KAPITULLI 11
Gjon pagëzori përgatit udhën
MATEU 3:1-12 MARKU 1:1-8 LUKA 3:1-18 GJONI 1:6-8, 15-28
GJONI PREDIKON DHE PAGËZON
PAGËZOHEN SHUMË VETA, POR JO TË GJITHË
Është pranvera e vitit 29 të e.s. dhe kanë kaluar 17 vjet që kur Jezui 12-vjeçar pyeste mësuesit në tempull. Tani shumë veta po flasin për kushëririn e Jezuit, Gjonin, i cili po predikon në mbarë vendin, në perëndim të lumit Jordan.
Gjoni është një burrë që bie në sy për paraqitjen dhe për mënyrën si flet. Ai mban veshur një rrobë me lesh deveje, në mes mban një brez lëkure dhe ushqehet me karkaleca e mjaltë të egër. Cilin mesazh shpall Gjoni? «Pendohuni, sepse Mbretëria e qiejve është afruar.»—Mateu 3:2.
Të gjithë ata që e dëgjojnë këtë mesazh entuziazmohen. Shumë kuptojnë se duhet të pendohen, pra të ndryshojnë qëndrimin, sjelljen dhe të braktisin jetën që bënin më parë. Te Gjoni vijnë njerëz nga «Jerusalemi, tërë Judea dhe gjithë vendi përreth Jordanit». (Mateu 3:5) Mjaft prej tyre pendohen, dhe ai i pagëzon duke i zhytur në ujërat e Jordanit. Pse?
Sepse ky pagëzim simbolizon pendimin me gjithë zemër për mëkatet kundër besëlidhjes së Ligjit të Perëndisë. (Veprat 19:4) Por jo të gjithë kualifikohen për t’u pagëzuar. Kur disa krerë fetarë, farisenj dhe saducenj, vijnë te Gjoni, ai i quan «pjellë nepërkash» dhe u thotë: «Jepni . . . fryte të denja për pendim! Mos guxoni të thoni me vete: ‘Ne kemi atë Abrahamin’, sepse unë po ju them se Perëndia është në gjendje t’i japë Abrahamit fëmijë edhe nga këta gurë. Sëpata është vënë tashmë në rrënjë të pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, do të pritet e do të hidhet në zjarr.»—Mateu 3:7-10.
Gjoni po bëhet gjithnjë e më i njohur, po përcjell një mesazh të fuqishëm dhe po pagëzon shumë veta. Prandaj disa priftërinj dhe levitë dërgohen tek ai dhe e pyesin: «Kush je ti?»
Gjoni pranon: «Unë nuk jam Krishti.»
«Kush je ti, pra? Elija?»—e pyesin sërish.
Ai ua kthen: «Nuk jam.»
«A je Profeti?»—vazhdojnë ata, duke iu referuar Profetit të madh që Moisiu kishte thënë se do të vinte.—Ligji i përtërirë 18:15, 18.
«Jo»,—u përgjigjet Gjoni.
Ata këmbëngulin: «Na duhet t’u kthejmë përgjigje atyre që na dërguan te ti, prandaj na thuaj, kush je? Ç’na thua për veten?» Gjoni thotë: «Unë jam zëri i dikujt që thërret në shkretëtirë: ‘Drejtojini rrugët për Jehovain’, ashtu si tha profeti Isaia.»—Gjoni 1:19-23.
Pastaj ata e pyesin: «Atëherë, pse pagëzon kur nuk je as Krishti, as Elija, as Profeti?» Gjoni jep një përgjigje goxha domethënëse: «Unë pagëzoj vetëm me ujë. Por mes jush është dikush që nuk e njihni dhe që po vjen pas meje.»—Gjoni 1:25-27.
Gjoni është i vetëdijshëm për rolin e tij: ai po përgatit udhën për Mesinë e parathënë, duke i ndihmuar njerëzit të kenë gjendjen e duhur të zemrës për të pranuar Mbretin e ardhshëm. Gjoni thotë për të: «Ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as t’i heq sandalet.» (Mateu 3:11) Madje pranon: «Ai që po vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ekzistonte para meje.»—Gjoni 1:15.
Ja pse është me vend mesazhi i Gjonit: «Pendohuni, sepse Mbretëria e qiejve është afruar.» (Mateu 3:2) Kjo shërben si një shpallje publike se Jezu Krishti, Mbreti i premtuar nga Jehovai, do të fillojë shërbimin së shpejti.