MËSIMI 36
Zhvillimi i temës
ORATORËT me përvojë e dinë sa e vlefshme është të kenë një temë. Kur përgatitin një fjalim, tema i ndihmon që ta përqendrojnë vëmendjen në një fushë informacioni më specifike dhe të mendojnë më thellë për të. Si rrjedhim, në vend që të trajtojnë përciptazi shumë pika, ata e zhvillojnë materialin në një mënyrë që është më e dobishme për auditorin e tyre. Kur secila nga pikat lidhet drejtpërdrejt me temën dhe ndihmon për ta zhvilluar atë, edhe auditori e ka më të lehtë për t’i mbajtur mend ato pika dhe të kapë domethënien e tyre.
Ndonëse mund të thuhet se tema është argumenti për të cilin do të flasësh, cilësia e fjalimeve të tua do të përmirësohet nëse e konsideron temën si këndvështrimin specifik nga i cili do ta trajtosh argumentin. Mbretëria, Bibla dhe ringjallja janë argumente të përgjithshme. Rreth këtyre argumenteve mund të zhvillohen një larmi temash. Ja disa shembuj: «Mbretëria: një qeveri e vërtetë», «Mbretëria e Perëndisë do ta bëjë tokën parajsë», «Bibla është e frymëzuar nga Perëndia», «Bibla është një udhëheqje praktike për ditët tona», «Ringjallja jep shpresë për të hidhëruarit» dhe «Shpresa e ringjalljes na ndihmon të qëndrojmë të palëkundur përballë persekutimit». Të gjitha këto tema kërkojnë një zhvillim sipas arsyetimeve krejt të ndryshme.
Në përputhje me temën mbizotëruese të Biblës, predikimi i Jezu Krishtit gjatë shërbimit të tij tokësor nxori në pah temën: «Mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 4:17) Si u zhvillua kjo temë? Në katër Ungjijtë kjo Mbretëri përmendet më shumë se 110 herë. Por Jezui nuk u mjaftua vetëm duke përdorur vazhdimisht fjalën «mbretëri». Nëpërmjet asaj që u mësoi të tjerëve dhe mrekullive që kreu, Jezui e bëri të qartë që vetë ai, i cili ishte i pranishëm aty, ishte Biri i Perëndisë, Mesia, të cilit Jehovai do t’i jepte Mbretërinë. Jezui tregoi edhe se nëpërmjet tij po hapej rruga që edhe të tjerë të merrnin pjesë në atë Mbretëri. Ai i bëri të qarta cilësitë që duhet të shfaqnin ata të cilëve do t’u jepej ky privilegj. Nëpërmjet mësimeve të tij dhe veprave të fuqishme që kreu, ai e bëri të qartë se çfarë do të nënkuptonte Mbretëria e Perëndisë në jetën e njerëzve dhe tregoi se dëbimi i demonëve nga ana e tij nëpërmjet frymës së Perëndisë dëshmonte se ‘mbretëria e Perëndisë i kishte arritur vërtet’ dëgjuesit e tij. (Luka 11:20) Ishte pikërisht kjo Mbretëria për të cilën Jezui i caktoi ithtarët e tij që të jepnin dëshmi.—Mat. 10:7; 24:14.
Përdor një temë të përshtatshme. Nuk të kërkohet që ta zhvillosh një temë në të njëjtën masë që e zhvillon Bibla, por është më se e rëndësishme të kesh një temë të përshtatshme.
Në rast se të është lënë ty në dorë të zgjedhësh temën, shqyrto në radhë të parë synimin e fjalimit. Pastaj, ndërsa zgjedh pikat kryesore që do të përbëjnë skemën tënde, sigurohu që këto ta mbështetin me të vërtetë temën që ke zgjedhur.
Nëse tema të është caktuar, analizoje me kujdes për të parë se çfarë të tregon për mënyrën se si duhet zhvilluar materiali. Mund të kërkohen përpjekje për të kuptuar vlerën dhe potencialin e temës. Në qoftë se do ta zgjedhësh ti materialin me anë të të cilit do të zhvillosh temën, zgjidhe me kujdes me qëllim që tema të mbahet në qendër të vëmendjes. Nga ana tjetër, nëse materiali të është siguruar, prapëseprapë duhet të analizosh si ta përdorësh në harmoni me temën. Gjithashtu, duhet të shqyrtosh përse materiali është i rëndësishëm për auditorin tënd dhe cili duhet të jetë pikësynimi yt kur ta paraqesësh atë. Kjo do të të ndihmojë të përcaktosh se çfarë të theksosh gjatë fjalimit.
Si ta theksosh temën? Për ta theksuar siç duhet temën, themelin duhet ta hedhësh kur zgjedh dhe organizon materialin. Në rast se do të përdorësh vetëm material që mbështet temën dhe nëse do të ndjekësh parimet që përfshihen në përgatitjen e një skeme të mirë, tema do të theksohet pothuajse vetvetiu.
Përsëritja mund të ndihmojë për ta përforcuar temën. Në muzikën klasike tema është një melodi e përsëritur mjaft shpesh sa për të karakterizuar gjithë kompozimin. Kjo melodi nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën formë. Ndonjëherë përsëriten vetëm një ose dy fraza, në disa raste përdoret një variacion i temës, por në një mënyrë a në një tjetër, kompozitori e ndërthur melodinë e tij në kompozim derisa ta përshkojë të gjithë atë. Kështu duhet të veprohet edhe me temën e një fjalimi. Përsëritja e fjalëve kyçe të temës është si melodia që përsëritet në një kompozim muzikor. Sinonimet e këtyre fjalëve ose një riformulim i temës shërben si një variacion i temës. Përdorimi i këtyre mjeteve do të bëjë që tema të jetë mendimi kryesor që do të mbajë mend auditori.
Këto parime zbatohen jo vetëm për fjalimet nga podiumi, por edhe për bisedat në shërbimin në fushë. Një bisedë relativisht e shkurtër mbahet mend më shumë në qoftë se del në pah tema. Udhëzimet e dhëna në një studim biblik do të kujtohen më lehtë në rast se është theksuar tema. Përpjekjet që bën për të zgjedhur dhe për të zhvilluar një temë të përshtatshme do të të ndihmojnë shumë që të bëhesh më i efektshëm si orator dhe si mësues i Fjalës së Perëndisë.