Mund ta fitosh vëllanë tënd
«Shko, tregoje hapur fajin vetëm mes teje dhe atij. Nëse të dëgjon, e ke fituar vëllanë tënd.»—MATEU 18:15, BR.
1, 2. Çfarë këshille praktike dha Jezui për trajtimin e fajeve?
TANI që i kishte mbetur më pak se një vit shërbimi, Jezui kishte mësime jetësore për t’u dhënë dishepujve të tij. Këto mësime mund t’i lexojmë në kapitullin 18 të Mateut. Një mësim ishte rëndësia për të qenë të përulur, si fëmijët. Më pas, ai theksoi se nuk duhet të pengojmë «ndonjë nga këta të vegjël» dhe se duhet të përpiqemi t’i gjejmë përsëri ‘të vegjlit’ që kanë humbur rrugën, në mënyrë që të mos vdesin. Pastaj, Jezui shtoi këshilla të vlefshme dhe praktike për zgjidhjen e vështirësive mes të krishterëve.
2 Ndoshta të kujtohen fjalët e tij: «Nëse vëllai yt kryen një mëkat, shko, tregoje hapur fajin vetëm mes teje dhe atij. Nëse të dëgjon, e ke fituar vëllanë tënd. Por nëse nuk të dëgjon, merr me vete një ose dy të tjerë, në mënyrë që nga goja e dy ose tre dëshmitarëve të mund të zgjidhet çdo çështje. Nëse ai nuk i dëgjon ata, fol me kongregacionin. Nëse ai nuk dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ty tamam si një njeri i kombeve dhe si një tagrambledhës.» (Mateu 18:15-17, BR) Kur duhet ta zbatojmë këtë këshillë dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajmë në një rast të tillë?
3. Si duhet t’i trajtojmë në përgjithësi gabimet e të tjerëve?
3 Në artikullin e mëparshëm u theksua se, meqenëse të gjithë jemi të papërsosur dhe të prirur për të gabuar, ne duhet të bëjmë përpjekje për të falur të tjerët. Kjo vlen veçanërisht kur jemi lënduar nga ajo që ka thënë ose ka bërë një i bashkëkrishterë. (1. Pjetrit 4:8) Shpesh, më e mira është ta kapërcejmë fyerjen, të falim dhe të harrojmë. Këtë mund ta konsiderojmë si një kontribut që bëjmë për paqen në kongregacionin e krishterë. (Psalmi 133:1; Fjalët e urta [Proverbat] 19:11) Megjithatë, mund të ketë ndonjë rast kur mund të mendosh se duhet ta zgjidhësh çështjen me vëllanë ose motrën që të ka lënduar. Nëse është kështu, fjalët e mësipërme të Jezuit japin udhëheqje.
4. Në parim, si mund ta zbatojmë Mateun 18:15 lidhur me gabimet e të tjerëve?
4 Jezui këshilloi: «Shko, tregoje hapur fajin vetëm mes teje dhe atij.» Kjo është një gjë e mençur. Disa përkthime gjermane e formulojnë kështu: paraqitja fajin «mes katër syve», domethënë syve të tu dhe të tij. Kur ia paraqet me dashamirësi problemin veçmas, zakonisht është më i lehtë për t’u zgjidhur. Një vëlla që ka bërë ose ka thënë diçka fyese a të pasjellshme, mund ta pranojë më me lehtësi gabimin, kur ti je vetëm. Nëse do të ketë të tjerë që dëgjojnë, natyra e papërsosur njerëzore mund ta bëjë atë që të mohojë se e ka gabim ose të përpiqet të justifikojë atë që bëri. Por, nëse e diskuton çështjen «mes katër syve», mund të zbulosh se ka qenë thjesht një keqkuptim dhe jo një mëkat ose gabim me dashje. Pasi ta kuptoni që të dy se ka qenë një keqkuptim, mund ta zgjidhni, duke mos lejuar që një çështje e papërfillshme të rëndohet dhe të helmojë marrëdhënien tuaj. Kështu, parimi i Mateut 18:15 mund të zbatohet edhe për fyerjet e vogla në jetën e përditshme.
Çfarë donte të thoshte?
5, 6. Në përputhje me kontekstin, për çfarë lloj mëkati bëhej fjalë në Mateun 18:15 dhe çfarë tregon kjo?
5 Në kuptimin e ngushtë të fjalës, ajo që këshilloi Jezui lidhet me çështje më të rënda. Jezui tha: «Nëse vëllai yt kryen një mëkat.» Në një kuptim të gjerë, «mëkat» mund të jetë çdo gabim ose e metë. (Jobi 2:10; Fjalët e urta 21:4; Jakobit 4:17) Megjithatë, konteksti sugjeron se mëkati që kishte ndër mend Jezui duhet të ketë qenë i rëndë. Ai ishte aq i rëndë, sa mund të bënte që keqbërësi të konsiderohej si «një njeri i kombeve dhe një tagrambledhës». Çfarë përfshin kjo frazë?
6 Dishepujt e Jezuit që po dëgjonin këto fjalë e dinin se bashkëkombësit e tyre nuk shoqëroheshin me johebrenjtë. (Gjoni 4:9; 18:28; Veprat 10:28) Veç kësaj, ata i shmangnin plotësisht tagrambledhësit, njerëz që ishin hebrenj të lindur, por ishin kthyer në keqtrajtues të popullit. Prandaj, në kuptimin e ngushtë të fjalës, referimi në Mateun 18:15-17 bëhej për mëkate të rënda, jo për fyerje personale ose lëndime që thjesht mund të falen dhe të harrohen.—Mateu 18:21, 22.a
7, 8. (a) Cilat lloje mëkatesh duhen trajtuar nga pleqtë? (b) Cilat lloje mëkatesh mund të zgjidhen mes dy të krishterëve, në harmoni me Mateun 18:15?
7 Nën Ligj, disa mëkate kërkonin më tepër sesa faljen nga personi i fyer. Blasfemia, apostazia, idhujtaria dhe mëkatet seksuale të kurvërisë, tradhtisë bashkëshortore dhe homoseksualizmit, raportoheshin te pleqtë (ose te priftërinjtë) dhe trajtoheshin prej tyre. Kështu është edhe në kongregacionin e krishterë. (Levitiku 5:1; 20:10-13; Numrat 5:30; 35:12; Ligji i përtërirë 17:9; 19:16-19; Fjalët e urta 29:24) Por, vër re se lloji i mëkateve për të cilat foli këtu Jezui mund të zgjidhej mes dy personave. Për shembull: i shtyrë nga zemërimi ose nga xhelozia, një person shpif për një tjetër. Një i krishterë lidh kontratë për të bërë një punë me materiale të veçanta ndërtimi dhe për ta mbaruar brenda një date të caktuar. Dikush bie dakord t’i paguajë paratë me këste ose në një datë përfundimtare. Një person premton se nëse punëdhënësi e stërvit, ai nuk do ta konkurrojë (edhe po të ndryshojë punë) ose nuk do të përpiqet të marrë klientët e punëdhënësit të tij për njëfarë kohe ose në një zonë të caktuar.b Nëse një vëlla nuk e mban fjalën dhe nuk pendohet për këto gabime, kjo patjetër që do të ishte serioze. (Zbulesa 21:8) Por, gabime të tilla mund të zgjidhen mes dy personave të përfshirë.
8 Por, si do të veprosh për të zgjidhur çështjen? Fjalët e Jezuit janë konsideruar shpesh në tri hapa. Le të shqyrtojmë secilin prej tyre. Në vend që t’i shohim si procedura të ngurta ligjore, le të përpiqemi të kapim kuptimin e tyre, duke mos humbur asnjëherë nga sytë synimin e dashur.
Përpiqu ta fitosh vëllanë
9. Çfarë duhet të mbajmë në mend lidhur me zbatimin e Mateut 18:15?
9 Jezui filloi: «Nëse vëllai yt kryen një mëkat, shko, tregoje hapur fajin vetëm mes teje dhe atij. Nëse të dëgjon, e ke fituar vëllanë tënd.» Qartë, ky nuk është një hap që merret në bazë të dyshimeve. Duhet të kesh dëshmi ose informata specifike, të cilat mund t’i përdorësh për ta ndihmuar vëllanë që të kuptojë se ka kryer një mëkat dhe se duhet t’i ndreqë gjërat. Është mirë që të veprohet menjëherë, duke mos e lënë çështjen të rëndohet ose qëndrimin e tij të ngurtësohet. Veç kësaj, mos harro se edhe ti mund të dëmtohesh, nëse e bluan çështjen në mendje. Meqë biseda do të bëhet vetëm mes teje dhe atij, përmbahu dhe mos ua trego të tjerëve më përpara çështjen, për të fituar simpatinë e tyre ose për të përmirësuar figurën tënde. (Fjalët e urta 12:25; 17:9) Përse? Për shkak të synimit që ke.
10. Çfarë do të na ndihmojë për ta fituar vëllanë tonë?
10 Objektivi yt duhet të jetë ta fitosh vëllanë, jo ta ndëshkosh, ta poshtërosh ose ta shkatërrosh atë. Nëse ka bërë vërtet gabim, marrëdhënia e tij me Jehovain është në rrezik. Ti patjetër dëshiron ta mbash atë si vëllanë tënd të krishterë. Mundësia që të kesh sukses do të rritet nëse në bisedën private që bëni, do të qëndrosh i qetë, duke shmangur fjalët e ashpra ose tonin akuzues. Në këtë ballafaqim të dashur, mos harro se që të dy jeni njerëz të papërsosur, mëkatarë. (Romakëve 3:23, 24) Kur vëllai e kupton se nuk ke bërë thashetheme për të dhe e shikon se ti dëshiron me të vërtetë ta ndihmosh, zgjidhja mund të gjendet kollaj. Ky lloj trajtimi i njerëzishëm dhe i çiltër do të pasqyrojë mençuri, sidomos nëse zbuloni se që të dy keni një masë faji ose që në rrënjë të problemit kishte një keqkuptim.—Fjalët e urta 25:9, 10; 26:20; Jakobit 3:5, 6.
11. Edhe nëse një fajtor nuk na dëgjon, çfarë mund të bëjmë?
11 Nëse e ndihmon të kuptojë se ka ndodhur një gabim dhe se ky është serioz, vëllai mund të nxitet për t’u penduar. Por është realiste të mendojmë se krenaria mund të jetë një pengesë. (Fjalët e urta 16:18; 17:19) Prandaj, edhe sikur në fillim ai të mos e pranojë gabimin dhe të mos pendohet, mund të presësh pak, përpara se ta çosh më tej çështjen. Jezui nuk tha ‘shko vetëm një herë dhe tregoja hapur fajin’. Meqenëse është një mëkat që mund ta zgjidhni ju, mundohu t’i afrohesh përsëri, me frymën e Galatasve 6:1 dhe «mes katër syve». Ndoshta mund t’ia dalësh mbanë. (Krahaso Judën 22, 23.) Megjithatë, po sikur ti të jesh i bindur se është kryer një mëkat dhe se vëllai nuk do të reagojë ndaj kësaj?
Të kërkojmë ndihmë të matur
12, 13. (a) Cili është hapi i dytë që përshkroi Jezui, kur kemi të bëjmë me gabime? (b) Cilat janë disa masa paraprake me vend lidhur me bërjen e këtij hapi?
12 A do të dëshiroje që të tjerët të hiqnin dorë prej teje menjëherë, nëse do të ishe fajtor për ndonjë gabim të rëndë? Vështirë se po. Në përputhje me këtë, Jezui tregoi se pas hapit të parë, nuk duhet të heqësh dorë menjëherë nga përpjekjet për ta fituar vëllanë e për ta ndihmuar atë të qëndrojë i bashkuar me ne dhe me të tjerët në adhurimin e Perëndisë në mënyrë të pranueshme. Jezui përshkroi një hap të dytë: «Nëse nuk të dëgjon, merr me vete një ose dy të tjerë, në mënyrë që nga goja e dy ose tre dëshmitarëve të zgjidhet çdo çështje.»
13 Ai tha që të marrim «një ose dy të tjerë». Nuk tha që, pasi të kesh bërë hapin e parë, je i lirë për t’ua thënë problemin shumë të tjerëve, për të kontaktuar një mbikëqyrës udhëtues ose për t’u shkruar vëllezërve lidhur me problemin. Sado i bindur që të mund të jesh për gabimin, në realitet kjo gjë nuk është vërtetuar ende plotësisht. Nuk do të dëshiroje të përhapje informacione negative që mund të ktheheshin në shpifje nga ana jote. (Fjalët e urta 16:28; 18:8) Por Jezui tha të merrnim me vete një ose dy të tjerë. Përse? Cilët mund të jenë këta?
14. Kë mund të marrim me vete për hapin e dytë?
14 Ne po përpiqemi ta fitojmë vëllanë, duke e bindur se është kryer një mëkat dhe duke e nxitur që të pendohet, për të qenë në paqe me ne dhe me Perëndinë. Për këtë qëllim, situata më e parapëlqyer do të ishte nëse ata «një ose dy» do të kishin qenë dëshmitarë ndaj gabimit të bërë. Ndoshta ishin të pranishëm kur ka ndodhur kjo gjë ose kanë informacione të vlefshme në lidhje me atë që është bërë (ose që nuk është bërë) në një çështje biznesi. Nëse nuk ka dëshmitarë të tillë, ata që do të marrim me vete mund të kenë përvojë në fushën në fjalë dhe prandaj mund të jenë në gjendje të vërtetojnë nëse ajo që ka ndodhur ishte vërtet gabim. Për më tepër, në qoftë se më vonë do të jetë e nevojshme, ata mund të jenë dëshmitarë të asaj që është thënë, duke vërtetuar faktet që janë paraqitur dhe përpjekjet që janë bërë. (Numrat 35:30; Ligji i përtërirë 17:6) Kështu, ata nuk janë thjesht një palë neutrale, arbitra, por sidoqoftë prania e tyre vlen si ndihmë për të fituar vëllanë tonë dhe të tyrin.
15. Përse pleqtë e krishterë mund të dalin të dobishëm, nëse na duhet të ndërmarrim hapin e dytë?
15 Nuk duhet të mendojmë se personat që marrim me vete duhet të jenë burra që janë pleq në kongregacion. Gjithsesi, burrat e pjekur që janë pleq mund të jenë në gjendje të kontribuojnë me anë të kualifikimeve të tyre frymore. Këta pleq janë «si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur». (Isaia 32:1, 2) Ata kanë përvojë në arsyetimin me vëllezër e motra dhe në ndreqjen e tyre. Gjithashtu, keqbërësi ka arsye të vlefshme për të treguar besim në këto «dhurata në njerëz».c (Efesianëve 4:8, 11, 12, BR) Duke e diskutuar çështjen në prani të këtyre burrave të pjekur dhe duke marrë pjesë në lutje me ta, mund të krijojmë një atmosferë të ndryshme dhe të zgjidhim atë që dukej e pazgjidhshme.—Krahaso Jakobit 5:14, 15.
Një përpjekje e fundit për ta fituar
16. Cili është hapi i tretë që përshkroi Jezui?
16 Nëse hapi i dytë dështon në zgjidhjen e çështjes, në hapin e tretë përfshihen patjetër mbikëqyrësit e kongregacionit. «Nëse ai nuk i dëgjon ata [një ose dy të tjerët], fol me kongregacionin. Nëse ai nuk dëgjon as kongregacionin, le të jetë për ty tamam si një njeri i kombeve dhe një tagrambledhës.» Çfarë përfshin kjo?
17, 18. (a) Cili shembull na ndihmon për të kuptuar domethënien e frazës ‘fol me kongregacionin’? (b) Si e zbatojmë sot këtë hap?
17 Këtë hap nuk e kuptojmë si një direktivë për ta diskutuar mëkatin ose gabimin në një mbledhje të rregullt ose speciale të të gjithë kongregacionit. Procedurën e përshtatshme mund ta përcaktojmë nga Fjala e Perëndisë. Shqyrto se çfarë duhej bërë në Izraelin e lashtë, në një rast rebelimi, grykësie dhe dehjeje: «Në qoftë se një burrë ka një fëmijë kokëfortë dhe rebel që nuk i bindet as zërit të babait, as atij të nënës dhe megjithëse e kanë ndëshkuar, nuk u bindet atyre, i ati dhe e ëma do ta marrin dhe do ta çojnë te pleqtë e qytetit të tij, në portën e vendit ku banon dhe do t’u thonë pleqve të qytetit: ‘Ky biri ynë është kokëfortë dhe rebel, nuk do t’i bindet zërit tonë, është grykës dhe pijanec.’ Atëherë tërë banorët e qytetit të tij do ta vrasin me gurë.»—Ligji i përtërirë 21:18-21.
18 Mëkatet e atij djali nuk i dëgjonte dhe i gjykonte i gjithë kombi ose i gjithë fisi i tij. Në vend të kësaj, «pleqtë» e caktuar, si përfaqësues të kongregacionit, merreshin me të. (Krahaso Ligjin e përtërirë 19:16, 17, ku flitet për një rast të shqyrtuar prej «priftërinjve dhe gjykatësve në funksion ato ditë».) Në mënyrë të ngjashme sot, kur është e nevojshme të bëhet hapi i tretë, çështjen e trajtojnë pleqtë që përfaqësojnë kongregacionin. Synimi i tyre është po njëlloj, të fitojnë vëllanë e krishterë, nëse kjo gjë është e mundur. Këtë e pasqyrojnë duke treguar mendje të hapur, duke mos e paragjykuar rastin ose duke mos qenë të anshëm.
19. Çfarë do të përpiqen të bëjnë pleqtë e caktuar për të dëgjuar çështjen?
19 Ata do të përpiqen t’i peshojnë faktet dhe të dëgjojnë dëshmitarët që nevojiten, për të vërtetuar nëse faktikisht është kryer (ose vazhdon të kryhet) një mëkat. Ata duan të mbrojnë kongregacionin nga korruptimi dhe ta mbajnë jashtë tij frymën e botës. (1. Korintasve 2:12; 5:7) Në harmoni me kualifikimet e tyre biblike, ata do të përpiqen që ‘me doktrinën e shëndoshë të këshillojnë dhe të bindin ata që kundërshtojnë’. (Titit 1:9) Shpresojmë që keqbërësi të mos jetë si ata izraelitë, për të cilët profeti i Jehovait shkroi: «Kur ju thirra nuk dhatë përgjigje, kur ju fola nuk dëgjuat, por keni bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe keni zgjedhur atë që nuk më pëlqen.»—Isaia 65:12.
20. Çfarë tha Jezui se duhet të ndodhë, nëse mëkatari refuzon të dëgjojë e të pendohet?
20 Gjithsesi, janë relativisht të pakta rastet kur mëkatari pasqyron këtë qëndrim. Nëse ndodh kështu, drejtimi i Jezuit është i qartë: «Le të jetë për ty tamam si një njeri i kombeve dhe një tagrambledhës.» Zotëria nuk rekomandoi që të jemi të panjerëzishëm ose të dëshirojmë të lëndojmë të tjerët. Gjithsesi, nuk ka asnjë paqartësi lidhur me drejtimin e apostullit Pavël për t’i përjashtuar mëkatarët e papenduar nga kongregacioni. (1. Korintasve 5:11-13) Madje, kjo me kalimin e kohës mund të sjellë si rezultat fitimin e mëkatarit.
21. Çfarë mundësie mbetet e hapur për dikë që është përjashtuar nga kongregacioni?
21 Këtë mundësi e kuptojmë edhe nga shëmbëlltyra që bëri Jezui për birin plëngprishës. Siç u ilustrua, pasi qëndroi një periudhë kohe duke jetuar jashtë shoqërisë së dashur të shtëpisë së atit të tij, ai mëkatar «erdhi në vete». (Luka 15:11-18) Pavli i përmendi Timoteut se, me kalimin e kohës, disa mëkatarë do të pendohen dhe do «të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit». (2. Timoteut 2:24-26) Patjetër, ne shpresojmë se një person që mëkaton pa u penduar dhe duhet përjashtuar nga kongregacioni, do ta ndiejë humbjen, qoftë humbjen e miratimit të Perëndisë, qoftë humbjen e shoqërisë së ngrohtë dhe kontaktit shoqëror me të krishterët besnikë e do të vijë në vete.
22. Si mund ta fitojmë përsëri vëllanë tonë?
22 Jezui nuk i konsideroi njerëzit e kombeve dhe tagrambledhësit si njerëz që nuk mund të shpëtohen. Njëri prej këtyre të fundit, Mateu Levi, i penduar, e ‘ndoqi Jezuin’ me bindje e madje u zgjodh edhe si apostull. (Marku 2:15; Luka 15:1) Rrjedhimisht, nëse një mëkatar sot «nuk dëgjon as kongregacionin» dhe përjashtohet prej tij, ne mund të presim për të parë nëse me kalimin e kohës ai do të pendohet dhe do t’i bëjë të drejta shtigjet për këmbët e tij. Kur e bën këtë dhe bëhet përsëri pjesëtar i kongregacionit, ne do të jemi të lumtur që e kemi fituar përsëri vëllanë në vathën e adhurimit të vërtetë.
[Shënimet]
a Në një enciklopedi (McClintock and Strong’s Cyclopedia), thuhet: «Tagrambledhësit [mbledhësit e taksave] e Besë[lidhjes] së Re konsideroheshin si tradhtarë dhe apostatë, të ndotur nga shoqërimi i shpeshtë me paganët, instrumente të vullnetshme të shtypësit. Ata i klasifikonin me mëkatarët . . . Të braktisur, duke qenë se njerëzit me një jetë të pastër u qëndronin larg, këta gjenin si të vetmit miq ose shokë ata që, ashtu si vetë tagrambledhësit, ishin llumi i shoqërisë.»
b Çështjet tregtare ose financiare që kanë të bëjnë me një shkallë mashtrimi, pandershmërie ose dredhie mund të përfshihen në llojin e mëkatit që kishte ndër mend Jezui. Si tregues, pasi dha drejtimin që gjejmë në Mateun 18:15-17, Jezui bëri një ilustrim të skllevërve (punonjësve) të cilët kishin disa para borxh dhe nuk e paguan dot shumën.
c Një dijetar biblik komentoi: «Disa herë ndodh që një keqbërës është më i prirur të dëgjojë dy ose tre persona (veçanërisht nëse këta janë njerëz që meritojnë respekt) sesa një person të vetëm, veçanërisht nëse ky i fundit është ai me të cilin keqbërësi ka mosmarrëveshje.»
A të kujtohet?
◻ Kryesisht, për çfarë lloj mëkati zbatohet Mateu 18:15-17?
◻ Çfarë duhet të kujtojmë nëse na duhet të bëjmë hapin e parë?
◻ Kush mund të na vijë në ndihmë nëse duhet të bëjmë hapin e dytë?
◻ Cilët përfshihen në bërjen e hapit të tretë dhe si mund ta fitojmë përsëri vëllanë tonë?
[Figura në faqen 18]
Judenjtë i shmangnin tagrambledhësit. Mateu bëri kthesë në udhën e tij dhe ndoqi Jezuin
[Figura në faqen 20]
Shpesh mund ta zgjidhim një çështje «mes katër syve»