BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/4 f. 14-18
  • Çlirim në një botë të re të drejtë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Çlirim në një botë të re të drejtë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Mjerimi i madh»
  • Shërbëtorët e Perëndisë sulmohen
  • «Çlirimi juaj po afrohet»
  • Bota e re
  • Përse kaq gjatë?
  • Kryerja e diçkaje tjetër
  • Po afron çlirimi me anë të Mbretërisë së Perëndisë!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Qëndro besnik gjatë ‘shtrëngimit të madh’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Merr zemër ndërsa afrohet çlirimi
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/4 f. 14-18

Çlirim në një botë të re të drejtë

«Ata me të vërtetë do të gjejnë kënaqësinë e tyre të këndshmenë bollëkun e paqes.»​—PSALMI 37:11, BR.

1, 2. (a) Si do të ndryshojë çlirimi i Jehovait në kohën tonë nga çlirimet e kohëve të lashta? (b) Në ç’lloj bote do ta çojë Jehovai popullin e tij?

JEHOVAI është një Perëndi çlirimi. Në kohët e lashta, ai e çliroi popullin e tij në shumë raste. Ato çlirime ishin të përkohshme, sepse në asnjërin prej atyre momenteve Jehovai nuk e ekzekutoi në mënyrë të përhershme gjykimin e tij kundër tërë botës së Satanait. Por në ditët tona, Jehovai do të kryejë së shpejti çlirimin më të madh nga të gjithë, për shërbëtorët e tij. Në këtë kohë ai do të shkatërrojë çdo gjurmë të sistemit të Satanait në mbarë tokën dhe do t’i çojë shërbëtorët e tij në një botë të re të përhershme e të drejtë.​—2. Pjetrit 2:9; 3:10-13.

2 Jehovai premton: «Edhe fare pak dhe i ligu nuk do jetë më . . . Por vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të gjejnë kënaqësinë e tyre të këndshme në bollëkun e paqes.» (Psalmi 37:10, 11, BR) Për sa kohë? «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:29; Mateu 5:5) Megjithatë, përpara se të ndodhë një gjë e tillë, kjo botë do të vuajë kohën më të madhe të mjerimit që ka njohur ndonjëherë.

«Mjerimi i madh»

3. Si e përshkroi Jezui «mjerimin e madh»?

3 Në vitin 1914, kjo botë hyri në «ditët e fundit» të saj. (2. Timoteut 3:1-5, 13) Ne jemi që prej 83 vjetësh në atë periudhë dhe po i afrohemi fundit të saj kur, siç tha Jezui, do të ndodhë sa vijon: «Atëherë do të ketë një mundim [mjerim, BR] aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë!» (Mateu 24:21) Po, më keq madje edhe sesa Lufta II Botërore, që mori pothuajse 50 milionë jetë. Ç’kohë tronditjeje botërore po afrohet me shpejtësi!

4. Përse gjykimi i Perëndisë bie mbi «Babiloninë e Madhe»?

4 «Mjerimi i madh» do të vijë me një befasi habitëse, «në një moment». (Zbulesa 18:10) Shpërthimi i tij do të shënohet nga ekzekutimi i gjykimit të Perëndisë mbi të gjithë fenë e rreme, të cilën Fjala e Perëndisë e quan «Babilonia e Madhe». (Zbulesa 17:1-6, 15) Tipari dominues i Babilonisë së lashtë, ishte feja e rreme. Babilonia moderne është si ekuivalentja e saj e lashtë dhe përfaqëson perandorinë botërore të fesë së rreme. Ajo ka luajtur rolin e lavires, duke bërë kompromise me elementët politikë. Ajo ka mbështetur luftërat e tyre dhe ka bekuar ushtritë e palëve kundërshtare, duke sjellë si rezultat masakrimin mes njëri-tjetrit të njerëzve të së njëjtës fe. (Mateu 26:51, 52; 1. Gjonit 4:20, 21) Ajo ka mbyllur sytë para praktikave të aderuesve të saj dhe ka persekutuar të krishterët e vërtetë.​—Zbulesa 18:5, 24.

5. Si fillon «mjerimi i madh»?

5 «Mjerimi i madh» fillon kur elementët politikë të sulmojnë paprimtas «Babiloninë e Madhe». Ata «do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr». (Zbulesa 17:16) Pas kësaj, mbështetësit e saj të mëparshëm «do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë». (Zbulesa 18:9-19) Por shërbëtorët e Jehovait e kanë pritur prej kohësh këtë dhe do të bërtasin: «Aleluja! . . . Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet, të derdhur prej dorës së saj.»​—Zbulesa 19:1, 2.

Shërbëtorët e Perëndisë sulmohen

6, 7. Përse shërbëtorët e Jehovait mund të jenë të sigurt, kur të sulmohen gjatë «mjerimit të madh»?

6 Pasi kanë shkatërruar fenë e rreme, elementët politikë sulmojnë shërbëtorët e Jehovait. Satanai, në profeci ‘Gogu i vendit të Magogut’, thotë: «Do të nisem kundër njerëzve të qetë që banojnë të sigurt.» Duke menduar se ata janë një pre e lehtë, ai i sulmon me ‘një turmë të madhe dhe një ushtri të fuqishme . . . si një re që mbulon vendin’. (Ezekieli 38:2, 10-16) Pjesëtarët e popullit të Jehovait e dinë se ky sulm do të dështojë, sepse ata besojnë në Jehovain.

7 Kur Faraoni dhe ushtritë e tij menduan se i kishin zënë shërbëtorët e Jehovait në grackë në Detin e Kuq, Jehovai, në mënyrë të mrekullueshme, çliroi popullin e tij dhe shkatërroi ushtritë e Egjiptit. (Dalja 14:26-28) Gjatë «mjerimit të madh», kur kombet të mendojnë se e kanë zënë në grackë popullin e Jehovait, ai përsëri në mënyrë të mrekullueshme do të sjellë shpëtimin: «Atë ditë . . . tërbimi im do të më hipë në vrimat e hundës. Në xhelozinë time dhe në zjarrin e zemërimit tim, unë do të deklaroj.» (Ezekieli 38:18, 19) Atëherë, kulmi i «mjerimit të madh» do të jetë i menjëhershëm!

8. Çfarë ngjarjesh të mbinatyrshme do të ndodhin përpara se Jehovai të ekzekutojë të ligjtë dhe me çfarë efekti?

8 Diku pasi «mjerimi i madh» të ketë filluar, por para se Jehovai të ekzekutojë gjykimin e tij mbi pjesën e mbetur të kësaj bote, do të ndodhin ngjarje të mbinatyrshme. Vëre efektin që do të kenë ato. «Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.» (Mateu 24:29, 30) «Do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, . . . njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën.»​—Luka 21:25, 26.

«Çlirimi juaj po afrohet»

9. Përse shërbëtorët e Jehovait mund të ‘ngrenë kokat’, kur të ndodhin ngjarjet e mbinatyrshme?

9 Në atë kohë të veçantë, aplikohet profecia e Lukës 21:28. Jezui tha: «Kur këto gjëra të fillojnë të ndodhin, ngrihuni dhe ngrini kokat lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.» (BR) Armiqtë e Perëndisë do të jenë duke u dridhur nga frika, pasi do ta dinë se ngjarjet e mbinatyrshme që po ndodhin, vijnë nga Jehovai. Por shërbëtorët e Jehovait do të gëzojnë, sepse e dinë se çlirimi i tyre po afrohet.

10. Si e përshkruan Fjala e Perëndisë kulmin e «mjerimit të madh»?

10 Atëherë Jehovai i jep një goditje vdekjeprurëse sistemit të Satanait: «Do të ekzekutoj vendimin tim mbi të [Gogun] me murtajë dhe me gjak; do të bëj të reshë mbi të, mbi ushtrinë e tij dhe mbi shumë popuj që janë bashkë me të, një shi që zhurin, gurë prej akulli, zjarr dhe squfur. . . . Dhe do të pranojnë se unë jam Zoti [Jehovai, BR].» (Ezekieli 38:22, 23) Të gjitha gjurmët e sistemit të Satanait janë shkatërruar. E gjithë shoqëria njerëzore e njerëzve mospërfillës ndaj Perëndisë, është asgjësuar. Ky është kulmi harmagedonik i «mjerimit të madh».​—Jeremia 25:31-33; 2. Selanikasve 1:6-8; Zbulesa 16:14, 16; 19:11-21.

