Kur Lindja takon Perëndimin
«OH, LINDJA është lindje dhe Perëndimi është perëndim, ata kurrë nuk do të takohen.» Këto fjalë të poetit anglez Rudyard Kipling na kujtojnë ndryshimet e mëdha kulturore që ndajnë njerëzimin, ndryshime që kontribuojnë në urrejtjet fisnore, raciale dhe kombëtare që shpërthejnë sot kudo. Shumë veta pyesin: «A s’mund të bëjë diçka Perëndia për këtë gjendje?» Po, mund të bëjë! Madje qysh tani ai është duke bërë diçka! Rreshti vijues i poemës së Kiplingut i referohet kësaj. Për sa kohë do të mbeten të ndarë Lindja dhe Perëndimi? Poeti tha: «Deri kur Toka dhe Qielli të qëndrojnë para fronit madhështor të Gjykimit të Perëndisë.»
Perëndia ia ka dhënë përgjegjësinë për të gjykuar Birit të tij, Jezu Krishtit. (Gjoni 5:22-24, 30) Por, kur fillon kjo kohë e gjykimit? Cilët gjykohen dhe me çfarë rezultati? Jezui i përshkroi në profeci luftërat botërore dhe shqetësimet që filluan të godisnin njerëzimin në vitin 1914. Ai pohoi se këto karakterizojnë «shenjën» e «pranisë së tij» të padukshme «dhe të përfundimit të këtij sistemi gjërash».—Mateu 24:3-8, BR.
Në kulm të kësaj profecie madhështore, Jezui e identifikoi kohën tonë si kohë gjykimi, duke thënë për veten: «E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.» Në mënyrë figurative, të gjithë popujt e tokës janë tashmë të mbledhur para Gjykatësit dhe po japin llogari për mënyrën në të cilën i janë përgjigjur mesazhit të tij të shpëtimit. Kur së shpejti gjykimi të ekzekutohet në mjerimin e madh, njerëzit e pabindur si cjeptë «do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtit [njerëzit e bindur si delet] në jetën e pasosur».—Mateu 25:31-33, 46; Zbulesa 16:14-16.
«Nga lindja dhe nga perëndimi»
Gjykimi i kësaj bote në të vërtetë ka filluar gjatë kohëve të turbullta të Luftës së Parë Botërore. Në atë kohë, klerikët e krishterimit mbështetën me gjithë zemër fraksionet ndërluftuese. Kjo i identifikoi ata si pjesë e një bote të korruptuar që e meriton «zemërimin e Perëndisë». (Gjoni 3:36, BR) Megjithatë, ç’mund të themi për të krishterët paqedashës që ushtruan besim në Perëndinë? Duke filluar prej vitit 1919, ata filluan të mblidheshin në anën e Mbretit, Krishtit Jezu.
Ata kanë ardhur prej të gjitha pjesëve të globit, në fillim mbetja e të 144.000 të mirosurve, të zgjedhur gjatë shekujve të epokës së krishterë. Ata do të jenë «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin» në Mbretërinë e tij qiellore. (Romakëve 8:17) Për ta profeti i Perëndisë tha: «Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të t’i sjell pasardhësit e tu nga lindja dhe do të grumbulloj nga perëndimi. Do t’i them veriut: ‘Ktheji’ dhe jugut: ‘Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu.»—Isaia 43:5-7.
Por nuk është e gjitha! Veçanërisht prej 1930-ës, një shumicë e madhe, që tani derdhet me miliona, filloi të mblidhej. Këto janë «delet», të cilave Jezui u referohet në Mateun 25:31-46. Ashtu si mbetja e mirosur para tyre, këta filluan të «besonin» në Atë që deklaroi: «Ju jeni dëshmitarët e mi dhe unë jam Perëndi.» (Isaia 43:10-12, BR) Edhe mbledhja e kësaj shumice të madhe po vazhdon «nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe jugu dhe nga skajet e tokës».
Këto dele paqedashëse po bashkohen në një vëllazëri ndërkombëtare. Ata flasin gjuhët e ndryshme dhe të shumta të të 231 vendeve në cilat jetojnë. Megjithatë, janë të bashkuar frymësisht në mësimin e «gjuhës së pastër» të mesazhit të Biblës mbi Mbretërinë, «me qëllim që të gjithë ata të thërrasin emrin e Jehovait, që t’i shërbejnë atij sup më sup». (Zefania 3:9, BR) Uniteti i tyre në besim, qëllime dhe veprime, siguron dëshminë e mrekullueshme se në të vërtetë Lindja është takuar me Perëndimin dhe me njerëz nga pika të tjera, në shërbim dhe lavdi të Zotërisë Sovran Jehova.
Në disa vende, kjo mbledhje po ndodh në rrethana nga më të jashtëzakonshmet, siç do të tregojë raporti vijues.