Ardhja e Jezuit apo prania e Jezuit: Cila nga të dyja?
«Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?»—MATEU 24:3, BR.
1. Çfarë roli kishin pyetjet në shërbimin e Jezuit?
PËRDORIMI i shkathët që u bëri Jezui pyetjeve, bëri që dëgjuesit e tij të mendonin, madje t’i shqyrtonin gjërat nga perspektiva të reja. (Marku 12:35-37; Luka 6:9; 9:20; 20:3, 4) Ne mund të jemi mirënjohës, gjithashtu, që edhe ai iu përgjigj pyetjeve. Përgjigjet e tij hedhin dritë mbi të vërteta, të cilat s’mund t’i njihnim apo t’i kuptonim ndryshe.—Marku 7:17-23; 9:11-13; 10:10-12; 12:18-27.
2. Cilës pyetje duhet t’i kushtojmë vëmendje tani?
2 Në Mateun 24:3 gjejmë një nga pyetjet më të rëndësishme që Jezui i dha përgjigje. Duke qenë pranë fundit të jetës së tij tokësore, Jezui sapo kishte paralajmëruar se tempulli i Jerusalemit do të shkatërrohej, duke shënuar fundin e sistemit judaik. Tregimi i Mateut shton: «Ndërsa ai ishte ulur në Malin e Ullinjve, dishepujt iu afruan privatisht, duke i thënë: ‘Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate [«ardhjes», Dio] dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?’»—Mateu 24:3, BR.
3, 4. Çfarë ndryshimi domethënës ekziston në mënyrën se si e përkthen Bibla një fjalë kyçe në Mateun 24:3?
3 Miliona lexues të Biblës kanë pyetur veten: «Përse e bënë dishepujt atë pyetje dhe si duhet të ndikojë mbi mua përgjigjja e Jezuit?» Në përgjigjen e tij Jezui foli për shfaqjen e gjetheve, të cilat tregojnë se vera «është afër». (Mateu 24:32, 33) Prandaj, shumë kisha mësojnë se apostujt po kërkonin një shenjë të «ardhjes» së Jezuit, shenjën që do të provonte se kthimi i tij ishte i pashmangshëm. Ata besojnë se «ardhja» do të jetë çasti, kur ai do t’i marrë të krishterët në qiell e më pas do të sjellë fundin e botës. A beson se kjo është e saktë?
4 Në vend se ta përkthejnë «ardhje», disa versione të Biblës, duke përfshirë edhe New World Translation of the Holy Scriptures, përdorin fjalën «prani». A mund të ndryshojë ajo që kërkuan dishepujt dhe përgjigjja e Jezuit, nga ajo që mësohet nëpër kisha? Për çfarë pyetën në të vërtetë? Cila ishte përgjigjja e Jezuit?
Çfarë kërkuan ata?
5, 6. Ç’përfundim mund të nxjerrim mbi mënyrën e të menduarit të apostujve, kur bënë pyetjen që kemi në Mateun 24:3?
5 Duke shqyrtuar se çfarë tha Jezui për tempullin, ka të ngjarë që dishepujt të kenë menduar mbi sistemin judaik të përqendruar rreth tempullit, kur kërkuan ‘një shenjë të pranisë së tij [apo «ardhjes»] dhe të përfundimit të sistemit të gjërave [fjalë për fjalë, «epokë»]’.—Krahaso «botë» në 1. Korintasve 10:11, King James dhe në Galatasve 1:4, ECM.
6 Në këtë pikë, apostujt e Jezuit s’kishin veçse një kuptueshmëri të kufizuar të mësimeve të tij. Më parë, ata kishin imagjinuar se «mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë». (Luka 19:11; Mateu 16:21-23; Marku 10:35-40) Madje edhe pas bisedës në Malin e Ullinjve, por para se të miroseshin me frymën e shenjtë, ata pyetën nëse Jezui do ta rivendoste atëherë Mbretërinë në Izrael.—Veprat 1:6.
7. Përse e pyetën apostujt Jezuin, në lidhje me rolin e tij të ardhshëm?
7 Megjithatë, ata e dinin se ai do të shkonte, pasi jo shumë kohë më parë u kishte thënë: «Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë.» (Gjoni 12:35; Luka 19:12-27) Kështu që ata mund të kenë pyetur veten: «Nëse Jezui po gatitet të shkojë, si do ta kuptojmë kthimin e tij?» Kur ai u shfaq si Mesia, shumë veta nuk e njohën. Madje edhe pas një viti, vazhdonin të qarkullonin pyetje nëse kishte përmbushur ai gjithçka që Mesia duhej të bënte. (Mateu 11:2, 3) Apostujt, pra, kishin arsye për të pyetur mbi fundin. Por, përsëri, a po kërkonin ata një shenjë se ai do të kthehej së shpejti apo diçka tjetër?
8. Çfarë gjuhe ka të ngjarë të kenë folur apostujt me Jezuin?
8 Përfytyro sikur të ishe një zog, duke dëgjuar bisedën në Malin e Ullinjve. (Krahaso Eklisiastiu 10:20.) Ndoshta do të kishit dëgjuar Jezuin dhe apostujt, duke folur hebraisht. (Marku 14:70; Gjoni 5:2; 19:17, 20; Veprat 21:40) Megjithatë, ata mbase kanë ditur të flasin edhe greqisht.
Ja, çfarë shkroi Mateu në greqisht
9. Mbi çfarë janë bazuar shumica e përkthimeve moderne të Mateut?
9 Burime nga shekulli i dytë i e.s. tregojnë se Mateu e shkroi së pari ungjillin e tij në hebraisht. Duket se kohë më vonë ai e shkroi edhe në greqisht. Shumë dorëshkrime në greqisht kanë mbërritur deri në ditët tona dhe kanë shërbyer si bazë për përkthimin e ungjillit të tij në gjuhët e sotme. Çfarë shkroi Mateu në greqisht, në lidhje me atë bisedë në Malin e Ullinjve? Çfarë shkroi ai mbi «ardhjen» apo «praninë», për të cilën pyetën dishepujt dhe mbi të cilën komentoi Jezui?
10. (a) Cilën fjalë greke për foljen «vij» përdor shpesh Mateu dhe ç’domethënie mund të ketë ajo? (b) Cila fjalë tjetër greke na intereson?
10 Në 23 kapitujt e parë të Mateut, gjejmë mbi 80 herë një folje të zakonshme greqisht «vij», e cila është erʹkho·mai. Shpesh, ajo përfshin idenë e afrimit apo të ardhjes pranë, si në Gjonin 1:47: «Jezui pa se Natanaeli po vinte drejt tij.» Në varësi të përdorimit, folja erʹkho·mai mund të ketë kuptimin «mbërrij», «shkoj», «arrij në» apo «jam në rrugën e dikujt». (Mateu 2:8, 11; 8:28; Gjoni 4:25, 27, 45; 20:4, 8; Veprat 8:40; 13:51) Por në Mateun 24:3, 27, 37, 39, Mateu përdori një fjalë të ndryshme, një emër që s’gjendet askund tjetër në ungjijtë: pa·rou·siʹa. Meqë Perëndia frymëzoi shkrimin e Biblës, përse e nxiti Mateun që të zgjidhte këtë fjalë greke në këto vargje, ndërsa shkroi ungjillin e tij në greqisht? Ç’do të thotë kjo dhe përse duhet të dëshirojmë ta dimë?
11. (a) Cili është kuptimi i fjalës pa·rou·siʹa? (b) Si e mbështetin shembujt nga shkrimet e Jozefit kuptueshmërinë tonë për pa·rou·siʹa? (Shiko shënimin.)
11 Drejtpërdrejt, pa·rou·siʹa do të thotë «prani». Fjalori i Vain, Expository Dictionary of New Testament Words, thotë: «PAROUSIA, . . . fjalë [për fjalë], një prani, para, me dhe ousia, qenë (nga eimi, jam), përcakton si mbërritjen, ashtu edhe një prani konsekuente. Për shembull, në një letër papirusi, një zonjë flet për nevojën e parousia-s së saj diku, për të trajtuar një çështje që kishte të bënte me pronën e saj.» Fjalorë të tjerë shpjegojnë se pa·rou·siʹa përcakton ‘vizitën e një sundimtari’. Prandaj, ajo nuk është vetëm çasti i mbërritjes, por një prani që shtrihet prej mbërritjes e më tej. Në mënyrë interesante, ky është përdorimi që i bëri historiani jude, Jozefi, një bashkëkohës i apostujve, fjalës pa·rou·siʹa.a
12. Si na ndihmon vetë Bibla, për të vërtetuar domethënien e pa·rou·siʹa?
12 Domethënia «prani» ka në mënyrë të qartë mbështetjen e literaturës së lashtë, megjithatë, të krishterët janë veçanërisht të interesuar se si e përdor pa·rou·siʹa-n Fjala e Perëndisë. Përgjigjja është njësoj: prani. Këtë e shohim nga shembujt në letrat e Pavlit. Për shembull, ai u shkroi filipianëve: «Ju që ishit gjithmonë të dëgjueshëm, jini, jo vetëm në praninë time, por shumë më tepër tani që nuk jam pranë jush; punoni me frikë dhe me drojë për shëlbimin tuaj.» Ai foli, gjithashtu, për qëndrimin me ta, që ata të mund të gëzoheshin «për [pa·rou·siʹa] praninë [e tij] sërish midis [tyre]». (Filipianëve 1:25, 26, DSF; 2:12) Në versione të tjera lexojmë «duke qenë me ju sërish» (Weymouth; New International Version); «kur të jem me ju sërish» (Jerusalem Bible; New English Bible); dhe «kur përsëri të më keni mes jush». (Twentieth Century New Testament) Në 2. Korintasve 10:10, 11, Pavli vuri në kontrast «praninë e tij me trup» me të qenët «larg». (DSF) Është e qartë se në këta shembuj ai nuk po fliste për afrimin apo mbërritjen e tij; ai e përdori pa·rou·siʹa në kuptimin e të qenët i pranishëm.b (Krahaso 1. Korintasve 16:17, BR.) Ç’të themi, megjithatë, në lidhje me referimet e pa·rou·siʹa-s së Jezuit? A kanë ato kuptimin e «ardhjes» së tij apo tregojnë një prani të shtrirë?
13, 14. (a) Përse duhet të nxjerrim përfundimin se një pa·rou·siʹa shtrihet në kohë? (b) Çfarë duhet thënë mbi kohëzgjatjen e pa·rou·siʹa-s së Jezuit?
13 Të krishterët e mirosur me frymë në ditët e Pavlit ishin të interesuar për pa·rou·siʹa-n e Jezuit. Por Pavli i paralajmëroi ata që të mos ‘u tronditej arsyeja’. Së pari duhej të shfaqej «njeriu i paudhësisë», i cili ka dalë se është kleri i të ashtuquajturit krishterim. Pavli shkroi se «prania e të paudhit është sipas veprimit të Satanait, me çdo vepër të fuqishme dhe shenja të rreme». (2. Selanikasve 2:2, 3, 9, BR) Është e dukshme se pa·rou·siʹa, ose prania e «njeriut të paudhësisë» nuk ishte vetëm një mbërritje e përkohshme; ajo do të zgjaste në kohë, gjatës së cilës do të bëheshin shenja të rreme. Përse është domethënëse kjo?
14 Shqyrto vargun që gjendet përpara: «Do të zbulohet i paudhi, të cilin Zotëria Jezu do ta zhdukë me frymën e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me shfaqjen e pranisë së tij.» Ashtu sikurse prania e «njeriut të paudhësisë» do të jetë për një periudhë kohe, edhe prania e Jezuit do të shtrihet për disa kohë dhe do të arrijë kulmin në shkatërrimin e këtij të paudhi, «bir i shkatërrimit».—2. Selanikasve 2:8, BR.
Aspektet e gjuhës hebraike
15, 16. (a) Cila fjalë e veçantë është përdorur në shumë përkthime të Mateut në hebraisht? (b) Si është përdorur bohʼ në Shkrimet?
15 Siç kemi vërejtur, duket se Mateu e shkroi ungjillin e tij fillimisht në hebraisht. Pra, çfarë fjale përdori ai në Mateun 24:3, 27, 37, 39? Versione të Mateut, të përkthyera në hebraishten moderne, kanë një formë të foljes bohʼ, si në pyetjen e apostujve, ashtu edhe në përgjigjen e Jezuit. Kjo mund të çojë në lexime të tilla, si: «Cila do të jetë shenja e [bohʼ] sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?» Dhe: «Siç ishte në ditët e Noes, ashtu do të jetë edhe [bohʼ] e Birit të njeriut.» Çfarë do të thotë bohʼ?
16 Edhe pse ka kuptime të ndryshme, folja hebraike bohʼ do të thotë kryesisht «vij». Një fjalor teologjik (Theological Dictionary of the Old Testament) thotë: «E shfaqur 2.532 herë, bohʼ është një nga foljet e përdorura më shpesh në Shkrimet Hebraike dhe ndodhet në krye të foljeve që tregojnë lëvizje.» (Zanafilla 7:1, 13; Dalja 12:25; 28:35; 2. Samuelit 19:30; 2. Mbretërve 10:21; Psalmi 65:2; Isaia 1:23; Ezekieli 11:16; Danieli 9:13; Amosi 8:11) Sikur Jezui dhe apostujt të kishin përdorur një fjalë me një shumicë të tillë domethëniesh, kuptimi mund të ishte i diskutueshëm. Por, a përdori Jezui dhe apostujt këtë fjalë?
17. (a) Përse përkthimet moderne hebraike të Mateut mund të mos tregojnë patjetër atë që thanë Jezui dhe apostujt? (b) Ku tjetër mund të gjejmë një shenjë, në lidhje me fjalën që mund të kenë përdorur Jezui dhe apostujt dhe për cilat arsye të tjera ky burim është me interes për ne? (Shiko shënimin.)
17 Mos harro se versionet në hebraishten moderne janë përkthime, të cilat mund të mos paraqesin saktësisht atë që shkroi Mateu në hebraisht. Është fakt se Jezui mund të ketë përdorur fare mirë një fjalë tjetër në vend të fjalës bohʼ, një fjalë që të përputhej me kuptimin e pa·rou·siʹa. Këtë e kuptojmë nga një libër i vitit 1995 Hebrew Gospel of Matthew, nga profesori Xhorxh Hauard. Libri përqendrohet mbi një polemikë 14-shekullore kundër krishterimit, nga mjeku Shem-Tob ben Isak Ibn Shaprut. Ai dokument paraqiste një tekst hebraik të ungjillit të Mateut. Ekzistojnë dëshmi që, në vend se të jetë përkthyer nga latinishtja apo greqishtja në kohën e Shem-Tobit, ky tekst i Mateut është shumë i vjetër dhe fillimisht ishte hartuar në hebraisht.c Në këtë mënyrë, ai mund të na sjellë më afër me fjalët e thëna në Malin e Ullinjve.
18. Cilën fjalë interesante hebraike përdor Shem-Tobi dhe ç’do të thotë ajo?
18 Në kreun 24:3, 27, 39, Mateu i Shem-Tobit nuk përdor foljen bohʼ. Përkundrazi, ai përdor emrin që lidhet me të, bi·ʼahʹ. Ky emër paraqitet në Shkrimet Hebraike vetëm në Ezekielin 8:5, ku do të thotë «hyrje». Në vend se të shprehë veprimin e ardhjes, bi·ʼahʹ i referohet këtu fillimit të një ndërtese; kur gjendesh në hyrje apo në prag, tashmë je në ndërtesë. Gjithashtu, dokumente fetare jobiblike ndërmjet rrotullave të Detit të Vdekur, e përdorin shpesh fjalën bi·ʼahʹ në lidhje me mbërritjen apo me fillimin e ofiqeve priftërore. (Shiko 1. Kronikave 24:3-19; Luka 1:5, 8, 23.) Edhe një përkthim në hebraisht i vitit 1986 i Peshitta-s siriake (apo aramaike) përdor bi·ʼahʹ në Mateun 24:3, 27, 37, 39. Prandaj, ekzistojnë dëshmi se në kohët e lashta emri bi·ʼahʹ mund të ketë pasur një kuptim disi të ndryshëm nga folja bohʼ, që është përdorur në Bibël. Përse na intereson kjo?
19. Ç’përfundim mund të nxjerrim, nëse Jezui dhe apostujt kanë përdorur fjalën bi·ʼah?
19 Apostujt në pyetjen e tyre dhe Jezui në përgjigjen e tij, mund të kenë përdorur këtë emër, bi·ʼah.ʹ Edhe sikur apostujt të kenë pasur ndër mend vetëm idenë e mbërritjes së ardhshme të Jezuit, Krishti mund të ketë përdorur bi·ʼahʹ, për të përfshirë më shumë nga sa mendonin ata. Jezui mund të ketë theksuar mbërritjen e tij për të nisur një ofiq të ri; mbërritja do të ishte fillimi i rolit të tij të ri. Kjo do të përkonte me idenë e pa·rou·siʹa-s, të cilën Mateu e përdori më vonë. Një përdorim i tillë i emrit bi·ʼahʹ , në mënyrë të kuptueshme duhej të mbështeste atë që kanë mësuar për shumë kohë Dëshmitarët e Jehovait, se «shenja» e përbërë që dha Jezui do të pasqyronte se ai ishte i pranishëm.
Në pritje të kulmit të pranisë së tij
20, 21. Ç’mund të mësojmë prej komentit të Jezuit mbi ditët e Noes?
20 Studimi i pranisë së Jezuit duhet të ketë mbi jetën dhe mbi perspektivën tonë një ndikim të drejtpërdrejtë. Jezui i nxiti ithtarët e tij të rrinin zgjuar. Ai siguroi një shenjë, në mënyrë që prania e tij të mund të kuptohej, edhe pse shumë veta nuk do t’ia vinin veshin: «Siç ishte në ditët e Noes, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. Sepse siç ishin ata në ato ditë përpara përmbytjes, tek hanin e pinin, burrat martoheshin e gratë jepeshin në martesë, deri në ditën që Noeja hyri në arkë; dhe nuk ia vunë veshin, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë ata, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.»—Mateu 24:37-39, BR.
21 Gjatë ditëve të Noes, shumë njerëz të atij brezi vetëm sa vazhduan të bënin punët e tyre normale. Jezui paratha se do të ishte njësoj me «praninë e Birit të njeriut». Njerëzit rreth e rrotull Noes mund të kenë menduar se nuk do të ndodhte asgjë. Por ti e di se doli ndryshe. Ato ditë, që u shtrinë në kohë, patën një kulm, «erdhi përmbytja dhe i fshiu tej të gjithë ata». Luka paraqet një tregim të ngjashëm, në të cilin Jezui krahasoi «ditët e Noes» me «ditët e Birit të njeriut». Jezui paralajmëroi: «Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.»—Luka 17:26-30.
22. Përse duhet të jemi veçanërisht të interesuar për profecinë e Jezuit në kreun 24 të Mateut?
22 E gjithë kjo merr një domethënie të veçantë për ne, sepse po jetojmë në një kohë, në të cilën po shohim ngjarjet që paratha Jezui: luftëra, tërmete, epidemi, mungesë ushqimi dhe persekutim të dishepujve të tij. (Mateu 24:7-9; Luka 21:10-12) Qysh me konfliktin e njohur si Lufta I Botërore, kushte të tilla janë bërë të dukshme, edhe pse shumë njerëz i shohin këto si pjesë normale të historisë. Megjithatë, të krishterët e vërtetë e ndiejnë domethënien e këtyre ngjarjeve historike, ashtu sikurse njerëzit e zgjuar e kuptojnë nga gjethet e fikut se vera është afër. Jezui paralajmëroi: «Kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.»—Luka 21:31.
23. Për cilët kanë kuptim të veçantë fjalët e Jezuit në kreun 24 të Mateut dhe përse?
23 Jezui u drejtoi një pjesë të madhe të përgjigjes në Malin e Ullinjve dishepujve të tij. Ishin ata që do të merrnin pjesë në veprën jetëshpëtuese të predikimit të lajmit të mirë në mbarë tokën, përpara se të vinte fundi. Ata do të ishin njerëzit që do të shquanin «neverinë e shkretimit . . . që ka zënë vendin e shenjtë». Do të ishin ata që do të përgjigjeshin, ‘duke ikur’ përpara mjerimit të madh. Do të jenë, gjithashtu, ata që do të ndikohen veçanërisht nga fjalët: «Po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.» (Mateu 24:9, 14-22) Por, çfarë do të thonë këto fjalë që të vënë në mendime dhe përse mund të themi se ato sigurojnë një bazë për ne, që të kemi lumturi, besim dhe zell më të madh tani? Studimi vijues i Mateut 24:22 do të na japë përgjigjet.
[Shënimet]
a Shembuj nga Jozefi: Në Malin Sinai, vetëtimat dhe bubullimat «shpallnin se Perëndia ishte aty i pranishëm [pa·rou·siʹa]». Shfaqja e mrekullueshme në tabernakull «tregonte praninë [pa·rou·siʹa] e Perëndisë». Duke i treguar shërbëtorit të Eliseut karrocën që rrotullohej, Perëndia bëri «të dukshme para profetit të tij, fuqinë dhe praninë [pa·rou·siʹa] e tij». Kur oficeri romak, Petroniu, u përpoq të qetësonte hebrenjtë, Jozefi pohoi se ‘Perëndia do t’i tregonte praninë [pa·rou·siʹa] e vet Petroniut’, duke dërguar shiun. Jozefi nuk e përdori pa·rou·siʹa-n për një afrim të thjeshë apo për një mbërritje të përkohshme. Ajo nënkuptonte një prani të vazhdueshme, madje të padukshme. (Dalja 20:18-21; 25:22; Levitiku 16:2; 2. Mbretërve 6:15-17)—Krahaso Antiquities of the Jews, libri 3, kapitulli 5, paragrafi 2 [80]; kapitulli 8, paragrafi 5 [202]; libri 9, kapitulli 4, paragrafi 3 [55]; libri 18, kapitulli 8, paragrafi 6 [284].
b Në veprën e tij A Critical Lexicon and Concordance to the English and Greek New Testament, Ethelbert W. Bullinger, thekson se pa·rou·siʹa do të thotë ‘të qenët apo të bërët i pranishëm, prandaj, prani, mbërritje; një ardhje që përfshin idenë e një banimi të qëndrueshëm prej asaj ardhjeje e më pas’.
c Një dëshmi është se ai përmban 19 herë shprehjen hebraike «Emri», të shkruar apo të shkurtuar. Profesori Hauard shkruan: «Leximi i Emrit Hyjnor në një dokument të krishterë, i cituar nga një polemist hebre është për t’u vërejtur. Sikur të kishim të bënim me një përkthim në hebraisht të ndonjë dokumenti të krishterë grek apo latin, dikush mund të priste që të gjente në tekst adonai [Zotëri], jo një simbol për emrin e pashprehshëm hyjnor YHWH. . . . Është e pashpjegueshme për të, që të ketë shtuar emrin e pashprehshëm. Dëshmia tregon fuqimisht se Shem-Tobi e mori kopjen e tij të Mateut me Emrin Hyjnor tashmë brenda tekstit dhe se mundësisht e ruajti, në vend se të rrezikonte të quhej fajtor për heqjen e tij.» Versioni New World Translation of the Holy Scriptures—With References e përdor Mateu e Shem-Tobit (J2) si mbështetje për përdorimin e emrit hyjnor në Shkrimet e Krishtere Greke.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Përse është e rëndësishme të kuptojmë ndryshimin ndërmjet asaj se si e përkthen Bibla Mateun 24:3?
◻ Ç’domethënie ka pa·rou·siʹa dhe përse ka interes kjo?
◻ Cili paralel i mundshëm mund të ekzistojë në Mateun 24:3, në greqisht dhe në hebraisht?
◻ Cilin faktor në lidhje me kohën duhet të njohim, për të kuptuar Mateun 24?
[Figura në faqe 10]
Mali i Ullinjve, i cili shtrihet mbi Jerusalemin