KAPITULLI 8
Shpëtojnë nga një mbret i lig
FAMILJA E JEZUIT IKËN NË EGJIPT
JOZEFI ME FAMILJEN TRANSFEROHEN NË NAZARET
Jozefi e zgjon Marinë për t’i dhënë një lajm urgjent. Në ëndërr i është shfaqur një engjëll i Jehovait dhe i ka thënë: «Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij, dhe ik sa më shpejt në Egjipt. Qëndro atje derisa të të çoj fjalë të kthehesh, sepse pas pak Herodi do ta kërkojë fëmijën që ta vrasë.»—Mateu 2:13.
Jozefi bashkë me Marinë dhe djalin largohen po atë natë. Nisen tamam në kohë sepse Herodi merr vesh se astrologët ia kanë hedhur. Në vend që t’i raportonin siç i kishte urdhëruar, janë larguar nga vendi. Herodi tërbohet fare dhe është ende i vendosur ta vrasë Jezuin. Prandaj urdhëron që në Betlehem dhe në rrethinat e tij të vriten të gjithë djemtë 2 vjeç e poshtë. Ai e përcakton këtë grup-moshë në bazë të asaj që i thanë astrologët që erdhën Lindja.
Vrasja e të gjithë djemve është një krim i llahtarshëm! Nuk e dimë sa djem të vegjël u vranë, ama vajtimet dhe të qarat e hidhura të nënave përmbushin një profeci të Jeremisë, profetit të Jehovait.—Jeremia 31:15.
Ndërkohë Jozefi me familjen kanë mbërritur në Egjipt dhe jetojnë atje. Një natë, engjëlli i Jehovait i shfaqet përsëri në ëndërr Jozefit dhe i thotë: «Ngrihu, merre fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur.» (Mateu 2:20) Jozefi kupton se mund të kthehet me familjen në vendin e tij. Kështu përmbushet një profeci tjetër e Biblës: Biri i Perëndisë thirret nga Egjipti.—Hozea 11:1.
Me sa duket, Jozefi do që të banojë me familjen në Jude, mbase afër Betlehemit, ku jetonin para se të iknin në Egjipt. Por merr vesh se tani mbret i Judesë është Arkelau, djali i lig i Herodit. Në një ëndërr tjetër Perëndia e paralajmëron Jozefin për rrezikun, ndaj vazhdojnë udhëtimin drejt veriut. Ata vendosen në qytetin e Nazaretit që ndodhet në Galile, larg Jerusalemit, qendrës së fesë judaike. Fakti që Jezui rritet në Nazaret përmbush profecinë: «Do të quhet nazareas.»—Mateu 2:23.