-
Kur ‘gjen një margaritar me vlerë të madhe’Kulla e Rojës—2005 | 1 Shkurt
-
-
Kur ‘gjen një margaritar me vlerë të madhe’
«Mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit nxitojnë me ngulm dhe ata që nxitojnë me ngulm përpara, po e kapin.»—MATEU 11:12.
1, 2. (a) Për cilën karakteristikë të rrallë foli Jezui në një nga shëmbëlltyrat e tij për Mbretërinë? (b) Çfarë tha Jezui në shëmbëlltyrën e margaritarit me vlerë të madhe?
A KA për ty diçka me kaq shumë vlerë, sa do të sakrifikoje gjithçka për ta pasur? Edhe pse njerëzit mund të thonë se i janë përkushtuar një qëllimi, si për shembull parave, famës, pushtetit ose pozitës në shoqëri, rrallëherë ndodh që një njeri të gjejë diçka që e dëshiron kaq shumë, sa të jetë i gatshëm të japë çdo gjë për të. Jezu Krishti foli për këtë karakteristikë të rrallë, por të admirueshme, në një nga shëmbëlltyrat e tij interesante për Mbretërinë e Perëndisë.
2 Në këtë shëmbëlltyrë ose ilustrim që Jezui ua tha vetëm dishepujve të tij, bëhet fjalë për një margaritar me vlerë të madhe. Ja çfarë tha Jezui: «Mbretëria e qiejve është si një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer. Me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe, ai iku dhe shiti menjëherë gjithçka që pati dhe e bleu.» (Mateu 13:36, 45, 46) Çfarë donte t’u mësonte Jezui dëgjuesve të tij me këtë ilustrim? Dhe, si mund të nxjerrim edhe ne dobi nga fjalët e tij?
Vlera e madhe e margaritarëve
3. Pse në lashtësi margaritarët vlerësoheshin shumë?
3 Që në lashtësi, margaritarët vlerësoheshin shumë si sende zbukurimi. Një burim komenton se, sipas studiuesit romak, Plini Plakut, margaritarët çmoheshin «mbi të gjitha gjërat e tjera me vlerë». Ndryshe nga ari, argjendi ose gurët e tjerë të çmuar, margaritarët prodhohen nga qenie të gjalla. Dihet mirë se disa lloje molusqesh kanë aftësinë t’i kthejnë materialet acaruese, si kokrrizat e rërës, në margaritarë të bukur, duke i mbështjellë me një lëndë që quhet sedef. Në lashtësi, margaritarët më të mirë mblidheshin kryesisht në Detin e Kuq, në Gjirin Persik dhe në Oqeanin Indian, pra, larg Izraelit. Pa dyshim, kjo është arsyeja pse Jezui foli për «një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer». Duheshin shumë përpjekje për të gjetur margaritarë që kishin vërtet vlerë.
4. Cilën pikë kryesore donte të theksonte Jezui në shëmbëlltyrën me tregtarin shëtitës?
4 Edhe pse margaritarët e mirë kanë qenë gjithnjë të kushtueshëm, me sa duket, ajo që donte të theksonte më shumë Jezui me këtë shëmbëlltyrë, nuk ishte vlera e tyre monetare. Aty Jezui nuk e krahasoi Mbretërinë e Perëndisë thjesht me një margaritar me vlerë të madhe. Ai e përqendroi vëmendjen te «një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer» dhe te reagimi i tij kur gjeti një të tillë. Ndryshe nga shitësi i zakonshëm, tregtari shëtitës i margaritarëve ishte ekspert në këtë fushë, kishte sy të mprehtë dhe ndjeshmërinë e duhur për t’i dalluar cilësitë estetike dhe nuancat e imëta që e bëjnë të rrallë një margaritar. Po të shihte një margaritar origjinal, ai do ta njihte menjëherë dhe nuk do të mashtrohej nga ata që kishin cilësi më të dobët ose nga imitimet.
5, 6. (a) Çfarë vlen të përmendet veçanërisht për tregtarin në shëmbëlltyrën e Jezuit? (b) Çfarë zbulon për tregtarin shëtitës ilustrimi i thesarit të fshehur?
5 Ka edhe diçka tjetër që vlen të përmendet për këtë tregtar të veçantë. Një tregtar i zakonshëm, do të llogariste së pari vlerën që do të kishte ky margaritar në treg, për të përcaktuar sa do ta blinte që të fitonte edhe për vete. Do të kishte parë edhe a kërkohej në treg ky lloj margaritari, që ta shiste kollaj. Me fjalë të tjera, do t’i interesonte të nxirrte fitime të menjëhershme nga ky investim, jo ta mbante për vete margaritarin. Por tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit nuk veproi kështu. Atij nuk i interesonin paratë ose fitimi material. Madje ishte gati të sakrifikonte ‘gjithçka që kishte’, ndoshta edhe gjithë pronat dhe zotërimet e tij, për ta blerë atë që kërkonte.
6 Për shumicën e tregtarëve, ajo që bëri tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit ishte me siguri një marrëzi. Një tregtar i shkathët as që do ta mendonte t’i hynte një sipërmarrjeje kaq të rrezikshme. Por tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit vlerësonte të tjera gjëra. Shpërblimi që i interesonte atij nuk ishte përfitimi financiar, por gëzimi dhe kënaqësia që po zotëronte diçka me vlerë të jashtëzakonshme. Kjo pikë theksohet në një ilustrim paralel të Jezuit. Ai tha: «Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu; dhe nga gëzimi shkon dhe shet gjërat që ka dhe e blen atë arë.» (Mateu 13:44) Po, gëzimi që do të ndiente kur do të zbulonte një thesar dhe do të bëhej pronar i tij, mjaftonte për ta nxitur atë njeri të hiqte dorë nga gjithçka që kishte. A ka individë të tillë sot? Dhe, a ka ndonjë thesar për të cilin ia vlen të bësh një sakrificë të tillë?
Ata që e kuptuan vlerën e madhe të Mbretërisë
7. Si tregoi Jezui se e kuptonte mirë vlerën e madhe të Mbretërisë?
7 Në kontekstin e kësaj shëmbëlltyre Jezui po fliste për ‘mbretërinë e qiejve’. Me siguri që ai e kuptonte vlerën e madhe të Mbretërisë. Tregimet e Ungjijve japin dëshmi të fuqishme për këtë fakt. Pas pagëzimit të tij në vitin 29 të e.s., Jezui «nisi të predikonte e të thoshte: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.’» Për tre vjet e gjysmë, ai u mësoi shumë njerëzve rreth Mbretërisë. I ra vendit kryq e tërthor, «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë».—Mateu 4:17; Luka 8:1.
8. Çfarë bëri Jezui për të treguar se ç’do të bëjë Mbretëria?
8 Duke kryer mrekulli të shumta në të gjithë vendin, siç ishin shërimi i të sëmurëve, ushqimi i të uriturve, nënshtrimi i elementeve të natyrës dhe ringjallja e të vdekurve, Jezui tregoi gjithashtu se çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë. (Mateu 14:14-21; Marku 4:37-39; Luka 7:11-17) Së fundi, ai e tregoi besnikërinë ndaj Perëndisë dhe ndaj Mbretërisë duke dhënë jetën, duke vdekur si martir në një shtyllë torture. Ashtu si tregtari shëtitës, që shiti me dëshirë gjithçka kishte, për ‘margaritarin me vlerë të madhe’, edhe Jezui jetoi e vdiq për Mbretërinë.—Gjoni 18:37.
9. Çfarë karakteristike të rrallë shfaqën dishepujt e parë të Jezuit?
9 Jezui nuk përqendroi vetëm jetën e tij te Mbretëria, por mblodhi edhe një grup të vogël ithtarësh. Edhe këta individë e kuptuan qartë vlerën e madhe të Mbretërisë. Ndër ta ishte edhe Andrea, i cili më parë kishte qenë dishepull i Gjon Pagëzorit. Kur dëgjoi dëshminë e Gjonit, se Jezui ishte «Qengji i Perëndisë», Andrea dhe një dishepull tjetër i Gjonit, me siguri një nga djemtë e Zebedeut që quhej gjithashtu Gjon, shkuan menjëherë te Jezui dhe u bënë besimtarë. Por nuk mbaroi me kaq. Menjëherë, Andrea shkoi tek i vëllai, Simoni, dhe i tha: «Kemi gjetur Mesinë.» Pa humbur kohë, Simoni (që u bë i njohur si Kefa ose Pjetri), Filipi dhe miku i tij Natanaeli, e pranuan Jezuin si Mesia. Madje Natanaeli u nxit të thoshte: «Ti je Biri i Perëndisë, ti je Mbret i Izraelit.»—Gjoni 1:35-49.
Nxiten për të vepruar
10. Si reaguan dishepujt kur Jezui shkoi e i thirri, ca kohë pasi ishin takuar për herë të parë me të?
10 Entuziazmi që provuan Andrea, Pjetri, Gjoni e të tjerë, kur gjetën Mesinë, mund të krahasohet me entuziazmin e tregtarit shëtitës kur gjeti margaritarin me vlerë të madhe. Ç’do të bënin tani? Ungjijtë nuk na tregojnë shumë se çfarë bënë ata menjëherë pas takimit të parë me Jezuin. Me sa duket, shumica iu rikthyen jetës normale të mëparshme. Mirëpo, gjashtë muaj a një vit më vonë, Jezui shkoi përsëri te Andrea, Pjetri, Gjoni dhe Jakovi, vëllai i Gjonit, aty ku këta punonin si peshkatarë, në Detin e Galilesë.a Kur i pa, Jezui u tha: «Ejani pas meje, dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» Cili qe reagimi? Tregimi i Mateut thotë për Pjetrin dhe Andrean: «Menjëherë, duke braktisur rrjetat, ata e ndoqën.» Kurse për Jakovin dhe Gjonin lexojmë: «Menjëherë, duke lënë barkën dhe babanë, ata e ndoqën.» Në tregimin e Lukës shtohet se ata «braktisën çdo gjë dhe e ndoqën».—Mateu 4:18-22; Luka 5:1-11.
11. Cila mund të ketë qenë arsyeja pse dishepujt iu përgjigjën menjëherë thirrjes së Jezuit?
11 Mos vallë reagimi i menjëhershëm i dishepujve ishte një vendim i marrë nga entuziazmi i çastit? Aspak! Ndonëse pas takimit të parë me Jezuin iu kthyen zanatit të tyre, peshkimit, bashkë me familjen, s’ka dyshim se ajo që panë dhe dëgjuan në atë rast u la mbresa të thella në mendje e në zemër. Muajt që kaluan u dhanë mjaft kohë për të medituar për këto gjëra. Tani kishte ardhur çasti për të vendosur. A do të ishin si tregtari shëtitës që u prek kaq shumë kur gjeti margaritarin e çmuar saqë, siç e përshkroi Jezui, ‘iku dhe menjëherë’ bëri ç’ishte e nevojshme për ta blerë atë margaritar? Po. Ajo që panë dhe dëgjuan u preku zemrën. E kuptuan se ishte koha për të vepruar. Prandaj, siç lexojmë, nuk ngurruan, por lanë gjithçka dhe u bënë ithtarë të Jezuit.
12, 13. (a) Si reaguan shumë nga ata që dëgjuan Jezuin? (b) Çfarë tha Jezui për dishepujt e tij besnikë, dhe çfarë nënkuptojnë fjalët e tij?
12 Sa ndryshe ishin këta dishepuj besnikë nga disa të tjerë që përmenden më vonë në tregimet e Ungjijve! Jezui shëroi dhe ushqeu shumë veta, por këta pastaj vazhduan punën e tyre. (Luka 17:17, 18; Gjoni 6:26) Madje disa u përpoqën të nxirrnin arsye për t’iu shmangur, kur Jezui i ftoi të bëheshin ithtarë të tij. (Luka 9:59-62) Në dallim me këta, për dishepujt e tij besnikë Jezui tha më vonë: «Që nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tani, mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit nxitojnë me ngulm dhe ata që nxitojnë me ngulm përpara, po e kapin.»—Mateu 11:12.
13 Çfarë nënkuptojnë shprehjet «nxitojnë me ngulm» dhe «nxitojnë me ngulm përpara»? Për foljen greke nga e cila rrjedhin këto shprehje, një fjalor thotë: «Folja tregon përpjekje të fuqishme.» (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Kurse për këtë varg, studiuesi biblik Hajnrih Mejer thotë: «Kështu përshkruhen përpjekjet e zellshme dhe të pandalshme për mbretërinë Mesianike që po afrohet . . . Kaq i zjarrtë dhe energjik (jo më i qetë dhe në pritje) është interesi për mbretërinë.» Ashtu si tregtari shëtitës, këta pak individë e kuptuan menjëherë çfarë kishte vërtet vlerë, dhe pastaj, për hir të Mbretërisë, lanë me gatishmëri gjithçka që kishin.—Mateu 19:27, 28; Filipianëve 3:8.
Në kërkim bashkohen edhe të tjerë
14. Si i përgatiti Jezui apostujt për veprën e predikimit të Mbretërisë, dhe me çfarë rezultati?
14 Ndërkohë që vazhdonte shërbimin, Jezui stërviti e ndihmoi edhe të tjerë që të përpiqeshin për interesat e Mbretërisë. Së pari, zgjodhi 12 nga dishepujt e tij dhe i emëroi apostuj ose të dërguar prej tij. Këtyre, Jezui u dha udhëzime të hollësishme se si ta kryenin shërbimin, dhe i paralajmëroi për vështirësitë që i prisnin. (Mateu 10:1-42; Luka 6:12-16) Për pak a shumë dy vjet, ata e shoqëruan Jezuin anekënd vendit në udhëtimet e predikimit, duke qenë në shoqëri të ngushtë me të. Dëgjuan fjalët që tha, panë me sytë e tyre veprat e fuqishme që bëri dhe vërejtën shembullin që la. (Mateu 13:16, 17) Me siguri, e gjithë kjo i preku thellë, kështu që, si tregtari shëtitës, ishin të zellshëm dhe punuan me gjithë zemër për interesat e Mbretërisë.
15. Sipas Jezuit, ç’arsye të fortë kishin ithtarët e tij për t’u gëzuar?
15 Përveç 12 apostujve, Jezui «caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i dërgoi përpara vetes dy e nga dy në çdo qytet dhe vend ku do të shkonte vetë». Edhe këtyre u foli për sprovat e vështirësitë që i prisnin dhe i udhëzoi t’u thoshin njerëzve: «Mbretëria e Perëndisë ju është afruar.» (Luka 10:1-12) Kur këta të 70-të u kthyen, ishin jashtë mase të gëzuar dhe i thanë Jezuit: «Zotëri, edhe demonët na janë nënshtruar duke përdorur emrin tënd.» Por me siguri duhet të jenë habitur kur Jezui u zbuloi se, për shkak të zellit të tyre për Mbretërinë, i priste një gëzim edhe më i madh. Ai u tha: «Mos gëzoni për këtë, që frymërat ju janë nënshtruar, por gëzoni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.»—Luka 10:17, 20.
16, 17. (a) Çfarë u tha Jezui apostujve besnikë natën e fundit që ishte me ta? (b) Çfarë gëzimi dhe sigurie u dhanë apostujve fjalët e Jezuit?
16 Pastaj, natën e fundit që ishte me apostujt, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui themeloi një darkë, e cila u bë e njohur si Darka e Zotërisë, dhe i urdhëroi që ta përkujtonin këtë ngjarje. Gjatë mbrëmjes, Jezui u tha 11 apostujve që mbetën: «Ju jeni ata që keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia; dhe unë bëj me ju një besëlidhje, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.»—Luka 22:19, 20, 28-30.
17 Sa të gëzuar e të kënaqur duhet të jenë ndier apostujt, kur kanë dëgjuar këto fjalë të Jezuit! Po u ofrohej nderi dhe privilegji më i madh që mund të ketë një njeri. (Mateu 7:13, 14; 1 Pjetrit 2:9) Ashtu si tregtari shëtitës, ata kishin lënë pas shumë gjëra për të ndjekur interesat e Mbretërisë. Tani iu dha siguria se sakrificat që kishin bërë deri atëherë nuk kishin shkuar dëm.
18. Cilët do të nxirrnin dobi nga Mbretëria, përveç 11 apostujve?
18 Apostujt që ishin me Jezuin atë natë nuk ishin të vetmit që do të nxirrnin dobi nga Mbretëria. Sipas vullnetit të Jehovait, do të ishin gjithsej 144.000 veta që do të merrnin pjesë në besëlidhjen e Mbretërisë si bashkësundimtarë me Jezu Krishtin në Mbretërinë e lavdishme qiellore. Veç kësaj, në vegim apostulli Gjon pa ‘një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, që qëndronte përpara fronit dhe përpara Qengjit, duke thënë: “Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron dhe Qengjit.”’ Këta janë nënshtetasit tokësorë të Mbretërisë.b—Zbulesa 7:9, 10; 14:1, 4.
19, 20. (a) Cilën mundësi kanë njerëzit e të gjitha kombeve? (b) Cila pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues?
19 Pak para se të ngjitej në qiell, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij besnikë: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:19, 20) Pra, njerëz nga të gjitha kombet do të bëheshin dishepuj të Jezu Krishtit. Ashtu siç bëri tregtari shëtitës me margaritarin e shkëlqyer, edhe këta do ta kishin shumë për zemër Mbretërinë, cilido të ishte shpërblimi i tyre, në qiell ose në tokë.
20 Fjalët e Jezuit tregojnë se vepra e bërjes së dishepujve do të vazhdonte deri në «përfundimin e sistemit». Atëherë, a ka në ditët tona individë si tregtari shëtitës, që janë gati të japin gjithçka për të ndjekur interesat e Mbretërisë së Perëndisë? Kjo pyetje do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Gjoni, djali i Zebedeut, mund ta ketë ndjekur nga pas Jezuin dhe mund të ketë parë disa gjëra që bëri ai pas këtij takimi të parë. Kjo i ka dhënë mundësinë Gjonit që t’i dokumentonte me kaq forcë këto ngjarje në tregimin e Ungjillit që mban emrin e tij. (Gjoni, kapitujt 2-5) Megjithatë, për pak kohë para se ta thërriste Jezui, edhe ai iu kthye peshkimit, me të cilin merrej familja e tij.
b Për më shumë hollësi, shih kapitullin 10 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
-
-
Përpjekjet e sotme për ‘margaritarin me vlerë të madhe’Kulla e Rojës—2005 | 1 Shkurt
-
-
Përpjekjet e sotme për ‘margaritarin me vlerë të madhe’
«Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—MATEU 24:14.
1, 2. (a) Çfarë mendonin judenjtë e kohës së Jezuit për Mbretërinë e Perëndisë? (b) Çfarë bëri Jezui për t’u dhënë kuptueshmëri të saktë për Mbretërinë dhe cilat qenë rezultatet?
NË KOHËN kur Jezui erdhi në tokë, Mbretëria e Perëndisë ishte një argument me shumë interes për judenjtë. (Mateu 3:1, 2; 4:23-25; Gjoni 1:49) Megjithatë, në fillim, shumica prej tyre nuk e kuptonin plotësisht deri ku do të shtrihej sundimi i saj dhe si do ta ushtronte autoritetin. Nuk e kuptonin as që ajo do të ishte një qeveri qiellore. (Gjoni 3:1-5) Edhe disa që u bënë ithtarë të Jezuit nuk e kuptuan plotësisht se çfarë ishte Mbretëria e Perëndisë ose çfarë duhej të bënin për t’u miratuar si bashkësundimtarë me Krishtin.—Mateu 20:20-22; Luka 19:11; Veprat 1:6.
2 Me kalimin e kohës, Jezui me durim u dha dishepujve shumë mësime, përfshirë edhe shëmbëlltyrën e margaritarit me vlerë të madhe, që shqyrtuam në artikullin e mëparshëm. Me këto mësime u tregoi sa e rëndësishme ishte që të përpiqeshin të ndiqnin interesat e Mbretërisë qiellore. (Mateu 6:33; 13:45, 46; Luka 13:23, 24) Kjo duhet t’ua ketë prekur thellë zemrën, sepse s’kaloi shumë dhe u bënë predikues të palodhur e të guximshëm të lajmit të mirë të Mbretërisë, deri në skajet më të largëta të tokës, e për këtë dëshmohet gjerësisht në librin e Veprave.—Veprat 1:8; Kolosianëve 1:23.
3. Çfarë tha Jezui për Mbretërinë, duke iu referuar kohës sonë?
3 Po sot? Bekimet që do të jenë në parajsën tokësore, nën sundimin e kësaj Mbretërie, po u predikohen miliona njerëzve. Në profecinë madhështore për ‘përfundimin e sistemit’, Jezui tha në mënyrë specifike: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:3, 14; Marku 13:10) Jezui shpjegoi edhe se kjo detyrë e jashtëzakonshme do të kryhet, pavarësisht nga pengesat e mëdha, përndjekja apo sfidat që mund të vijnë. Megjithatë, dha këtë siguri: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë.» (Mateu 24:9-13) E gjithë kjo kërkon frymën e vetëmohimit dhe të përkushtimit që shfaqi tregtari shëtitës në shëmbëlltyrën që tha Jezui. A ka sot individë që tregojnë këtë lloj besimi dhe zelli për veprën e Mbretërisë?
Gëzimi kur gjen të vërtetën
4. Ç’ndikim ka sot te njerëzit e vërteta e Mbretërisë?
4 Tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit u gëzua jashtë mase kur gjeti një «margaritar» që e kuptoi se ishte «me vlerë të madhe». Ky gëzim e motivoi të bënte gjithçka që kishte në dorë, për ta marrë atë margaritar. (Hebrenjve 12:1) Sot, e vërteta për Perëndinë dhe për Mbretërinë e tij, po ashtu i tërheq dhe i motivon njerëzit. Kjo na sjell ndër mend fjalët e vëllait A. H. Mekmilën, i cili i tregoi përpjekjet e tij për të njohur Perëndinë dhe qëllimin e Tij për njerëzimin, në librin Besimi që ecën përpara (anglisht). Ai tha: «Atë që gjeta unë, po e gjejnë edhe mijëra të tjerë çdo vit. Këta janë njerëz të zakonshëm si unë dhe ti, vijnë nga çdo komb, racë, shtresë shoqërore dhe grup-moshë. E vërteta nuk bën dallime, ajo tërheq çdo lloj njeriu.»
5. Çfarë rezultatesh të mira shohim në raportin për vitin e shërbimit 2004?
5 Këto fjalë janë të vërteta, dhe kjo shihet ngaqë, vit për vit, të nxitur nga lajmi i mirë i Mbretërisë, qindra mijë individë me zemër të sinqertë ia kushtojnë jetën Jehovait dhe bëjnë vullnetin e tij. Viti i shërbimit 2004, që filloi në shtator 2003 dhe mbaroi në gusht 2004, nuk bën përjashtim. Në këta 12 muaj, 262.416 veta e simbolizuan para të tjerëve kushtimin e tyre ndaj Jehovait, duke u pagëzuar në ujë. Kjo u bë në 235 vende, në të cilat Dëshmitarët e Jehovait po drejtojnë çdo javë 6.085.387 studime biblike, për t’i ndihmuar njerëzit nga çdo shtresë shoqërore dhe nga çdo komb, fis e gjuhë, të marrin të vërtetën jetëdhënëse të Fjalës së Perëndisë.—Zbulesa 7:9.
6. Si është bërë e mundur rritja e vazhdueshme gjatë viteve?
6 Si është arritur e gjithë kjo? S’ka asnjë dyshim se është Jehovai ai që i tërheq këta individë të prirur drejt jetës së përhershme. (Gjoni 6:65; Veprat 13:48) Megjithatë, s’duhet minimizuar fryma vetëmohuese dhe përpjekjet e palodhura të atyre që kanë shpenzuar nga vetja për veprën e Mbretërisë. Kur ishte 79 vjeç, vëlla Mekmilëni shkroi: «Që nga koha kur mësova për herë të parë rreth premtimeve që i bëhen njerëzimit, që sot sëmuret e vdes, shpresa ime në atë që ka zbuluar mesazhi i Biblës, nuk është venitur. Që nga ai çast, vendosa të zbuloja më shumë për mësimet e Biblës, që të ndihmoja edhe të tjerë si unë, të cilët po kërkojnë të njohin Perëndinë e Plotfuqishëm, Jehovain, dhe qëllimet e tij të mira për njerëzimin.»
7. Cila përvojë ilustron gëzimin dhe zellin që ndiejnë ata që gjejnë të vërtetën biblike?
7 Ky zell shihet edhe sot te shërbëtorët e Jehovait. Le të flasim, për shembull, për Danielën nga Vjena, Austri. Ajo tha: «Që kur kam qenë e vogël, Perëndia ka qenë miku im më i ngushtë. Gjithnjë kam dashur ta njihja emrin e tij, sepse fjala ‘Perëndi’ më tingëllonte tepër e ftohtë. Por më duhej të prisja deri në moshën 17-vjeçare, kur më erdhën në shtëpi Dëshmitarët e Jehovait. Ata më shpjeguan gjithçka që doja të dija për Perëndinë. Më në fund kisha gjetur të vërtetën, dhe sa e mrekullueshme që ishte ajo! Isha kaq entuziaste, saqë fillova t’i predikoja kujtdo.» Shumë shpejt, ky zell bëri që shokët e klasës ta tallnin. «Megjithatë, për mua ishte sikur të shihja përmbushjen e profecive të Biblës, sepse kisha mësuar që Jezui tha se ithtarët e tij do t’i urrenin dhe do t’i përndiqnin për shkak të emrit të tij. Isha shumë e lumtur dhe e mahnitur»,—vazhdoi Daniela. S’kaloi shumë kohë dhe ajo ia kushtoi jetën Jehovait, u pagëzua dhe filloi të përparonte drejt synimit të saj për t’u bërë misionare. Pasi u martua, së bashku me të shoqin, Helmutin, filluan të predikonin ndër popullsitë afrikane, filipinase, kineze dhe indiane në Vjenë. Tani Daniela dhe Helmuti shërbejnë si misionarë në Afrikën Jugperëndimore.
Ata nuk dorëzohen
8. Cila është një mënyrë e kënaqshme se si e kanë treguar shumë veta dashurinë për Perëndinë dhe besnikërinë ndaj Mbretërisë së tij?
8 Vërtet, shërbimi misionar është një mënyrë se si po e tregojnë sot shërbëtorët e Jehovait dashurinë për të dhe besnikërinë ndaj Mbretërisë së tij. Si tregtari në shëmbëlltyrën e Jezuit, ata që ndërmarrin këtë shërbim janë të gatshëm të shkojnë në vende të largëta për hir të Mbretërisë. Është e qartë se këta misionarë nuk po udhëtojnë për të gjetur lajmin e mirë të Mbretërisë, por për t’ua çuar këtë lajm njerëzve që jetojnë në skajet më të largëta të tokës, duke i mësuar dhe duke i ndihmuar të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit. (Mateu 28:19, 20) Në shumë vende u duhet të durojnë vështirësi të mëdha. Por qëndrueshmëria e tyre shpërblehet shumë.
9, 10. Çfarë përvojash të bukura kanë pasur misionarët në vende të largëta, siç është Republika e Afrikës Qendrore?
9 Le të marrim, për shembull, Republikën e Afrikës Qendrore, ku vitin e kaluar pati 16.184 të pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, shtatë herë më shumë se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në atë vend. Meqë në shumë pjesë të atij vendi s’ka energji elektrike, njerëzit zakonisht i bëjnë punët e përditshme përjashta, nën hijen e ndonjë peme. Prandaj është më se e natyrshme që edhe misionarët ta bëjnë kështu predikimin e tyre, pra, të drejtojnë studime biblike përjashta, ulur nën një pemë. Në ajër të pastër jo vetëm që ka më shumë dritë dhe është më freskët, por ka edhe një përparësi tjetër. Njerëzit aty kanë një dashuri të madhe për Biblën, dhe bisedat për çështjet fetare janë po aq të zakonshme, sa ç’janë edhe bisedat për sportin e për motin në kultura të tjera. Shpesh kalimtarët, kur shohin çfarë po bëhet, vijnë dhe ulen për të dëgjuar studimin.
10 Kështu, kur një misionar po drejtonte një studim biblik përjashta, një i ri që banonte në anën tjetër të rrugës u afrua dhe i tha se në shtëpinë e tij s’kishte shkuar njeri. Prandaj, i kërkoi misionarit të shkonte dhe të studionte Biblën edhe me të. Vetëkuptohet që misionari ia plotësoi me kënaqësi kërkesën, dhe tani ky i ri po bën përparim të shpejtë. Në këtë vend, policia i ndalon shpesh Dëshmitarët në rrugë, por jo për t’i gjobitur, po për t’u kërkuar numrat e fundit të Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni! a për t’i falënderuar për ndonjë artikull që u ka pëlqyer në veçanti.
11. Çfarë mendojnë misionarët me shumë përvojë për shërbimin e tyre, pavarësisht nga sprovat?
11 Shumë nga ata që e kanë filluar shërbimin misionar 40 ose 50 vjet më parë, po shërbejnë ende si të tillë me besnikëri. Këta janë shembuj të shkëlqyer besimi e qëndrueshmërie për të gjithë ne. Për 42 vjet një çift, burrë e grua, kanë shërbyer së bashku si misionarë në tri vende. Burri thotë: «Kemi pasur edhe kohë të vështira. Për shembull, kemi luftuar me malarjen për 35 vjet. Megjithatë, kurrë nuk na ka ardhur keq që vendosëm të bëheshim misionarë.» E shoqja shton: «Gjithnjë kemi pasur shumë gjëra për të qenë mirënjohës. Shërbimi na kënaq jashtë mase, dhe këtu është shumë e lehtë të fillosh studime biblike. Kur shohim që studentët vijnë në mbledhje dhe njihen me njëri-tjetrin, duket sikur një familje e madhe është mbledhur së bashku.»
Ata ‘e konsiderojnë çdo gjë si një humbje’
12. Si tregohet çmueshmëria e vërtetë për vlerën e Mbretërisë?
12 Kur gjeti margaritarin me vlerë të madhe, tregtari shëtitës «iku dhe shiti menjëherë gjithçka që pati dhe e bleu». (Mateu 13:46) Gatishmëria për të hequr dorë nga gjithçka që mund të konsiderohet me shumë vlerë, është karakteristikë tipike e atyre që e kuptojnë vërtet vlerën e Mbretërisë. Apostulli Pavël, që do të ishte bashkë me Krishtin në lavdinë e Mbretërisë, tha: «E konsideroj çdo gjë si një humbje për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij kam pranuar humbjen e çdo gjëje dhe i konsideroj ato si shumë plehra, që të fitoj Krishtin.»—Filipianëve 3:8.
13. Si e tregoi dashurinë për Mbretërinë një njeri në Republikën Çeke?
13 Në të njëjtën mënyrë, shumë veta sot janë gati të bëjnë ndryshime të mëdha në jetë, për të marrë bekimet e Mbretërisë. Për shembull, në tetor të vitit 2003, drejtorit 60-vjeçar të një shkolle në Republikën Çeke, i ra në dorë libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme, që përdoret për të studiuar Biblën. Pasi e lexoi, ai u lidh menjëherë me Dëshmitarët e Jehovait në zonën e tij, për të studiuar Biblën me ta. Bëri përparim frymor dhe shumë shpejt filloi t’i ndiqte të gjitha mbledhjet. Mirëpo, ç’do të bënte me planet e tij që të vinte kandidaturën për kryetar bashkie dhe t’i hynte garës për t’u zgjedhur senator? Ai vendosi të fillonte një garë tjetër, garën për jetë, si një lajmëtar i Mbretërisë. «Arrita t’u lija gjithë atë literaturë biblike studentëve të mi»,—tha. Më pas, e simbolizoi kushtimin ndaj Jehovait me pagëzim në ujë, në një kongres që u mbajt në korrik të vitit 2004.
14. (a) Çfarë kanë bërë miliona veta, nga dashuria për lajmin e mirë të Mbretërisë? (b) Çfarë pyetjesh kthjelluese mund t’i bëjë vetes secili prej nesh?
14 Miliona të tjerë anembanë botës i janë përgjigjur në mënyrë të ngjashme lajmit të mirë të Mbretërisë. Ata kanë dalë nga kjo botë e ligë, kanë hequr personalitetin e vjetër, kanë shkëputur lidhjet me shoqëritë e vjetra dhe kanë hequr dorë nga synimet që kishin në botë. (Gjoni 15:19; Efesianëve 4:22-24; Jakovi 4:4; 1 Gjonit 2:15-17) Përse e kanë bërë gjithë këtë? Sepse bekimet e Mbretërisë së Perëndisë i vlerësojnë më shumë se çdo gjë tjetër që mund t’u ofrojë ky sistem. A ndihesh edhe ti kështu për lajmin e mirë të Mbretërisë? A të motivon kjo të bësh ndryshimet e nevojshme për ta vënë jetën, vlerat dhe synimet e tua, në harmoni me atë që kërkon Jehovai? Kjo do të të sjellë bekime të shumta tani dhe në të ardhmen.
Korrja arrin pikën kulmore
15. Çfarë ishte profetizuar për popullin e Perëndisë në ditët e fundit?
15 Psalmisti shkroi: «Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd.» Ndër ata që janë afruar vullnetarisht përfshihen edhe ‘vesa e rinisë’, bashkë me ‘një ushtri të madhe’ me «gratë që shpallin lajmin e mirë». (Psalmi 68:11, BR; 110:3) Cili ka qenë rezultati i zellit dhe i frymës vetëmohuese që kanë treguar shërbëtorët e Jehovait, burra e gra, të rinj e të moshuar, në këto ditë të fundit?
16. Jepni një shembull se si shërbëtorët e Perëndisë kanë vënë synime për të ndihmuar të tjerët që të mësojnë për Mbretërinë.
16 Një pioniere ose lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë, në Indi, pyeste veten si mund të ndihmoheshin më shumë se dy milionë njerëz të atij vendi që s’dëgjojnë, për të mësuar për Mbretërinë. (Isaia 35:5) Vendosi të bënte një kurs në Bangallur për të mësuar gjuhën e shenjave. Atje arriti t’u fliste për shpresën e Mbretërisë shumë njerëzve që s’dëgjojnë, dhe kështu u formuan grupe për studimin e Biblës. Brenda disa javësh, më shumë se dymbëdhjetë veta filluan të ndiqnin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Më vonë, në një dasmë, pionierja takoi një djalë të ri nga Kalkuta, që s’dëgjonte. Ai kishte shumë pyetje dhe njëkohësisht interes të madh për të ditur më tepër për Jehovain. Mirëpo, kishte një problem. I riu duhej të kthehej në Kalkutë për të filluar shkollën, rreth 1.600 kilometra larg Bangallurit, dhe atje nuk kishte Dëshmitarë që të dinin gjuhën e shenjave. Pas shumë përpjekjesh, ai e bindi të atin që ta lejonte të shkonte në një shkollë në Bangallur, nga ku mund të vazhdonte studimin e Biblës. Bëri përparim të shpejtë frymor dhe, pas afro një viti, ia kushtoi jetën Jehovait. Pastaj studioi Biblën me disa individë të tjerë që s’dëgjojnë, duke përfshirë edhe një shokun e tij të fëmijërisë. Tani zyra e degës në Indi po merr masa që disa pionierë të mësojnë gjuhën e shenjave, për të ndihmuar në këtë fushë.
17. Tregoni çfarë ju inkurajoi në mënyrë të veçantë nga raporti për vitin e shërbimit 2004, që gjendet në faqet 19 deri 22.
17 Në faqet 19 deri 22 të kësaj reviste do të gjeni raportin mbarëbotëror të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin e shërbimit 2004. Ndalu pak dhe shqyrto këtë raport, që të shohësh vetë dëshmitë se shërbëtorët e Jehovait anekënd tokës sot, i kanë përqendruar plotësisht përpjekjet e tyre për «margaritarin me vlerë të madhe».
Vazhdoni të «kërkoni më parë mbretërinë»
18. Cilin informacion nuk përfshiu Jezui në shëmbëlltyrën e tregtarit shëtitës, dhe përse jo?
18 Duke iu rikthyer edhe një herë shëmbëlltyrës për tregtarin shëtitës, vërejmë se Jezui nuk tha se si do t’ia bënte tregtari për të jetuar, pasi të kishte shitur gjithçka. Normalisht, disa mund të pyesin: ‘Si do t’i siguronte ky tregtar ushqimin, veshjen dhe strehimin, tani që s’kishte më asgjë të vënë mënjanë? Ç’të mirë do t’i sillte ai margaritar i çmuar?’ Këto pyetje do të ishin të arsyeshme nga pikëpamja njerëzore. Por, a nuk i nxiti Jezui dishepujt e tij: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:31-33) Pika kryesore në këtë shëmbëlltyrë është që duhet të tregojmë përkushtim me gjithë shpirt ndaj Perëndisë dhe zell për Mbretërinë e tij. A mund të mësojmë diçka nga kjo?
19. Ç’mësim kyç nxjerrim nga shëmbëlltyra e Jezuit për margaritarin me vlerë të madhe?
19 Ndoshta sapo kemi mësuar për lajmin e mirë të mrekullueshëm ose ndoshta kemi vite të tëra që vazhdojmë veprën e Mbretërisë dhe u flasim të tjerëve për bekimet e saj. Sidoqoftë, duhet të vazhdojmë ta mbajmë Mbretërinë në qendër të interesave dhe të vëmendjes sonë. Këto janë kohë të vështira, por ne kemi arsye të forta për të besuar se ajo për të cilën po përpiqemi është reale dhe s’ka të krahasuar me asgjë tjetër, ashtu si ai margaritar që gjeti tregtari. Ngjarjet botërore dhe profecitë e përmbushura të Biblës na japin prova bindëse se po jetojmë në ‘përfundim të sistemit’. (Mateu 24:3) Ashtu si ai tregtar shëtitës, le të tregojmë plotësisht zell për Mbretërinë e Perëndisë dhe të gëzojmë për privilegjin që të shpallim lajmin e mirë!—Psalmi 9:1, 2.
-