Vendi i duhur që zë adhurimi i Jehovait në jetën tonë
«Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.»—PSALMI 145:2.
1. Çfarë kërkon Jehovai, për sa i përket adhurimit?
«UNË Jehovai, Perëndia yt, jam një perëndi që kërkon devotshmëri të veçantë.» (Të Dalët 20:5, BR) Moisiu e dëgjoi këtë deklaratë nga Jehovai dhe më vonë e përsëriti kur iu drejtua kombit të Izraelit. (Ligji i përtërirë 5:9) Në mendjen e Moisiut nuk kishte asnjë dyshim se Perëndia Jehova kërkonte që shërbëtorët e Tij ta adhuronin në mënyrë të veçantë.
2, 3. (a) Çfarë i bindi izraelitët se ajo që ndodhi pranë malit Sinai ishte e jashtëzakonshme? (b) Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë në lidhje me adhurimin e izraelitëve dhe të shërbëtorëve të Perëndisë sot?
2 Të fushuar pranë malit Sinai, izraelitët dhe «një përzierje e madhe njerëzish» që kishin lënë Egjiptin bashkë me ta, ishin dëshmitarë të një ngjarjeje të pazakonshme. (Të Dalët 12:38) Ajo nuk i ngjante adhurimit të perëndive të Egjiptit, të cilat tashmë ishin përulur nga dhjetë plagët. Ndërsa Jehovai i shfaqte praninë e tij Moisiut, ndodhën fenomene të frikshme: gjëmime, vetëtima dhe zhurma e fortë e një briri, që tronditi të gjithë kampin. (Të Dalët 19:16-20; Hebrenjve 12:18-21) Nëse ndonjë izraelit donte prova të mëtejshme për t’u bindur se ajo që po ndodhte ishte e jashtëzakonshme, kjo do të ndodhte së shpejti. Pas pak, Moisiu zbriti nga mali pasi kishte marrë një kopje të dytë të ligjeve të Perëndisë. Sipas tregimit të frymëzuar, «lëkura e fytyrës së tij [Moisiut] ishte rrëzëllyese dhe ata [populli] kishin frikë t’i afroheshin atij». Me të vërtetë, një përvojë e paharrueshme, mbinjerëzore!—Të Dalët 34:30.
3 Për atë komb tipik të Perëndisë, nuk ekzistonte ndonjë pyetje mbi vendin që zinte adhurimi i Jehovait. Ai ishte Çliruesi i tyre. Ata i kishin borxh jetën. Ai ishte gjithashtu edhe Ligjdhënësi i tyre. Por, a e mbajtën ata adhurimin e Jehovait në vend të parë? Ç’mund të themi për shërbëtorët e sotëm të Perëndisë? Çfarë vendi zë adhurimi i Jehovait në jetën e tyre?—Romakëve 15:4.
Adhurimi i Jehovait në Izrael
4. Si ishte shtrirë kampi i Izraelit gjatë udhëtimit në shkretëtirë dhe cila ishte qendra e kampit?
4 Sikur të kishe një pamje të përgjithshme të Izraelit të fushuar në shkretëtirë, çfarë do të shikoje? Një radhë të madhe, por të rregullt, me çadra në të cilat banonin përafërsisht tre milion ose më shumë njerëz, të grupuar në divizione me nga tre fise, në veri, në jug, në lindje dhe në perëndim. Duke e vështruar më nga afër, do të vëreje gjithashtu një tjetër grupim që ndodhej më pranë qendrës së kampit. Këto katër grupe më të vogla me çadra, bujtnin familjet e fisit të Levit. Në qendër të kampit, në një zonë të rrethuar nga një mur me pëlhura, gjendej një strukturë unike. Ky ishte «tabernakulli i dëshmisë», i cili ishte ndërtuar nga izraelitë «të aftë» sipas planit të Jehovait.z—Numrat 1:52, 53; 2:3, 10, 17, 18, 25; Të Dalët 35:10.
5. Për çfarë qëllimi shërbente tabernakulli në Izrael?
5 Në secilin prej 40 fushimeve që bënë gjatë udhëtimit të tyre në shkretëtirë, izraelitët e ngritën tabernakullin dhe ai u bë qendra e fushimit të tyre. (Numrat, kreu 33) Në mënyrë të përshtatshme, Bibla e përshkruan Jehovain sikur banonte midis popullit të tij, në qendër të kampit. Lavdia e tij mbushte tabernakullin. (Të Dalët 29:43-46; 40:34; Numrat 5:3; 11:20; 16:3) Një libër komenton: «Ky vend i shenjtë i lëvizshëm kishte një rëndësi shumë të madhe, pasi krijoi një qendër për mbledhjet fetare të fiseve. Në këtë mënyrë, ai i mbajti ato të bashkuara gjatë viteve të udhëtimit të tyre në shkretëtirë dhe bëri të mundur realizimin e veprimeve të përbashkëta.» (Our Living Bible) Për më tepër, tabernakulli shërbeu për t’u kujtuar vazhdimisht se adhurimi që izraelitët i bënin Krijuesit kishte rëndësi kryesore në jetën e tyre.
6, 7. Cilën strukturë për adhurim zëvendësoi tabernakulli dhe si i shërbeu kjo kombit të Izraelit?
6 Pasi izraelitët mbërritën në Tokën e Premtuar, tabernakulli vazhdoi të ishte qendra e adhurimit të Izraelit. (Josiu 18:1; 1. Samuelit 1:3) Me kalimin e kohës, mbreti David propozoi ndërtimin e një strukture të qëndrueshme. Dhe ky ishte tempulli, i cili u ndërtua më vonë nga biri i tij, Solomoni. (2. Samueli 7:1-10) Në dedikimin e tij, një re zbriti për të treguar miratimin e Jehovait për atë ndërtesë. «Unë kam ndërtuar për ty një shtëpi të madhërishme,—u lut Solomoni,—në vendin ku do të banosh përjetë.» (1. Mbretërve 8:12, 13; 2. Kronikave 6:2) Tempulli i sapondërtuar, u bë tani boshti për të devotshmit e kombit.
7 Tri herë në vit, të gjithë izraelitët meshkuj ngjiteshin në Jeruzalem për të marrë pjesë në festimet e gëzueshme që bëheshin në tempull si shenjë mirënjohjeje për bekimet e Perëndisë. Në mënyrë të përshtatshme, këto mbledhje quheshin «festat e Zotit», duke përqendruar vëmendjen në adhurimin e Perëndisë. (Levitiku 23:2, 4) Edhe gra të devotshme merrnin pjesë bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes.—1. Samueli 1:3-7; Luka 2:41-44.
8. Si dëshmon Psalmi 84:1-12 për rëndësinë e adhurimit të Jehovait?
8 Psalmistët e frymëzuar pranuan me elokuencë se sa i rëndësishëm ishte adhurimi në jetën e tyre. «Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive»,—kënduan bijtë e Koreut. Ata, sigurisht që nuk po lavdëronin një ndërtesë të thjeshtë. Përkundrazi, i ngritën zërat e tyre në lavdi të Perëndisë Jehova, duke deklaruar: «Zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.» Shërbimi që kryenin u jepte levitëve një lumturi të madhe. «Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde,—shpallën ata.—Dhe të lëvdojnë vazhdimisht.» Në fakt, i gjithë Izraeli mund të këndonte: «Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua! . . . Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.» Edhe pse për një izraelit udhëtimi për në Jeruzalem mund të kishte qenë i gjatë dhe i lodhshëm, forca e tij përtërihej kur mbërrinte në kryeqytet. Zemra e tij mbushej me gëzim, ndërsa lartësonte privilegjin për të adhuruar Jehovain. «Një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve. . . . O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!» Shprehje të tilla zbulojnë përparësinë që ata izraelitë i jepnin adhurimit të Jehovait.—Psalmi 84:1-12.
9. Çfarë ndodhi me kombin e Izraelit kur nuk e mbajti adhurimin e Jehovait në vend të parë?
9 Mjerisht, Izraeli nuk e mbajti adhurimin e vërtetë në vend të parë. Ata lejuan që devotshmëria ndaj perëndive të rreme të minonte zellin e tyre për Jehovain. Prandaj, Jehovai i braktisi ata në duart e armiqve të tyre, duke lejuar që të merreshin edhe si robër në Babiloni. Kur u kthyen në vendlindjen e tyre pas 70 vjetësh, Jehovai u siguroi izraelitëve inkurajime nxitëse nëpërmjet profetëve besnikë Hageut, Zakarisë dhe Malakisë. Prifti Ezdra dhe guvernatori Nehemia e nxitën popullin e Perëndisë që të rindërtonte tempullin dhe të rivendoste adhurimin e vërtetë. Por, me kalimin e shekujve, kombi e kaloi adhurimin e vërtetë përsëri në radhë të dytë.
Zell për adhurimin e vërtetë në shekullin e parë
10, 11. Çfarë vendi zinte adhurimi i Jehovait në jetën e besnikëve në kohën kur Jezui ishte mbi tokë?
10 Në kohën e caktuar nga Jehovai, u paraqit Mesia. Individët besnikë shpresonin për shpëtim nga Jehovai. (Luka 2:25; 3:15) Tregimi i ungjillit të Lukës na përshkruan në mënyrë të përshtatshme 84-vjeçaren Ana, si një vejushë që «nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje».—Luka 2:37.
11 «Ushqimi im,—tha Jezui,—është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Me siguri, të kujtohet se si reagoi Jezui kur u gjend ballë për ballë me këmbyesit e parave në tempull. Ai i ktheu përmbys tavolinat e tyre, si edhe stolat e tregtarëve që shisnin pëllumba. Marku kujton: «[Jezui] nuk lejoi asnjë që të mbartte sende nëpër tempull. Dhe i mësonte duke u thënë atyre: “Vallë nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet?’ Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!”» (Marku 11:15-17) Po, Jezui nuk lejoi askënd që t’i binte për shkurt nëpër oborrin e tempullit, duke transportuar sende nga njëra anë e qytetit në tjetrën. Veprimet e Jezuit përforcuan këshillën që ai kishte dhënë më parë: «Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij.» (Mateu 6:33) Jezui na la një shembull të shkëlqyer duke i dhënë Jehovait devotshmëri të veçantë. Ai me të vërtetë zbatoi ato që predikonte.—1. Pjetrit 2:21.
12. Si e treguan dishepujt e Jezuit përparësinë që i jepnin adhurimit të Jehovait?
12 Gjithashtu, Jezui la një model për dishepujt e tij, me mënyrën që përmbushi misionin e tij për të liruar hebrenjtë e shtypur, por besnikë, nga zgjedha e praktikave të rreme fetare. (Luka 4:18) Duke iu bindur urdhrit të Jezuit për të bërë dishepuj e për t’i pagëzuar ata, të krishterët e parë me guxim shpallën vullnetin e Jehovait në lidhje me Zotërinë e tyre të ringjallur. Jehovai ishte shumë i kënaqur me përparësinë që ata i jepnin adhurimit të Tij. Prandaj, vetë engjëlli i Perëndisë i çliroi nga burgu në mënyrë të mrekullueshme apostujt Pjetër dhe Gjon dhe i udhëzoi: «Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete.» Të forcuar, ata u bindën. Çdo ditë, në tempullin e Jeruzalemit dhe shtëpi më shtëpi «nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.»—Veprat 1:8; 4:29, 30; 5:20, 42: Mateu 28:19, 20.
13, 14. (a) Qysh prej kohëve të para të krishterimit, çfarë është përpjekur të bëjë Satanai me shërbëtorët e Perëndisë? (b) Çfarë kanë vazhduar të bëjnë shërbëtorët besnikë të Perëndisë?
13 Ndërsa kundërshtimi ndaj predikimit të tyre rritej, Perëndia i drejtoi shërbëtorët e tij besnikë që të shkruanin këshilla në kohën e duhur. «Gjithë merakun tuaj hidheni mbi të [Jehovain], sepse ai merakoset për ju»,—shkroi Pjetri pak kohë mbas 60-ës të e.s. «Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.» Të krishterët e parë, padyshim që gjetën siguri në këto fjalë. Ata e dinin se pasi të kishin vuajtur për pak kohë, Perëndia do të përfundonte stërvitjen e tyre. (1. Pjetrit 5:7-10) Gjatë atyre ditëve të fundit të sistemit judaik të gjërave, të krishterët e vërtetë e ngritën adhurimin e dashur të Jehovait në maja të reja.—Kolosianëve 1:23.
14 Siç kishte parathënë apostulli Pavël, u shfaq apostazia, një largim nga adhurimi i vërtetë. (Veprat 20:29, 30; 2. Selanikasve 2:3) Dëshmitë nga dekadat e fundit të shekullit të parë, japin prova për këtë. (1. Gjonit 2:18, 19) Satanai me sukses mbolli të krishterë të rremë midis të sinqertëve, duke vështirësuar dallimin e këtyre «egjrave» nga të krishterët ngjashëm grurit. Megjithatë, me kalimin e shekujve, disa individë e vunë adhurimin e Perëndisë në vend të parë, madje duke rrezikuar jetën. Por, Perëndia nuk i rimblodhi shërbëtorët e tij për të lartësuar adhurimin e vërtetë, deri në dekadat e fundit të ‘kohëve të paganëve’.—Mateu 13:24-30, 36-43; Luka 21:24.
Adhurimi i lartësuar i Jehovait sot
15. Qysh prej 1919-ës, si është përmbushur profecia e Isaisë 2:2-4 dhe Mikeas 4:1-4?
15 Në 1919-ën, Jehovai e forcoi mbetjen e mirosur për të ndërmarrë një fushatë të guximshme ndërkombëtare predikimi, e cila e kishte ngritur lart adhurimin e Perëndisë. Me shtimin e «deleve të tjera» simbolike prej 1935-ës e këndej, lumi i njerëzve që frymësisht është ngjitur në ‘malin ku ndodhet shtëpia e Zotit’, është rritur gjithnjë e më shumë. Gjatë vitit të shërbimit 1993, 4.709.889 Dëshmitarë të Jehovait e lavdëruan atë duke i ftuar të tjerët që të bashkohen në adhurimin e tij të lartësuar. Çfarë kontrasti krijon kjo në gjendjen e rënë frymësisht të «kodrave» sektare të perandorisë botërore të fesë së rreme, sidomos në të ashtuquajturin krishterim!—Gjoni 10:16; Isaia 2:2-4; Mikea 4:1-4.
16. Çfarë duhet të bëjnë të gjithë shërbëtorët e Perëndisë sipas fjalëve të Isaisë 2:10-22?
16 Anëtarët e fesë së rreme i shikojnë kishat dhe katedralet e tyre, madje edhe klerikët e tyre si «të lartë», duke u dhënë atyre tituj dhe ndere të mëdha. Por vërej se çfarë paratha Isaia: «Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.» Kur do të ndodhë kjo? Gjatë mjerimit të madh që po afrohet, kur «perënditë e pavlefshme të tyre do të kalojnë plotësisht». (BR) Duke parë se kjo kohë e frikshme është afër, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të shqyrtojnë seriozisht se çfarë vendi zë adhurimi i Jehovait në jetën e tyre.—Isaia 2:10-22.
17. Si e tregojnë sot shërbëtorët e Jehovait përparësinë që i japin adhurimit të Jehovait?
17 Si një vëllazëri ndërkombëtare, Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të njohur për zellin e tyre në predikimin e Mbretërisë. Adhurimi i tyre nuk është një fe e thjeshtë që e bëjnë mekanikisht, duke i rezervuar një orë ose më shumë në javë. Jo, ajo është tërë mënyra e tyre e jetesës. (Psalmi 145:2) Në fakt, vitin që shkoi më shumë se 620.000 Dëshmitarë i rregulluan punët e tyre për të marrë pjesë në shërbimin e plotë kohor. Pjesa tjetër, sigurisht që nuk e la pas dore adhurimin e Jehovait. Ai shfaqet me një rëndësi kryesore në bisedat e tyre të përditshme dhe në predikimin e tyre publik, madje edhe nëse detyrat e tyre familjare kërkojnë që të bëjnë shumë në punën e tyre të përditshme.
18, 19. Cito disa shembuj inkurajimi që mund të kesh marrë duke lexuar biografitë e disa Dëshmitarëve.
18 Biografitë e Dëshmitarëve të botuara në Kullën e Rojës, na bëjnë të kuptojmë mënyrat në të cilat vëllezër dhe motra të ndryshme e kanë vënë adhurimin e Jehovait në vend të parë në jetën e tyre. Një motër e re, që i kishte dedikuar jetën Jehovait në moshën gjashtë vjeçare, kishte synim shërbimin si misionare. Po ju, vëllezër dhe motra të reja, çfarë synimi mund të zgjidhni që t’ju ndihmojë për të mbajtur adhurimin e Jehovait në vend të parë në jetën tuaj?—Shiko artikullin «Duke ndjekur një synim të vendosur në moshën gjashtë vjeçare», në Kullën e Rojës të 1 marsit 1992, faqe 26-30, anglisht.
19 Një motër e vjetër, vejushë, na jep një shembull tjetër të shkëlqyer në vënien e adhurimit të Jehovait në vendin e duhur. Ajo u inkurajua shumë për të duruar, nga ata që kishte ndihmuar për të njohur të vërtetën. Ata ishin «familja» e saj. (Marku 3:31-35) Nëse të ka vdekur ndonjë njeri i dashur, a do të pranoje ndihmë dhe mbështetje nga më të rinjtë në kongregacion? (Të lutemi, shiko se si është shprehur motra Winifred Remmie në artikullin «U përgjigja në kohën e të korrave», botuar në Kullën e Rojës, 1 korrik 1992, faqe 21-23, anglisht.) Ju, shërbëtorë të plotë kohor, tregoni se adhurimi i Jehovait është me të vërtetë në vend të parë në jetën tuaj, duke shërbyer me përulësi në vendin ku jeni caktuar dhe duke iu nënshtruar vullnetarisht drejtimeve teokratike. (Të lutemi, shiko shembullin e vëllait Roy Ryan, në artikullin «Duke qëndruar ngushtë me organizatën e Perëndisë», në Kullën e Rojës, 1 dhjetor 1991, faqe 24-27, anglisht.) Mos harroni se kur i japim përparësi adhurimit të Jehovait, kemi sigurinë se ai do të kujdeset për ne. Nuk duhet të shqetësohemi se nga do të na vijnë gjërat e nevojshme për jetesë. Përvojat e motrave Olive dhe Sonia Springate janë një shembull i kësaj.—Shiko artikullin «Kemi kërkuar më parë Mbretërinë», në Kullën e Rojës 1 maj 1994, faqe 20-25.
20. Çfarë pyetjesh të përshtatshme duhet t’i bëjmë vetes tani?
20 Individualisht, pra, a nuk duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje shqyrtuese? Çfarë vendi zë adhurimi i Jehovait në jetën time? A po e përmbush dedikimin ndaj vullnetit të Perëndisë në mënyrën më të mirë që mundem? Në çfarë fushash mund të përmirësohem? Një shqyrtim i kujdesshëm i artikullit që vijon, do të na japë mundësinë për të reflektuar mbi mënyrën se si i përdorim pasuritë tona në përputhje me atë që kemi zgjedhur si të parën në jetën tonë: adhurimin e Zotërisë sovran Jehova, Atit tonë të dashur.—Eklisiastiu 12:13; 2. Korintasve 13:5.
Rishikim
◻ Çfarë kërkon Jehovai për sa i përket adhurimit?
◻ Çfarë u kujtonte tabernakulli izraelitëve?
◻ Cilët ishin disa shembuj të jashtëzakonshëm të zellit për adhurimin e vërtetë në shekullin I të e.s. dhe në ç’mënyrë?
◻ Si është lartësuar adhurimi i Jehovait qysh prej 1919-ës?