11. Përse shërbëtorët e Jehovait çlirohen përmes «mjerimit të madh»?

11 Të çliruarit përmes «mjerimit të madh», do të jenë milionat e adhuruesve të Jehovait në mbarë tokën. Këta përbëjnë «shumicën e madhe» që ka ardhur «prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». Përse ata janë çliruar në një mënyrë të tillë, që të ngjall frikë? Sepse ata i bëjnë Jehovait «shërbim të shenjtë ditë e natë». Kështu, ata mbijetojnë fundin e kësaj bote dhe çohen në një botë të re të drejtë. (Zbulesa 7:9-15, BR) Kështu, ata dëshmojnë përmbushjen e premtimit të Jehovait: «Ki shpresë të patundur tek Zoti [Jehovai, BR] dhe ndiq rrugën e tij dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë shfarosur, ti do ta shikosh.»​—Psalmi 37:34.

Bota e re

12. Çfarë mund të presin me padurim të mbijetuarit e Harmagedonit?

12 Ç’kohë drithëruese do të jetë ajo: eliminimi i ligësisë dhe agimi i epokës më të lavdishme në të gjithë historinë e njerëzimit! (Zbulesa 20:1-4) Sa mirënjohës do t’i jenë Jehovait të mbijetuarit nga Harmagedoni, që kanë hyrë në një qytetërim të ndriçuar e të pastër të bërë nga Jehovai, në një botë të re, në një tokë që do të transformohet në parajsë! (Luka 23:43) Dhe atyre s’do t’u duhet aspak që të vdesin! (Gjoni 11:26) Me të vërtetë, që nga ky moment e tutje, ata do të kenë perspektivën mahnitëse dhe të mrekullueshme për të jetuar aq kohë sa jeton Jehovai!

13. Si e rifillon Jezui veprën e shërimit që nisi në tokë?

13 Jezui, të cilin Jehovai e ka caktuar si Mbret qiellor, do të mbikëqyrë bekimet e mrekullueshme që do të gëzojnë të çliruarit. Kur ishte në tokë, ai hapi sy të verbër dhe veshë të shurdhër, si dhe shëroi «çdo [lloj, BR] sëmundje e çdo lëngatë». (Mateu 9:35; 15:30, 31) Në botën e re, ai do ta rifillojë atë vepër të madhe shërimi, por në një shkallë globale. Si Agjent i Perëndisë, ai do të përmbushë premtimin: «Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:4) Kurrë më nuk do të ketë nevojë për praktikues mjekësorë apo për sipërmarrës varrimesh!​—Isaia 25:8; 33:24.

14. Çfarë çlirimi do t’u vijë shërbëtorëve të Jehovait që tashmë kanë vdekur?

14 Të çliruar do të jenë, gjithashtu, të gjithë ata shërbëtorë besimplotë të Perëndisë që vdiqën në të kaluarën. Në botën e re, ata do të shpëtohen nga kthetrat e varrit. Jehovai jep garancinë: «Do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.» (Veprat 24:15) Ka të ngjarë që «të drejtët» të ringjallen më përpara, për të kontribuar në shtrirjen e parajsës. Sa magjepsëse do të jetë për të mbijetuarit nga Harmagedoni, që të dëgjojnë përvojat e të vdekurve besimplotë të shumë kohëve më parë, tani të kthyer në jetë!​—Gjoni 5:28, 29.

15. Përshkruaj disa nga kushtet që do të përjetohen në botën e re?

15 Të gjithë ata që jetojnë, do të përjetojnë atëherë atë që tha psalmisti për Jehovain: «Ti hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo gjëje të gjallë.» (Psalmi 145:16) Jo më uri: Toka do të jetë rivendosur në një ekuilibër ekologjik dhe do të prodhojë me bollëk. (Psalmi 72:16) Jo më njerëz pa shtëpi: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to» dhe secili do të ulet «nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më». (Isaia 65:21, 22; Mikea 4:4) Jo më frikë: Nuk do të ketë më luftë, dhunë apo krime. (Psalmi 46:8, 9; Proverbat 2:22) «E gjithë toka ka pushuar, është çliruar nga shqetësimi. Njerëzit janë bërë të gëzuar me britma gëzimi.»​—Isaia 14:7, BR.

16. Përse drejtësia do ta përshkojë botën e re?

16 Në botën e re, mjetet publike propaganduese të Satanait, do të jenë hequr. Në vend të tyre, «drejtësia është ajo që banorët e vendit prodhues do të mësojnë me siguri». (Isaia 26:9, BR; Is 54:13) Me mësimin e shëndetshëm frymor vit pas viti, «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin». (Isaia 11:9) Mendime dhe veprime ndërtuese do ta përshkojnë njerëzimin. (Filipianëve 4:8) Imagjino: një shoqëri mbarëbotërore njerëzish të liruar nga krimi, egoizmi dhe xhelozia, një vëllazëri ndërkombëtare, ku fryti i frymës së Perëndisë prodhohet nga të gjithë. Në të vërtetë, cilësi të tilla po kultivohen madje që tani nga shumica e madhe.​—Galatasve 5:22, 23.

Përse kaq gjatë?

17. Përse Jehovai ka pritur kaq gjatë përpara se t’i japë fund ligësisë?

17 Megjithatë, përse Jehovai ka pritur kaq gjatë për ta hequr ligësinë dhe për ta çliruar popullin e tij në botën e re? Ki parasysh se çfarë duhej të kryhej. Më e rëndësishmja është shfajësimi i sovranitetit të Jehovait, i së drejtës së tij për të sunduar. Duke lejuar që të kalojë një kohë e mjaftueshme, ai ka treguar tej çdo dyshimi se sundimi i njeriut jashtë sovranitetit të tij ka dalë se është një dështim kolosal. (Jeremia 10:23) Kështu që tani, Jehovai është plotësisht i justifikuar për ta zëvendësuar sundimin njerëzor me sundimin e Mbretërisë së tij qiellore nën Krishtin.​—Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10.

18. Kur do ta trashëgonin tokën e Kanaanit pasardhësit e Abrahamit?

18 Ajo që ka ndodhur gjatë gjithë këtyre shekujve, është e ngjashme me atë që ndodhi në kohën e Abrahamit. Jehovai i tha Abrahamit se pasardhësit e tij do të trashëgonin tokën e Kanaanit, por jo përpara se të kalonin 400 vjet, ‘sepse padrejtësia e amorejve s’kishte arritur ende kulmin’. (Zanafilla 12:1-5; 15:13-16) Ka të ngjarë që këtu, termi «amorejtë» (një fis sundues) përfaqëson popujt e Kanaanit si një i tërë. Kështu, pra, përpara se Jehovai t’i bënte të mundur popullit të tij që të merrte në dorë Kanaanin, do të kalonin pothuajse katër shekuj. Ndërkohë, Jehovai u lejoi kombeve në Kanaan që të zhvillonin shoqëritë e tyre. Me çfarë rezultati?

19, 20. Çfarë lloj shoqërish zhvilluan kananitët?

19 Manuali i Biblës sipas Henri H. Halleit, vëren se në Megido, arkeologët kanë gjetur rrënojat e një tempulli të Ashtorethit, gruas-perëndeshë të Baalit. Ai shkruan: «Vetëm pak hapa larg këtij tempulli, ndodhej një varrezë, ku u gjetën shumë poçe, që mbanin mbetjet e foshnjave të sakrifikuara në këtë tempull . . . Profetët e Baalit dhe të Ashtorethit ishin vrasës zyrtarë të fëmijëve të vegjël.» «Një praktikë tjetër e tmerrshme ishte [ajo] që ata e quanin ‘flijimet e themelit’. Kur duhej ndërtuar një shtëpi, do të flijohej një fëmijë dhe trupi i tij do të murosej.»

20 Hallei komenton: «Adhurimi i Baalit, i Ashtorethit dhe i perëndive të tjera kanaanite, konsistonte në orgjitë më ekstravagante; tempujt e tyre ishin qendra vesesh. . . . Kanaanitët adhuronin duke u dhënë pas imoralitetit, . . . dhe pastaj, duke vrarë fëmijët e tyre të parëlindur, si flijim ndaj të njëjtëve perëndi. Duket se në një masë të madhe, vendi i Kanaanit ishte bërë një lloj Sodome dhe Gomorre në shkallë kombëtare. . . . A kishte qytetërimi i një fëlliqësie dhe brutaliteti të tillë të urryer, ndonjë të drejtë për të ekzistuar akoma? . . . Arkeologët që gërmuan në rrënojat e qyteteve kananite, pyesnin veten se përse Perëndia nuk i shkatërroi ata më shpejt se ç’kishte bërë.»​—Krahaso 1. Mbretërve 21:25, 26.

21. Çfarë ngjashmërie ka ndërmjet situatës së kananitëve dhe asaj të ditëve tona?

21 Ligësia e amorejve kishte «arritur kulmin». Kështu Jehovai ishte tani plotësisht i justifikuar për t’i shfarosur. E njëjta gjë është e vërtetë dhe sot. Kjo botë është e mbushur me dhunë, imoralitet dhe përbuzje për ligjet e Perëndisë. Përderisa me të drejtë tmerrohemi nga flijimet e tmerrshme të fëmijëve në Kanaanin e lashtë, ç’të themi për flijimet e dhjetëra miliona të rinjve në luftërat e kësaj bote, shumë më të këqija se çdo gjë në Kanaan? Sigurisht, tani Jehovai është plotësisht i justifikuar për të sjellë fundin e këtij sistemi të lig.

Kryerja e diçkaje tjetër

22. Çfarë është kryer nëpërmjet durimit të Jehovait në kohën tonë?

22 Durimi i Jehovait në këto ditë të fundit është duke kryer diçka tjetër. Ai është duke lënë kohë për të mbledhur dhe për të arsimuar shumicën e madhe, që tashmë numëron më shumë se pesë milionë. Nën drejtimin e Jehovait, ata janë formuar brenda një organizate që shkon përpara. Burra, gra dhe të rinj, janë stërvitur për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike. Nëpërmjet mbledhjeve të tyre dhe botimeve biblike, ata mësojnë rrugët e dashura të Perëndisë. (Gjoni 13:34, 35; Kolosianëve 3:14; Hebrenjve 10:24, 25) Përveç kësaj, ata janë duke zhvilluar aftësi në ndërtim, elektronikë, shtypje dhe në fusha të tjera, në mënyrë që të mbështetin predikimin e «lajmit të mirë». (Mateu 24:14, BR) Ka të ngjarë që aftësi të tilla mësimdhënieje dhe ndërtimi, të përdoren gjerësisht në botën e re.

23. Përse është privilegj që të jesh gjallë në këtë kohë?

23 Po, Jehovai po i përgatit sot shërbëtorët e tij, që të kalojnë përmes «mjerimit të madh» në një botë të re të drejtë. Atëherë, atje nuk do të jetë më Satanai dhe bota e tij e ligë, me të cilët do të na duhej të ndesheshim, s’do të ketë më as sëmundje, as brenga dhe as vdekje. Me një entuziazëm dhe gëzim të madh, pjesëtarët e popullit të Perëndisë do të kryejnë detyrën e lumtur të ndërtimit të një parajse, ku çdo ditë do të jetë një «kënaqësi e këndshme». Sa të privilegjuar jemi që jetojmë në kulmin e epokave, që njohim dhe i shërbejmë Jehovait dhe që kuptojmë se së shpejti do të ‘ngremë kokat, sepse çlirimi ynë është afër’!​—Luka 21:28; Psalmi 146:5.

Pyetje për rishikim

◻ Çfarë është «mjerimi i madh» dhe si fillon ai?

◻ Përse sulmi i Gogut mbi shërbëtorët e Jehovait do të dështojë?

◻ Si përfundon «mjerimi i madh»?

◻ Çfarë dobish të mrekullueshme do të sigurojë bota e re?

◻ Përse Jehovai ka pritur kaq gjatë para se të sjellë fundin e këtij sistemi?

[Figura në faqen 16]

Krejt toka do të transformohet në një parajsë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo