Së shpejti një botë pa luftë
SHIKONI përsëri në Bibël profecinë e Isaisë, e cila thotë: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» Vëreni nga konteksti se ata që i farkëtojnë shpatat e tyre në plugje janë «shumë popuj», që ecin në shtigjet e Perëndisë! (Isaia 2:2-4) Kjo do të thotë se këta njerëz adhurojnë Perëndinë Jehova dhe u binden ligjeve të tij. Cilët janë ata?
Duhet të jetë një popull shumëkombësh, i cili jo vetëm thjesht ka hedhur armët e luftës, por ka punuar për të çrrënjosur nga mendja dhe zemra qëndrimet dhe prirjet që të çojnë në konflikte dhe beteja. (Romakëve 12:2) Ata nuk e vrasin të afërmin, por përkundrazi kanë dashuri për të. (Mateu 22:36-39) A ju ka rënë në vesh për një popull të tillë?
Ndoshta keni dëgjuar se Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë një vëllazëri ndërkombëtare dhe nuk kanë pranuar të marrin armët për të vrarë të tjerët. Mendoni pak: Nëse çdo njeri mbi tokë do të pajtohej me këtë pikëpamje, a nuk do të ishte tashmë ky planet një vend paqeje dhe sigurie?
Pa dyshim, jo çdo njeri pajtohet me këtë pikëpamje. Është ashtu siç shkroi mbreti Solomon rreth 3.000 vjet më parë: «U ktheva dhe mendova për gjithë shtypjet që ndodhin nën diell; dhe ja, lotët e të shtypurve, të cilët nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë; nga ana e shtypësve të tyre ishte forca.»—Eklisiastiu 4:1.
Thirrje atyre që duan paqen
A do të ekzistojë ndonjëherë një botë pa luftë? Po. A do të vijë ajo përmes përpjekjeve të njerëzve? Jo. A do të vijë përmes një kthimi në masë të njerëzve drejt fesë së vërtetë? Jo. Libri biblik i Psalmeve përgjigjet: «Ejani dhe admironi veprat e Zotit . . . Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës.»—Psalmi 46:8, 9.
Si do ta bëjë Jehovai këtë? Libri i Proverbave përgjigjet: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët [ata që përçmojnë ligjet e Perëndisë], do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»—Proverbat 2:21, 22.
Arsyeja kryesore se përse Perëndia nuk ka vepruar më parë, është kjo: Ai po u jep njerëzve një mundësi për të mësuar mbi rrugët e tij, me qëllim që të mund të ecin në shtigjet e tij. Apostulli Pjetër shkroi: «Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.» (2. Pjetrit 3:9) Kështu, populli i Perëndisë i ndihmon me vetëmohim të tjerët për të mësuar mbi Jehovain. Ata thërrasin siç shprehet Isaia: «Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, . . . ai do të na mësojë rrugët e tij.»—Isaia 2:3.
‘Pjesa përfundimtare e ditëve’
Shkrimi i Isaisë parathoshte, gjithashtu, se arsimimi i popullit në rrugët e paqes do të ndodhte «në pjesën përfundimtare të ditëve». (Isaia 2:2, BR) Ne po jetojmë në këtë kohë pikërisht tani. Ironikisht, luftërat e këtij shekulli tregojnë se është e vërtetë.
Kur dishepujt e pyetën Jezuin se cila ishte shenja e përfundimit të këtij sistemi gjërash, ai paratha «tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme». (Luka 21:11; Mateu 24:3) Përveç këtyre, ai tha: «‘Kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë.’ Atëherë u tha atyre: ‘Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë.’»—Luka 21:9, 10.
Megjithëse, për mijëra vjet ka pasur luftëra, vetëm ky shekull ka dëshmuar dy luftëra botërore dhe sipas disa përllogaritjeve në realitet qindra luftëra më të vogla. Të tmerron fakti që vetëm në këtë shekull janë vrarë nëpër luftëra dhjetëra milionë njerëz. Sipas një reviste, (World Watch), gjatë 2.000 vjetëve para shekullit të 20-të, duheshin mesatarisht 50 vjet që të vdisnin një milion njerëz në luftë. Gjatë këtij shekulli, gjatësia mesatare e kohës për vdekjen e një milion njerëzve në luftë ishte një vit.
Një botë pa luftë
Luftërat e tmerrshme të këtij shekulli, bashkë me shumë zhvillime të tjera të parathëna në profecinë biblike, tregojnë se jemi në prag të botës së re që do të sjellë Perëndia. Çrregullimi i botës së vjetër do të eliminohet për t’u zëvendësuar nga një «tokë e re», ku do të mbretërojnë paqja dhe drejtësia. (2. Pjetrit 3:13) Fjala e Perëndisë thotë: «Vetë shkelësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë në Jehovain do të zotërojnë tokën. Ndërsa vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të provojnë shijen e këndshme të bollëkut të paqes.»—Psalmi 37:9, 11, BR.
Sot, në të gjithë tokën, miliona njerëz të panumërt kanë mall për një botë pa luftë. Duke treguar se është e sigurt që Perëndia do të plotësojë premtimin e tij për të krijuar një botë të tillë, një profet i Perëndisë, vite më parë shkroi: «Vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; nëse vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.»—Habakuku 2:3.
Prandaj, është e mençur që të besosh në Perëndinë dhe të gëzosh plotësimin e premtimit të tij: «Vetë Perëndia do të jetë me [popullin e tij]. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as vaj, as britmë dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:3, 4, BR.
[Kutia dhe figurat në faqet 9, 10]
Çfarë premton Bibla për atë botë të re:
Pa krime, dhunë dhe ligësi
«[Perëndia] bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës.»—Psalmi 46:9.
«Vetë shkelësit do të shfarosen . . . Edhe pak edhe i ligu nuk do të jetë më.»—Psalmi 37:9, 10, BR.
Gjithë njerëzimi në paqe
«Na është lindur një fëmijë, na është dhënë një bir; dhe sundimi princëror do të jetë mbi supin e tij. Emri i tij do të jetë . . . Princ i paqes. Bollëku i sundimit princëror dhe i paqes nuk do të ketë fund.» —Isaia 9:6, 7, BR.
E gjithë toka do të jetë parajsë
Jezui tha: «Ti do të jesh me mua në parajsë.»—Luka 23:43, BR.
«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:29.
Një vëllazëri e dashur ndërkombëtare
«Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35.
Ringjallje për të dashurit tanë të vdekur
«Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij [Jezuit] dhe do të dalin prej tyre.»—Gjoni 5:28, 29.
Pa sëmundje, plakje dhe vdekje
«Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:4.