Maria (nëna e Jezuit)
Përkufizimi: Gruaja e zgjedhur nga Perëndia dhe që kishte shumë hir në sytë e tij, e cila lindi Jezuin. Në Bibël përmenden edhe pesë gra të tjera me emrin Maria. Nëna e Jezuit ishte pasardhëse e mbretit David, nga fisi i Judës, dhe ishte bijë e Helit. Kur përmendet për herë të parë në Bibël, ajo ishte e fejuar me Jozefin, edhe ai nga fisi i Judës dhe pasardhës i Davidit.
Ç’mund të mësojmë nga Bibla për Marinë?
(1) Të jemi të gatshëm të dëgjojmë çfarë thotë Perëndia nëpërmjet lajmëtarëve të tij, edhe pse ajo që dëgjojmë, në fillim mund të na trazojë ose mund të na duket e pamundur.—Luka 1:26-37.
(2) Të jemi të guximshëm për të vepruar në përputhje me atë që mësojmë për vullnetin e Perëndisë, duke besuar plotësisht tek Ai. (Shih Lukën 1:38. Siç tregon Ligji i përtërirë 22:23, 24, një vajzë hebreje e pamartuar që merrej vesh se ishte shtatzënë, mund të kishte pasoja serioze.)
(3) Perëndia është i gatshëm ta përdorë dikë, pavarësisht nga pozita që mund të ketë ai.—Krahaso Lukën 2:22-24 me Levitikun 12:1-8.
(4) T’u japim përparësi interesave frymore. (Shih Lukën 2:41; Veprat 1:14. Ndryshe nga burrat, grave hebreje nuk u kërkohej që çdo vit të merrnin udhën e gjatë për në Jerusalem në kohën e Pashkës, por Maria e bënte këtë.)
(5) Të çmojmë pastërtinë morale.—Luka 1:34.
(6) Të ngulmojmë për t’u mësuar fëmijëve tanë Fjalën e Perëndisë. (Kjo u pasqyrua në atë që bëri Jezui kur ishte 12 vjeç. Shih Lukën 2:42, 46-49.)
A ishte vërtet e virgjër Maria kur lindi Jezuin?
Luka 1:26-31 (DSF) thotë se engjëlli Gabriel i çoi këtë lajm ‘një të virgjëre’ që quhej Maria: «Do të mbetësh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus.» Pas kësaj, në vargun 34 thuhet: «Maria i tha engjëllit: ‘Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam e virgjër [«nuk njoh burrë», Dio; «s’kam pasur kurrë marrëdhënie me një burrë», BR]?’» Mateu 1:22-25 (DSF) shton: «E gjithë kjo ngjau që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpër profetin: ‘Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel-që do të thotë: Hyji me ne!’ Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.»
A është logjike kjo? Për Krijuesin, i cili projektoi organet riprodhuese, nuk ishte e pamundur që në mënyrë të mbinatyrshme, të shkaktonte mbarsjen e një qelize-vezë në barkun e Marisë. Me anë të një mrekullie Jehovai transferoi në barkun e Marisë forcën jetësore dhe personalitetin e Birit të tij qiellor të vetëmlindur. Forca vepruese e Perëndisë, fryma e tij e shenjtë, e mbrojti zhvillimin e fëmijës në barkun e Marisë, në mënyrë që të lindte një njeri i përsosur.—Luka 1:35; Gjoni 17:5.
A mbeti gjithnjë e virgjër Maria?
Mat. 13:53-56, DSF: «Kur Jezusi i kreu së treguari këto shëmbëlltyra, shkoi prej andej. Si erdhi në qytet ku ishte rritur i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: ‘Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit? Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit [greqisht adelfói] Jakob, Jozef, Simon e Judë? Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat [greqisht adelfái] e tija?’» (A do të nxirrnit përfundimin, në bazë të këtyre vargjeve, se Jezui ishte fëmija i vetëm i Marisë apo që ajo pati edhe djem të tjerë, si edhe vajza?)
Një enciklopedi katolike pranon në lidhje me fjalët greke adelfói dhe adelfái të përdorura te Mateu 13:55, 56, se këto fjalë, «në botën e gjuhës greke të kohës së Ungjillëzuesit, nënkuptojnë vëlla e motër nga gjaku dhe do të merreshin natyrshëm në këtë kuptim nga lexuesi grek. Nga fundi i shekullit të 4-t (rr. vitit 380) Helvidiusi, në një vepër që tani ka humbur, theksoi këtë fakt për të treguar se Maria kishte fëmijë të tjerë përveç Jezuit, me qëllim që ta përdorte atë si një model për nënat me familje të mëdha. Shën Jeronimi, i nxitur nga besimi tradicional i Kishës te virgjëria e përhershme e Marisë, shkroi një fletushkë kundër Helvidiusit (383 A.D.) në të cilën paraqiti një shpjegim . . . që ende gëzon popullaritet ndër studiuesit katolikë». (New Catholic Encyclopedia, 1967, vëll. IX, f. 337)
Mar. 3:31-35, DSF: «Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikënd ta thërrasë. E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: ‘Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.’ Ai u përgjigji: ‘Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?’ Dhe, si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin për rreth tij, tha: ‘Ja nëna ime e vëllezërit e mi! Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!’» (Këtu bëhet një dallim i qartë midis vëllezërve natyrorë të Jezuit dhe vëllezërve të tij frymorë, dishepujve. Askush nuk pohon se përmendja e nënës së Jezuit ka një kuptim të ndryshëm nga ajo që thuhet. A do të ishim koherentë atëherë, po të arsyetonim se vëllezërit e tij natyrorë nuk ishin të tillë, por ndoshta kushërinj? Kur nuk flitet për vëllezërit, por për të afërmit, përdoret një fjalë tjetër greke [siggenonʹ], si te Luka 21:16.)
A ishte Maria Nëna e Perëndisë?
Engjëlli që e njoftoi Marinë se do të kishte një lindje të mrekullueshme, nuk i tha se i biri do të ishte Perëndi. Ai tha: «Do të mbetësh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. . . . Ky fëmijë do të jetë i shenjtë-Biri i Hyjit.»—Luka 1:31-35, DSF; kursivi është yni.
Hebr. 2:14, 17, DSF: «Mbasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai [Jezui] u bë pjesëtar në këtë gjë . . . Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër.» (Por, a do të kishte qenë ai «i ngjashëm me vëllezër» po të ishte një njeri-Perëndi?)
Një enciklopedi katolike thotë: «Maria do të ishte vërtet nëna e Perëndisë në qoftë se do të plotësoheshin dy kushte: që ajo të ishte vërtet nëna e Jezuit dhe Jezui të ishte vërtet Perëndia.» (New Catholic Encyclopedia, 1967, vëll. X, f. 21) Bibla thotë se Maria ishte nëna e Jezuit, por, a ishte Jezui Perëndia? Në shekullin e katërt, shumë kohë pasi kishte përfunduar shkrimi i Biblës, Kisha formuloi deklaratën për Trinitetin. (New Catholic Encyclopedia, 1967, vëll. XIV, f. 295; shih faqen 404, te tema «Triniteti».) Në atë kohë, në Kredon e Nicesë, Kisha e quajti Jezu Krishtin «Perëndia i vërtetë». Pas kësaj, në Këshillin e Efesit në vitin 431 të e.s., Kisha shpalli se Maria ishte Theotókos, domethënë «Ajo që lindi Perëndinë» ose «Nëna e Perëndisë». Por as kjo shprehje dhe as kjo ide nuk gjenden në tekstin e ndonjë përkthimi të Biblës. (Shih faqet 191-195, te tema «Jezu Krishti».)
A u ngjiz Maria në mënyrë të papërlyer, pra, kur u ngjiz tek e ëma nuk u njollos nga mëkati i hershëm?
Një enciklopedi katolike pranon në lidhje me origjinën e kësaj bindjeje: « . . . Ngjizja e Papërlyer nuk mësohet hapur në Shkrime . . . Etërit e hershëm të Kishës e konsideronin Marinë të shenjtë, por jo krejtësisht pa mëkate. . . . Është e pamundur të caktosh një datë të saktë se kur kjo bindje u konsiderua si një çështje e besimit, por duket se është pranuar përgjithësisht nga shekulli i 8-të ose i 9-të. . . . [Në vitin 1854 papa Piu IX përkufizoi dogmën] ‘e cila thotë se shumë e Bekuara Virgjëreshë Mari u ruajt nga çdo njollë e mëkatit të hershëm që në çastin e parë të Ngjizjes së saj’.» (New Catholic Encyclopedia, 1967, vëll. VII, f. 378-381) Kjo bindje u ripohua nga Këshilli i dytë i Vatikanit (1962-1965).—The Documents of Vatican II (Nju-Jork, 1966), botuar nga U. M. Abot, S.J., f. 88.
Por në Bibël thuhet: «Për këtë arsye, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan . . . » (Rom. 5:12, DSF; kursivi është yni.) A përfshihet edhe Maria këtu? Bibla tregon se në përputhje me kërkesat e Ligjit të Moisiut, 40 ditë pasi lindi Jezuin, Maria çoi në tempull një blatim për mëkatin për t’u pastruar nga papastërtia. Edhe ajo kishte trashëguar mëkatin dhe papërsosmërinë nga Adami.—Luka 2:22-24; Lev. 12:1-8.
A u ngjit Maria në qiell me trup fizik?
Duke komentuar shpalljen që bëri papa Piu XII në vitin 1950, e cila e bënte këtë dogmë një nen zyrtar të besimit katolik, enciklopedia katolike thotë: «Në Bibël nuk ka ndonjë referim të qartë për Ngjitjen, megjithatë, në dekretin e shpalljes së kësaj dogme, papa këmbëngul se Shkrimet janë themeli kryesor i kësaj të vërtete.» (New Catholic Encyclopedia, 1967, vëll. I, f. 972)
Por Bibla thotë: «Mishi e gjaku nuk mund ta trashëgojnë Mbretërinë qiellore, as shkatërrueshmëria nuk e trashëgon pashkatërrueshmërinë.» (1 Kor. 15:50, DSF) Jezui tha se «Perëndia është Frymë». Jezui kur u ringjall, u bë përsëri frymë, dhe tani është «Frymë që jep jetë». Edhe engjëjt janë frymëra. (Gjoni 4:24; 1 Kor. 15:45; Hebr. 1:13, 14, Dio) Ku është baza biblike për të thënë se ndokush ka fituar jetën qiellore me një trup që ka nevojë për mjedisin fizik të tokës për të jetuar? (Shih faqet 325-327, te tema «Ringjallja».)
A është e përshtatshme t’i drejtojmë lutje Marisë si një ndërmjetëse te Perëndia?
Jezu Krishti tha: «Lutuni kështu: Ati ynë që je në qiell . . . » Gjithashtu tha: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. . . . Nëse do të më kërkoni ndonjë send në Emër tim, do ta bëj.»—Mat. 6:9; Gjoni 14:6, 14, DSF; kursivi është yni.
A dëgjohen po me aq dhembshuri dhe a kuptohen aq mirë lutjet drejtuar Atit, nëpërmjet Jezu Krishtit, siç do të dëgjoheshin po të drejtoheshin nëpërmjet dikujt që i ka përjetuar vetë ndjenjat e gruas? Për Atin Bibla thotë: «Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë. Sepse mirë e di si jemi të përbërë, s’e harron se ne jemi pluhur.» Ai është «Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë». (Psal. 103:13, 14; Dal. 34:6, DSF) Kurse për Krishtin është shkruar: «Nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.»—Hebr. 4:15, 16, DSF.
A është në përputhje me krishterimin që flitet në Bibël përnderimi i shëmbëlltyrave të Marisë?
Kjo praktikë është nxitur në mënyrë të qartë nga Këshilli i Dytë i Vatikanit (1962-1965). «Ky Sinod shumë i shenjtë . . . i këshillon të gjithë bijtë e Kishës të përhapin bujarisht kultin, sidomos, kultin liturgjik të Virgjëreshës së Bekuar. Ai urdhëron që praktikat dhe përkushtimi për të, të vlerësohen siç është rekomanduar nga autoriteti doktrinal i Kishës gjatë shekujve, dhe që ato dekrete të nxjerra në kohët e mëparshme në lidhje me përnderimin e shëmbëlltyrave të Krishtit, të Virgjëreshës së Bekuar dhe të të shenjtëve, të zbatohen besnikërisht.»—The Documents of Vatican II, f. 94, 95.
Për të ditur përgjigjen e Biblës, shih temën «Shëmbëlltyrat», faqet 367-371.
A nderohej Maria në ndonjë mënyrë të veçantë në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë?
Apostulli Pjetër nuk e përmend asnjëherë atë në të gjitha letrat e tij të frymëzuara. Apostulli Pavël nuk e përmend emrin e saj në letrat e tij të frymëzuara, por e përmend vetëm me fjalën «një grua».—Gal. 4:4.
Çfarë shembulli la vetë Jezui kur iu drejtua së ëmës?
Gjoni 2:3, 4, DSF: «Kur mbaroi vera [në një dasmë në Kanë], nëna e Jezusit i tha: ‘Nuk ka më verë!’ [E] Jezusi i tha: ‘Moj burrneshë, a është punë për ne [«ç’ke me mua, o grua», Dio]? Ende nuk erdhi koha ime!’» (Kur Jezui ishte fëmijë, ai i nënshtrohej së ëmës dhe të atit të tij birësues. Por tani që ishte rritur, me dashamirësi, por me vendosmëri ai nuk e zbatoi urdhrin e Marisë. Ajo e pranoi me përulësi ndreqjen.)
Luka 11:27, 28, DSF: «Ndërsa ai [Jezui] po fliste për këtë gjë, një grua në mes të turmës e çoi zërin e i tha: ‘Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!’ Ai përgjigji: ‘Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!’» (Patjetër që ky do të ishte një rast i shkëlqyer për Jezuin t’i jepte nderim të veçantë nënës së tij, po të kishte qenë e përshtatshme. Por ai nuk veproi kështu.)
Nga e ka origjinën historike adhurimi i Marisë?
Prifti katolik Endru Grili thotë: «Maria është një nga simbolet fetare më të fuqishme në historinë e botës perëndimore. . . . Simboli i Marisë e lidh drejtpërdrejt krishterimin me fetë e lashta të perëndeshave-nënë.»—The Making of the Popes 1978 (SHBA, 1979), f. 227.
Është me interes të dihet se në ç’vend u ngulit mësimi se Maria është Nëna e Perëndisë. «Këshilli i Efesit u mblodh në bazilikën e Theotokosit në vitin 431. Atje, më mirë se në çdo vend tjetër, në qytetin aq të famshëm për adhurimin e Artemisës ose të Dianës, siç e quanin romakët, ku thuhej se shëmbëlltyra e saj kishte rënë nga qielli, nën hijen e tempullit të madh kushtuar Nënës së Madhe që prej vitit 330 P.K. dhe që, sipas traditës, ishte vendbanimi i përkohshëm i Marisë, vështirë të mos miratohej titulli ‘Ajo që lindi Perëndinë’.»—The Cult of the Mother-Goddess (Nju-Jork, 1959), E. O. Xhejms, f. 207.
Nëse dikush thotë:
‘A besoni te Virgjëresha Mari?’
Mund të përgjigjesh: ‘Shkrimet e Shenjta e thonë qartë se nëna e Jezu Krishtit ishte një virgjëreshë dhe ne e besojmë këtë. Ati i Jezuit ishte Perëndia dhe fëmija që lindi, ishte vërtet Biri i Perëndisë, siç i tha engjëlli Marisë. (Luka 1:35)’ Pastaj mund të shtosh: ‘Por, a keni menduar pse ishte kaq e rëndësishme që Jezui të lindte në këtë mënyrë? . . . Vetëm kështu mund të sigurohej një shpërblesë që ne të mund të çliroheshim nga mëkati dhe vdekja.—1 Tim. 2:5, 6; pastaj ndoshta mund të citosh edhe Gjonin 3:16.’
Ose mund të thuash: ‘Po, besojmë. Besojmë gjithçka që thonë Shkrimet e Shenjta për të dhe në to thuhet se ajo ishte e virgjër kur lindi Jezuin. Shumë inkurajuese janë edhe gjëra të tjera që thonë Shkrimet për Marinë, si dhe mësimet që mund të mësojmë prej saj. (Përdor materialin që gjendet në faqen 232.)’
‘Ju nuk besoni te Virgjëresha Mari’
Mund të përgjigjesh: ‘E di se ka njerëz që nuk besojnë se ajo ishte e virgjër kur lindi Birin e Perëndisë. Por ne e besojmë këtë. (Hap një nga botimet tona te ndonjë pjesë që trajton këtë temë dhe tregoja të zotit të shtëpisë.)’ Pastaj mund të shtosh: ‘Por, a duhet të bëjmë diçka më tepër për të fituar shpëtimin? . . . Vini re se çfarë i tha Jezui në lutje Atit të tij. (Gjoni 17:3)’