KAPITULI 129
Pilati deklaron: «Ja, njeriu!»
MATEU 27:15-17, 20-30 MARKU 15:6-19 LUKA 23:18-25 GJONI 18:39–19:5
PILATI MUNDOHET TË LIROJË JEZUIN
JUDENJTË KËRKOJNË TË LIROHET BARABA
JEZUIN E TALLIN DHE E KEQTRAJTOJNË
Pilati i thotë turmës që kërkon vdekjen e Jezuit: «Nuk gjeta asnjë bazë për akuzat që ngrini kundër këtij njeriu. Në fakt, as Herodi nuk gjeti gjë.» (Luka 23:14, 15) Tani, në përpjekje për ta shpëtuar Jezuin, Pilati provon një taktikë tjetër dhe u thotë njerëzve: «Ju keni një zakon që në Festën e Kalimit unë t’ju lë të lirë një të burgosur. A doni t’ju liroj Mbretin e judenjve?»—Gjoni 18:39.
Pilati e di se në burg është një njeri që quhet Baraba, i njohur si kusar, kryengritës dhe vrasës. Ndaj i pyet: «Cilin doni t’ju liroj, Barabën apo Jezuin që thonë se është Krishti?» Të nxitur nga krerët e priftërinjve, populli kërkon që të lirojë Barabën, jo Jezuin. Pilati i pyet për herë të dytë: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?» Turma bërtet: «Barabën.»—Mateu 27:17, 21.
I dëshpëruar, Pilati pyet: «Ç’duhet të bëj, pra, me Jezuin që thonë se është Krishti?» Ata ulërasin: «Vëre në shtyllë!» (Mateu 27:22) Sa turp! Po kërkojnë vdekjen e një njeriu të pafajshëm. Pilati u bën thirrje: «Pse, ç’të keqe ka bërë ky njeri? Nuk gjeta asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj do ta ndëshkoj dhe do ta lë të lirë.»—Luka 23:22.
Me gjithë përpjekjet e Pilatit, turma e harbuar bërtet njëzëri: «Vëre në shtyllë!» (Mateu 27:23) Krerët fetarë e kanë tërbuar turmën deri në këtë pikë sa janë të etur për gjak. Dhe nuk bëhet fjalë për gjakun e ndonjë krimineli a vrasësi, por të një njeriu të pafajshëm që vetëm pesë ditë më parë e mirëpritën në Jerusalem si mbret. Nëse dishepujt janë atje, qëndrojnë në heshtje dhe përpiqen të mos bien në sy.
Pilati kupton që përpjekjet e tij janë të kota. E meqë po bëhet trazirë, ai merr ujë, lan duart në sy të turmës dhe u thotë: «Unë jam i pafaj nga gjaku i këtij njeriu. Kjo është punë për ju.» Por as kjo nuk ua ndryshon mendjen njerëzve. Përkundrazi, ata thonë: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!»—Mateu 27:24, 25.
Guvernatori do më shumë të kënaqë ata, sesa të bëjë atë që e di se është e drejtë. Kështu, në përputhje me kërkesën e turmës, Pilati u liron Barabën. Ai jep urdhër që ta zhveshin Jezuin e pastaj ta fshikullojnë.
Pasi e torturojnë me të rrahura, ushtarët e çojnë Jezuin te pallati i guvernatorit. Trupa e ushtarëve mblidhen rreth tij dhe e keqtrajtojnë akoma më shumë. Thurin një kurorë me gjemba dhe ia ngjeshin në kokë. Ushtarët i japin edhe një kallam në dorën e djathtë dhe i hedhin përsipër një veshje të purpurt, si ajo që mbajnë familjet mbretërore. Pastaj e tallin me këto fjalë: «Tungjatjeta, o Mbret i judenjve!» (Mateu 27:28, 29) Veç kësaj, e pështyjnë dhe i bien me shuplaka në fytyrë. Ia marrin kallamin e fortë që ka në dorë dhe e godasin në kokë duke ia ngulur edhe më shumë gjembat e mprehtë të ‘kurorës’ së tij poshtëruese.
Dinjiteti dhe forca e jashtëzakonshme që shfaq Jezui gjatë gjithë kësaj sprove, i bën kaq përshtypje Pilatit, sa përpiqet edhe një herë të heqë fajin nga vetja duke thënë: «Ja, po e nxjerr para jush, që ta dini se nuk gjej asnjë faj tek ai.» Mos ndoshta Pilati mendon se, po ta shfaqë Jezuin para turmës të gjakosur e me plagë, atyre do t’u vijë keq? Ndërsa Jezui qëndron përballë turmës së pashpirt, Pilati deklaron: «Ja, njeriu!»—Gjoni 19:4, 5.
Ndonëse i rrahur e i gjakosur, Jezui pasqyron një dinjitet e qetësi që as Pilati s’mund ta mohojë. Në fakt fjalët e Pilatit përcjellin edhe respekt, edhe keqardhje.