«Nga goja e të vegjëlve»
KUR ishte fëmijë, Samueli iu përmbajt me vendosmëri parimeve të drejta, pavarësisht nga ligësia e bijve të priftit të lartë Eli. (1. Samuelit 2:22; 3:1) Në ditët e Elisë, një izraelite e vogël e zënë robinjë në Siri, i dha një dëshmi inkurajuese zonjës së saj. (2. Mbretërve 5:2-4) Kur ishte 12 vjeç, Jezui u foli me guxim mësuesve të Izraelit duke bërë pyetje e duke dhënë përgjigje, në një mënyrë që i befasoi ata që ishin prezent. (Luka 2:46-48) Gjatë gjithë historisë, adhuruesit e rinj, i kanë shërbyer Jehovait me besnikëri.
A tregojnë të rinjtë sot të njëjtën frymë besnikërie? Me të vërtetë po! Raportet nga zyra e degës së Shoqatës Watch Tower, tregojnë se shumë të rinj besimtarë, «po afrohen vullnetarisht» në shërbimin e Jehovait. (Psalmi 110:3) Rezultatet e shkëlqyera të përpjekjeve të tyre, inkurajojnë të gjithë të krishterët, të rinj e të vjetër, «që të mos lodhen duke bërë të mirën—Galatasve 6:9.
Një shembull i mirë është Ajumi, një vajzë e vogël japoneze, e cila u bë lajmëtare kur ishte 6 vjeç. Ajo i vuri vetes si qëllim që t’i dëshmonte të gjithëve në klasën e saj. Mori leje që të vendoste botime të ndryshme në bibliotekën e klasës, duke u përgatitur që t’i përgjigjej çdo pyetjeje që mund t’i bënin shokët e klasës. Pothuajse të gjithë shokët e klasës si edhe mësuesja, u njohën me botimet. Gjatë gjashtë viteve të shkollës së saj fillore, Ajumi arriti të drejtonte 13 studime biblike. U pagëzua kur ishte në klasën e katërt dhe një nga shoqet e saj me të cilat kishte studiuar, u pagëzua në klasën e gjashtë. Për më tepër, edhe nëna me dy motrat më të mëdha të kësaj studenteje biblike, studiuan dhe u pagëzuan.
Sjellja e mirë është një dëshmi
«Mbani një sjellje të mirë midis kombeve»,—tha apostulli Pjetër dhe të rinjtë e krishterë e kanë marrë seriozisht këtë urdhër. (1. Pjetrit 2:12) Si rezultat, sjellja e tyre e mirë shpesh jep një dëshmi të shkëlqyer. Në vendin afrikan të Kamerunit, një burrë erdhi për herë të dytë në një mbledhje të kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait dhe i rastisi të ulej pranë një vajze të vogël. Kur folësi e ftoi auditorin që të shikonte një pjesë në Bibël, burri vuri re se vajza e vogël e gjeti menjëherë vargun në Biblën e saj personale dhe ndoqi me vëmendje leximin. Qëndrimi i saj i bëri kaq shumë përshtypje, saqë kur mbaroi mbledhja, shkoi tek folësi dhe i tha: «Kjo vajzë e vogël më nxiti të studioj Biblën bashkë me ju.»
Në Afrikën Jugore, është një shkollë ku 25 studentë janë fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait. Sjellja e tyre e mirë i ka kontribuar një reputacioni të mirë të Dëshmitarëve të Jehovait. Një mësuese i tha në kofidencë një prindi Dëshmitar se ajo nuk e kuptonte se si Dëshmitarët ia dalin mbanë për të edukuar kaq mirë fëmijët e tyre, aq më tepër që kisha e saj kishte provuar se ishte e paaftë për të ndihmuar të rinjtë. Në shkollë erdhi një mësuese e re, e cila menjëherë vuri re sjelljet e mira të fëmijëve të Dëshmitarëve. Ajo pyeti një prej tyre se çfarë duhej të bënte për t’u bërë një Dëshmitare. Ai i shpjegoi se duhej të bënte një studim Biblik dhe i informoi prindërit e tij që të kultivonin interesin e saj.
Rigoberto në Kosta Rika, e njohu tingullin e së vërtetës, kur dy shokët e tij të klasës përdorën Biblën për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij rreth Trinitetit, shpirtit dhe zjarrit të ferrit. Ajo që i thanë ata, pati një ndikim pozitiv tek ai, jo vetëm për shkak të aftësisë së tyre për të përdorur Shkrimet, por edhe për shkak të sjelljes së tyre të shkëlqyer, e cila ishte kaq e ndryshme nga ajo që kishte vënë re në kishat e të ashtuquajturit krishterim. Me gjithë kundërshtimin e familjes, Rigoberto po bën një përparim të mirë në studimin e tij të Biblës.
Në Spanjë, dy Dëshmitarë të Jehovait—njëri prej të cilëve ishte nëntë vjeç—vizituan një burrë të quajtur Onofre. Pasi Dëshmitari më i madh në moshë, foli pothuaj gjatë gjithë bisedës dhe kur ai lexonte me zë shkrimet, i riu e ndiqte në heshtje dhe citonte disa vargje të Biblës që mbante mend. Onofres i bëri shumë përshtypje kjo gjë. Vendosi se donte të studionte Biblën në të njëjtin vend në të cilin ky fëmijë kishte mësuar ta përdorte kaq mirë atë. Kështu, të dielën herët në mëngjes, shkoi në Sallën e Mbretërisë. Iu desh të priste jashtë deri në mesditë, derisa të vinin Dëshmitarët për mbledhjen e tyre. Që atëherë ai bëri një përparim të shkëlqyer dhe kohët e fundit e simbolizoi dedikimin e tij me pagëzimin në ujë.
Dëshmitarë të rinj të efektshëm
Po, Jehovai i përdor si të vegjlit ashtu edhe të rriturit, për të gjetur zemërbutët. Kjo përvojë në Hungari e vërteton këtë. Një infermiere spitali, vuri re se sa herë që vizitorët vinin për të shikuar një paciente dhjetë-vjeçare, i sillnin asaj gjëra për të lexuar përveç ushqimeve. E nxitur nga kureshtja, ajo donte të dinte se çfarë lexonte me kaq interes kjo vajzë e vogël dhe e kuptoi se kjo ishte Bibla. Infermierja bisedoi me të dhe më vonë tha: «Që në momentin e parë më mësoi vërtet diçka.» Kur doli nga spitali, vajza e ftoi infermieren të ndiqte një kongres, por ajo refuzoi. Megjithatë, më vonë ajo pranoi që të ndiqte Kongresin Krahinor «Gjuha e pastër». Menjëherë pas kësaj, filloi një studim biblik dhe një vit më vonë u pagëzua—e gjitha kjo falë faktit që një vajzë e vogël shfrytëzoi kohën në spital për të lexuar literaturë biblike.
Ana Ruth në El Salvador, ishte në vitin e dytë të shkollës së lartë. Ajo e kishte zakon të linte literaturë biblike mbi bankë, që të mund të lexonin edhe të tjerët nëse dëshironin. Duke vënë re se literatura zhdukej dhe pas disa kohësh rishfaqej, Ana zbuloi se një shoqe e klasës, Evelina, po e lexonte atë. Pas pak kohësh, Evelina pranoi një studim dhe filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit. Së fundi, u pagëzua dhe tani shërben rregullisht, si një pioniere ndihmëse. Ana Ruth është një pioniere e rregullt.
Në Panama, një motër filloi studim me një grua, burri i së cilës filloi të kundërshtonte të vërtetën në atë masë, saqë studimi pothuaj u ndërpre. Megjithatë, gradualisht, qëndrimi i burrit u zbut. Disa kohë më vonë, vëllai i tij më i madh, që ishte një Dëshmitar, i kërkoi që të instalonte një sistem alarmi në shtëpinë e tij. Ndërsa po instalonte sistemin, në shtëpi u kthye mbesa e tij nëntë-vjeçare e cila dukej shumë e trishtuar. Ai e pyeti se çfarë kishte ndodhur dhe ajo i tha se bashkë me një motër më të madhe kishin shkuar për të bërë një studim biblik, por personi nuk ishte në shtëpi, kështu që këtë ditë, nuk kishte mundur të bënte diçka për Jehovain. Xhaxhai i saj i tha: «Përse nuk më predikon mua? Kështu do të mund të bësh diçka për Jehovain.» Mbesa, vrapoi me gëzim për të marrë Biblën e saj dhe studimi filloi.
Nëna e saj po dëgjonte. Ajo mendonte se e gjitha ishte thjesht një lojë. Por sa herë që burri vinte në shtëpinë e tyre, e pyeste mbesën e tij për një studim. Kur nëna e pa se kunati e kishte seriozisht dhe se kishte disa pyetje të vështira, vendosi ta drejtonte vetë studimin duke patur vajzën prezent. Ai filloi të studionte dy herë në javë dhe bëri një përparim të shpejtë. Më në fund, arriti deri në pikën e dedikimit dhe u pagëzua në të njëjtën asamble me gruan e tij—falë qëndrimit të shkëlqyer të mbesës së tij të vogël.
Guximi i të rinjve jep një dëshmi të shkëlqyer
Bibla thotë: «Jini të guximshëm dhe bëjeni të fortë zemrën tuaj. Po, shpresoni në Jehovain.» (Psalmi 27:14, BR) Këto fjalë aplikohen tek të gjithë shërbëtorët e Perëndisë dhe gjatë vitit të kaluar, si të rinjtë ashtu edhe të rriturit, i morën ato për zemër. Në Australi, kur një vajzë e vogël pesë-vjeçare filloi të frekuentonte një shkollë të re, nëna e saj shkoi tek mësuesja për t’i shpjeguar besimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Mësuesja i tha: «Tashmë e di se çfarë besoni ju. Vajza juaj më ka shpjeguar çdo gjë.» Kjo vajzë e vogël nuk pati ndrojtje për t’iu afruar e vetme mësueses e për t’i shpjeguar besimin e saj.
Pesë-vjeçarja, Andrea në Rumani, tregoi gjithashtu guxim. Kur nëna e saj la besimin ortodoks për t’u bërë një Dëshmitare, fqinjët e saj nuk deshën ta dëgjonin. Një ditë, në studimin e librit të kongregacionit, Andrea dëgjoi mbikëqyrësin e shërbimit, të theksonte nevojën për t’u predikuar fqinjëve. Ajo mendoi seriozisht rreth kësaj dhe kur u kthye në shtëpi i tha nënës: «Kur të shkosh në punë, unë do të ngrihem, do të përgatis çantën time me literaturë, ashtu siç bën ti mami dhe do t’i lutem Jehovait që të më ndihmojë për të folur me fqinjët për të vërtetën.»
Ditën tjetër, Andrea bëri atë që kishte premtuar. Mori guxim dhe i ra ziles së derës së një fqinje. Kur fqinja hapi derën vajza e vogël tha: «E di se që kur nëna ime u bë një Dëshmitare, ju nuk e pëlqeni atë. Ajo është përpjekur të bisedojë me ju disa herë por ju nuk keni dashur ta dëgjoni. Kjo e ka bërë të vuajë, por dua që ta dini se ne ju duam.» Pastaj, Andrea vazhdoi të japë një dëshmi të shkëlqyer. Në një ditë, ajo shpërndau gjashtë libra, gjashtë revista, katër broshura dhe katër fletushka. Që atëherë, ajo ka qenë e rregullt në shërbimin në fushë.
Në Ruanda, vëllezërve tanë u është dashur të tregojnë një guxim të madh për shkak të konfliktit në këtë vend. Në një rast, një familje Dëshmitarësh ishte mbyllur në një dhomë dhe ushtarët po përgatiteshin që t’i vrisnin. Familja kërkoi që t’i lejonin të bënin së pari një lutje. Ju dha leje dhe të gjithë përveç vajzës 6-vjeçare Debora, u lutën në heshtje. Sipas një raporti, Debora u lut me zë të lartë duke thënë: «Jehova, unë dhe babai shpërndamë pesë revista këtë javë. Si mund të bëjmë që të shkojmë tek këta njerëz, t’u mësojmë atyre të vërtetën dhe t’i ndihmojmë që të fitojnë jetën? Përveç kësaj, si mund të jem një lajmëtare tani? Unë doja të pagëzohesha me qëllim që të të shërbeja ty.» Pasi e dëgjoi këtë një ushtar tha: «Nuk mund t’ju vrasim për hir të kësaj vajze të vogël.» Debora iu përgjigj: «Faleminderit.» Familja u lirua.
Kur Jezui bëri hyrjen e tij madhështore në Jeruzalem, afër fundit të jetës së tij tokësore, ai u përshëndet nga turmat e mëdha që brohoritnin. Turmat përbëheshin nga fëmijë dhe të rritur. Sipas tregimit, fëmijët «po brohoritnin në tempull duke thënë: ‘Hosana Birit të Davidit!’» Kur skribët dhe udhëheqësit e priftërinjve protestuan, Jezui u tha atyre: «A nuk keni lexuar kurrë, ‘Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi’?»—Mateu 21:15, 16.
A nuk është emocionuese të shohësh se edhe sot fjalët e Jezuit janë të vërteta? «Nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave»—dhe mund të shtojmë adoleshentëve, të rinjve e të rejave—Jehovai ka marrë lavdërim. Me të vërtetë, në lidhje me lavdërimin e Jehovait nuk njihet moshë.—Joeli 2:28, 29.