Ti mund të gëzosh miqësi të qëndrueshme
MIQËSIA has pengesa. Në fakt, Bibla paratha se në këto «ditë të fundit» do të kishte mungesë të dashurisë, të dashurisë së përzemërt natyrore e të besnikërisë. (2. Timoteut 3:1-5; Mateu 24:12) Këto kushte kanë sjellë me vete plagën e pashembullt të vetmisë. Një person tha: «Lagjja ime i ngjan arkës së Noes. Po të mos jesh çift, nuk mund të ngjitesh në bord.» Fajin për vetminë nuk mund ta hedhim të gjithin mbi individët e vetmuar. Në disa pjesë të botës, sfidat që has një miqësi e qëndrueshme përfshijnë lëvizjen më të shpeshtë të njerëzve, thyerjet e familjeve, qytetet e rrezikshme dhe pa ngrohtësinë normale të njerëzve, si dhe një pakësim të dukshëm të kohës së lirë.
Banori i një qyteti të sotëm modern mund të vihet në kontakt brenda një jave me më shumë njerëz, nga sa takonte një fshatar i shekullit të 18-të në një vit apo edhe gjatë gjithë jetës! Megjithatë, sot marrëdhëniet shpesh janë të sipërfaqshme. Shumë veta zhyten në një shoqëri të vazhdueshme e përpiqen të zbaviten. Megjithatë, duhet të pranojmë se festimet e gëzuara boshe me shoqëri të zgjedhura keq, janë sikur të përdorësh shkurre për të bërë zjarr. Eklisiastiu [Predikuesi] 7:5, 6 thotë: «Është më mirë për dikë të dëgjojë qortimin e të urtit, sesa të dëgjojë këngën e budallenjve, sepse ashtu siç është kërcitja e shkurreve nën një tenxhere, kështu është e qeshura e budallait. Edhe kjo është kotësi.» Shkurret bëjnë vetëm për pak kohë një zjarr të shndritshëm kërcëllitës, por ai nuk ka aq forcë sa të na mbajë të ngrohtë. Në mënyrë të ngjashme, shoqëritë e zhurmshme e të qeshura mund të na shpërqendrojnë për momentin, por nuk do të zhdukin për fare vetminë dhe nuk do të plotësojnë nevojën tonë për miq të vërtetë.
Të jesh vetëm ndryshon nga vetmia. Kemi nevojë të rrimë pak vetëm, në mënyrë që të çlodhim ca veten e kështu të kemi më shumë për të ofruar si miq. Kur ballafaqohen me vetminë, shumë veta jepen menjëherë pas disa formash elektronike zbavitjesh. Nga një studim u zbulua se një nga reagimet më të zakonshme të vetmisë, është shikimi i televizorit. Megjithatë, kërkuesit arritën në përfundimin se shikimi i televizorit për një kohë të stërgjatur, është një nga gjërat më të këqija që mund të bëjmë kur jemi të vetmuar. Nxit pasivitetin, mërzinë dhe fantazinë, duke zëvendësuar në mënyrë të varfër marrëdhëniet personale me njerëzit e tjerë.
Në fakt, koha kur rrimë vetëm mund të na jetë mjaft e dobishme nëse e përdorim atë në mënyrë ndërtuese. Këtë mund ta bëjmë duke lexuar, duke shkruar letra, duke bërë ndonjë gjë dhe duke u çlodhur. Mund të rrimë vetëm në mënyrë ndërtuese edhe duke iu lutur Perëndisë, duke studiuar Biblën e duke medituar mbi të. (Psalmi 63:6) Këto janë mënyra për t’u afruar më pranë Perëndisë Jehova, atij që mund të bëhet Miku ynë më i madh.
Shembuj biblikë të miqësisë
Edhe pse është diçka e mirë të jemi miqësorë me shumë njerëz, Bibla na kujton se «është një mik që është më i lidhur se një vëlla». (Proverbat 18:24) Të gjithë kemi nevojë për disa miq të ngushtë, të cilët kujdesen me të vërtetë për ne, miqësia e të cilëve na jep gëzim, forcë dhe paqe. Edhe pse miqësi të tilla të vërteta nuk mund të jenë të zakonshme sot, disa shembuj të lashtë janë vërejtur veçanërisht në Bibël. Për shembull, kemi miqësinë e jashtëzakonshme mes Davidit dhe Xhonatanit. Ç’mund të mësojmë prej saj? Përse ishte e qëndrueshme miqësia e tyre?
Pikësëpari, Davidi dhe Xhonatani kishin interesa të rëndësishme të përbashkëta. Mbi të gjitha, ata së bashku kishin një ndjenjë të thellë devotshmërie ndaj Perëndisë Jehova. Pasi kishte vënë re besimin që kishte Davidi në Perëndinë dhe veprimet e tij në mbrojtje të popullit të Jehovait, «shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit dhe Jonathani e deshi si shpirtin e vet». (1. Samuelit 18:1) Dashuria reciproke për Perëndinë, pra, ndihmon për të lidhur miqtë me njëri-tjetrin.
Xhonatani dhe Davidi ishin individë të fortë, që jetuan sipas parimeve hyjnore. Prandaj, ata mund ta respektonin njëri-tjetrin. (1. Samuelit 19:1-7; 20:9-14; 24:6) Në fakt, ne jemi të bekuar nëse kemi miq të devotshëm, të cilët qeverisen nga parime biblike.
Edhe faktorë të tjerë i kontribuan miqësisë së Davidit me Xhonatanin. Marrëdhënia e tyre ishte e ndershme dhe e drejtpërdrejtë dhe të dy kishin besim te njëri-tjetri. Xhonatani me besnikëri vuri interesat e Davidit përpara të vetave. Ai nuk ishte xheloz, ngaqë Davidi kishte marrë premtimin për të mbretëruar; përkundrazi, Xhonatani e përkrahu atë emocionalisht dhe frymësisht. Ndërsa Davidi e pranonte ndihmën e tij. (1. Samuelit 23:16-18) Në mënyra të përshtatshme sipas Shkrimeve, Davidi dhe Xhonatani i bënë të njohura ndjenjat e tyre për njëri-tjetrin. Miqësia e tyre hyjnore bazohej në çmueshmërinë dhe në dashurinë e përzemërt. (1. Samuelit 20:41; 2. Samuelit 1:26) Ajo ishte e pathyeshme, sepse të dy ata burra i mbetën besnikë Perëndisë. Vënia në praktikë e këtyre parimeve, mund të na ndihmojë të ndërtojmë e të mbajmë miqësi të vërteta.
Si të kultivojmë miqësi?
A po kërkon miq të vërtetë? Ndoshta nuk të duhet të kërkosh shumë. Disa prej atyre me të cilët shoqërohesh rregullisht mund të bëhen miqtë e tu dhe ata mund të kenë nevojë për shoqërinë tënde. Sidomos në lidhje me bashkë të krishterët, është e mençur të zbatojmë këshillën e apostullit Pavël për ‘t’u bërë të gjerë’. (2. Korintasve 6:11-13) Megjithatë, mos u merakos nëse çdo përpjekje për të bërë një mik nuk përfundon në një lidhje të ngushtë. Zakonisht duhet kohë për të zhvilluar një miqësi dhe jo çdo lidhje do të jetë e fortë sa edhe të tjerat. (Eklisiastiu 11:1, 2, 6) Natyrisht, për të pasur miqësi të sinqerta, duhet të mos jemi egoistë dhe duhet të ndjekim këshillën e Jezuit: «Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre.»—Mateu 7:12.
Kush ka nevojë për miqësinë tënde? Përveç bashkëmoshatarëve të tu, ç’të themi për më të rinjtë apo për më të moshuarit? Miqësitë mes Davidit dhe Xhonatanit, Ruthës e Naomit dhe Palit e Timoteut, kishin të gjitha ndryshime në moshë. (Rutha 1:16, 17; 1. Korintasve 4:17) A mund ta zgjerosh miqësinë me të vejat apo me persona të tjerë të pamartuar? Mendo, gjithashtu, edhe për ata që janë të rinj në lagjen tënde. Ata mund të kenë lënë shoqërinë e pjesës më të madhe apo të të gjithë miqve të tyre, duke u transferuar apo duke ndryshuar mënyrën e tyre të jetesës. Mos prit që të tjerët të vijnë e të të kërkojnë! Nëse je një i krishterë, bëj miqësi të përhershme, duke zbatuar këshillën e Pavlit: «Duani njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njëri me tjetrin.»—Romakëve 12:10.
Mund të mendojmë për miqësitë, si për një formë të dhënies. Jezui tha se po të praktikojmë dhënien, njerëzit do të na japin. Ai theksoi, gjithashtu, se ka më shumë lumturi kur japim se kur marrim. (Luka 6:38; Veprat 20:35) A ke takuar njerëz që vijnë nga ambiente të ndryshme? Kongreset ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait kanë provuar se njerëz me kultura të ndryshme mund të formojnë miqësi të vërteta e të qëndrueshme, kur kanë të përbashkët adhurimin e Perëndisë.
Të vazhdojmë ta mbajmë miqësinë të padëmtuar
Mjerisht, disa herë njerëz që e konsiderojnë veten miq i shkaktojnë dhembje njëri-tjetrit. Thashethemet e dëmshme, diçka konfidenciale e tradhëtuar, mungesa e vlerësimit, janë këto mes atyre gjërave që shkaktojnë shumë dhimbje, kur nisin nga dikush, të cilin e konsideroje një mik të vërtetë. Ç’mund të bëhet në raste të tilla?
Ji një shembull i mirë! Bëj gjithçka të mundur për të mos shkaktuar dhimbje të panevojshme! Në disa vende është e zakonshme që miqtë të bëjnë shaka me gabimet e njëri-tjetrit. Por trajtimi i ashpër dhe dredhitë nuk i afrojnë më afër miqtë, edhe pse mund të mendojnë se ‘kanë bërë shaka’.—Proverbat 26:18, 19.
Përpiqu me forcë për të ruajtur miqësitë! Ndonjëherë, keqkuptimet ndodhin kur miqtë presin shumë nga njëri-tjetri. Një mik që mund të jetë i sëmurë apo i shqetësuar nga ndonjë problem i rëndë, ka mundësi të mos tregohet aq i ngrohtë sa zakonisht. Në raste të tilla, pra, përpiqu të jesh i kuptueshëm dhe me durim!
Zgjidhi problemet shpejt dhe me mirësjellje! Bëje këtë në mënyrë sa më private të jetë e mundur. (Mateu 5:23, 24; 18:15) Sigurohu se miku yt e di që ti dëshiron të mbash një marrëdhënie të mirë. Miqtë e sinqertë e falin njëri-tjetrin. (Kolosianëve 3:13) A do të bëhesh një mik i tillë, sa të jesh më i afërt se një vëlla?
Të lexosh e të mendosh për miqësitë është vetëm fillimi. Nëse po provojmë vetminë, le të bëjmë veprimet e duhura dhe s’do të jemi vetëm edhe për shumë kohë! Nëse përpiqemi, mund të bëjmë miq të vërtetë. Me disa prej tyre do të formojmë një lidhje të fortë. Por askush nuk mund të zërë vendin e Perëndisë, Mikut më të madh. Vetëm Jehovai mund të na njohë, të na kuptojë e të na përkrahë plotësisht. (Psalmi 139:1-4, 23, 24) Për më tepër, Fjala e tij na ofron një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen: një botë të re, në të cilën do të jetë e mundur të kemi miq të vërtetë, përgjithmonë.—2. Pjetrit 3:13.
[Figurat në faqen 5]
Davidi dhe Xhonatani gëzuan miqësi të vërtetë; edhe ne mund të kemi