-
‘Të ushtrojmë drejtësinë’ teksa ecim me PerëndinëT’i afrohemi Jehovait
-
-
13 Në rast se e kuptojmë që drejtësia e Jehovait shoqërohet me mëshirë, nuk do të nxitohemi për t’i gjykuar të tjerët në çështje që në të vërtetë nuk na takojnë ose që s’kanë shumë rëndësi. Në Predikimin e tij në Mal, Jezui paralajmëroi: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni.» (Mateu 7:1) Sipas tregimit të Lukës, Jezui shtoi: «Mos dënoni më e nuk do të jeni të dënuar kurrsesi.»a (Luka 6:37) Jezui tregoi se e kuptonte që njerëzit e papërsosur kanë prirjen për të gjykuar të tjerët. Në qoftë se ndonjë nga dëgjuesit e tij e kishte zakon t’i gjykonte ashpër të tjerët, duhej t’i jepte fund kësaj.
14. Për cilat arsye duhet ‘të mos i gjykojmë më’ të tjerët?
14 Pse duhet ‘të mos i gjykojmë më’ të tjerët? Pikësëpari, sepse autoriteti ynë është i kufizuar. Dishepulli Jakov na kujton: «Një është ligjdhënës dhe gjykatës», Jehovai. Prandaj, Jakovi pyet drejtpërdrejt dhe hapur: «Ti kush je që të gjykosh të afërmin tënd?» (Jakovit 4:12; Romakëve 14:1-4) Veç kësaj, natyra jonë mëkatare mund të na bëjë të jemi të padrejtë në mënyrën si gjykojmë. Shumë qëndrime e motive, ku përfshihen paragjykimet, një sedër e prekur, xhelozia dhe ndjenja e tepruar e drejtësisë, mund të na e shtrembërojnë mënyrën si i shohim njerëzit e tjerë. Duke menduar për këto, si edhe për kufizime të tjera që kemi, vështirë se do të nxitohemi për të gjetur të meta te të tjerët. Nuk i lexojmë dot zemrat e as nuk mund të njohim të gjitha rrethanat personale të të tjerëve. Atëherë, kush jemi ne që t’i akuzojmë bashkëbesimtarët për motive të gabuara ose të kritikojmë përpjekjet e tyre në shërbim të Perëndisë? Është shumë më mirë të imitojmë Jehovain duke kërkuar anët e mira te vëllezërit tanë dhe motrat tona, në vend që të përqendrohemi në mangësitë e tyre.
15. Cilat fjalë e trajtime nuk kanë vend mes adhuruesve të Perëndisë e përse?
15 Ç’të themi për pjesëtarët e familjes? Mjerisht, në botën e sotme disa nga gjykimet më të ashpra shprehen në familje, edhe pse ajo duhej të ishte një oazë paqeje. S’është e pazakontë të dëgjojmë për bashkëshortë, bashkëshorte e prindër që i keqtrajtojnë pjesëtarët e familjes së tyre, duke «i dënuar» me sulme të vazhdueshme gojore e fizike. Por fjalët e panjerëzishme, sarkazma e hidhur dhe keqtrajtimi fizik nuk kanë vend mes adhuruesve të Perëndisë. (Efesianëve 4:29, 31; 5:33; 6:4) Këshilla e Jezuit që ‘të mos gjykojmë më’ e ‘të mos dënojmë më’ nuk e humb vlerën me të vënë këmbë në shtëpi. Të mos harrojmë se ushtrimi i drejtësisë përfshin t’i trajtojmë të tjerët ashtu siç na trajton Jehovai ne. Perëndia ynë nuk na trajton kurrë me ashpërsi ose mizori. Përkundrazi, është «shumë i butë në përzemërsi» ndaj atyre që e duan. (Jakovit 5:11) Çfarë shembulli i mrekullueshëm për t’u imituar!
-
-
‘Të ushtrojmë drejtësinë’ teksa ecim me PerëndinëT’i afrohemi Jehovait
-
-
a Disa përkthime përdorin shprehjet «mos gjykoni» e «mos dënoni». Të përkthyera kështu, ato kanë kuptimin «mos filloni të gjykoni» e «mos filloni të dënoni». Mirëpo, këtu shkrimtarët e Biblës kanë përdorur një fjali mohore në kohën e tashme të mënyrës urdhërore, ku tregohet një veprim në vazhdim. Pra, veprimet që përshkruhen ishin duke ndodhur, por u duhej dhënë fund.
-