Kemi nevojë për miq të vërtetë
XHENI dhe Sju po bisedojnë me zjarr. Shpërthejnë të qeshura dhe sytë u shkëlqejnë; çdo gjë në sjelljen e tyre tregon një interes të madh për fjalët e njëra-tjetrës. Edhe pse nga prejardhje të ndryshme, duket që ato kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe shumë respekt për njëra--tjetrën.
Gjetkë, Eriku dhe Denisi po punojnë së bashku në një projekt, një prej të shumtëve ku ata kanë punuar gjatë viteve. Janë të qetë dhe të qeshurat vijnë pa vështirësi. Kur bisedojnë për gjëra serioze, shkëmbejnë hapur mendimet e tyre. Ata kanë respekt për njëri-tjetrin. Si edhe Xheni me Sjunë, Eriku me Denisin janë miq të vërtetë.
Përshkrime të tilla mund të të ngrohin zemrën, duke të bërë të mendosh për miqtë e tu. Nga ana tjetër, ato mund të bëjnë që edhe ti të dëshirosh miqësi të tilla. Edhe ti mund të kesh!
Përse kemi nevojë për miq të vërtetë?
Miqësitë e shëndosha janë të rëndësishme për mirëqenien tonë mendore dhe fizike. Megjithatë, kur ndihemi të vetëm, kjo s’do të thotë se kemi diçka që s’shkon. Disa kërkues thonë se vetmia është një tregues i uritur dhe i natyrshëm i nevojës që kemi për shoqëri. Sidoqoftë, sikurse ushqimi na e zbut apo na e heq urinë, miqësitë e mira mund ta zvogëlojnë vetminë apo edhe ta largojnë. Për më tepër, të kemi miq të mirë që na vlerësojnë nuk është një luks i paarritshëm.
Njerëzit janë krijuar me nevojën për shoqëri. (Zanafilla 2:18) Bibla thotë se një mik apo shok i vërtetë «lind për ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Prandaj, miqtë e vërtetë duhet të jenë në gjendje t’i kërkojnë ndihmë njëri-tjetrit kur kanë nevojë. Por miqësi do të thotë më shumë se vetëm të kesh dikë nga i cili mund të kërkosh ndihmë, apo që ta kesh shok pune apo për të luajtur. Miqtë e mirë zhvillojnë cilësitë më të mira te njëri-tjetri. Proverbat 27:17 thotë: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» Ashtu si një copë hekuri mund të përdoret për të mprehur një thikë të bërë nga i njëjti metal, një mik mund të ketë sukses në mprehjen e gjendjes intelektuale dhe frymore të një tjetri. Nëse zhgënjimet na dëshpërojnë, shikimi dashamirës i një miku dhe inkurajimi biblik mund të na japin zemër.
Në Bibël, miqësia shoqërohet me dashurinë, me familjaritetin, me besueshmërinë dhe me shoqërinë. Miqësia mund të përfshijë fqinjët, shokët e punës e kështu me radhë. Gjithashtu, disa i llogarisin të afërmit mes miqve të tyre më të ngushtë. Megjithatë, për shumë veta sot, miqtë e vërtetë mezi gjenden e mezi mbahen. Përse kështu? A mund të gëzosh miqësi të vërtetë e të qëndrueshme?