Ta mbajmë syrin të thjeshtë
1. Çfarë do të thotë të kesh një sy të thjeshtë dhe pse është e rëndësishme?
1 Gjatë Predikimit në Mal, Jezui u ndal në ndikimin e madh që mund të ushtrojë syri figurativ ose frymor në të gjithë rrjedhën e jetës sonë. Ai tha: «Prandaj, nëse syri yt është i thjeshtë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por nëse syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë i errët.» (Mat. 6:22, 23) Nëse syri është i thjeshtë, përqendrohet vetëm në një qëllim, pra në kryerjen e vullnetit të Perëndisë, dhe nuk shpërqendrohet nga ankthi i tepruar për gjërat materiale. (Mat. 6:19-21, 24-33) Çfarë mund të na ndihmojë që ta mbajmë syrin të thjeshtë?
2. Çfarë pikëpamjeje na nxit Fjala e Perëndisë të kemi në lidhje me gjërat materiale?
2 Të përpiqemi të kënaqemi me aq sa kemi: Të kujdesesh siç duhet për nevojat e familjes është një detyrim biblik. (1 Tim. 5:8) Por kjo nuk do të thotë se duhet të jemi vazhdimisht në përpjekje për të siguruar gjërat më të mira dhe më të fundit. (Prov. 27:20; 30:8, 9) Në vend të kësaj, Shkrimet na nxitin që të kënaqemi «nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën», pra me ato që janë të nevojshme për të jetuar. (1 Tim. 6:8; Hebr. 13:5, 6) Nëse i bindemi kësaj këshille, do të mund ta mbajmë syrin të përqendruar në gjërat e duhura.
3. Çfarë do të na ndihmojë që të shmangim disa barra që ia ngarkojmë vetes?
3 Do të ishte e mençur nga ana jonë të mos e ngarkonim veten më kot me borxhe të panevojshme, me gjëra dhe aktivitete që kërkojnë shumë kohë dhe përpjekje. (1 Tim. 6:9, 10) Si mund ta arrijmë këtë? Kur mediton se si duhet të veprosh në një rast të caktuar, parashtroje çështjen në lutje dhe me ndershmëri mendo nëse kjo gjë do të cenojë aktivitetet e tua frymore. Ji i vendosur që të vësh në vend të parë në jetë gjërat frymore.—Filip. 1:10; 4:6, 7.
4. Pse duhet të gjejmë mënyra për të thjeshtuar jetën tonë?
4 Të thjeshtojmë jetën: Një ndihmë tjetër për t’i rezistuar lakut të materializmit është të përpiqemi ta thjeshtojmë jetën. Një vëlla, që zbuloi se familja e tij mund t’ia dilte mjaft mirë edhe pa disa gjëra të tepërta materiale, tha: «Tani mund të bëj shumë gjëra në kongregacion për të ndihmuar vëllezërit. Jam i bindur se Jehovai i bekon të gjithë shërbëtorët e tij, kur e vendosin adhurimin e vërtetë para interesave vetjake.» A dëshiron të marrësh edhe ti bekime më të mëdha duke thjeshtuar jetën?
5. Pse duhen përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur syrin të thjeshtë?
5 Duhen përpjekje të vazhdueshme për t’i bërë ballë ndikimit të Satanait, botës së tij materialiste dhe papërsosmërisë sonë. Në vend që t’i lejojmë sytë të shpërqendrohen, le t’i ngulitim në bërjen e vullnetit të Perëndisë dhe në shpresën tonë të çmuar të jetës së përhershme.—Prov. 4:25; 2 Kor. 4:18.