BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • kp f. 24-27
  • «Që të mos hyni në tundim»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Që të mos hyni në tundim»
  • Qëndroni vigjilentë!
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Tundim për të bërë çfarë?
  • ‘Lutu vazhdimisht’
  • Ji realist në atë që pret
  • Mbaj në mendje çështjet
  • ‘Afroju Perëndisë’
  • Të arrijmë fitoren kundër dobësisë njerëzore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Si t’i rezistosh tundimit?
    Zgjohuni!—2014
  • «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro»
    Jehovai rivendos adhurimin e pastër!
  • Të fuqizuar që t’i kundërvihemi tundimit dhe të përballojmë shkurajimin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2011
Shih më tepër
Qëndroni vigjilentë!
kp f. 24-27

«Që të mos hyni në tundim»

«Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos hyni në tundim.»​—MATEU 26:41.

PRESIONI ishte shumë i madh, s’ngjante me asgjë që ai kishte kaluar më parë. Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, po i afrohej fundit të jetës së tij në tokë. E dinte se së shpejti do ta arrestonin, do ta dënonin me vdekje dhe do ta vinin në një shtyllë torture. E dinte se çdo vendim dhe veprim i tij do të ndikonte për mirë ose për keq në emrin e Atit të tij. E dinte edhe se do të vendosej perspektiva e njerëzimit për të ardhmen. Çfarë bëri përballë gjithë këtij presioni?

2 Jezui shkoi në kopshtin e Getsemanisë bashkë me dishepujt e tij. Ky ishte një vend që e pëlqente shumë. U largua pak nga dishepujt dhe atje në vetmi iu drejtua Atit të tij qiellor për të marrë forcë. Ia hapi zemrën në lutje të zjarrtë, jo vetëm një herë, por tri herë. Ndonëse ishte i përsosur, Jezui nuk mendonte se mund ta përballonte vetë presionin, me forcat e tij.​—Mateu 26:36-44.

3 Edhe ne sot kemi presione. Në fillim të kësaj broshure pamë provat që tregojnë se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig. Tundimet dhe streset që na shkakton bota e Satanait sa vijnë e bëhen më të forta. Vendimet dhe veprimet e secilit prej nesh që pohon se i shërben Perëndisë së vërtetë ndikojnë për mirë ose për keq në emrin e tij, si edhe në shpresën tonë për jetën në botën e tij të re. Ne e duam Jehovain. Duam ‘të qëndrojmë deri në fund’, cilido qoftë ky, fundi i jetës sonë ose fundi i këtij sistemi​—varet kush vjen më shpejt. (Mateu 24:13) Por, si mund ta mbajmë ndjenjën e urgjencës dhe të qëndrojmë vigjilentë?

4 Ngaqë e dinte se dishepujt e tij do të kishin presione si në atë kohë, ashtu edhe sot, Jezui nxiti: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos hyni në tundim.» (Mateu 26:41) Çfarë nënkuptojnë për ne sot këto fjalë? Çfarë tundimi has secili prej nesh? Si mund të ‘qëndrojmë vigjilentë’?

Tundim për të bërë çfarë?

5 Që të gjithë hasim çdo ditë tundimin për të rënë në ‘lakun e Djallit’. (2 Timoteut 2:26) Bibla na paralajmëron se Satanai ka veçanërisht në shënjestër adhuruesit e Jehovait. (1 Pjetrit 5:8; Zbulesa 12:12, 17) Përse? Jo medoemos që të na marrë jetën. Nuk do të ishte fitore për Satanain po të vdisnim besnikë ndaj Perëndisë. Satanai e di se në kohën e duhur Jehovai do ta zhbëjë vdekjen me anë të ringjalljes.​—Luka 20:37, 38.

6 Satanai dëshiron të shkatërrojë diçka që është edhe më e vlefshme se jeta që kemi tani, domethënë integritetin tonë ndaj Perëndisë. Me çdo kusht Satanai do që të provojë se mund të na largojë nga Jehovai. Prandaj, po të na joshë që të mos jemi besnikë, pra të mos predikojmë lajmin e mirë ose të mos jetojmë sipas normave të krishtere, kjo do të ishte fitore për Satanain! (Efesianëve 6:11-13) Për këtë arsye, «Tunduesi» na vë përpara tundime.​—Mateu 4:3.

7 «Taktikat mashtruese» të Satanait janë të ndryshme. (Efesianëve 6:11, Jewish New Testament) Ai mund të na tundojë me materializmin, me frikën, me dyshimet ose me dëshirën për të rendur pas kënaqësive. Por një nga metodat më të efektshme që përdor është shkurajimi. Si një dinak i paskrupull që është, ai e di se trishtimi mund të na dobësojë dhe të na bëjë një pre më të lehtë. (Fjalët e urta 24:10) Pra, sidomos kur ‘vritemi’ emocionalisht, ai na tundon që të dorëzohemi.​—Psalmi 38:8.

8 Duket se sa më shumë i afrohemi mbarimit të ditëve të fundit, aq më shumë shtohen shkaqet për t’u shkurajuar. Askush nuk përjashtohet nga kjo. (Shih kutinë «Disa rrethana që na shkurajojnë».) Cilido qoftë shkaku, shkurajimi na heq forcat. Po të jesh i sfilitur fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht, do ta kesh të vështirë ‘të blesh kohën e duhur’ për të përmbushur detyrimet frymore, siç janë studimi i Biblës, ndjekja e mbledhjeve të krishtere dhe pjesëmarrja në shërbim. (Efesianëve 5:15, 16) Mos harro se Tunduesi do që ti të dorëzohesh. Por tani nuk është koha që të ngadalësosh ose që të humbësh ndjenjën e urgjencës për kohën në të cilën jetojmë! (Luka 21:34-36) Si t’i kundërvihesh tundimit dhe të qëndrosh vigjilent? Shqyrto katër sugjerime që mund të të ndihmojnë.

‘Lutu vazhdimisht’

9 Mbështetu te Jehovai me anë të lutjes. Sill ndër mend shembullin e Jezuit në kopshtin e Getsemanisë. Çfarë bëri ai kur ishte nën një presion të madh emocional? Iu drejtua Jehovait për ndihmë, duke u lutur me kaq zjarr, saqë «djersa e tij u bë si pika gjaku që binin përtokë». (Luka 22:44) Ndalu dhe mendo pak. Jezui e njihte mirë Satanain. Kishte vërejtur që nga qielli gjithë tundimet që Satanai përdorte për të zënë në grackë shërbëtorët e Perëndisë. E megjithatë nuk mendoi se mund ta kapërcente me lehtësi çfarëdo gjëje që do t’i vinte përpara Tunduesi. Nëse Biri i përsosur i Perëndisë ndjeu nevojën që t’i lutej Perëndisë për ndihmë e për forcë, aq më shumë ne duhet të veprojmë kështu!​—1 Pjetrit 2:21.

10 Po ashtu, mos harro se pasi i nxiti dishepujt ‘të luteshin vazhdimisht’, Jezui tha: «Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.» (Mateu 26:41) Për cilin mish e kishte fjalën Jezui? Sigurisht jo për mishin e tij, sepse ishte i përsosur, s’kishte asgjë të dobët. (1 Pjetrit 2:22) Por me dishepujt ndryshonte puna. Për shkak të papërsosmërisë dhe të prirjeve mëkatare që kishin trashëguar, ata do të kishin veçanërisht nevojë për ndihmë që t’i kundërviheshin tundimit. (Romakëve 7:21-24) Ja pse Jezui nxiti jo vetëm ata, por edhe të gjithë të krishterët e vërtetë që do të vinin më vonë, që të luteshin për ndihmë që të përballonin tundimin. (Mateu 6:13) Jehovai u përgjigjet këtyre lutjeve. (Psalmi 65:2) Si e bën këtë? Të paktën në dy mënyra.

11 Së pari Perëndia na ndihmon të dallojmë se cilat janë tundimet. Tundimet e Satanait janë si kurthe të ngritura nëpër një shteg ku s’ka dritë. Po të mos i shohësh, mund të shkelësh në to e të biesh në kurth. Me anë të Biblës dhe të botimeve biblike, Jehovai i zbulon kurthet e Satanait, duke na dhënë mundësi t’i shmangim ato e të mos i dorëzohemi tundimit. Gjatë viteve, në literaturën e botuar dhe në programet e kongreseve dhe të asambleve kemi marrë vazhdimisht paralajmërime për rreziqe të tilla, si: frika e njeriut, imoraliteti seksual, materializmi dhe tundime të tjera satanike. (Fjalët e urta 29:25; 1 Korintasve 10:8-11; 1 Timoteut 6:9, 10) A nuk je mirënjohës që Jehovai na vë në dijeni për intrigat e Satanait? (2 Korintasve 2:11) Të gjitha këto paralajmërime janë përgjigje e lutjeve të tua për ndihmë që t’i kundërvihesh tundimit.

12 Së dyti Jehovai u përgjigjet lutjeve tona duke na dhënë forcë që ta durojmë tundimin. Në Fjalën e tij thuhet: «Perëndia . . . nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen.» (1 Korintasve 10:13) Në qoftë se vazhdojmë të mbështetemi te Perëndia, ai nuk do të lejojë kurrë që një tundim të na rëndojë kaq shumë, sa të mos kemi forcë frymore për t’i bërë ballë. Si na e ‘siguron rrugëdaljen’? Ai ‘u jep frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë’. (Luka 11:13) Kjo frymë e shenjtë mund të na ndihmojë të kujtojmë parime biblike që të na e forcojnë vendosmërinë për të bërë atë që është e drejtë. Mund të na ndihmojë edhe që të marrim vendime të mençura. (Gjoni 14:26; Jakovi 1:5, 6) Mund të na ndihmojë të shfaqim cilësitë që na duhen për të mposhtur prirjet e gabuara. (Galatasve 5:22, 23) Madje fryma e Perëndisë mund të nxitë edhe bashkëbesimtarët që ‘të bëhen ndihmë fuqizuese për ne’. (Kolosianëve 4:11) A nuk je mirënjohës që Jehovai u përgjigjet në mënyra kaq të dashura lutjeve tona për ndihmë?

Ji realist në atë që pret

13 Për të qëndruar vigjilentë duhet të jemi realistë në atë që presim. Nganjëherë të gjithëve na ndodh që të lodhemi për shkak të presioneve të jetës. Por nuk duhet të harrojmë se Perëndia nuk ka premtuar ndonjëherë se në këtë sistem të vjetër do të kemi një jetë pa probleme. Edhe në kohët biblike, shërbëtorët e Perëndisë hasën vështirësi, duke përfshirë përndjekjen, varfërinë, depresionin dhe sëmundjet.​—Veprat 8:1; 2 Korintasve 8:1, 2; 1 Selanikasve 5:14; 1 Timoteut 5:23.

14 Edhe sot secili prej nesh ka problemet e veta. Ndoshta hasim përndjekje, kemi ankthe për shkak të gjendjes financiare, luftojmë me depresionin, sëmuremi e vuajmë në mënyra të tjera. Në qoftë se Jehovai do të na mbronte me anë të mrekullive nga çdo dëmtim, a nuk do të ishte kjo një bazë që Satanai të përfliste kundër Jehovait? (Fjalët e urta 27:11) Kështu, Jehovai lejon që shërbëtorët e tij të tundohen e të sprovohen. Në disa raste, kjo mund të shkojë edhe deri në një vdekje të parakohshme të shkaktuar nga kundërshtarët.​—Gjoni 16:2.

15 Po atëherë, çfarë ka premtuar Jehovai? Siç e kemi përmendur më parë, ka premtuar se do të na bëjë të aftë t’i kundërvihemi çdo tundimi që mund të hasim, për sa kohë që i besojmë plotësisht Atij. (Fjalët e urta 3:5, 6) Ai na mbron frymësisht me anë të Fjalës, të frymës dhe të organizatës së tij, duke na ndihmuar që të ruajmë marrëdhënien me të. Po të mbetet e paprekur kjo marrëdhënie, edhe sikur të vdesim, në fakt kemi fituar. Asgjë, as edhe vdekja, nuk mund ta ndalojë Perëndinë që t’i shpërblejë shërbëtorët e tij besnikë. (Hebrenjve 11:6) E në botën e re që tani është shumë afër, Jehovai me siguri do të plotësojë të gjitha premtimet e tjera të mrekullueshme që ka bërë për të bekuar ata që e duan.​—Psalmi 145:16.

Mbaj në mendje çështjet

16 Për të qëndruar deri në fund duhet të mbajmë në mendje çështjet jetike për të cilat Perëndia e lejoi ligësinë. Sikur ndonjëherë problemet që kemi të na duken tepër të mëdha dhe të tundohemi për të lënë gjithçka, duhet t’i kujtojmë vetes që Satanai ka vënë në dyshim nëse Jehovai ka të drejtë të jetë Sovrani. Gjithashtu, Mashtruesi ka vënë në dyshim përkushtimin dhe integritetin e adhuruesve të Perëndisë. (Jobi 1:8-11; 2:3, 4) Këto çështje dhe mënyra se si ka vendosur t’i zgjidhë Jehovai, janë më të rëndësishme sesa vetë ne si individë. Pse themi kështu?

17 Fakti që Perëndia i ka lejuar përkohësisht vështirësitë u ka dhënë kohë të tjerëve që të marrin të vërtetën. Mendo këtë: Jezui vuajti që ne të fitonim jetën. (Gjoni 3:16) A nuk jemi mirënjohës për këtë? Mirëpo, a jemi gati t’i durojmë vështirësitë edhe për pak kohë, që edhe të tjerë të fitojnë jetën? Për të qëndruar deri në fund duhet të pranojmë se mençuria e Jehovait është shumë më e madhe se mençuria jonë. (Isaia 55:9) Ai do t’i japë fund ligësisë atëherë kur të jetë koha më e mirë për t’i zgjidhur një herë e mirë çështjet dhe për të mirën tonë të përjetshme. Po vërtet, a mund të kishte një mënyrë më të mirë se kjo? Te Perëndia nuk ka asnjë padrejtësi!​—Romakëve 9:14-24.

‘Afroju Perëndisë’

18 Për të mbajtur ndjenjën e urgjencës, duhet të qëndrojmë pranë Jehovait. Asnjëherë të mos harrojmë se Satanai po bën gjithçka mundet për të na shkatërruar marrëdhënien e mirë që kemi me Jehovain. Satanai dëshiron që ne të besojmë se fundi s’do të vijë kurrë dhe se s’ka kuptim të predikojmë lajmin e mirë ose të jetojmë sipas normave të Biblës. Por ai «është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44) Duhet të jemi të vendosur ‘t’i kundërvihemi Djallit’. Kurrë nuk duhet ta nënvlerësojmë marrëdhënien tonë me Jehovain. Me dashuri Bibla na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovi 4:7, 8) Si mund t’i afrohesh më shumë Jehovait?

19 Një gjë thelbësore është meditimi së bashku me lutjen. Kur të duket sikur presionet e jetës po të mbytin, zbrazja zemrën Jehovait. Sa më specifik të jesh në lutje, aq më të lehtë do ta kesh të kuptosh përgjigjen që ai u jep kërkesave të tua. Ndoshta përgjigjja nuk do të jetë gjithnjë tamam ajo që kishe në mendje ti, por nëse dëshiron ta nderosh Perëndinë dhe të mbash integritetin, ai do të të japë ndihmën që të nevojitet për të qëndruar me sukses. (1 Gjonit 5:14) Kur sheh se si po e drejton ai jetën tënde, do të afrohesh më shumë me të. Janë thelbësore edhe leximi e meditimi për cilësitë dhe për udhët e Jehovait, që zbulohen në Bibël. Ky meditim të ndihmon ta njohësh më mirë atë, të prek zemrën dhe ta thellon dashurinë për të. (Psalmi 19:14) Kjo dashuri, më shumë se çdo gjë tjetër, do të të ndihmojë t’i kundërvihesh tundimit dhe të qëndrosh vigjilent.​—1 Gjonit 5:3.

20 Për të qëndruar afër Jehovait, e rëndësishme është edhe të qëndrojmë afër bashkëbesimtarëve. Kjo do të trajtohet në pjesën e fundit të kësaj broshure.

PYETJE PËR SHQYRTIM

• Çfarë bëri Jezui kur ishte nën një presion jashtëzakonisht të madh afër fundit të jetës së tij? Për çfarë i nxiti dishepujt e tij? (Par. 1-4)

• Pse Satanai ka në shënjestër adhuruesit e Jehovait? Në cilat mënyra na tundon ai? (Par. 5-8)

• Për t’iu kundërvënë tundimit, pse duhet të lutemi vazhdimisht, (Par. 9-12), të jemi realistë në atë që presim (Par. 13-15), të mbajmë në mendje çështjet (Par. 16, 17) dhe ‘t’i afrohemi Perëndisë’ (Par. 18-20)?

[Kutia në faqen 25]

Disa rrethana që na shkurajojnë

Shëndeti ose mosha. Në qoftë se vuajmë nga një sëmundje kronike ose kemi kufizime për shkak të moshës së shkuar, mund të shkurajohemi, sepse nuk arrijmë të bëjmë shumë në shërbim të Perëndisë.​—Hebrenjve 6:10.

Zhgënjimi. Mund të na lëshojë zemra në qoftë se shumë veta nuk u përgjigjen përpjekjeve tona për të predikuar Fjalën e Perëndisë.​—Fjalët e urta 13:12.

Ndjenjat e pavlefshmërisë. Nëse dikë e kanë keqtrajtuar për vite të tëra, mund t’i krijohet bindja se askush nuk e do, madje as Jehovai.​—1 Gjonit 3:19, 20.

Ndjenjat e lënduara. Në qoftë se një bashkëbesimtar na fyen rëndë, mund të mërzitemi kaq shumë, saqë na vjen mendimi të mos shkojmë më në mbledhjet e krishtere ose në shërbim.​—Luka 17:1.

Përndjekja. Ata që nuk kanë të njëjtin besim si ty mund të të kundërshtojnë, të të përndjekin ose të të tallin.​—2 Timoteut 3:12; 2 Pjetrit 3:3, 4.

[Figura në faqen 26]

Jezui na nxiti ‘të lutemi vazhdimisht’ për ndihmë që t’i kundërvihemi tundimit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo