BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/6 f. 20-25
  • Ndiqni paqen hyjnore në jetën familjare

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ndiqni paqen hyjnore në jetën familjare
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Jeta familjare e vënë në rrezik
  • Përse kjo krizë familjare?
  • Katër parime jetësore
  • Vazhdoni të ndiqni paqen hyjnore
  • Siguroni një të ardhme të qëndrueshme për familjen tuaj
    Sekreti i lumturisë familjare
  • A ka ndonjë sekret për lumturinë familjare?
    Sekreti i lumturisë familjare
  • Gëzo jetën familjare
    Gëzo jetën familjare
  • Familja: Një domosdoshmëri njerëzore!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/6 f. 20-25

Ndiqni paqen hyjnore në jetën familjare

«Atribuojini Jehovait, o ju familje të popujve, atribuojini Jehovait lavdi dhe forcë.»​—PSALMI 96:7, BR.

1. Çfarë fillimi i dha Jehovai jetës familjare?

KUR bashkoi burrin dhe gruan e parë në martesë, Jehovai i dha jetës familjare një fillim të lumtur e paqësor. Në fakt, Adami ishte kaq i lumtur, sa e shprehu gëzimin e tij në poezinë më të hershme të dokumentuar: «Kjo është më në fund kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Kjo do të quhet Grua, sepse nga burri është nxjerrë.»​—Zanafilla 2:23, BR.

2. Çfarë kishte në mendje Perëndia për martesën, përveçse t’u sillte lumturi fëmijëve të tij njerëzorë?

2 Kur Perëndia themeloi martesën dhe rregullin familjar, ai kishte për qëllim diçka më tepër, sesa vetëm t’u sillte lumturi fëmijëve të tij njerëzorë. Ai dëshironte që ata të kryenin vullnetin e tij. Perëndia i tha çiftit të parë këto fjalë: «Jini të frytshëm e bëhuni shumë dhe mbusheni tokën e nënshtrojeni atë, mbani në nënshtrim peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiellit dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28, BR) Një caktim vërtet shpërblyes. Sa të lumtur do të kishin qenë Adami, Eva dhe fëmijët e tyre të ardhshëm, nëse çifti i parë i martuar do të kishte kryer me bindje vullnetin e Jehovait!

3. Çfarë kërkohet që familjet të jetojnë me devotshmëri hyjnore?

3 Megjithatë, edhe sot, familjet janë më të lumtura, kur punojnë së bashku për kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Ç’perspektiva madhështore kanë familje të tilla të bindura! Apostulli Pavël shkroi: «Devotshmëria hyjnore është e dobishme për të gjitha gjërat, pasi ajo mban premtimin e jetës tani dhe të asaj që po vjen.» (1. Timoteut 4:8, BR) Familjet që jetojnë me devotshmëri të vërtetë hyjnore, ndjekin parimet e Fjalës së Jehovait dhe kryejnë vullnetin e tij. Ato ndjekin paqen hyjnore dhe prandaj gjejnë lumturi në ‘jetën tani’.

Jeta familjare e vënë në rrezik

4, 5. Përse mund të thuhet se jeta familjare tani është në rrezik në botën mbarë?

4 Realisht, ne nuk gjejmë paqe dhe lumturi në çdo familje. Duke cituar një studim të bërë nga një institut demografik i quajtur Këshilli i Popullimit, një gazetë njujorkeze thotë: «Si në vendet e pasura, ashtu edhe në ato të varfra, struktura e jetës familjare po pëson ndryshime të thella.» (The New York Times) Ishte cituar një autore e këtij studimi, duke thënë: «Ideja se familja është një njësi e qëndrueshme dhe e lidhur, në të cilën babai shërben si sigurues ekonomik dhe nëna si dhënëse e kujdesit emocional, është një nocion i rremë. Realiteti është që prirje të tilla, si nëna të pamartuara, rritja e treguesit të divorceve [dhe] familjeve më të vogla . . . po ndodhin në të gjithë botën.» Për shkak të prirjeve të tilla, miliona familjeve u mungon qëndrueshmëria, paqja dhe lumturia, e veç kësaj edhe po prishen. Në Spanjë, treguesi i divorceve u rrit 1 në 8 martesa, në fillim të dekadës së fundit të shekullit të 20-të, një kërcim i madh nga 1 në 100 vetëm 25 vjet më parë. Raportohet se Anglia ka një prej treguesve më të lartë të divorceve në Evropë, ku 4 në 10 martesa dështojnë. Ky vend ka parë, gjithashtu, një rritje të madhe në numrin e familjeve me një prind.

5 Duket se disa njerëz mezi presin të marrin divorcin. Shumë njerëz dynden në «Altarin e Prerjes së Lidhjes» pranë Tokios në Japoni. Ky tempull shintoist pranon kërkesa për divorce dhe për prishje të marrëdhënieve të tjera të padëshirueshme. Çdo adhurues shkruan lutjen e tij apo të saj në një copë të hollë dërrase, e var në zonën e altarit dhe lutet për të marrë përgjigje. Një gazetë e Tokios thotë se kur u ngrit tempulli, pothuaj një shekull më parë, «gratë e tregtarëve të pasur të zonës, shkruan lutje duke kërkuar që burrat e tyre të linin të dashurat e të ktheheshin tek ato». Ndërsa sot, pjesa më e madhe e lutjeve bëhen për t’u divorcuar, jo për t’u pajtuar. Pa pikë dyshimi, jeta familjare është në rrezik në botën mbarë. A duhet t’i çudisë kjo gjë të krishterët? Jo, sepse Bibla na jep mendjehollësi lidhur me krizën e tanishme familjare.

Përse kjo krizë familjare?

6. Çfarë lidhjeje ka 1. Gjonit 5:19 me krizën e sotme familjare?

6 Një arsye për krizën e sotme familjare është kjo: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, BR) Çfarë mund të presim nga ky i lig, Satana Djalli? Ai është një gënjeshtar i poshtër e imoral. (Gjoni 8:44) Nuk është për t’u çuditur që bota e tij kridhet në mashtrim dhe imoralitet, gjëra që janë kaq shkatërrimtare për jetën familjare! Jashtë organizatës së Perëndisë, ndikimi satanik kërcënon të shkatërrojë institucionin e Jehovait për martesën dhe t’i japë fund jetës paqësore familjare.

7. Si mund të ndikohen familjet nga tiparet që shfaqin shumë njerëz në këto ditë të fundit?

7 Një tjetër arsye për problemet familjare që pllakosin tani njerëzimin, është treguar në 2. Timoteut 3:1-5. Fjalët profetike të Pavlit të dokumentuara aty, tregojnë se ne po jetojmë në «ditët e fundit». Familjet nuk mund të jenë paqësore dhe të lumtura, nëse anëtarët e tyre janë «dashurues të vetvetes, dashurues të parasë, mburravecë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, jo besnikë, pa dashuri të përzemërt natyrore, të mbyllur për çdo marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për të mirën, tradhtarë, kokëfortë, të fryrë me krenari, dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë, që kanë një formë të devotshmërisë së shenjtë, por që dalin të rremë ndaj fuqisë së saj». (BR) Një familje nuk mund të jetë plotësisht e lumtur, nëse qoftë edhe njërit prej anëtarëve të saj i mungon dashuria e përzemërt natyrore apo nuk është besnik. Sa paqësore mund të jetë jeta familjare, nëse dikush në familje është i egër dhe i mbyllur për çdo marrëveshje? Më keq akoma, si mund të ketë paqe dhe lumturi, kur anëtarët e familjes janë dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë? Këto janë tiparet e njerëzve në këtë botë të sunduar nga Satanai. S’është çudi që lumturia familjare është e paarritshme në këto ditë të fundit!

8, 9. Çfarë ndikimi mund të ketë sjellja e fëmijëve mbi lumturinë familjare?

8 Një arsye tjetër akoma, për të cilën në shumë familje mungon paqja dhe lumturia, është sjellja e keqe e fëmijëve. Kur Pavli paratha kushtet e ditëve të fundit, ai profetizoi se shumë fëmijë do të ishin të pabindur ndaj prindërve. Nëse je një i ri, a ndihmon sjellja jote për ta bërë paqësore dhe të lumtur familjen tënde?

9 Disa fëmijë nuk janë shembullorë në sjellje. Për shembull, një i ri i shkroi këtë letër të pahijshme të atit: «Nëse nuk do të më marrësh në Aleksandri, unë nuk do të të shkruaj letër, nuk do të të flas, nuk do të të them mirupafshim dhe nëse ti shkon në Aleksandri pa mua, nuk do të ta jap më dorën e nuk do të të përshëndes më. Kjo do të ndodhë nëse nuk do të më marrësh . . . Por të lutem më dërgo një [harpë]. Nëse nuk ma dërgon, as do të ha e as do të pi. E kam vendosur dhe pikë!» A nuk ngjan kjo si një situatë e ditëve tona? Por në të vërtetë, kjo letër që i dërgohet një babai nga djali i tij, ishte shkruar mbi 2.000 vjet më parë në Egjiptin e lashtë.

10. Si mund t’i ndihmojnë më të rinjtë familjet e tyre që të ndjekin paqen hyjnore?

10 Qëndrimi i atij të riu egjiptian nuk nxit paqen familjare. Natyrisht, në këto ditë të fundit, brenda familjes ndodhin gjëra më të rënda. Por megjithatë, ju të rinj mund ta ndihmoni familjen tuaj që të ndjekë paqen hyjnore. Në ç’mënyrë? Duke iu bindur kësaj këshille biblike: «Ju fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve tuaj në çdo gjë, sepse kjo është shumë e pëlqyeshme për Zotërinë.»​—Kolosianëve 3:20, BR.

11. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të bëhen shërbëtorë besimplotë të Jehovait?

11 Ç’mund të themi për ju prindër? Ndihmojini me dashuri fëmijët tuaj që të bëhen shërbëtorë besimplotë të Jehovait. «Stërvite djalin sipas rrugës për të,​—thotë Proverbat 22:6.​—Edhe kur të plaket, ai nuk do të largohet prej saj.» (BR) Nëpërmjet mësimit të shkëlqyer biblik dhe shembullit të mirë të prindërve, shumë djem e vajza nuk largohen nga rruga edhe kur rriten. Por varet shumë nga cilësia dhe shkalla e stërvitjes biblike, si edhe nga zemra e të riut.

12. Përse një shtëpi e krishterë duhet të jetë paqësore?

12 Nëse të gjithë anëtarët e familjes sonë po përpiqen për të bërë vullnetin e Jehovait, ne duhet të jemi duke gëzuar paqen hyjnore. Një shtëpi e krishterë duhet të jetë e mbushur me ‘miq të paqes’. Luka 10:1-6 tregon se Jezui kishte në mendje të tillë njerëz, kur i dërgoi 70 dishepujt si shërbëtorë dhe u tha: «Kudo që të hyni në një shtëpi, thoni më parë: ‘Pastë paqe kjo shtëpi.’ Dhe nëse atje ndodhet një mik i paqes, paqja juaj do të qëndrojë mbi të.» (BR) Ndërsa shërbëtorët e Jehovait në mënyrë paqësore shkojnë nga shtëpia në shtëpi me «lajmin e mirë të paqes», ata kërkojnë ‘miqtë e paqes’. (Veprat 10:34-36; Efesianëve 2:13-18) Sigurisht, një shtëpi e krishterë, e përbërë nga miq të paqes, duhet të jetë paqësore.

13, 14. (a) Çfarë dëshironte Naomi për Ruthën dhe për Orpën? (b) Një shtëpi e krishterë duhet të jetë një vend prehjeje e cilit lloj?

13 Shtëpia duhet të jetë një vend paqeje dhe prehjeje. Vejusha e moshuar, Naomi, shpresonte që Perëndia do t’u jepte nuseve të saj të reja, Ruthës dhe Orpës, të mbetura vejushe, prehjen dhe ngushëllimin që vjen nga pasja e një burri dhe shtëpie të mirë. Naomi u tha: «Jehovai ju bëftë një dhuratë dhe gjetshi një vend prehjeje secila në shtëpinë e burrit të saj.» (Rutha 1:9, BR) Për sa i përket dëshirës së Naomit, një studiues shkroi se në shtëpi të tilla, Rutha dhe Orpa «do të çliroheshin nga shqetësimi dhe ankthi. Ato do të gjenin prehje. Do të ishte një vend, në të cilin ato do të mund të banonin dhe ku ndjenjat e tyre më të dhembshura e dëshirat e tyre më të nderuara do të gjenin përmbushje dhe paqe. Fuqia e veçantë shprehëse e fjalës hebraike . . . është shprehur shumë bukur nga thurja e shprehjeve shoqëruese në [Isainë 32:17, 18]».

14 Të lutemi vëre këtë referim në Isainë 32:17, 18. Aty lexojmë: «Vepra e drejtësisë së vërtetë duhet të bëhet paqja dhe shërbimi i drejtësisë së vërtetë, qetësia dhe siguria në kohë të pacaktuar. Dhe populli im duhet të banojë në një vend banimi paqësor, në banesa plotësisht të sigurta dhe në vende prehjeje të qeta.» Shtëpia e krishterë duhet të jetë një vend prehjeje për drejtësinë, qetësinë, sigurinë dhe paqen hyjnore. Po kur lindin sprova, mosmarrëveshje apo probleme të tjera? Atëherë, duhet të dimë në mënyrë të veçantë sekretin e lumturisë familjare.

Katër parime jetësore

15. Si do ta përkufizoje sekretin e lumturisë familjare?

15 Çdo familje mbi tokë ia detyron emrin e saj Perëndisë Jehova, Krijuesit të familjeve. (Efesianëve 3:14, 15) Prandaj, ata që dëshirojnë lumturi familjare, duhet të kërkojnë drejtimin e tij dhe ta lavdërojnë atë, ashtu siç bëri psalmisti: «Atribuojini Jehovait, o ju familje të popujve, atribuojini Jehovait lavdi dhe forcë.» (Psalmi 96:7) Sekreti i lumturisë familjare gjendet në faqet e Fjalës së Perëndisë, Biblës dhe në zbatimin e parimeve të saj. Një familje që i zbaton këto parime do të jetë e lumtur dhe do të gëzojë paqen hyjnore. Le të shohim, atëherë, katër prej këtyre parimeve të rëndësishme.

16. Çfarë roli duhet të luajë vetëkontrolli në jetën familjare?

16 Një prej këtyre parimeve përqendrohet mbi këtë gjë: Vetëkontrolli është jetësor për paqen hyjnore në jetën familjare. Mbreti Solomon tha: «Njeriu që nuk mban në fre frymën e tij, është si një qytet i rrafshuar pa mure.» (Proverbat 25:28, BR) Mbajtja nën fre e frymës sonë, pra, ushtrimi i vetëkontrollit, është jetësor nëse dëshirojmë të kemi një jetë familjare paqësore dhe të lumtur. Ndonëse jemi të papërsosur, ne duhet të ushtrojmë vetëkontrollin, i cili është një fryt i frymës së shenjtë të Perëndisë. (Romakëve 7:21, 22; Galatasve 5:22, 23) Fryma do të prodhojë vetëkontroll në ne, nëse lutemi për këtë cilësi, zbatojmë këshillën e Biblës lidhur me të dhe shoqërohemi me ata që e shfaqin atë. Kjo rrugë do të na ndihmojë të «largohemi nga kurvëria». (1. Korintasve 6:18, BR) Veç kësaj, vetëkontrolli do të na ndihmojë të flakim tej dhunën, të shmangim apo të mposhtim alkoolizmin dhe t’i trajtojmë më me qetësi situatat e vështira.

17, 18. (a) Si zbatohet në jetën e krishterë familjare 1. Korintasve 11:3? (b) Si e nxit pranimi i kryesisë paqen hyjnore në familje?

17 Një tjetër parim thelbësor mund të jepet në këtë mënyrë: Pranimi i kryesisë do të na ndihmojë të ndjekim paqen hyjnore në familjet tona. Pavli shkroi: «Dua që të dini se kreu i çdo burri është Krishti; nga ana tjetër, kreu i gruas është burri; kreu i Krishtit është Perëndia.» (1. Korintasve 11:3, BR) Kjo do të thotë që burri merr drejtimin në familje, që gruaja e tij e mbështet me besnikëri dhe që fëmijët janë të bindur. (Efesianëve 5:22-25, 28-33; 6:1-4) Një qëndrim i tillë do të nxitë paqen hyjnore në jetën familjare.

18 Burri i krishterë duhet të mos harrojë se kryesia sipas Biblës nuk është diktaturë. Ai duhet të imitojë Jezuin, Kreun e tij. Edhe pse do të ishte «krye mbi çdo gjë», Jezui «erdhi, jo për t’u shërbyer, por për të shërbyer». (Efesianëve 1:22; Mateu 20:28, BR) Në mënyrë të ngjashme, një burrë i krishterë e ushtron kryesinë në një mënyrë të dashur, gjë që i jep mundësi të kujdeset si duhet për interesat e familjes së tij. Sigurisht, edhe gruaja e krishterë dëshiron të bashkëpunojë me burrin e saj. Si «ndihmëse» dhe «plotësuese» e tij, ajo plotëson cilësitë që të shoqit i mungojnë, e në këtë mënyrë i jep atij mbështetjen e nevojshme. (Zanafilla 2:20; Proverbat 31:10-31) Ushtrimi i përshtatshëm i kryesisë i ndihmon burrat dhe gratë që ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt dhe i nxit fëmijët që të jenë të bindur. Po, pranimi i kryesisë nxit paqen hyjnore në jetën familjare.

19. Përse është thelbësor komunikimi i mirë për paqen dhe lumturinë familjare?

19 Parimi i tretë i rëndësishëm mund të shprehet me këto fjalë: Komunikimi i mirë është jetësor për paqen dhe lumturinë në familje. Në Jakovit 1:19 na thuhet: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur, i ngadalshëm në zemërim.» (BR) Anëtarët e familjes duhet të dëgjojnë dhe të flasin me njëri-tjetrin, pasi komunikimi familjar është një medalje me dy faqe. Megjithatë, edhe kur ajo që themi është e vërtetë, ka të ngjarë që të bëjë më shumë dëm sesa mirë, nëse thuhet në një mënyrë të egër, krenare apo të pandjeshme. E foluara jonë duhet të jetë me hir, «e lezetuar me kripë». (Kolosianëve 4:6, BR) Familjet që ndjekin parimet biblike dhe komunikojnë mirë, janë duke ndjekur paqen hyjnore.

20. Përse do të thoshe se dashuria është thelbësore për paqen në familje?

20 Parimi i katërt është ky: Dashuria është thelbësore për paqen dhe lumturinë në familje. Dashuria romantike mund të luajë një rol të rëndësishëm në martesë dhe mes anëtarëve të familjes mund të zhvillohet një ndjenjë e thellë e dashurisë së përzemërt. Por, edhe më e rëndësishme është dashuria e paraqitur nga fjala greke a·gaʹpe. Kjo është dashuria që ne kultivojmë për Jehovain, për Krishtin dhe për të afërmin tonë. (Mateu 22:37-39) Perëndia e tregoi këtë dashuri për njerëzimin, duke dhënë «Birin e tij të vetëmlindur, në mënyrë që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetën e përhershme». (Gjoni 3:16, BR) Sa e mrekullueshme është që ne mund të shfaqim të njëjtën lloj dashurie për anëtarët e familjes sonë! Kjo dashuri e lartë është «një lidhje e përsosur e unitetit». (Kolosianëve 3:14, BR) Ajo e lidh së bashku një çift të martuar dhe i nxit ata të bëjnë ç’është më e mirë për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. Kur zhvillohen vështirësi, dashuria i ndihmon ata që t’i trajtojnë çështjet së bashku. Mund të jemi të sigurt për këtë, pasi «dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta . . . Ajo mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, duron çdo gjë. Dashuria nuk dështon kurrë». (1. Korintasve 13:4-8, BR) Familjet në të cilat dashuria për njëri-tjetrin është çimentuar nga dashuria për Jehovain, janë me të vërtetë të lumtura.

Vazhdoni të ndiqni paqen hyjnore

21. Ç’gjë ka të ngjarë të rritë paqen dhe lumturinë e familjes suaj?

21 Parimet e lartpërmendura dhe të tjera të nxjerra nga Bibla, janë theksuar në botimet që Jehovai me dashamirësi ka siguruar nëpërmjet «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45, BR) Për shembull, informacion i tillë gjendet në librin 192-faqësh Sekreti i lumturisë familjare, i cili doli në kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait «Lajmëtarë të paqes hyjnore», i cili u mbajt përreth botës gjatë vitit 1996-97. Studimi personal dhe familjar i Shkrimeve me ndihmën e një botimi të tillë, mund të çojë në shumë dobi. (Isaia 48:17, 18) Po, zbatimi i këshillës biblike ka të ngjarë të rritë paqen dhe lumturinë e familjes suaj.

22. Në ç’gjë duhet ta përqendrojmë jetën tonë familjare?

22 Jehovai ka rezervuar gjëra të mrekullueshme për familjet që kryejnë vullnetin e tij dhe ai meriton lavdërimin dhe shërbimin tonë. (Zbulesa 21:1-4) Qoftë, pra, jeta e familjes suaj e përqendruar në adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Jehovai, Ati ynë i dashur qiellor ju bekoftë me lumturi, ndërsa ndiqni paqen hyjnore në jetën tuaj familjare!

Si do të përgjigjeshe?

◻ Çfarë kërkohet që familjet të jetojnë me devotshmëri të shenjtë?

◻ Përse ekziston një krizë familjare sot?

◻ Cili është sekreti i lumturisë familjare?

◻ Cilat janë disa parime që do të na ndihmojnë të nxisim paqen dhe lumturinë në jetën familjare?

[Figura në faqen 24]

Komunikimi i mirë na ndihmon për të ndjekur paqen hyjnore në jetën familjare

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo