BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/1 f. 21-24
  • Mos lejoni që vetmia t’ju shkatërrojë jetën!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mos lejoni që vetmia t’ju shkatërrojë jetën!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çfarë mund të bësh?
  • Lëri miqtë të të ndihmojnë!
  • Jehovai kujdeset për ty
  • Mos fajëso Perëndinë
  • Si të ndihmohet ai që vuan nga vetmia?
  • Si mund ta largoj vetminë?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
  • Si ta mposhtësh vetminë?
    Zgjohuni!—2004
  • Pse nuk kam shokë?
    Të rinjtë pyesin
  • Pse kaq shumë njerëz ndihen të vetmuar?
    Zgjohuni!—2004
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/1 f. 21-24

Mos lejoni që vetmia t’ju shkatërrojë jetën!

VETMIA mund t’i shkatërrojë jetën të rinjve dhe të moshuarve bashkë. Shkrimtarja Judith Viorst shkroi në revistën Redbook: «Vetmia është si një gur që peshon në zemër. . . . Vetmia na bën të ndihemi bosh dhe të dëshpëruar. Ajo na bën të ndihemi si një fëmijë pa nënë, si një qengj i larguar, i vogël dhe i humbur në një botë të pafund dhe të braktisur.»​—Shtator 1991.

Ndarja nga miqtë, ambienti i huaj, divorci, humbja e një njeriu të dashur apo mungesa e komunikimit​—ka shumë gjëra që mund të bëjnë të ndihemi të vetmuar. Disa ndihen tepër të vetmuar, edhe pse rrethohen nga njerëz të tjerë.

Çfarë mund të bësh?

A duhet të luash rolin e një viktime të pambrojtur, kur të mundon vetmia? A mund të bësh diçka për të parandaluar që vetmia të të shkatërrojë pak nga pak ose të të grabisë dëshirën për të jetuar? Po, mund të bësh diçka. Ka shumë këshilla të dobishme që mund të zbatohen. Shumë prej tyre gjenden në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, Biblën. Ky inkurajim mund të jetë pikërisht ai që të nevojitet për të mposhtur vetminë.​—Mateu 11:28, 29.

Për shembull, mund të marrësh inkurajim po të lexosh për Ruthën, një e re që jetoi në Lindjen e Mesme rreth 3.000 vjet më parë. Sa për atë, ajo mund të ishte kandidatja e parë e ekspozuar ndaj vetmisë. Kur i shoqi vdiq, ajo shkoi të jetonte bashkë me të vjehrrën në një ambient të panjohur të Izraelit. (Rutha 2:11) Megjithëse i mungonte familja dhe miqtë që kishte pasur e gjendej në një vend të huaj, nuk tregohet në Bibël se ajo lejoi që ta gllabëronte vetmia. Mund ta lexosh historinë e saj në librin biblik të Ruthës.

Ashtu si Rutha, edhe ti ke nevojë për të mbajtur një frymë pozitive. Mënyra në të cilën i mendon çështjet dhe ngjarjet mund të nxitë vetminë. Këtë e thotë edhe Ana, e cila u kujdes katër vjet të tërë për të atin që vuante nga një sëmundje shfuqizuese. Kur i ati vdiq, ajo ndihej jashtëzakonisht e vetmuar. «Më dukej sikur gjendesha në një boshllëk, krejtësisht e pavlefshme—sikur askush nuk kishte më nevojë për mua,—thotë ajo.—Por e pranova faktin se jeta ime tani kishte ndryshuar dhe e kuptova se për të mposhtur vetminë duhej të pranoja dhe të ambientohesha me rrethanat.» Disa herë është e pamundur të ndryshosh rrethanat, por ka më shumë mundësi të ndryshosh qëndrimin kundrejt tyre.

Zënia e kohës me aktivitete të këndshme nuk e zgjidh plotësisht problemin, por ama është e dobishme. Irena, që kishte mbetur vejushë vetëm pas gjashtë muajsh martesë, e kuptoi në rastin e vet se kjo ishte e vërtetë. «Kuptova se vetmia më godiste më shumë kur isha më pak e zënë,—thotë ajo,—prandaj, përpiqesha ta kaloja kohën me të tjerët dhe t’i ndihmoja për të përballuar problemet e tyre.» Të ndihmosh të tjerët sjell lumturi dhe të krishterët e vetmuar kanë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë.​—Veprat 20:35; 1. Korintasve 15:58.

Lëri miqtë të të ndihmojnë!

The New York Times Magazine i përshkruan fëmijët e vetmuar si ata që ndrydhen nga «plaga e mungesës së miqve». (28 prill 1991) Shumë njerëz të vetmuar, të vjetër apo të rinj, ndihen pa miq. Prandaj, është vërtet një përparësi të mbështetesh në miqësinë e vërtetë që siguron kongregacioni i krishterë. Përpiqu të zgjerosh rrethin e miqve brenda kongregacionit dhe jepu mundësi të të ndihmojnë aq sa munden. Një arsye për të cilën ekzistojnë miqtë është edhe kjo​—të japin mbështetje në momente të vështira.​—Proverbat 17:17; 18:24.

Por, mos harro se për shkak të dhimbjeve emocionale, në të vërtetë mund t’ua vështirësosh miqve dhënien e ndihmës. Si? Shkrimtari Xhefri Jang, shpjegon: «Disa njerëz të vetmuar . . . i largojnë miqtë e mundshëm, duke monopolizuar bisedën apo duke thënë gjëra të papëlqyeshme ose të papërshtatshme. Në një mënyrë apo në një tjetër, ata që vuajnë nga vetmia kronike priren drejt sabotimit të marrëdhënieve të ngushta.»​—U.S.News & World Report, 17 shtator 1994.

Ndonjëherë mund ta keqësosh situatën duke u izoluar. Kështu bëri edhe Peteri një burrë rreth të pesëdhjetave. Pas vdekjes së të shoqes u largua gradualisht nga të tjerët, edhe pse në zemër e dëshironte ndihmën e tyre. «Disa ditë,—thotë ai,—nuk mund ta duroja shoqërinë e të tjerëve dhe me kalimin e kohës e pashë veten të izoluar nga të tjerët.» Kjo mund të jetë e rrezikshme. Ndërkohë që periudhat e vetmisë janë të dobishme, izolimi është i dëmshëm. (Proverbat 18:1) Edhe Peteri e kuptoi këtë. Ai thotë: «Më në fund ia dola mbanë, e përballova situatën dhe me ndihmën e miqve munda të rindërtoj jetën.»

Megjithatë, mos mendo se të tjerët në një farë mënyre e kanë për detyrë të të ndihmojnë. Përpiqu të mos e kërkosh këtë. Prano me gëzim çdo mirësi që të tregohet dhe çmoje atë. Por, gjithashtu, mbaj në mendje këtë këshillë të mirë që gjendet tek Proverbat 25:17: «Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.» Fransis, e cila u mbërthye nga një vetmi shumë e theksuar kur pas 35 vjetësh martesë i vdiq i shoqi, e kuptoi se kjo këshillë është mjaft e rëndësishme. «Ji i arsyeshëm në atë që pret,—tha ajo,—dhe mos kërko shumë nga të tjerët. Mos shko gjithmonë pas dyerve të të tjerëve për të kërkuar ndihmë.»

Jehovai kujdeset për ty

Edhe pse miqtë njerëzorë të zhgënjejnë ndonjëherë, mund të mbështetesh gjithmonë tek Perëndia Jehova si Mik. Ji i sigurt se ai kujdeset për ty. Ki besim të fortë në të dhe vazhdo të kërkosh strehim në kujdesin e tij mbrojtës. (Psalmi 27:10; 91:1, 2; Proverbat 3:5, 6) Moabitja Ruthë veproi kështu dhe mori bekime me bollëk. Pse jo, u bë madje një paraardhëse e Jezu Krishtit!​—Rutha 2:12; 4:17; Mateu 1:5, 16.

Lutju vazhdimisht Jehovait! (Psalmi 34:4; 62:7, 8) Margret e konsideronte lutjen si një burim të madh force në përballimin e vetmisë. Ajo mori pjesë në shërbimin e plotë kohor bashkë me të shoqin, kur ai vdiq akoma i ri. «Gjithmonë më dukej mirë të lutesha me zë dhe t’i tregoja Jehovait çdo gjë, frikën dhe shqetësimet,—thotë ajo.—Kjo më ndihmonte t’i shikoja gjërat në perspektivën e drejtë kur më mbërthente vetmia. Kur shihja që Jehovai i dëgjonte këto lutje, më shtohej besimi.» Ajo përfitoi shumë nga këshilla e apostullit Pjetër: «Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.»​—1. Pjetrit 5:6, 7; Psalmi 55:22.

Një marrëdhënie e mirë me Jehovain do të të ndihmojë të ruash diçka që shpesh njerëzit e vetmuar e humbin​—respektin për veten. Kur i vdiq i shoqi nga kanceri, gazetarja Xhenet Kapfërman shkroi për «pavlefshmërinë dhe ndjenjat e humbjes së respektit për veten». Ajo tha: «Është kjo ndjenjë e pavlefshmërisë që i çon shumë vejusha gati në depresion vetëvrasjeje.»

Mos harro se Jehovai të çmon shumë. Ai nuk mendon se nuk ke vlerë. (Gjoni 3:16) Perëndia do të të përkrahë siç përkrahu popullin e tij, izraelitët, shumë kohë më parë. Ai u tha atyre: «Nuk të kam hedhur poshtë. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.»​—Isaia 41:9, 10.

Mos fajëso Perëndinë

Para së gjithash, mos fajëso Perëndinë që je zhytur në vetmi. Jehovai nuk është përgjegjës për këtë. Qëllimi i tij për ty dhe për gjithë njerëzimin ka qenë që të gëzosh një shoqëri të mirë dhe të këndshme. Kur krijoi Adamin, Perëndia tha: «Nuk është mirë që njeriu të vazhdojë të jetë vetëm. Do të bëj një ndihmës për të si një plotësim i tij.» (Zanafilla 2:18, BR) Kështu, Perëndia krijoi Evën, gruan e parë. Po të mos kishte ndodhur rebelimi satanik, burri, gruaja dhe familjet që do të rridhnin prej tyre, kurrë nuk do ta kishin përjetuar vetminë.

Lejimi i përkohshëm i ligësisë nga ana e Jehovait, pa dyshim ka bërë që vetmia të rritet dhe të ketë vuajtje të tjera. Megjithatë, mbaj të qartë në mendje se kjo gjendje është e përkohshme. Sprovat e vetmisë duken më pak të vështira kur shihen nën dritën e asaj që Perëndia do të bëjë për ty në botën e tij të re. Ndërkohë ai do të të mbështesë dhe do të të ngushëllojë.​—Psalmi 18:2; Filipianëve 4:6, 7.

Duke e ditur këtë mund të fitosh forcë. Kur Fransis (e përmendur më lart) mbeti vejushë, gjeti ngushëllim të madh në fjalët e Psalmit 4:8, veçanërisht natën: «Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.» Medito mbi ndjenja si ato që gjenden në librin e Psalmeve. Mendo se si kujdeset Perëndia për ty, siç shprehet në Psalmin 23:1-3.

Si të ndihmohet ai që vuan nga vetmia?

Një nga mënyrat kryesore për të ndihmuar personat e vetmuar është të tregohet dashuri ndaj tyre. Bibla e inkurajon shumë herë popullin e Perëndisë të tregojë dashuri ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht në kohë sprovash. «Duani njëri tjetrin me dashuri vëllazërore»,—shkroi apostulli Pavël. (Romakëve 12:10, BR) Në fakt, Fjala e frymëzuar e Perëndisë thotë: «Dashuria nuk ligështohet.» (1. Korintasve 13:8) Si mund të tregosh dashuri ndaj atyre që janë persona të vetmuar?

Në vend se të hedhim poshtë apo të injorojmë personat e vetmuar, kush është i kujdesshëm tregon përzemërsi ndaj tyre, duke i ndihmuar me durim sa të jetë e mundur. Ata mund të jenë si Jobi, i cili tha: «Çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte. . . . Unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.» (Jobi 29:12, 13) Pleqtë e caktuar në kongregacionin e krishterë dhe miqtë e dhembshur mund të veprojnë në po këtë mënyrë duke siguruar nevojat themelore njerëzore: kuptueshmërinë, ngrohtësinë dhe ngushëllimin. Ata mund të tregojnë empati dhe ndonjëherë të kënaqin nevojën e personit për të folur mbi gjëra sekrete.​—1. Pjetrit 3:8.

Shpesh, gjërat e vogla që bëjnë miqtë për ata që ndihen të vetmuar, kanë një rëndësi shumë të madhe. Për shembull, kur një bashkëbesimtari i vdes një njeri i dashur, gjeste mirësie të miqësisë së sinqertë mund të jenë një ndihmë e madhe për personin. Mos i nënvlerëso veprat e mirësisë, si p.sh. një ftesë për të ngrënë bashkë, për të qenë një dëgjues i dhembshur apo për të bërë biseda inkurajuese. Këto gjëra janë shumë të efektshme në ndihmën që i jepet një personi për të mposhtur vetminë.​—Hebrenjve 13:16.

Ka të ngjarë që herë pas here të gjithë ne të përjetojmë periudha vetmie. Megjithatë, vetmia nuk duhet të kthehet në një plagë. Mbushe jetën me aktivitete domethënëse dhe ndërtuese. Jepu mundësi miqve të të ndihmojnë kur është e mundur për ta. Ki besim tek Perëndia Jehova. Mbaj në mend inkurajimin premtues që gjendet tek Psalmi 34:19: «Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.» Kthehu tek Jehovai për ndihmë dhe mos lejo që vetmia të të shkatërrojë jetën.

[Kutia në faqen 24]

DISA MËNYRA PËR TË MPOSHTUR VETMINË

▪ Qëndroji afër Jehovait

▪ Kërko ngushëllim duke lexuar Biblën

▪ Mbaj një frymë pozitive të krishterë

▪ Merru me aktivitete domethënëse

▪ Zgjero rrethin e miqve

▪ Bëjua të lehtë miqve të të ndihmojnë

▪ Mos u izolo, por kultivo dashuri altruiste

▪ Ji i bindur se Jehovai kujdeset për ty

[Kutia në faqen 24]

SI MUND TA NDIHMOSH TË VETMUARIN

▪ Ofro kuptueshmëri, ngrohtësi dhe ngushëllim

▪ Mbush nevojën e personit për të folur mbi gjëra sekrete

▪ Ji këmbëngulës për të bërë gjëra të vogla që ndihmojnë

[Figura në faqen 23]

Pavarësisht nga rrethanat e saj të vështira, nuk tregohet asgjëkundi se Rutha e lejoi vetminë t’i shkatërronte jetën

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo