Si mollë të arta
MOLLËT: sa të këndshme janë si për syrin, ashtu edhe për qiellzën! Bibla i përdor këto fruta të shijshme për një krahasim që nxit mendjen kur thotë: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.» (Proverbat 25:11) Cili është kuptimi i kësaj thënieje?
Shprehja «mollë të arta mbi një enë argjendi» mund të tregojë një punim të skalitur, siç është një tabaka e skalitur argjendi me fruta të arta mbi të. Meqë vargjet e mëparshme në këtë kapitull përmendin daljen para një mbreti, ky varg mund t’i referohet paraqitjes së dhuratave një sundimtari—zbukurimet e arta në formën e mollëve të vendosura në enë argjendi. (Proverbat 25:6, 7) Diçka vërtet e bukur!
Të ngjashme me këtë bukuri janë fjalët e përshtatshme, të denja dhe në kohën e duhur, si të shkruara ashtu dhe të folura. Janë të këndshme, inkurajuese dhe të dobishme në shumë aspekte. Veçanërisht, përmbajtja hyjnore e frymëzuar e Biblës është si një «mollë e artë mbi një enë argjendi».
Siç ilustron thënia e mençur nga mbreti Solomon tek Proverbat 25:11, ai «u përpoq të gjente fjalët e këndshme dhe shkrimin e fjalëve të sakta të së vërtetës». (Eklisiastiu 12:10, BR; Proverbat 25:1) Shekuj më vonë, apostulli i krishterë Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.» (2. Timoteut 3:16, BR) Po, Bibla përmban këshilla të dobishme, profeci, figura letrare dhe të vërteta me shkëlqim dhe bukuri të tillë që ia kalojnë shumë herë kryeveprave të artizanëve më të aftë. Për më tepër, çdo njeri që fiton njohuri nga Fjala e Perëndisë, Bibla, fiton një pasuri të paçmueshme dhe mund të ushqejë shpresën për jetën e përhershme.—Proverbat 4:7-9; Gjoni 17:3.