-
Një mesazh shprese për robërit zemërlëshuarProfecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
«Komandant për grupet kombëtare»
13. Në ç’mënyrë ishte Jezui «dëshmitar për grupet kombëtare», si gjatë shërbimit të tij, ashtu edhe pas ngjitjes në qiell?
13 Çfarë do të bëjë ky mbret i ardhshëm? Jehovai thotë: «Ja, e kam dhënë si dëshmitar për grupet kombëtare, si udhëheqës dhe komandant për grupet kombëtare.» (Isaia 55:4) Kur u rrit, Jezui ishte përfaqësuesi i Jehovait në tokë, dëshmitari i Perëndisë për kombet. Gjatë jetës së tij si njeri, shërbimi i Jezuit kishte si objektiv «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». Por, pak para ngjitjes në qiell, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve . . . Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 10:5, 6; 15:24; 28:19, 20) Kështu, me kalimin e kohës, mesazhi i Mbretërisë u çua te jojudenjtë dhe disa prej tyre u përfshinë në përmbushjen e besëlidhjes së bërë me Davidin. (Veprat 13:46) Në këtë mënyrë, edhe pas vdekjes, ringjalljes dhe ngjitjes në qiell, Jezui vazhdoi të ishte ‘dëshmitari [i Jehovait] për grupet kombëtare’.
14, 15. (a) Si tregoi Jezui se ishte «udhëheqës dhe komandant»? (b) Cilën perspektivë gëzonin ithtarët e Jezuit në shekullin e parë?
14 Jezui duhej të ishte, po ashtu, «udhëheqës dhe komandant». Në përmbushje të këtij përshkrimi profetik, kur ishte në tokë, Jezui i pranoi plotësisht përgjegjësitë e pozitës së tij si udhëheqës dhe mori drejtimin në çdo fushë, duke bërë për vete turma të stërmëdha, duke u mësuar të vërtetën dhe duke u treguar dobitë që nxjerrin ata që ndjekin udhëheqjen e tij. (Mateu 4:24; 7:28, 29; 11:5) Ai i stërviti me efektshmëri dishepujt e tij, duke i përgatitur për të marrë përsipër fushatën e predikimit që shtrihej përpara. (Luka 10:1-12; Veprat 1:8; Kolosianëve 1:23) Vetëm brenda tre vjetësh e gjysmë, Jezui hodhi themelet për krijimin e një kongregacioni ndërkombëtar e të bashkuar, me mijëra pjesëtarë nga të gjitha kombet. Vetëm një «udhëheqës dhe komandant» i vërtetë mund ta kishte kryer një detyrë të tillë madhështore.b
15 Ata që u mblodhën në kongregacionin e shekullit të parë u mirosën me frymën e shenjtë të Perëndisë dhe patën perspektivën të bëheshin bashkësundimtarë me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore. (Zbulesa 14:1) Megjithatë, profecia e Isaisë e drejton vëmendjen përtej krishterimit të hershëm. Dëshmitë tregojnë se Jezu Krishti nuk filloi të sundonte si mbret i Mbretërisë së Perëndisë deri në vitin 1914. Pak kohë më pas, ndërmjet të krishterëve të mirosur në tokë u krijua një gjendje e cila pati shumë paralele me atë të judenjve të mërguar në shekullin e gjashtë p.e.s. Në fakt, ajo që u ndodhi atyre të krishterëve përbën një përmbushje më të madhe të profecisë së Isaisë.
Robëri dhe çlirim në kohët moderne
16. Cila situatë e vështirë e pasoi kurorëzimin e Jezuit në fron, në vitin 1914?
16 Kurorëzimi i Jezuit në fron si Mbret në vitin 1914 u karakterizua nga një gjendje e vështirë botërore, e papërjetuar ndonjëherë. Pse? Sepse me t’u bërë Mbret, Jezui dëboi Satanain dhe krijesat e tjera të liga frymore nga qielli. Pasi u kufizua në tokë, Satanai filloi të luftonte kundër të shenjtëve që kishin mbetur, domethënë, kundër mbetjes së të krishterëve të mirosur. (Zbulesa 12:7-12, 17) Kjo luftë arriti kulmin në vitin 1918, kur vepra e predikimit publik pothuajse u ndërpre dhe zyrtarët përgjegjës të Shoqatës Watch Tower u burgosën nën akuza të rreme për nxitje kryengritjeje. Në këtë mënyrë, shërbëtorët modernë të Jehovait ranë në një robëri frymore, e cila të sjell ndër mend robërinë fizike të judenjve të lashtë. Mbi ta ra një poshtërim i madh.
17. Si ndryshoi situata e të mirosurve në vitin 1919 dhe si u forcuan më pas ata?
17 Megjithatë, robëria e shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë nuk zgjati për shumë kohë. Më 26 mars të vitit 1919, zyrtarët e burgosur u liruan dhe më vonë u hodhën poshtë të gjitha akuzat që ishin ngritur kundër tyre. Jehovai derdhi frymën e shenjtë mbi popullin e tij të liruar, duke e forcuar për veprën që e priste përpara. Ata iu përgjigjën me gëzim ftesës për të «marrë falas ujin e jetës». (Zbulesa 22:17) Blenë «verë dhe qumësht, madje pa para dhe pa çmim» dhe u forcuan frymësisht për një zgjerim të mrekullueshëm që dukej në horizont, një zgjerim që mbetja e mirosur nuk e kishte parashikuar.
Një shumicë e madhe rend drejt të mirosurve të Jehovait
18. Cilat janë dy grupet që ekzistojnë mes dishepujve të Jezu Krishtit dhe çfarë formojnë ato sot?
18 Dishepujt e Jezuit kanë një nga dy shpresat që jep Perëndia. Së pari, është mbledhur një «kope e vogël» prej 144.000 vetash—të krishterët e mirosur si me prejardhje judeje, ashtu edhe me prejardhje nga kombet e tjera—të cilët formojnë «Izraelin e Perëndisë» dhe kanë shpresën për të sunduar me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore. (Luka 12:32; Galatasve 6:16; Zbulesa 14:1) Së dyti, në ditët e fundit është shfaqur një «shumicë e madhe» ‘delesh të tjera’. Këta kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Para shpërthimit të shtrëngimit të madh, kjo shumicë e madhe—numri i së cilës nuk është i paracaktuar—shërben përkrah kopesë së vogël dhe të dyja grupet formojnë ‘një kope të vetme’ nën «një bari të vetëm».—Zbulesa 7:9, 10; Gjoni 10:16.
-
-
Një mesazh shprese për robërit zemërlëshuarProfecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
[Figura në faqen 239]
Jezui tregoi se ishte «udhëheqës dhe komandant» për grupet kombëtare
-
-
Një mesazh shprese për robërit zemërlëshuarProfecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
b Jezui vazhdon ta mbikëqyrë veprën e bërjes së dishepujve. (Zbulesa 14:14-16) Sot, të krishterët, burra e gra, e vlerësojnë Jezuin si Kreun e kongregacionit. (1 Korintasve 11:3) Gjithashtu, në kohën e duhur sipas Perëndisë, Jezui do të veprojë si «udhëheqës dhe komandant» në një mënyrë tjetër, kur të drejtojë betejën vendimtare kundër armiqve të Perëndisë në luftën e Harmagedonit.—Zbulesa 19:19-21.
-