BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • kr kap. 10 f. 100-107
  • Mbreti rafinon frymësisht popullin e tij

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mbreti rafinon frymësisht popullin e tij
  • Mbretëria e Perëndisë qeveris!
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pastron «bijtë e Levit»
  • «Qëndroni të pastër»
  • A duhet t’i festojnë Krishtlindjet të krishterët?
  • A duhet ta përdorin kryqin të krishterët?
  • Ndahen «të ligjtë nga të drejtët»
  • Rrënjët e Krishtlindjeve moderne
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • A janë Krishtlindjet për të krishterët?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2017
  • Krishtlindjet: Përse edhe në Lindje?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Krishtlindjet: Ku përqendrohen?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Mbretëria e Perëndisë qeveris!
kr kap. 10 f. 100-107

KAPITULLI 10

Mbreti rafinon frymësisht popullin e tij

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Si dhe pse i ka rafinuar e pastruar frymësisht Jezui dishepujt

1-3. Çfarë bëri Jezui kur pa se tempulli ishte i ndotur?

JEZUI e respektonte shumë tempullin në Jerusalem, sepse e dinte që tempulli kishte qenë për një kohë të gjatë qendra e adhurimit të vërtetë në tokë. Ky adhurim​—adhurimi i Perëndisë së shenjtë, Jehovait—​duhet të jetë i pastër dhe i kulluar. Imagjino si u ndie Jezui kur shkoi në tempull më 10 nisan të vitit 33 të e.s., dhe pa se ishte i ndotur. Çfarë po ndodhte?​—Lexo Mateun 21:12, 13.

2 Në oborrin e jojudenjve, tregtarë lakmitarë dhe këmbyes parash po përfitonin nga adhuruesit që vinin në tempull për t’i paraqitur blatime Jehovait.a Jezui i «flaku jashtë të gjithë ata që shitnin e blinin atje, [dhe] përmbysi tryezat e këmbyesve të parave». (Krahaso Neheminë 13:7-9.) Ai i dënoi këta njerëz egoistë, se e kishin kthyer shtëpinë e Atit në «shpellë kusarësh». Kështu Jezui tregoi se e respektonte tempullin dhe Atë që adhurohej në të. Adhurimi ndaj Atit duhej mbajtur i pastër!

3 Shekuj më vonë, pasi u emërua Mbret mesianik, Jezui pastroi përsëri një tempull. Në këtë tempull përfshihet kushdo që dëshiron ta adhurojë Jehovain në mënyrë të pranueshme. Cilin tempull pastroi?

Pastron «bijtë e Levit»

4, 5. (a) Si u rafinuan dhe u pastruan dishepujt e mirosur të Krishtit nga viti 1914 deri në fillim të 1919-s? (b) A mbaroi këtu rafinimi dhe pastrimi i popullit të Perëndisë? Shpjego.

4 Siç e pamë në kapitullin 2, pasi u kurorëzua Mbret më 1914, së bashku me të Atin, Jezui erdhi të hetonte tempullin frymor​—rregullimin për adhurimin e pastër.b Si rezultat i këtij hetimi, Mbreti pa se të mirosurit e krishterë, «bijtë e Levit», kishin nevojë për ca rafinim dhe pastrim. (Mal. 3:1-3) Nga viti 1914 deri në fillim të 1919-s, Rafinuesi, Jehovai, lejoi që populli i tij të kalonte sprova dhe vështirësi të ndryshme, të cilat e rafinuan dhe e pastruan. Sa mirë që ata të mirosur dolën nga sprovat e zjarrta më të pastër dhe të paduruar për të treguar se e mbështetnin Mbretin mesianik!

5 A mbaroi këtu rafinimi dhe pastrimi i popullit të Perëndisë? Jo. Gjatë ditëve të fundit, Jehovai me anë të Mbretit mesianik i ka ndihmuar dishepujt të jenë të pastër, që të qëndrojnë në tempullin frymor. Në dy kapitujt në vijim do të shohim si i ka rafinuar nga ana morale dhe organizative. Megjithatë, së pari le të flasim për pastrimin frymor. Është besimforcuese të shqyrtojmë atë që ka bërë Jezui​—si në mënyra që dallohen qartë, edhe në ato që nuk bien në sy—​për t’i ndihmuar dishepujt të jenë të pastër frymësisht.

«Qëndroni të pastër»

6. Si na ndihmojnë urdhërimet që u dha Jehovai judenjve të mërguar të kuptojmë çfarë përfshin pastërtia frymore?

6 Çfarë është pastërtia frymore? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë fjalët që u tha Jehovai judenjve të mërguar pak para se të iknin nga Babilonia, në vitin 537 p.e.s. (Lexo Isainë 52:11.) Të mërguarit po ktheheshin në shtëpinë e tyre, në Jerusalem, kryesisht që të rindërtonin tempullin dhe të rivendosnin adhurimin e vërtetë. (Ezd. 1:2-4) Jehovai donte që populli i tij të linte pas çdo gjurmë të fesë babilonase. Vër re se u dha një sërë urdhërimesh: «mos prekni asgjë të papastër», «dilni prej saj» dhe «qëndroni të pastër». Adhurimi i kulluar i Jehovait nuk duhet njollosur me adhurimin e rremë. Cili është përfundimi? Pastërtia frymore përfshin t’u qëndrojmë larg mësimeve dhe praktikave të fesë së rreme.

7. Përmes cilit kanal i ka ndihmuar Jezui dishepujt të jenë të pastër frymësisht?

7 Pak pasi u bë Mbret, Jezui vendosi një kanal që dallohej qartë, përmes të cilit i ka ndihmuar dishepujt të jenë të pastër frymësisht. Ky kanal është skllavi i besueshëm dhe i matur që Krishti e emëroi më 1919. (Mat. 24:45) Në këtë vit, Studentët e Biblës tashmë ishin pastruar nga shumë mësime të rreme fetare. Prapëseprapë, ende kishin nevojë të pastroheshin frymësisht. Me anë të skllavit të besueshëm, Krishti i ndriçoi gradualisht dishepujt për zakone dhe praktika të ndryshme që duhej t’i braktisnin. (Prov. 4:18) Le të shqyrtojmë disa shembuj.

A duhet t’i festojnë Krishtlindjet të krishterët?

8. Çfarë kishin dalluar prej kohësh Studentët e Biblës rreth Krishtlindjeve, por çfarë nuk kuptuan qartë?

8 Studentët e Biblës e dalluan shpejt se Krishtlindjet kanë origjinë pagane dhe se Jezui nuk lindi më 25 dhjetor. Kulla e Rojës e Sionit, dhjetor 1881 (angl.), pohoi: «Miliona anëtarë të kishës erdhën nga paganizmi. Por ndryshuan vetëm emrin, sepse priftërinjtë paganë u bënë priftërinj të krishterë dhe festat pagane morën emra të krishterë​—Krishtlindjet janë një prej tyre.» Më 1883 Kulla e Rojës trajtoi temën «Kur lindi Jezui?» dhe arsyetoi se lindi aty nga fillimi i tetorit.c Gjithsesi, Studentët e Biblës në atë kohë s’e kuptuan që Krishtlindjet nuk duheshin festuar më, madje edhe familja Bethel në Bruklin vazhdoi t’i festonte. Sidoqoftë gjërat filluan të ndryshonin pas vitit 1926. Pse?

9. Çfarë kuptuan Studentët e Biblës për Krishtlindjet?

9 Nga shqyrtimi i hollësishëm dhe i kujdesshëm që i bënë këtij argumenti, Studentët e Biblës kuptuan se origjina dhe praktikat që lidheshin me Krishtlindjet në të vërtetë nuk e nderonin Jehovain. Artikulli «Origjina e Krishtlindjeve» te revista Epoka e artë e 14 dhjetorit 1927 (angl.), vërejti se Krishtlindjet janë festë pagane, përqendrohen te kënaqësitë dhe përfshijnë adhurimin e idhujve. Artikulli e bëri të qartë se festimi nuk ishte urdhëruar nga Jezui dhe e përmblodhi me këtë pohim të goditur: «Fakti që bota, mishi dhe Djalli e mbështetin amshimin dhe kremtimin e saj, është provë përfundimtare se, kush i është kushtuar plotësisht shërbimit të Jehovait, nuk duhet ta festojë.» S’është çudi që familja Bethel nuk i festoi Krishtlindjet atë dhjetor​—e kurrë më!

«KRISHTLINDJET: ORIGJINA DHE QËLLIMI»

NË DHJETOR 1928, vëlla Riçard H. Barberi (i qarkuar majtas) mbajti në radio një fjalim të fuqishëm për temën e Krishtlindjeve. Fjalimi u botua te revista Epoka e artë e 12 dhjetorit 1928 (angl.), me titullin «Krishtlindjet: Origjina dhe qëllimi». Disa citime të atij fjalimi janë më poshtë:

  • «Satanai . . . i ka mësuar njerëzit t’i japin më tepër rëndësi lindjes së foshnjës Jezu, sesa vdekjes së njeriut Jezu, që të fshehë rëndësinë e shpërblesës.»

  • «Të gjithë janë të vetëdijshëm se gjatë periudhës së Krishtlindjeve mbizotërojnë mungesa e seriozitetit, shthurjet, dehjet dhe ahengjet e shfrenuara. . . . Patjetër që asnjëra nga këto nuk e nderon as Perëndinë Jehova, as Birin e tij.»

  • «Djalli ia ka dalë mbanë të rrënjosë në kishë kremtimet e veta të rreme, ditët e festave, ditët e agjërimit dhe ditët e shenjta. . . . Djalli i ka bërë njerëzit t’i përvetësojnë intrigat e tij të liga dhe të quhen të krishterë, që të tallet me Jehovain, Perëndinë e Madh.»

Familja Bethel duke festuar për herë të fundit Krishtlindjet më 1926, Riçard H. Barberi i qarkuar

Hera e fundit që Krishtlindjet u festuan në Bethelin e Bruklinit, 1926

10. (a) Cili demaskim i hapur rreth Krishtlindjeve u paraqit në dhjetor 1928? (Shih edhe kutinë «Krishtlindjet: Origjina dhe qëllimi».) (b) Si u paralajmërua populli i Perëndisë rreth festave e kremtimeve të tjera që duheshin shmangur? (Shih kutinë «Demaskojnë festa e kremtime të tjera».)

10 Vitin pasues, Studentët e Biblës i demaskuan edhe më hapur Krishtlindjet. Më 12 dhjetor 1928, vëlla Riçard H. Barberi, anëtar i personelit të selisë botërore, mbajti një fjalim në radio që ia çori maskën origjinës së papastër të kësaj feste. Si iu përgjigj populli i Perëndisë drejtimit të qartë nga skllavi i besueshëm? Duke kujtuar kohën kur ai dhe familja e tij nuk i festuan më Krishtlindjet, vëlla Çarls Brandlini tha: «A e kishim problem të hiqnim dorë nga këto praktika pagane? Kurrsesi! . . . Ishte sikur të zhvishnim një rrobë të fëlliqur e ta flaknim tutje.» Edhe vëlla Henri A. Kantuelli, që më pas shërbeu si mbikëqyrës udhëtues, shfaqi të njëjtin qëndrim: «Ishim të kënaqur të hiqnim dorë nga diçka, që t’i tregonim dashurinë tonë Jehovait.» Dishepujt besnikë të Krishtit ishin të gatshëm të bënin ndryshimet e nevojshme dhe të mos merrnin më pjesë në një festë që e kishte origjinën nga adhurimi i ndotur.d​—Gjoni 15:19; 17:14.

11. Si mund të tregojmë se e përkrahim Mbretin mesianik?

11 Ç’shembull të shkëlqyer na lanë këta Studentë të Biblës besnikë! Ndërsa mendojmë për shembullin e tyre, bëjmë mirë të pyesim veten: «Si e shoh drejtimin që vjen nga skllavi i besueshëm? A e pranoj me çmueshmëri dhe a e zbatoj atë që mësoj?» Bindja me gatishmëri tregon se e përkrahim Mbretin mesianik, i cili po përdor skllavin e besueshëm për të shpërndarë ushqim frymor në kohën e duhur.​—Vep. 16:4, 5.

DEMASKOJNË FESTA E KREMTIME TË TJERA

GJATË viteve, Krishti i ka ndihmuar dishepujt të mos jenë pjesë e botës. Ja disa referime të hershme që e paralajmëruan popullin e Perëndisë për festa e kremtime të ndryshme që të krishterët e vërtetë i shmangin.

  • Pashkët. «Edhe festa e njohur pagane e Pashkëve, erdhi dhe u rrënjos në kishën e ashtuquajtur të krishterë.»​—Epoka e artë, 12 dhjetor 1928, faqja 168, angl.

  • Shën Valentini. «Dita e Shën Valentinit nuk ka asgjë të shenjtë në origjinën e saj për t’u vlerësuar.»​—Epoka e artë, 25 dhjetor 1929, faqja 208, angl.

  • Ditëlindjet. «Në Shkrime përmenden vetëm dy festa ditëlindjesh. Një është rasti i mbretit pagan, faraonit të Egjiptit në kohën e Jozefit, dhe tjetri ditëlindja e Herodit, ku humbi jetën Gjon Pagëzori. Në Bibël nuk tregohet se ndonjë nga populli i Perëndisë festoi ditëlindjen.»​—Epoka e artë, 6 maj 1936, faqja 499, angl.

  • Viti i Ri. «Festa e Vitit të Ri me gosti e salltanete dhe me ahengje të shfrenuara e dehje nuk është e krishterë, pavarësisht se kur festohet. Të krishterët e hershëm nuk e kremtonin.»​—Zgjohuni!, 22 dhjetor 1946, faqja 24, angl.

A duhet ta përdorin kryqin të krishterët?

Stema e kryqit me kurorë

Stema e kryqit me kurorë (Shih paragrafët 12 dhe 13.)

12. Si e konsideronin Studentët e Biblës kryqin për vite?

12 Për vite, Studentët e Biblës e konsideronin kryqin si simbol të pranueshëm të krishterë. Patjetër që nuk mendonin se kryqi duhej adhuruar, sepse e kuptonin që idhujtaria është e gabuar. (1 Kor. 10:14; 1 Gjon. 5:21) Që në vitin 1883, Kulla e Rojës (angl.) tha hapur se «çdo idhujtari është e neveritshme për Perëndinë». Gjithsesi, Studentët e Biblës e përdornin kryqin në disa mënyra që u dukeshin me vend dhe fillimisht nuk panë diçka të gabuar te këto. Për shembull, me krenari mbanin një stemë në formë karfice me një kryq e një kurorë si shenjë identifikuese. Për ta kjo stemë do të thoshte se, po të ishin besnikë deri në vdekje, do të merrnin kurorën e jetës. Që nga 1891-shi, te kopertina e Kullës së Rojës dilte simboli i kryqit me kurorë.

13. Çfarë ndriçimi rreth përdorimit të kryqit morën dishepujt e Krishtit? (Shih edhe kutinë «Të ndriçuar hap pas hapi rreth përdorimit të kryqit».)

13 Studentët e Biblës e çmonin stemën e kryqit me kurorë. Megjithatë, duke filluar nga fundi i viteve 20 të shekullit të 20-të, dishepujt e Krishtit progresivisht u ndriçuan rreth përdorimit të kryqit. Ndërsa solli ndër mend kongresin e mbajtur më 1928 në Detroit, Miçigan, SHBA, vëlla Grent Sutëri, që më vonë shërbeu në Trupin Udhëheqës, tha: «Në atë kongres stemat e kryqit me kurorë u cilësuan jo vetëm të panevojshme, por edhe të gabuara.» Gjatë pak viteve në vijim, u hodh më shumë dritë. U bë e qartë se kryqi nuk ka vend në adhurimin që është frymësisht i pastër e i kulluar.

TË NDRIÇUAR HAP PAS HAPI RRETH PËRDORIMIT TË KRYQIT

Një burrë që ka stemën e kryqit me kurorë te jaka e xhaketës
  • Stemat e kryqit me kurorë jo vetëm janë të panevojshme, por edhe të gabuara.​—Kongresi në Detroit, Miçigan, SHBA, 1928.

  • Stemat e kryqit me kurorë janë idhuj.—​Libri Përgatitja, 1933, faqja 239, angl.

  • Kryqi ka origjinë pagane.​—Epoka e artë, 28 shkurt 1934, faqja 336, angl.

  • Jezui vdiq në shtyllë, jo në kryq.​—Epoka e artë, 4 nëntor 1936, faqja 72 (angl.); libri Pasuritë, 1936, faqja 27, angl.

Fjala greke staurós është përkthyer «kryq» në shumë përkthime Biblash. Gjithsesi, vër re çfarë thonë burime të ndryshme për kuptimin e kësaj fjale:

  • «Fjala greke [staurós] faktikisht . . . do të thotë thjesht një shtyllë.»​—Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature.

  • «Në kuptimin e gjerë të fjalës do të thotë hu. Nuk është ekuivalent i ‘kryqit’.»​—Crucifixion in Antiquity.

  • «Një shtyllë e fortë, si ato që ngulin bujqit për të bërë gardh ose rrethim​—as më shumë, as më pak.»—​History of the Cross.

  • «Nuk nënkupton kurrë dy copa druri të vendosura njëra sipër tjetrës në ndonjë lloj këndi, por gjithnjë një copë më vete.»​—The Companion Bible.

  • «Një hu ose shtyllë e drejtë . . . Në asnjë rast nuk nënkupton dy copa druri të bashkuara me njëra-tjetrën në ndonjë lloj këndi.»​—A Critical Lexicon and Concordance.

14. Si iu përgjigj populli i Perëndisë ndriçimit progresiv që morën për kryqin?

14 Si iu përgjigj populli i Perëndisë ndriçimit progresiv që morën për kryqin? A vazhduan ta përdornin stemën e kryqit me kurorë, e cila kishte qenë kaq e dashur për ta? Ja çfarë tha motër Lila Robertsi, shërbëtore e Jehovait nga kohë: «Hoqëm dorë kollaj kur e kuptuam çfarë përfaqësonte.» Një motër tjetër besnike, Ursula Serenko, shprehu ndjenjat e shumë të tjerëve kur tha: «Arritëm të dallonim se ajo që njëherë e çmonim si simbol ose që përfaqësonte vdekjen e Zotërisë tonë dhe përkushtimin e krishterë, në të vërtetë ishte simbol pagan. Në përputhje me Proverbat 4:18 ishim mirënjohës që udha po ndriçohej edhe më shumë.» Dishepujt besnikë të Krishtit nuk donin të përziheshin me praktikat e papastra të rreme fetare.

15, 16. Si mund të tregojmë se jemi të vendosur të mbajmë të pastër oborret tokësore të tempullit frymor të Jehovait?

15 Edhe sot kemi të njëjtën vendosmëri. E dimë se Krishti ka përdorur një kanal që dallohet qartë​—skllavin e besueshëm dhe të matur—​për të ndihmuar popullin e tij të qëndrojë frymësisht i pastër. Ndaj, kur ushqimi frymor që marrim, na paralajmëron për tradita fetare, praktika ose zakone të njollosura nga feja e rreme, menjëherë përgjigjemi duke u bindur. Njësoj si vëllezërit dhe motrat tona që jetuan në fillim të pranisë së Krishtit, jemi të vendosur t’i mbajmë të pastra oborret tokësore të tempullit frymor të Jehovait.

16 Gjatë ditëve të fundit, Krishti gjithashtu ka punuar pa rënë në sy për të mbrojtur kongregacionet e popullit të Perëndisë nga individë që mund të shkaktojnë ndotje frymore. Si e ka bërë këtë? Le të shohim.

Ndahen «të ligjtë nga të drejtët»

17, 18. Çfarë kuptimi ka në ilustrimin e rrjetës tratë (a) hedhja e rrjetës (b) ‘mbledhja e peshqve të çdo lloji’ (c) futja e peshqve të mirë në enë dhe (ç) hedhja e peshqve të papërshtatshëm?

17 Mbreti Jezu Krisht vigjilon mbi kongregacionet e popullit të Perëndisë anembanë tokës. Krishti dhe engjëjt kanë bërë një vepër ndarjeje në mënyra që nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Ai e përshkroi këtë vepër në ilustrimin për rrjetën tratë. (Lexo Mateun 13:47-50.) Ç’kuptim ka ilustrimi?

Peshkatarë që po tërheqin një rrjetë tratë për të mbledhur peshq në det

Rrjeta tratë përfaqëson predikimin për Mbretërinë që po ndodh në mes të detit të njerëzimit (Shih paragrafin 18.)

18 ‘Një rrjetë tratë, hidhet në det.’ Rrjeta tratë përfaqëson predikimin për Mbretërinë që po ndodh në mes të detit të njerëzimit. ‘Mbledh peshq të çdo lloji.’ Lajmi i mirë tërheq njerëz të çdo lloji​—ata që bëjnë hapa për t’u bërë të krishterë të vërtetë, si edhe shumë të tjerë që fillimisht mund të shfaqin disi interes, por në të vërtetë nuk mbështetin adhurimin e pastër.e ‘Peshqit e mirë futen nëpër enë.’ Ata që janë të prirur të mësojnë të vërtetën mblidhen në enë, në kongregacione, ku mund ta adhurojnë në mënyrë të pastër Jehovain. Peshqit ‘e papërshtatshëm’ hidhen. Gjatë ditëve të fundit, Krishti dhe engjëjt kanë ndarë «të ligjtë nga të drejtët».f Si rrjedhojë, ata që s’kanë qëndrimin e drejtë të zemrës​—që mbase nuk janë të gatshëm të braktisin bindjet dhe praktikat e gabuara—​nuk janë lejuar të ndotin kongregacionet.g

19. Si ndihesh që Krishti ka mbrojtur pastërtinë e popullit të Perëndisë dhe të adhurimit të vërtetë?

19 A nuk na jep siguri dijenia se Mbreti ynë, Jezu Krishti, i mbron ata që ka nën kujdes? A nuk ngushëllohemi kur dimë se zelli i tij për adhurimin e vërtetë​—dhe për adhuruesit e vërtetë—​është po aq i zjarrtë sot, sa ishte kur pastroi tempullin në shekullin e parë të e.s.? Sa mirënjohës jemi që Krishti ka punuar për të mbrojtur pastërtinë frymore të popullit të Perëndisë dhe të adhurimit të vërtetë! Mund të tregojmë përkrahjen tonë për Mbretin dhe Mbretërinë e tij duke shmangur çdo ndikim të fesë së rreme.

a Vizitorët judenj duhej të përdornin valutë të caktuar që të paguanin taksën vjetore të tempullit, prandaj këmbyesit e parave vendosnin tarifa për këmbimin e monedhave. Veç kësaj, vizitorëve ndoshta u duhej të blinin kafshë për blatim. Jezui i quajti tregtarët ‘kusarë’, ngaqë ata vendosnin tarifa marramendëse.

b Populli i Jehovait në tokë e adhuron Atë në oborret tokësore të tempullit të madh frymor.

c Ky artikull tregoi se data e lindjes së Jezuit në dimër «nuk përputhet mirë me tregimin që barinjtë ishin jashtë me kopetë e tyre» atë natë.​—Luka 2:8.

d Në një letër personale, më datë 14 nëntor 1927, vëlla Frederik U. Franci shkroi: «Nuk do t’i kemi Krishtlindjet këtë vit. Familja Bethel ka vendosur të mos i festojë më Krishtlindjet.» Pak muaj më pas në një letër të datës 6 shkurt 1928, vëlla Franci shkroi: «Pak nga pak Zotëria po na pastron nga gabimet e organizatës babilonike të Djallit.»

e Për shembull, në vitin 2013 kishte një maksimum prej 7.965.954 lajmëtarësh, ndërsa 19.241.252 veta ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.

f Ndarja e peshqve të mirë nga peshqit e papërshtatshëm nuk është njësoj si ndarja e deleve nga cjeptë. (Mat. 25:31-46) Ndarja ose gjykimi përfundimtar i deleve nga cjeptë do të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh. Deri në atë moment, ata që janë si peshqit e papërshtatshëm mund të kthehen te Jehovai dhe të mblidhen në enë, në kongregacione.​—Mal. 3:7.

g Në fund, të papërshtatshmit do të hidhen simbolikisht në furrën e zjarrtë, e kjo tregon se do të shkatërrohen në të ardhmen.

Sa reale është Mbretëria për ty?

  • Çfarë është pastërtia frymore dhe përmes cilit kanal i ka ndihmuar Krishti dishepujt të jenë të pastër frymësisht?

  • Si e përdori Krishti skllavin e besueshëm dhe të matur për të ndihmuar dishepujt të braktisnin festimin e Krishtlindjeve dhe stemën e kryqit me kurorë?

  • Si ndihesh që Krishti e ka mbrojtur adhurimin e vërtetë?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo