Pyetje nga lexuesit
A gjendet tetragrami (katër germat hebraike të emrit të Perëndisë) në tekstin hebraik të Mateut, i kopjuar nga mjeku jude i shekullit të 14-të, Shem-Tob ben Isak Ibn Shaprut?
Jo, nuk gjendet. Megjithatë, ky tekst i Mateut përdor 19 herë fjalën hash·Shem’ (të shkruar apo të shkurtuar), siç thekson në faqen 13, Kulla e Rojës e 15 gushtit 1996.
Fjala hebraike hash·Shem’ do të thotë «Emri», i cili patjetër i referohet emrit hyjnor. Për shembull, në tekstin e Shem-Tobit, një formë e shkurtuar e hash·Shem’ shfaqet në Mateun 3:3, një pjesë ku Mateu citon Isainë 40:3. Është e arsyeshme të përfundojmë se kur Mateu citonte një varg nga Shkrimet Hebraike, aty ku gjendet tetragrami, ai vendoste emrin hyjnor në ungjillin e tij. Prandaj, edhe pse teksti hebraik që paraqet Shem-Tobi nuk e përdor tetragramin, përdorimi që ai i bën fjalës «Emri», si në Mateun 3:3, mbështet përdorimin e «Jehova» në Shkrimet e Krishtere Greke.
Shem-Tobi e kopjoi tekstin hebraik të Mateut në veprën e tij polemike ʼEʹven boʹchan. Cili ishte, pra, burimi i atij teksti hebraik? Profesori Xhorxh Hauard, i cili ka bërë kërkime të gjera mbi këtë çështje, sugjeron se «Mateu hebraik i Shem-Tobit daton diku brenda katër shekujve të parë të epokës së krishterë».a Të tjerë mund të mos jenë dakort me të në këtë pikë.
Hauard vëren: «Mateu hebraik i vendosur në këtë tekst, karakterizohet veçanërisht prej ndryshimeve të shumta nga Mateu kanunor greqisht.» Për shembull, sipas tekstit të Shem-Tobit, Jezui tha për Gjonin: «Vërtet po ju them: mes të gjithë atyre të lindur nga gratë, askush nuk është ngritur më lart se Gjon Pagëzori.» Ai ka hequr fjalët pasuese të Jezuit: «Por një person që është më i vogli në mbretërinë e qiejve, është më i madh se ai.» (Mateu 11:11) Në mënyrë pothuajse të ngjashme, ekzistojnë shumë ndryshime mes tekstit hebraik që ekziston akoma të Shkrimeve Hebraike dhe të shprehurit me fjalë në tekstin korrespondues të versionit greqisht Septuaginta. Edhe pse i pranojmë këto ndryshime, këto tekste të vjetra kanë njëfarë vendi në studimet krahasuese.
Siç kemi përmendur, teksti i Mateut nga Shem-Tobi përfshin «Emrin» në ato vende, ku ka arsye të forta për t’u besuar se Mateu ka përdorur në fakt tetragramin. Prandaj, që nga viti 1950, teksti i Shem-Tobit është përdorur si mbështetje për përdorimin e emrit hyjnor në Shkrimet e Krishtere Greke dhe ende citohet në Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta, me referime.b
[Shënimet]
a Shiko edhe New Testament Studies, vëllimi 43, numër 1, janar 1997, faqe 58-71.
b Botuar në anglisht në 1984-n, nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.