Jonai mëson mbi mëshirën e Jehovait
JEHOVAI ka një caktim për profetin e tij, Jonain. Është shekulli i nëntë p.e.s. dhe në Izrael mbretëron Jeroboami II. Jonai është nga Gath-heferi, një qytet zabulonas. (Josiu 19:10, 13; 2. Mbretërve 14:25) Perëndia po e dërgon Jonain në kryeqytetin asirian të Ninevisë, mbi 800 km në verilindje të atdheut të tij. Ai duhet t’i lajmërojë ninevitët se do të shkatërrohen nga Perëndia.
Jonai mund të ketë menduar: ‘Përse të shkoj në atë qytet dhe në atë komb? Ata as që janë të përkushtuar ndaj Perëndisë. Ata asirianë të etur për gjak nuk hynë kurrë në besëlidhje me Jehovain siç bënë izraelitët. Ja, populli i këtij kombi të lig mund ta marrë paralajmërimin tim si një kërcënim dhe vjen e mund Izraelin! Jo. Unë nuk shkoj. Do t’ia mbath për në Jopa dhe prej andej do të lundroj në drejtim të kundërt gjithë rrugën për në Tarshish, deri në skajin tjetër të Detit të Madh. Kështu do të bëj.’—Jonai 1:1-3.
Rrezik në det!
S’kaloi shumë dhe Jonai mbërrin në Jopa, në bregdetin mesdhetar. Ai paguan çmimin e udhëtimit dhe hipën në një anije që shkon për në Tarshish, për të cilin përgjithësisht mendohet se bie në Spanjën e sotme, mbi 3.500 km në perëndim të Ninevisë. Pasi anija ka dalë në det të hapur, profeti i kapitur shkon poshtë kuvertës dhe bie në gjumë. Menjëherë pas kësaj, Jehovai dërgon një erë të madhe në det dhe çdo marinar i frikësuar thërret perëndinë e tij për ndihmë. Anija lëkundet dhe vërtitet aq shumë, sa për ta lehtësuar ngarkesën e saj e hedhin jashtë bordit. Prapëseprapë, fundosja e anijes duket e sigurt dhe Jonai dëgjon kapitenin e trazuar, duke bërtitur: «Çfarë po bën në gjumë kaq të thellë? Çohu, kërko Perëndinë tënd! Ndofta Perëndia do të kujdeset për ne dhe nuk do të vdesim.» Jonai ngrihet e ngjitet në kuvertë.—Jonai 1:4-6.
«Ejani, të hedhim short,—thanë marinarët,—për të ditur për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi.» Shorti ra mbi Jonain. Mendo ankthin e tij, ndërsa detarët i thoshin: «Na shpjego për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi. Cili është zanati yt? Nga vjen? Cili është vendi yt? Cilit popull i përket?» Jonai thotë se është hebre, i cili adhuron «Jehovain, Perëndinë e qiejve» dhe se ka frikë nderuese për atë ‘që ka bërë detin dhe sterenë’. Stuhia ka rënë mbi ta, sepse ai po ikën nga prania e Jehovait dhe nuk po çon me bindje mesazhin e Perëndisë në Ninevi.—Jonai 1:7-10.
Detarët pyesin: «Çfarë duhet të bëjmë që deti të na qetësohet?» Ndërsa deti bëhet më i stuhishëm, Jonai thotë: «Më zini dhe më hidhni në det dhe deti do të qetësohet, sepse unë e di që kjo furtunë e madhe ju ra mbi kokë për shkakun tim.» Duke mos dashur ta hedhin shërbëtorin e Jehovait në det, ku e priste vdekja e sigurt, ata njerëz përpiqen që të arrijnë në tokë të thatë. Duke qenë se nuk po ia dalin dot, detarët thërrasin: «Ah, o Zot, mos lejo që të vdesim për shkak të jetës së këtij njeriu dhe mos na fajëso me gjak të pafajshëm, sepse ti, o Zot, ke bërë si ke dashur.»—Jonai 1:11-14.
Në det!
Në këtë pikë, marinarët e hedhin Jonain nga anija. Ndërsa ai fundoset në detin e zemëruar, tërbimi i tij fillon të fashitet. Duke parë këtë, ‘njerëzit fillojnë t’i frikësohen shumë Jehovait dhe kështu i ofrojnë atij një sakrificë dhe bëjnë betime’.—Jonai 1:15, 16, BR.
Ndërsa Jonain e mbulon uji, ai pa dyshim që është duke u lutur. Më pas, ndien që po shket nëpër një kanal të butë, derisa bie në një zgavër të madhe. Për çudi, ai ende mund të marrë frymë. Duke hequr leshterikët e ngatërruar nëpër kokë, Jonai e sheh veten në një vend vërtet të veçantë. Kjo për shkak se «Zoti kishte përgatitur një peshk të madh që të gëlltiste Jonan, dhe Jona qëndroi tri ditë dhe tri net në barkun e peshkut».—Jonai 2:1.
Lutja e zjarrtë e Jonait
Në barkun e peshkut gjigant, Jonai ka kohë për t’u lutur. Disa nga fjalët e tij janë të ngjashme me disa psalme. Më vonë, Jonai i hodhi me shkrim lutjet e tij që shprehnin dëshpërim dhe pendim. Për shembull, atij i dukej se barku i peshkut do të bëhej Sheoli, varri i tij. Prandaj, ai u lut: «Në fatkeqësinë time i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj; nga gjiri i Sheolit të thirra dhe ti e dëgjove zërin tim.» (Jonai 2:2, 3) Dy nga Këngët e Ngjitjeve, që ka të ngjarë të jenë kënduar prej izraelitëve tek ngjiteshin për në Jerusalem për festat vjetore, shprehin mendime të ngjashme.—Psalmi 120:1; 130:1, 2.
Duke menduar për zbritjen e tij në det, Jonai lutet: «[Jehova] më hodhe në një vend të thellë, në zemër [mes] të deteve, rryma më mori dhe gjithë dallgët e tua dhe valët e tua më kaluan sipër.»—Jonai 2:4; krahaso Psalmin 42:7; 69:2.
Jonai frikësohet se mosbindja e tij do t’i kushtojë miratimin hyjnor dhe se nuk do ta shihte më kurrë tempullin e Perëndisë. Ai lutet: «Sa për mua, unë thashë: ‘Jam përzënë përpara syve të tu! Si do ta vështroj përsëri tempullin tënd të shenjtë?’» (Jonai 2:4, BR, [2:5, Dio;] krahaso Psalmin 31:22.) Situata në të cilën gjendet Jonai është kaq e keqe, sa ai thotë: «Ujërat më kanë rrethuar deri në shpirt [duke rrezikuar jetën e tij], humnera më ka mbështjellë, algat [në det] u mblodhën rreth kokës sime.» (Jonai 2:6; krahaso Psalmin 69:1.) Mendo gjendjen e mjeruar të Jonait, sepse ai shton: «Zbrita deri në themelet e maleve [brenda peshkut], toka mbylli shufrat e saj [si ato të një varri] pas meje për gjithnjë, por ti e ngrite jetën time nga gropa [të tretën ditë], o Zot, Perëndia im.»—Jonai 2:7; krahaso Psalmin 30:3.
Edhe pse gjendet në barkun e peshkut, Jonai nuk mendon: «Jam kaq i dëshpëruar sa nuk mund të lutem.» Përkundrazi, ai lutet: «Kur shpirti im po ligështohej brenda meje [afër vdekjes], kujtova Zotin [me besim, si Ai që ka fuqi dhe mëshirë të pakrahasueshme] dhe lutja ime arriti deri te ti, në tempullin tënd të shenjtë.» (Jonai 2:8) Jehovai e dëgjoi Jonain nga tempulli qiellor dhe e shpëtoi atë.
Në përfundim Jonai lutet: «Ata që jepen pas kotësive të rreme [duke besuar në figurat pa jetë të perëndive të rreme] braktisin vetë burimin e hirit [dashamirësisë, BR] të tyre [duke braktisur Atë që shfaq këtë cilësi]. Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime [ty Perëndi Jehova] dhe do të plotësoj betimet që kam bërë [në këtë rast apo në të tjera]. Shpëtimi i përket Zotit.» (Jonai 2:9, 10; krahaso Psalmin 31:6; 50:14.) I vetëdijshëm se vetëm Perëndia mund ta shpëtonte nga vdekja, profeti i penduar (ashtu si mbreti David dhe Solomon përpara tij), ia atribuon shpëtimin Jehovait.—Psalmi 3:8; Proverbat 21:31.
Jonai bindet
Pas shumë mendimesh dhe lutjesh të zjarrta, diçka e shtyn Jonain të dalë jashtë kanalit nëpër të cilin ka hyrë. Më në fund, Jonai është nxjerrë në tokë të thatë. (Jonai 2:10) Duke qenë mirënjohës për shpëtimin, Jonai i bindet fjalës së Perëndisë: «Çohu, shko në Ninive, qyteti i madh dhe shpalli atij mesazhin që po të urdhëroj!» (Jonai 3:1, 2) Jonai niset për në kryeqytetin asirian. Kur mëson se ç’ditë është, ai kupton se kishte qenë në barkun e peshkut për tri ditë. Profeti kapërcen lumin Eufrat në kthesën e tij të madhe perëndimore, kalon lindjen përmes Mesopotamisë veriore, arrin në lumin Tigër dhe më në fund mbërrin në qytetin e madh.—Jonai 3:3.
Jonai hyn në qytetin e madh të Ninevisë. Ecën mespërmes qytetit për një ditë të tërë dhe shpall: «Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohet.» Mos vallë Jonai ka marrë në mënyrë të mrekullueshme njohuri për gjuhën asiriane? Këtë nuk e dimë. Por edhe nëse ai flet në hebraisht dhe dikush tjetër e përkthen shpalljen e tij, ka rezultat. Njerëzit e Ninevisë fillojnë të besojnë tek Perëndia. Ata shpallin një agjërim dhe vishen me thasë, që nga më i madhi deri tek më i vogli. Kur fjala shkon tek mbreti i Ninevisë, ai çohet nga froni, heq veshjen e tij zyrtare, mbulohet me thasë dhe ulet mbi hi.—Jonai 3:4-6.
Sa i habitur është Jonai! Mbreti asirian dërgon lajmëtarë me thirrjen: «Njerëzit dhe kafshët, kopetë dhe tufat të mos kërkojnë asgjë, të mos hanë ushqim dhe të mos pijnë ujë; por njerëzit dhe kafshët të mbulohen me thes dhe t’i thërresin me forcë Perëndisë; secili të kthehet nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna që është në duart e tij. Ku ta dish në ktheftë Perëndia, në u pendoftë dhe lëntë mënjanë zemërimin e tij të zjarrtë dhe kështu ne nuk vdesim.»—Jonai 3:7-9.
Ninevitët e plotësojnë dekretin e mbretit të tyre. Kur Perëndia shikon se ata janë kthyer nga rruga e tyre e keqe, ndjen keqardhje për fatkeqësinë që kishte thënë se do t’u shkaktonte e kështu që nuk e çon atë deri në fund. (Jonai 3:10) Për shkak të pendimit, të përulësisë dhe të besimit, Jehovai vendos të mos dërgojë mbi ta gjykimin që kishte menduar.
Profeti var buzët
Dyzet ditët kalojnë dhe banorëve të Ninevisë nuk u ndodh asgjë. (Jonai 3:4) Duke kuptuar se ninevitët nuk do të shkatërrohen, Jonai mërzitet shumë e digjet nga zemërimi dhe lutet: «Ah, o Zot, a nuk ishte vallë kjo që unë thoja kur isha akoma në vendin tim? Prandaj, ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar. Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj.» Perëndia i përgjigjet me këtë pyetje: «A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?»—Jonai 4:1-4.
Pas kësaj, Jonai del nga qyteti me mendjemadhësi. Duke shkuar drejt lindjes, ai ngre një kasolle që të ulet nën hijen e saj, derisa të shohë se çfarë do të ndodhë me qytetin. Ndërkaq, Jehovai me dhembshuri ‘përgatit një bimë [një bimë kungulli në formë shisheje, BR] që duhet të rritet përmbi Jonan, për t’i bërë hije kokës së tij dhe për ta çliruar nga e keqja e tij’. Sa gëzon Jonai për kungullin në formë shisheje! Por në agim Perëndia dërgon një krimb që të prishë bimën dhe ajo fillon e fishket. S’kalon shumë dhe ajo thahet krejt. Perëndia dërgon, gjithashtu, një erë të thatë nga lindja. Tani dielli i bie mbi kokë profetit, aq shumë sa po i bie të fikët. Ai vazhdon të kërkojë që të vdesë dhe sërish thotë: «Për mua është më mirë të vdes, se sa të rroj.»—Jonai 4:5-8.
Tani Jehovai flet. Ai e pyet Jonain: «A të duket e drejtë të zemërohesh kështu për bimën?» Jonai i përgjigjet: «Po, është e drejtë për mua të zemërohem deri në vdekje.» Në thelb, Jehovai i thotë tani profetit: «Ty të erdhi keq për bimën për të cilën nuk je munduar dhe nuk e ke rritur dhe që një natë u rrit dhe në një natë mbaroi.» Perëndia arsyetoi më tej: «Dhe mua nuk duhet të më vijë keq për Niniven, qytetin e madh, në të cilin ka njëqind e njëzetmijë veta që nuk dinë të dallojnë të djathtën e tyre nga e majta e tyre dhe një sasi të madhe kafshësh?» (Jonai 4:9-11) S’do shumë mend të kuptohet se cila është përgjigjja e drejtë.
Jonai pendohet dhe jeton për të shkruar librin e Biblës që mban emrin e tij. Nga e mësoi ai se detarët iu frikësuan Jehovait, i ofruan Atij një sakrificë dhe bënë betime? Përmes frymëzimit hyjnor ose ndoshta në tempull prej një nga detarëve ose udhëtarëve.—Jonai 1:16; 2:5.
‘Shenja e profetit Jona’
Kur skribët dhe farisenjtë i kërkuan Jezu Krishtit një shenjë, ai tha: «Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.» Jezui shtoi: «Në fakt, ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.» (Mateu 12:38-40) Për judenjtë ditët fillojnë në perëndim të diellit. Krishti vdiq të premten pasdite, më 14 nisan të vitit 33 të e.s. Trupi i tij u fut në varr para perëndimit të asaj dite. 15 nisani filloi po atë mbrëmje dhe vazhdoi deri në perëndim të së shtunës, ditës së shtatë dhe të fundit të javës. Në atë kohë, 16 nisani fillonte dhe vazhdonte deri në perëndim të asaj që ne e quajmë e diel. Rrjedhimisht, më 14 nisan, Jezui qëndroi i vdekur dhe brenda në varr të paktën për një periudhë kohe, qëndroi i varrosur gjatë gjithë ditës së 15 nisanit dhe kaloi orët e natës së 16 nisanit në varr. Kur të dielën në mëngjes tek varri shkuan disa gra, ai tashmë ishte ringjallur.—Mateu 27:57-61; 28:1-7.
Jezui qëndroi në varr për pjesë të tri ditëve. Në këtë mënyrë, armiqtë e tij morën ‘shenjën e profetit Jona’, por Krishti tha: «Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.» (Mateu 12:41) Sa e vërtetë që është! Judenjtë kishin mes tyre Jezu Krishtin, një profet shumë më të madh se Jonai. Ndonëse Jonai ishte një shenjë e mjaftueshme për ninevitët, Jezui predikoi edhe me më shumë autoritet e prova mbështetëse, sesa ai profet. Megjithatë, judenjtë në përgjithësi nuk besuan.—Gjoni 4:48.
Në përmasat e një kombi, judenjtë nuk e pranuan me përulësi Profetin më të madh se Jonai dhe nuk ushtruan besim në Të. Po stërgjyshërit e tyre? Edhe ata nuk patën besim dhe një frymë të përulur. Në fakt, Jehovai dërgoi në mënyrë të dukshme Jonain në Ninevi, për të treguar ndryshimin ndërmjet ninevitëve të penduar dhe izraelitëve kokëfortë, të cilëve u mungonte në mënyrë të jashtëzakonshme besimi dhe përulësia.—Krahaso Ligjin e përtërirë 9:6, 13.
Ç’mund të thuhet për vetë Jonain? Ai mësoi se sa e madhe është mëshira e Perëndisë. Për më tepër, reagimi i Jehovait ndaj murmuritjes së Jonait për mëshirën e treguar ndaj ninevitëve të penduar, duhet të na përmbajë që të mos ankohemi, kur Ati ynë qiellor shtrin mëshirën tek njerëzit e ditëve tona. Vërtet, le të gëzojmë për faktin që çdo vit mijëra njerëz kthehen nga Jehovai me besim dhe me zemra të përulura.