-
«Një kohë miratimi»Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
15. Cila «kohë» e veçantë përmendet në profecinë e Isaisë dhe çfarë nënkupton ajo?
15 Profecia e Isaisë vazhdon me një pohim shumë domethënës. Jehovai i thotë Mesisë: «Në një kohë miratimi të jam përgjigjur dhe në një ditë shpëtimi të kam ndihmuar; të kam ruajtur që të të jap si një besëlidhje për popullin.» (Isaia 49:8a) Një profeci e ngjashme gjendet në Psalmin 69:13-18. Psalmisti i referohet ‘një kohe miratimi’, duke përdorur shprehjen ‘kohë e pranueshme’. (Dio) Këto shprehje nënkuptojnë se miratimi dhe mbrojtja e Jehovait ofrohen në një mënyrë të veçantë, por vetëm gjatë një periudhe specifike e të përkohshme.
16. Cila ishte koha kur Izraeli i lashtë përjetoi miratimin e Jehovait?
16 Kur ishte ajo kohë miratimi? Në kontekstin origjinal, këto fjalë ishin pjesë e një profecie rivendosjeje dhe parathoshin kthimin e judenjve nga mërgimi. Kombi i Izraelit përjetoi një kohë miratimi, kur iu dha mundësia të ‘ripërtërinte vendin’ dhe të shtinte përsëri në dorë ‘zotërimet [e tij] trashëgimore të shkretuara’. (Isaia 49:8b)
-
-
«Një kohë miratimi»Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
Bibla tregon se përveç kësaj përmbushjeje të parë emocionuese, kjo profeci ka edhe aplikime të tjera më të gjera.
17, 18. Cilën kohë miratimi caktoi Jehovai gjatë shekullit të parë?
17 Së pari, kur lindi Jezui, engjëjt shpallën paqen dhe miratimin ose hirin e Perëndisë ndaj njerëzve. (Luka 2:13, 14) Ky miratim nuk iu ofrua të gjithë njerëzve në përgjithësi, por vetëm atyre që ushtronin besim te Jezui. Më vonë, Jezui lexoi publikisht profecinë e Isaisë 61:1, 2 dhe ia aplikoi vetes si shpallës i ‘vitit të pranimit prej Jehovait’. (Luka 4:17-21) Apostulli Pavël tha se Krishti pati mbrojtjen e veçantë të Jehovait gjatë ditëve të mishit të tij. (Hebrenjve 5:7-9) Kështu, kjo kohë miratimi ka të bëjë me hirin që tregon Perëndia ndaj Jezuit gjatë jetës së tij si njeri.
18 Por, kjo profeci ka edhe një aplikim tjetër. Pasi citoi fjalët e Isaisë lidhur me kohën e miratimit, më tej Pavli tha: «Ja, tani është koha veçanërisht e pranueshme. Ja, tani është dita e shpëtimit.» (2 Korintasve 6:2) Pavli i shkroi këto fjalë 22 vjet pas vdekjes së Jezuit. Me sa duket, me lindjen e kongregacionit të krishterë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jehovai e zgjati vitin e tij të miratimit për të përfshirë edhe ithtarët e mirosur të Krishtit.
19. Si mund të nxjerrin dobi të krishterët sot nga koha e miratimit nga ana e Jehovait?
19 Ç’të themi për ithtarët e sotëm të Jezuit që nuk janë të mirosur si trashëgimtarë të mbretërisë qiellore të Perëndisë? A mund të nxjerrin dobi ata me shpresë tokësore nga kjo kohë e pranueshme? Po. Libri biblik i Zbulesës tregon se kjo është një kohë miratimi nga ana e Jehovait ndaj shumicës së madhe, e cila do të dalë «nga shtrëngimi i madh» për të gëzuar jetën në një tokë parajsore. (Zbulesa 7:13-17) Prandaj, të gjithë të krishterët mund të nxjerrin dobi nga kjo periudhë e kufizuar, gjatë së cilës Jehovai u ofron miratimin e tij njerëzve të papërsosur.
20. Në ç’mënyrë të krishterët mund të mos e lënë pa përmbushur qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Jehovait?
20 Apostulli Pavël i parapriu shpalljes së kohës së pranueshme të Jehovait me një paralajmërim. Ai iu përgjërua të krishterëve ‘të mos e pranonin dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë e ta linin pa përmbushur qëllimin e saj’. (2 Korintasve 6:1) Për këtë arsye, të krishterët shfrytëzojnë çdo mundësi për t’i pëlqyer Perëndisë dhe për të bërë vullnetin e tij. (Efesianëve 5:15, 16) Ata bëjnë mirë të zbatojnë këshillën e Pavlit: «Hapni sytë, vëllezër, nga frika se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi; por vazhdoni të nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, për sa kohë të quhet ‘sot’, nga frika se mos ndonjëri prej jush ngurtësohet nga fuqia mashtruese e mëkatit.»—Hebrenjve 3:12, 13.
-