara, tha: «Nëse nuk përgatitem për mbledhjet, nuk gjej gëzim në to. Ndërsa kur përgatitem që më parë, mendja dhe zemra kapin më shumë. Mbledhjet bëhen më domethënëse dhe mezi pres të komentoj.»

Do të jetë, gjithashtu, e dobishme të mësojmë të dëgjojmë. Të dëgjosh një muzikë të bukur është diçka e lehtë e të jep menjëherë kënaqësi. Por jo të gjitha kënaqësitë vijnë menjëherë. Ne nxjerrim kënaqësi nga programi i mbledhjeve, vetëm kur dëgjojmë me vëmendje ato që thuhen. Një e krishterë, e quajtur Rahela, vërejti: «Kur oratori nuk është shumë i gjallë, më duhet të përqendrohem shumë. Kam këtë rregull: ‘Sa më pak interesant fjalimi, aq më shumë duhet të përqendrohem.’ . . . U kushtoj kujdes të veçantë shkrimeve, duke u përpjekur të përfitoj prej tyre sa më shumë të jetë e mundur.» Duhet të disiplinojmë veten si Rahela, në mënyrë që të dëgjojmë. Libri i Proverbave thotë: «Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim.»​—Proverbat 5:1.

Disa informata që paraqiten nëpër mbledhje, mund të jenë në njëfarë mënyre të përsëritura. Kjo është e nevojshme! Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë kanë nevojë për përkujtesa. Mishi i papërsosur, me prirjet e tij të gabuara dhe me kujtesën e vet të dështuar, ka nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme. Apostulli Pjetër ‘nuk e la pas dore t’u kujtonte bashkëbesimtarëve disa gjëra, ndonëse ata i dinin dhe ishin të patundur në të vërtetën’. (2. Pjetrit 1:12) Gjithashtu, edhe Jezui shpjegoi se «çdo skrib, . . . i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra». (Mateu 13:52) Prandaj, edhe pse nëpër mbledhje trajtohen mendime nga Shkrimet që tashmë i njohim, apo ‘thesare të vjetra’, ka edhe disa ‘thesare të reja’ të pëlqyeshme.

Po të jemi të vendosur për të përfituar plotësisht nga mbledhjet, mund të nxjerrim një inkurajim të vërtetë frymor. «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore [ata që lypin për frymën]»,—tha Jezui. (Mateu 5:3, BR, shënimi) Një qëndrimi i tillë kundrejt ushqimit të shëndetshëm frymor që sigurohet në mbledhje, do të largojë mërzitjen.​—Mateu 24:45-47.

I shkurajuar nga ndonjë shembull i keq?

A ndihesh i shqetësuar nga sjellja e dikujt në kongregacion? Mbase ke pyetur veten: «Si mund të sillet një vëlla në atë mënyrë e të ketë ende një reputacion të mirë?» Mendime të tilla mund të veprojnë si pengesa mendore, duke mos na lejuar të shquajmë vlerën e shoqërisë së pëlqyeshme që mund të kemi me popullin e Perëndisë.​—Psalmi 133:1.

Ka të ngjarë që disa pjesëtarë të kongregacionit në Kolose të kenë pasur një problem të ngjashëm. Pavli i nxiti: «Duroni njëri-tjetrin dhe falni njëri-tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit.» (Kolosianëve 3:13, DSF) Pavli pranoi që disa të krishterë nga Kolosea mund të ishin sjellë keq, duke u dhënë kështu të tjerëve shkaqe të drejta për t’u ankuar. Prandaj, nuk duhet të habitemi shumë nëse ndonjë nga vëllezërit apo motrat tona nuk tregon ndonjëherë cilësi të krishtere. Jezui dha këshilla praktike për zgjidhjen e vështirësive serioze. (Mateu 5:23, 24; 18:15-17) Por në shumicën e rasteve, mund t’i durojmë kufizimet e bashkëbesimtarëve tanë dhe t’i falim. (1. Pjetrit 4:8) Në fakt, një gjë e tillë mund të shërbejë për të mirën tonë dhe për atë të të tjerëve. Në ç’kuptim?

«Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet»,—thotë Proverbave 19:11. Është shumë më mirë të falësh, se të lejosh që zemërimi dhe fyerjet të acarohen. Salvadori, një plak kongregacioni i njohur për frymën e tij të dashur, tha: «Kur një vëlla më trajton keq apo thotë diçka jo të këndshme, unë pyes veten: ‘Si mund ta ndihmoj vëllain? Ç’mund të bëj për të mos humbur marrëdhënien e çmuar me të?’ Jam gjithmonë i vetëdijshëm se sa e lehtë është të thuash gjënë e gabuar. Nëse dikush flet pa u menduar, zgjidhja ideale do të ishte që ai ta merrte mbrapsht atë që tha e të fillonte nga e para. Por kjo është e pamundur, prandaj unë ndjek rrugën tjetër më të mirë dhe nuk e marr parasysh komentin e tij. E quaj thjesht si një shpërthim të papërsosmërisë dhe jo si një pasqyrim të personalitetit të vërtetë të vëllait.»

Ndoshta mendon që kjo është më e lehtë për t’u thënë, se për t’u bërë. Por shumë gjëra kanë të bëjnë me mënyrën se si i drejtojmë ne mendimet tona. «Të gjitha gjërat që janë të dashura . . . këto mendoni»,—këshilloi Pavli. (Filipianëve 4:8) «I dashur» do të thotë fjalë për fjalë «që të ngjall dashuri». Jehovai dëshiron që ne të mendojmë për gjërat e mira të të tjerëve, të përqendrohemi në ato që ngjallin dashuri dhe jo fyerje. Ai vetë na jep shembullin më të madh në këtë drejtim. Psalmisti na e kujton këtë, duke thënë: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?»​—Psalmet 103:12; 130:3.

Është e vërtetë se nganjëherë sjellja e ndonjë vëllai mund të jetë zhgënjyese, por pjesa më e madhe e bashkëbesimtarëve tanë janë shembuj të shkëlqyer të një jete të krishterë. Nëse nuk e harrojmë këtë, ashtu si Davidi do të jemi të lumtur ‘të kremtojmë me të madhe Zotin me gojën tonë dhe ta lëvdojmë në mes të një turme të madhe’.​—Psalmi 109:30.

A duket tepër e vështirë të jesh një Dëshmitar?

Mjerisht, për shkak të një pengese tjetër mendore, disa nuk kanë filluar ende të lavdërojnë Jehovain. Shumë burra që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait, me përgjegjësi kujdesen për familjet e tyre dhe i mbështesin madje gratë e tyre në shërbimin e krishterë. Janë miqësorë dhe ndoshta kanë interes për kongregacionin, por ndihen të frenuar për t’u bërë shërbëtorë të dedikuar të Perëndisë. Çfarë i frenon?

Një problem mund të jetë se këta burra vërejnë aktivitetin e dendur teokratik të grave të tyre dhe mendojnë se të jesh një Dëshmitar kërkon angazhim të madh. Ose ndoshta kanë frikë se nuk mund të shkojnë kurrë për të predikuar shtëpi më shtëpi. Nga pikëpamja e tyre, përgjegjësitë duket sikur i mbysin bekimet. Përse ekziston kjo pengesë mendore? Shumë nga ata që studiojnë Biblën, e mësojnë dhe e zbatojnë të vërtetën gradualisht. Ndërsa burrat jobesimtarë shpesh janë shumë të vetëdijshëm për të gjitha përgjegjësitë e krishtere, përpara se të kenë zhvilluar motivet për t’i pranuar ato.

Manueli, i cili gjendej në këtë situatë, shpjegon: «Për gati dhjetë vjet e shoqërova gruan nëpër asamble dhe mbledhje. Për të qenë i ndershëm, më pëlqente më shumë shoqëria me Dëshmitarët, se ajo me njerëzit nga bota dhe isha i lumtur t’i ndihmoja kur mundja. Më kishte lënë përshtypje dashuria që mbizotëronte midis tyre. Por ideja se do të shkoja shtëpi më shtëpi ishte një pengesë e madhe për mua dhe kisha frikë se shokët e mi të punës do të më tallnin.

Gruaja ishte shumë e durueshme me mua dhe nuk u përpoq kurrë të më detyronte të studioja Biblën. Ajo dhe fëmijët ‘predikuan’ kryesisht me shembullin e tyre të mirë. Hoze, një plak kongregacioni, kishte interes të veçantë për mua. Mendoj se ishte falë inkurajimit të tij që më në fund fillova të studioja seriozisht. Pasi u pagëzova, e kuptova se pengesat ishin në mendjen time, më shumë se kudo tjetër. Kur vendosa t’i shërbeja Jehovait, ndjeva ndihmën e tij në kapërcimin e frikës që kisha.»

Në ç’mënyrë gratë dhe pleqtë e krishterë mund t’i ndihmojnë burrat si Manueli, për të kapërcyer pengesën e tyre mendore? Një studim biblik mund të ngjallë vlerësimin dhe dëshirën për të bërë vullnetin e Perëndisë. Në fakt, njohuria e mirë mbi Shkrimet është baza për të ushtruar besim në shpresën që kemi përpara.​—Romakëve 15:13.

Çfarë do t’i inkurajojë këta burra që të pranojnë një studim biblik? Shpesh, shoqëria me një vëlla në kongregacion që i kupton mund të jetë një faktor vendimtar. Ndoshta një plak apo një vëlla me përvojë mund të njihet me burrin. Pasi të jetë vendosur një marrëdhënie e mirë, ndoshta burri mund të ketë nevojë vetëm që dikush të ofrohet për të studiuar me të. (1. Korintasve 9:19-23) Ndërkohë, gruaja e mençur e krishterë mund të ndajë me të shoqin jobesimtar kafshata të vogla frymore, duke kuptuar se ndoshta ai nuk do të përgjigjet po t’i bëhet presion.​—Proverbat 19:14.

Ashtu siç mësoi edhe Manueli nga përvoja e tij, kur një person ka marrë forcë frymore, pengesat ngjashëm maleve kthehen në kodrina. Jehovai u jep fuqi atyre që dëshirojnë t’i shërbejnë atij. (Isaia 40:29-31) Me forcën e Perëndisë dhe me mbështetjen e Dëshmitarëve të pjekur, pengesat mund të kalohen. Vepra shtëpi më shtëpi dhe shokët e punës nuk do të na fusin më frikën, ndërsa shërbimi që kryejmë me gjithë shpirt do të bëhet më tërheqës.​—Isaia 51:12; Romakëve 10:10.

Të ruajmë shtytjen

Pengesa si ato që kemi shqyrtuar mund të kalohen. Kur aeroplani ngrihet, kërkohet normalisht fuqia maksimale e motorëve, si edhe vëmendja e plotë e ekuipazhit. Gjatë ngritjes, motorët konsumojnë shumë më tepër karburant, se në çdo fazë tjetër të fluturimit. Në mënyrë të ngjashme, për t’u liruar nga mendimet dhe ndjenjat negative duhet maksimumi i përpjekjeve dhe i përqendrimit. Fillimi mund të jetë faza më e vështirë, ndërsa vazhdimi mund të jetë më i lehtë pasi të kesh marrë shtytjen.​—Krahaso 2. Pjetrit 1:10.

Shtytja përpara ruhet, duke dëgjuar me gatishmëri inkurajimin nga Shkrimet. (Psalmi 119:60) Mund të jemi të sigurt se kongregacioni dëshiron të ndihmojë. (Galatasve 6:2) Megjithatë, më e rëndësishmja nga të gjitha është mbështetja e Perëndisë Jehova. Siç tha Davidi: «I bekuar qoftë Zoti, që përditë mbart barrat tona.» (Psalmi 68:19) Kur heqim barrën tonë në lutje, pesha na bëhet më e lehtë.

Ndonjëherë, aeroplani lë prapa një peizazh gri e me shi, përshkon një shtresë me re dhe fluturon nëpër një qiell që shkëlqen nga dielli. Edhe ne mund t’i lëmë prapa mendimet negative. Me ndihmën hyjnore, mund të kalojmë përmes shtresës së reve, nëse mund të themi kështu e të qëndrojmë në atmosferën e ndritur e të lumtur të familjes ndërkombëtare të adhuruesve të Jehovait.

[Figurat në faqen 23]

Me ndihmën e Jehovait, mund t’i kapërcejmë pengesat mendore

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo