BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • jy kap. 125 f. 286-f. 287 par. 6
  • Jezuin e çojnë te Hanai, pastaj te Kajafa

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jezuin e çojnë te Hanai, pastaj te Kajafa
  • Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
  • Material i ngjashëm
  • E çojnë tek Ana e pastaj te Kajafa
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
  • Kryeprifti që dënoi Jezuin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Kajafa
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Kur Lazri ringjallet
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
Shih më tepër
Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
jy kap. 125 f. 286-f. 287 par. 6
Kajafa shqyen rrobat; të tjerë qëllojnë me shuplakë Jezuin, e tallin dhe e godasin me grushte

KAPITULLI 125

Jezuin e çojnë te Hanai, pastaj te Kajafa

MATEU 26:57-68 MARKU 14:53-65 LUKA 22:54, 63-65 GJONI 18:13, 14, 19-24

  • JEZUIN E ÇOJNË TEK ISH-KRYEPRIFTI, HANAI

  • NJË GJYQ I PALIGJSHËM NGA SINEDRI

Pasi i vënë vargonjtë si të ishte kriminel, Jezuin e çojnë te Hanai, i cili kishte qenë kryeprift kur Jezui i vogël mahniti mësuesit në tempull. (Luka 2:42, 47) Më vonë, disa nga djemtë e Hanait shërbyen si kryepriftërinj, dhe tani në këtë post është dhëndri i tij, Kajafa.

Ndërkohë që Hanai është duke marrë në pyetje Jezuin, Kajafa ka kohë të mbledhë Sinedrin. Në këtë gjykatë me 71 anëtarë bëjnë pjesë edhe kryeprifti e të tjerë që e kanë pasur këtë pozitë.

Hanai e pyet Jezuin «për dishepujt dhe për ato që mësonte». Jezui i përgjigjet thjesht: «Unë i kam folur botës hapur. Kam mësuar gjithnjë në sinagogë dhe në tempull, ku mblidhen gjithë judenjtë, dhe nuk kam thënë asgjë në fshehtësi. Pse më pyet mua? Pyet ata që i kanë dëgjuar mësimet e mia.»—Gjoni 18:19-21.

Një nga rojat që ishte atje i jep Jezuit një shuplakë fytyrës dhe e qorton: «Kështu i përgjigjesh kreut të priftërinjve?!» Por Jezui e di që s’ka bërë asgjë të keqe, ndaj i thotë: «Nëse fola gabim, më trego gabimin, por nëse fola drejt, pse më qëllon?» (Gjoni 18:22, 23) Pas kësaj, Hanai e dërgon Jezuin te dhëndri i tij, Kajafa.

Ndërkohë anëtarët e Sinedrit, kryeprifti në detyrë, pleqtë e popullit dhe skribët, janë mbledhur në shtëpinë e Kajafës. Nuk është e ligjshme të mbash një gjyq natën e Festës së Kalimit, ama kjo nuk i pengon të çojnë përpara planin e tyre të lig.

Vështirë që ky grup të marrë një vendim të paanshëm. Pasi Jezui ringjalli Lazarin, Sinedri vendosi se Jezui duhej të vdiste. (Gjoni 11:47-53) Dhe vetëm pak ditë më parë krerët fetarë komplotuan që ta arrestonin Jezuin dhe ta vritnin. (Mateu 26:3, 4) Është e qartë se Jezui është dënuar me vdekje që para se të fillojë gjyqi!

Përveçse kanë organizuar këtë mbledhje të paligjshme, krerët e priftërinjve dhe pjesëtarët e Sinedrit po mundohen të gjejnë dëshmitarë që të japin dëshmi të rreme për të akuzuar Jezuin. Gjejnë shumë veta, por dëshmitë e tyre nuk përputhen. Në fund, vijnë dy dëshmitarë që thonë: «E kemi dëgjuar të thotë: ‘Unë do ta rrëzoj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, por jo nga duart e njeriut.’» (Marku 14:58) Mirëpo as dëshmitë e tyre nuk përputhen plotësisht.

Kajafa pyet Jezuin: «S’po jep asnjë përgjigje? Nuk e dëgjon ç’po dëshmojnë këta kundër teje?» (Marku 14:60) Jezui hesht përballë këtyre akuzave të pavërteta e të papajtueshme që thonë dëshmitarët. Ja pse kryeprifti Kajafa provon një taktikë tjetër.

Ai e di mirë se judenjtë marrin zjarr kollaj po të dëgjojnë dikë që pohon se është Biri i Perëndisë. Më përpara, kur Jezui e kishte quajtur Perëndinë Atin e vet, judenjtë kishin kërkuar ta vritnin, sepse, sipas tyre, ‘po e bënte veten të barabartë me Perëndinë’. (Gjoni 5:17, 18; 10:31-39) Për këtë arsye, Kajafa vepron me dinakëri dhe pyet Jezuin: «Të vë në be për Perëndinë e gjallë, që të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë!» (Mateu 26:63) Sigurisht, Jezui e ka pranuar edhe më parë që është Biri i Perëndisë. (Gjoni 3:18; 5:25; 11:4) Nëse nuk e bën tani, mund të merret sikur po e mohon që është Biri i Perëndisë dhe Krishti. Prandaj thotë: «Unë jam. Ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e të Fuqishmit dhe duke ardhur në retë e qiellit.»—Marku 14:62.

Me të dëgjuar këtë, Kajafa shqyen rrobat në mënyrë dramatike dhe thotë me zë të lartë: «Ai blasfemoi! Ç’na duhen më dëshmitarët?! Ju e dëgjuat vetë blasfeminë. Ç’mendoni?» Sinedri shpall gjykimin e padrejtë: «Meriton vdekjen!»—Mateu 26:65, 66.

Pastaj fillojnë ta tallin Jezuin e ta gjuajnë me grushte. Të tjerë i bien me shuplaka dhe e pështyjnë. Pasi i mbulojnë fytyrën dhe e godasin, i thonë me sarkazëm: «Profetizo! Kush të goditi?» (Luka 22:64) Ç’trajtim poshtërues vuan Biri i Perëndisë gjatë këtij gjyqi të paligjshëm natën!

  • Ku e çojnë në fillim Jezuin dhe çfarë i ndodh atje?

  • Ku e çojnë pastaj Jezuin, dhe si e shtyn Kajafa Sinedrin të shpallë se Jezui meriton vdekjen?

  • Ç’sjellje poshtëruese ndodh gjatë gjyqit?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo