BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 15/12 f. 14-19
  • Të mësuar për të bërë vullnetin e Jehovait

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të mësuar për të bërë vullnetin e Jehovait
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Theksim më i madh në kryerjen e vullnetit të Perëndisë
  • Mësojmë vullnetin e Jehovait në mbledhjet tona
  • Mësojmë vullnetin e Jehovait nga prindër të perëndishëm
  • Mësojmë të duam e të luftojmë
  • Duke na mësuar për dobinë tonë
  • Të mësuar nga Jehovai deri më sot
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Jehovai: Një Perëndi që mëson
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • «Unë ju dhashë modelin»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Programi i ri për asamblenë speciale njëditore
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1996
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 15/12 f. 14-19

Të mësuar për të bërë vullnetin e Jehovait

«Më mëso të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.»​—PSALMI 143:10, BR.

1, 2. (a) Kur duhet të mësojmë dhe me cilën pikëpamje realiste? (b) Përse të mësuarit nga Jehovai është kaq jetësor?

ÇDO ditë që një person është në jetë dhe aktiv, ai mund të mësojë diçka që ia vlen. Kjo është e vërtetë në rastin tënd e po ashtu edhe për të tjerët. Por, çfarë ndodh pas vdekjes? Në atë gjendje, as mund të të mësojnë dhe as mund të mësosh diçka. Bibla thotë qartë se të vdekurit «nuk dinë asgjë». Nuk ka njohuri në Sheol, në varrin e përbashkët të njerëzimit. (Eklisiastiu 9:5, 10) A do të thotë kjo se të gjitha gjërat që na kanë mësuar dhe njohuria që kemi grumbulluar është e kotë? Kjo varet nga çfarë na kanë mësuar dhe se si e përdorim atë njohuri.

2 Nëse na kanë mësuar vetëm gjëra botërore, s’kemi asnjë të ardhme të qëndrueshme. Por lumturisht, miliona njerëz në të gjitha kombet kanë mësuar vullnetin hyjnor, me perspektivën e jetës së përhershme. Baza për këtë shpresë qëndron në atë se janë mësuar prej Jehovait, që është Burimi i njohurisë jetëdhënëse.​—Psalmi 94:9-12.

3. (a) Përse mund të themi se Jezui ishte nxënësi i parë i Perëndisë? (b) Çfarë sigurie kemi që njerëzit do të mësohen nga Jehovai dhe me çfarë rezultati?

3 Biri i parëlindur i Perëndisë, si nxënësi i Tij i parë, u mësua të bënte vullnetin e Atit. (Proverbat 8:22-30; Gjoni 8:28) Nga ana e vet, Jezui tregoi se miliona njerëz do të mësoheshin nga Ati i tij. Cila është perspektiva për ata që mësojnë nga Perëndia? Jezui tha: «Është shkruar në Profetët: ‘Ata të gjithë do të mësohen nga Jehovai.’ Çdokush që ka dëgjuar nga Ati dhe ka mësuar, vjen tek unë. . . . Me të vërtetë po ju them: Kush beson ka jetën e përhershme.»​—Gjoni 6:45-47, BR.

4. Si janë ndikuar miliona njerëz nga mësimi hyjnor dhe çfarë perspektive kanë ata?

4 Jezui po citonte nga Isaia 54:13, fjalë që i drejtoheshin gruas simbolike të Perëndisë, Sionit qiellor. Ajo profeci gjente veçanërisht zbatim te bijtë e saj, 144.000 dishepujt e Jezu Krishtit, të lindur nga fryma. Një mbetje e këtyre bijve frymorë janë aktivë sot, duke drejtuar një program global mësimi. Si rrjedhojë, edhe miliona të tjerë që përbëjnë «një shumicë të madhe» po përfitojnë, duke u mësuar nga Jehovai. Ata kanë perspektivën e veçantë për të mësuar pa provuar asnjëherë vdekjen. Në ç’mënyrë? E pra, ata po presin të mbijetojnë «mjerimin e madh» që po afrohet me të shpejtë dhe të gëzojnë jetën e përhershme mbi një tokë parajsore.​—Zbulesa 7:9, 10, 13-17, BR.

Theksim më i madh në kryerjen e vullnetit të Perëndisë

5. (a) Cili është teksti i vitit për 1997-n? (b) Si duhet të ndihemi në lidhje me praninë në mbledhjet e krishtere?

5 Gjatë vitit 1997, në më shumë se 80.000 kongregacione anembanë botës, Dëshmitarët e Jehovait do të mbajnë mirë në mendje fjalët e para të Psalmit 143:10: «Më mëso të bëj vullnetin tënd.» Ky do të jetë shkrimi i vitit për 1997-n. Këto fjalë, të shfaqura dukshëm në Sallat e Mbretërisë, do të shërbejnë si përkujtues se një vend i rëndësishëm për të marrë arsimimin hyjnor janë mbledhjet e kongregacionit, në të cilat ne mund të marrim pjesën tonë të programit të vazhdueshëm të arsimimit. Kur jemi bashkë me vëllezërit në mbledhje, për t’u mësuar nga Mësuesi ynë i Madh, ne mund të ndihemi si psalmisti që shkroi: «U gëzova kur më thanë: ‘Shkojmë në shtëpinë e Zotit.’»​—Psalmi 122:1; Isaia 30:20.

6. Çfarë pranojmë në fjalët e Davidit?

6 Po, ne dëshirojmë të mësohemi për të bërë vullnetin e Perëndisë, në vend të vullnetit të kundërshtarit tonë Djallit apo të njerëzve të papërsosur. Kështu, ngjashëm Davidit, ne pranojmë Perëndinë të cilin e adhurojmë dhe i shërbejmë: «Sepse ti je Perëndia im. Fryma jote është e mirë; le të më udhëheqë ajo në vendin e drejtësisë.» (Psalmi 143:10, BR) Në vend se të dëshironte të përzihej me njerëz gënjeshtar, Davidi parapëlqeu të ndodhej aty ku kryhej adhurimi i Jehovait. (Psalmi 26:4-6) Duke pasur frymën e Perëndisë si drejtuese të hapave të tij, Davidi mundi të ndiqte shtigjet e drejtësisë.​—Psalmi 17:5; 23:3.

7. Si ka vepruar fryma e Perëndisë mbi kongregacionin e krishterë?

7 Davidi më i madh, Jezu Krishti, i siguroi apostujt se fryma e shenjtë do t’u mësonte çdo gjë dhe do t’u sillte ndër mend të gjitha gjërat që ai u kishte thënë. (Gjoni 14:26) Që nga koha e Rrëshajëve e këtej, vazhdimisht Jehovai ka zbuluar «gjërat e thella të Perëndisë», të cilat gjenden në Fjalën e tij të shkruar. (1. Korintasve 2:10-13, BR) Këtë e ka bërë nëpërmjet një kanali të dukshëm, të cilin Jezui e përcaktoi me termin «skllavi i besueshëm dhe i matur». Ai siguron ushqimin frymor, që shqyrtohet në programin e mësimit për kongregacionet e popullit të Perëndisë anembanë botës.​—Mateu 24:45-47, BR.

Mësojmë vullnetin e Jehovait në mbledhjet tona

8. Përse është kaq e vlefshme pjesëmarrja në studimin e Kullës së Rojës?

8 Materiali që kongregacioni studion çdo javë në Kullën e Rojës, trajton shpesh aplikimin e parimeve të Biblës. Kjo na ndihmon sigurisht që të përballojmë ankthet e jetës. Në studime të tjera shqyrtohen të vërteta të thella frymore apo profeci të Biblës. Sa shumë mësime që marrim gjatë këtyre studimeve! Në shumë vende, Sallat e Mbretërisë janë të mbushura plot e përplot gjatë këtyre mbledhjeve. Megjithatë, në disa vende prania në mbledhje ka rënë. Si mendon ti, përse? Ndoshta ngaqë disa kanë lejuar që puna e tyre në botë të ndërfutet në të mbledhurin e tyre bashkë rregullisht «për t’u nxitur në dashuri dhe vepra të mira»? Apo ndoshta ngaqë harxhojnë shumë orë nëpër aktivitete shoqërore ose duke parë televizor, duke e stërmbushur kështu programin e tyre personal, pa lënë vend për të gjitha mbledhjet? Të mos harrojmë nxitjen e frymëzuar në Hebrenjve 10:23-25. A nuk është të mbledhurit së bashku për mësimin hyjnor, shumë më i rëndësishëm tani, ndërsa ‘shohim ditën që po afrohet’?

9. (a) Si mund të na pajisë për në shërbim Mbledhja e Shërbimit? (b) Cili duhet të jetë qëndrimi ynë në lidhje me dhënien e dëshmisë?

9 Një nga përgjegjësitë tona më kryesore është të shërbejmë si shërbëtorë të Perëndisë. Mbledhja e Shërbimit është projektuar për të na mësuar se si të shërbejmë me efektshmëri. Mësojmë si t’u afrohemi njerëzve, çfarë të themi, si të reagojmë kur marrim një përgjigje pozitive, madje edhe çfarë të bëjmë kur njerëzit nuk e pranojnë mesazhin tonë. (Luka 10:1-11) Ndërkohë që në këtë mbledhje të përjavshme flitet dhe demonstrohen metoda frytdhënëse, ne përgatitemi më mirë që t’i arrijmë njerëzit jo vetëm kur shkojmë nga shtëpia në shtëpi, por edhe kur predikojmë nëpër rrugë, në vende parkimi, në mjetet e transportit publik, në aeroporte, në tregje apo në shkolla. Në përputhje me kërkesën tonë, «më mëso të bëj vullnetin tënd», duhet të kemi dëshirë që të përfitojmë nga çdo rast për të bërë siç na nxiti Mësuesi ynë: «Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që . . . ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.»​—Mateu 5:16.

10. Si mund t’i ndihmojmë me të vërtetë ‘ata që e meritojnë’?

10 Në këto mbledhje të kongregacionit ne mësojmë, gjithashtu, të bëjmë dishepuj. Pasi kemi gjetur interes apo kemi lënë literaturë, synimi ynë kur bëjmë rivizitat është të nisim një studim biblik në shtëpi. Në njëfarë kuptimi, kjo është njësoj me dishepujt, të cilët ‘qëndronin me ata që e meritonin’, për t’u mësuar gjërat që Jezui kishte urdhëruar. (Mateu 10:11; 28:19, 20) Duke pasur mjete të shkëlqyera ndihmëse, si për shembull, librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, ne jemi me të vërtetë më se të pajisur për të kryer plotësisht shërbimin tonë. (2. Timoteut 4:5) Çdo javë që ndjek Mbledhjen e Shërbimit dhe Shkollën e Shërbimit Teokratik, përpiqu të kapësh e më pas të përdorësh pika të dobishme, të cilat do të të bëjnë një nga shërbëtorët e Perëndisë, i kualifikuar siç duhet për të kryer vullnetin e tij.​—2. Korintasve 3:3, 5; 4:1, 2.

11. Si kanë treguar disa besim në fjalët që gjejmë në Mateun 6:33?

11 Vullneti i Perëndisë është që të vazhdojmë ‘para së gjithash të kërkojmë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij’. (Mateu 6:33) Pyet veten: «Si do ta zbatoja këtë parim, nëse kërkesat e punës sime në botë [apo të bashkëshortit tim] të ndërfuteshin në praninë në mbledhje?» Shumë individë të pjekur frymësisht do të ndërmerrnin hapat e duhur, duke folur për këtë çështje me punëdhënësit e tyre. Një motër që ishte në shërbim të plotë kohor, i bëri të ditur punëdhënësit të saj se çdo javë kishte nevojë për kohën, që të ndiqte mbledhjet e kongregacionit. Ai e pranoi kërkesën. Por, duke qenë kureshtar se ç’ndodhte në ato mbledhje, ai kërkoi të merrte pjesë. Atje, dëgjoi njoftimin se së shpejti do të mbahej një kongres krahinor. Si rrjedhojë, punëdhënësi mori masa që të kalonte një ditë të plotë në kongres. Çfarë nxjerr prej këtij shembulli?

Mësojmë vullnetin e Jehovait nga prindër të perëndishëm

12. Që fëmijët të mësojnë vullnetin e Jehovait, çfarë duhet të bëjnë prindërit e krishterë me durim dhe vendosmëri?

12 Por mbledhjet e kongregacionit dhe kongreset nuk janë masa e vetme, për t’u mësuar që të bëjmë vullnetin hyjnor. Prindërit e perëndishëm janë urdhëruar të stërvitin, të disiplinojnë dhe të rritin fëmijët e tyre, për të lavdëruar Jehovain dhe për të bërë vullnetin e tij. (Psalmi 148:12, 13; Proverbat 22:6, 15) Kjo kërkon që të marrim «fëmijët» në mbledhje, ku ata mund ‘të dëgjojnë e të mësojnë’. Por ç’të themi për mësimin që u japim atyre nga shkrimet e shenjta, në shtëpi? (Ligji i përtërirë 31:12; 2. Timoteut 3:15) Në mënyrë të ndërgjegjshme, shumë familje kanë nisur programe të rregullta të studimit familjar të Biblës, por shpejt kanë lejuar që këto pastaj të zbehen e të lihen pas dore. A ke pasur edhe ti ndonjë përvojë të tillë? A ke nxjerrë përfundimin se rekomandimi për të pasur një studim të rregullt nuk është i përshtatshëm apo se rrethanat e familjes sate janë kaq të ndryshme, sa ky program nuk mund të funksionojë në rastin tënd? Sido që të jetë situata, juve prindër, ju lutemi të rishikoni artikujt e shkëlqyer «Trashëgimia jonë e pasur frymore» dhe «Shpërblimet e qëndrueshmërisë», në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1995.

13. Si mund të përfitojnë familjet nga shqyrtimi i tekstit të ditës?

13 Familjet janë të inkurajuara që ta bëjnë zakon shqyrtimin e tekstit të ditës, nga broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Edhe vetëm leximi i tekstit dhe i komentit është diçka e mirë, por diskutimi i tekstit dhe zbatimi i tij është më i dobishëm. Për shembull, nëse shqyrtojnë Efesianëve 5:15-17, pjesëtarët e familjes mund të arsyetojnë se si ‘të blejnë kohën e përshtatshme’ për studimin personal, për të marrë pjesë në disa forma të shërbimit të plotë kohor dhe për t’u kujdesur për caktime të tjera teokratike. Po, një diskutim familjar i tekstit të ditës, mund të bëjë që një apo më shumë pjesëtarë «të vazhdojnë të kuptojnë [më plotësisht] cili është vullneti i Jehovait».​—BR.

14. Siç tregon edhe Ligji i përtërirë 6:6, 7, ç’lloj mësuesish duhet të jenë prindërit dhe ç’kërkon kjo?

14 Prindërit duhet të jenë mësues të zellshëm të fëmijëve të tyre. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Por puna nuk është vetëm që të qortojnë apo të urdhërojnë fëmijët e tyre. Babai dhe mamaja duhet edhe të dëgjojnë, duke qenë kështu më mirë në gjendje të dinë se çfarë duhet shpjeguar, qartësuar, ilustruar apo përsëritur. Në një familje të krishterë, prindërit nxitën komunikimin e hapur, duke i grishur fëmijët e tyre që të pyesnin mbi gjërat që ata s’i kuptonin apo që i shqetësonin. Kështu ata mësuan se djali i tyre adoleshent s’e kishte të lehtë të kuptonte se Jehovai nuk ka një fillim. Prindërit patën mundësi të përdornin informacione nga botimet e Shoqatës Watch Tower, që tregonin se koha dhe hapësira pranohen si pa fund. Kjo shërbeu për të ilustruar pikën dhe djali i tyre u kënaq. Prandaj, përpiquni t’u përgjigjeni qartë dhe nga Shkrimet pyetjeve të fëmijëve tuaj, duke i ndihmuar të kuptojnë se po të mësojnë të kryejnë vullnetin e Perëndisë, do të kenë shumë kënaqësi. Ç’gjë tjetër po mësojnë sot shërbëtorët e Perëndisë, të rinj e të moshuar?

Mësojmë të duam e të luftojmë

15. Kur mund të vihet në provë sinqeriteti i dashurisë sonë vëllazërore?

15 Në përputhje me urdhërin e ri të Jezuit, ne ‘jemi të mësuar nga Perëndia që të duam njëri-tjetrin’. (1. Selanikasve 4:9) Kur punët janë të qeta e shkojnë mirë, mund të mendojmë se i duam të gjithë vëllezërit. Megjithatë, çfarë ndodh kur lindin vështirësi personale apo ofendohemi nga ndonjë fjalë a veprim i një të krishteri tjetër? Në këto rrethana sinqeriteti i dashurisë sonë mund të vihet në provë. (Krahaso 2. Korintasve 8:8.) Çfarë na mëson Bibla të bëjmë në situata të tilla? Një gjë është që të përpiqemi të tregojmë dashuri në kuptimin më të plotë. (1. Pjetrit 4:8) Në vend se të kërkojmë interesat tona, duke u ndier të provokuar nga disa mungesa të vogla apo duke i mbajtur shënim fajet e të tjerëve, duhet të punojmë e të lejojmë që dashuria të mbulojë një shumicë mëkatesh. (1. Korintasve 13:5) Ne e dimë se ky është vullneti i Perëndisë, pasi kështu na mëson Fjala e tij.

16. (a) Në çfarë lloj lufte janë mësuar të krishterët të angazhohen? (b) Si jemi të pajisur?

16 Edhe pse shumëkush nuk do ta lidhte dashurinë me luftën, kjo e fundit është diçka tjetër që ne e mësojmë, por është një lloj i ndryshëm lufte. Davidi e pranoi se varej nga Jehovai, i cili e mësonte si t’ia dilte mbanë nëpër luftëra, edhe pse në kohën e tij kjo përfshinte një luftë të vërtetë kundër armiqve të Izraelit. (1. Samuelit 17:45-51; 19:8; 1. Mbretërve 5:3; Psalmi 144:1) Por, ç’të themi për luftën tonë sot? Armët tona nuk janë mishore. (2. Korintasve 10:4) Lufta jonë është frymore, arsye për të cilën ne duhet të pajisemi me armaturën frymore. (Efesianëve 6:10-13) Nëpërmjet Fjalës së tij dhe popullit të tij të mbledhur, Jehovai na mëson të zhvillojmë një luftë të suksesshme frymore.

17. (a) Çfarë taktikash përdor Djalli për të na kthyer vëmendjen? (b) Çfarë duhet të shmangim me mençuri?

17 Në mënyra të pakapshme dhe tinëzare, Djalli përdor shpesh tundimet e botës, apostatët dhe kundërshtarë të tjerë të së vërtetës, në përpjekje që të na kthejë vëmendjen nga çështje të parëndësishme. (1. Timoteut 6:3-5, 11; Titit 3:9-11) Duket se ai e kupton që ka pak mundësi të na mposhtë nëpërmjet një sulmi direkt frontal, kështu që mundohet të na pengojë, duke na yshtur që të nxjerrim ankesa të vazhdueshme dhe pyetje të kota, pa asnjë vlerë frymore. Si luftëtarë vigjilentë, ne duhet të jemi po kaq syçelur ndaj këtyre rreziqeve, sikundër jemi edhe ndaj sulmeve frontale.​—1. Timoteut 1:3, 4.

18. Çfarë përfshin në të vërtetë fakti që nuk jetojmë më për veten tonë?

18 Ne nuk nxitim dëshirat e njerëzve apo vullnetin e kombeve. Nëpërmjet shembullit të Jezuit, Jehovai na ka mësuar se nuk duhet të jetojmë më për veten tonë; përkundrazi, duhet të armatosemi me të njëjtën prirje mendore që kishte Krishti Jezu dhe të jetojmë për vullnetin e Perëndisë. (2. Korintasve 5:14, 15) Në të kaluarën, mund të kemi bërë një jetë të pamatur e të shthurur, duke harxhuar kot kohën e çmuar. Kjo botë e ligë karakterizohet nga dëfrimet e shthurura, zdërhalljet dhe imoraliteti. Tani që jemi mësuar të bëjmë vullnetin e Perëndisë, a nuk jemi mirënjohës që jemi të ndarë nga kjo botë e korruptuar? Prandaj, le të bëjmë një luftë të fortë frymore, për të shmangur përfshirjen në praktikat e fëlliqura të botës.​—1. Pjetrit 4:1-3.

Duke na mësuar për dobinë tonë

19. Çfarë dobish do të na sjellë mësimi i vullnetit të Perëndisë dhe kryerja e tij?

19 Është e nevojshme të pranojmë se, duke u mësuar të kryejmë vullnetin e Jehovait, do të përfitojmë shumë. Kuptohet që ne duhet të bëjmë pjesën tonë, duke kushtuar shumë kujdes për të mësuar e më pas për të ndjekur udhëzimet që na vijnë përmes Birit të tij, përmes Fjalës së tij dhe popullit të tij të mbledhur. (Isaia 48:17, 18; Hebrenjve 2:1) Duke vepruar kështu, do të forcohemi për të qëndruar të vendosur në këto kohë të vështira e për të shpëtuar nga stuhitë që kemi përpara. (Mateu 7:24-27) Qysh nga tani, do t’i pëlqejmë Perëndisë, duke bërë vullnetin e tij dhe do të jemi të sigurt se lutjet tona kanë gjetur përgjigje. (Gjoni 9:31; 1. Gjonit 3:22) Kështu, do të provojmë një lumturi të vërtetë.​—Gjoni 13:17.

20. Mbi çfarë do të ishte mirë të meditoje, ndërsa shikon tekstin e vitit gjatë gjithë 1997-s?

20 Gjatë vitit 1997, vazhdimisht do të kemi rastin të lexojmë e të shqyrtojmë tekstin e vitit, Psalmin 143:10: «Më mëso të bëj vullnetin tënd.» Ndërsa bëjmë kështu, le t’i përdorim disa nga këto raste për të medituar mbi masat që Perëndia ka marrë për ne që të mësohemi, siç tregohet më lart. Gjithashtu, le ta përdorim meditimin mbi këto fjalë si një nxitje për të vepruar në përputhje me këtë lutje, duke ditur se «ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë».​—1. Gjonit 2:17.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Cilët po mësohen sot, për të bërë vullnetin e Jehovait?

◻ Si duhet të ndikojë mbi ne Psalmi 143:10, gjatë vitit 1997?

◻ Si jemi të mësuar për të bërë vullnetin e Jehovait?

◻ Çfarë kërkohet nga prindërit e krishterë për të mësuar fëmijët e tyre?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo