BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w95 15/8 f. 21-26
  • Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 2)

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 2)
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Identifikohen «pushtetet e sipërm»
  • Vetëtima drite mbi çështjet organizative
  • Dritë në lidhje me sjelljen e krishterë
  • Përmirësime të tjera
  • Dritë më e madhe mbi terminologjinë
  • Vetëtima drite në kohët apostolike
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Të ecim në shtegun ku drita shkëlqen gjithnjë e më shumë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 1)
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Ndiqni dritën e botës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
w95 15/8 f. 21-26

Vetëtima drite, të mëdha e të vogla (Pjesa 2)

«Me anë të dritës sate ne shohim dritën.»​—PSALMI 36:9.

1. Cila ishte përpjekja e parë për të kuptuar simbolizimin e librit të Zbulesës?

LIBRI biblik i Zbulesës i ka tërhequr të krishterët që prej kohëve të hershme. Ai na jep një shembull se si drita e së vërtetës shkëlqen edhe më shumë. Në 1917-ën, populli i Jehovait botoi një shpjegim të Zbulesës në librin Fundi i misterit (The finished Mystery). Ai demaskonte pa frikë fetë e të ashtuquajturit krishterim dhe krerët politikë, por shumë prej shpjegimeve të tij ishin marrë nga burime të ndryshme. Megjithatë, Fundi i misterit shërbeu për të vënë në provë besnikërinë e Studentëve të Biblës ndaj kanalit të dukshëm që Jehovai po përdorte.

2. Çfarë drite hodhi artikulli «Lindja e kombit» mbi librin e Zbulesës?

2 Një vetëtimë e jashtëzakonshme drite ndriçoi mbi librin e Zbulesës me botimin e artikullit «Lindja e kombit», në Kullën e Rojës të 1 marsit 1925. Më parë mendohej se kreu 12 i Zbulesës përshkruante një luftë midis Romës pagane dhe Romës së papës, ku fëmija mashkull përfaqësonte papatin. Por artikulli tregoi se Zbulesa 11:15-18 kishte lidhje me domethënien e kreut 12, duke treguar se kishte të bënte me lindjen e Mbretërisë së Perëndisë.

3. Cilat botime hodhën dritë më të madhe mbi Zbulesën?

3 E gjithë kjo çoi në një kuptueshmëri më të qartë të Zbulesës, e cila u botua me dy volume, në librin Dritë (Light), në vitin 1930. Rregullime të tjera u shfaqën në librat «Babilonia e Madhe ra!» Mbretëria e Perëndisë sundon! (“Babylon the Great Has Fallen!” God’s Kingdom Rules!, 1963) dhe «Mbaroi, pra, misteri i Perëndisë» (Then Is Finished the Mystery of God”, 1969). Gjithsesi, kishte ende për të mësuar në lidhje me librin profetik të Zbulesës. Po, një dritë më e madhe shkëlqeu mbi të në vitin 1988, me botimin e librit Zbulesa: fundi i saj madhështor është afër! (Revelation​—Its Grand Climax At Hand!) Kyçi i këtij ndriçimi progresiv mund të thuhet se është fakti që profecia e Zbulesës zbatohet në «ditën e Zotërisë», e cila filloi në 1914-ën. (Zbulesa 1:10) Libri i Zbulesës, pra, do të kuptohej edhe më qartë ndërsa ajo ditë shkonte përpara.

Identifikohen «pushtetet e sipërm»

4, 5. (a) Si e kuptonin Studentët e Biblës Romakëve 13:1? (b) Siç u kuptua më vonë, cili ishte pozicioni biblik në lidhje me «pushtetet e sipërm»?

4 Një vetëtimë e madhe drite u pa në vitin 1962 në lidhje me Romakëve 13:1, ku thuhet: «Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm [‘autoriteteve më të larta’, New World Translation].» Studentët e parë të Biblës e kuptuan se «pushtetet e sipërm» që përmenden këtu janë autoritetet botërore. Ata kujtuan se domethënia e këtij shkrimi ishte që nëse një i krishterë thirrej në luftë, ai ishte i detyruar të vishte uniformën, të merrte armën në krahë e të shkonte në front, në transhe. Megjithatë, pasi një i krishterë nuk mund të vrasë një njeri, mendonin se ai duhej të qëllonte në ajër nëse ishte i detyruar.a

5 Kulla e Rojës e 15 nëntorit dhe 1 dhjetorit 1962, hodhi dritë të qartë mbi argumentin, duke shqyrtuar fjalët e Jezuit në Mateun 22:21: «Jepni . . . Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» Ishin me vend edhe fjalët e apostujve në Veprat 5:29: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.» Të krishterët janë të nënshtruar ndaj Çesarit, «pushtetit të sipërm», vetëm derisa ky nuk kërkon që i krishteri të shkojë kundër ligjit të Perëndisë. U kuptua se nënshtrimi ndaj Çesarit është relativ, jo absolut. Të krishterët i japin Çesarit vetëm atë që nuk bie ndesh me kërkesat e Perëndisë. Sa gëzim që kishin një kuptueshmëri të qartë mbi këtë çështje!

Vetëtima drite mbi çështjet organizative

6. (a) Cilat parime u përdorën, për t’u larguar nga struktura hierarkike që mbizotëronte në të ashtuquajturin krishterim? (b) Çfarë u kuptua më në fund në lidhje me mënyrën e saktë të zgjedhjes së mbikëqyrësve nëpër kongregacione?

6 Ekzistonte edhe çështja se cilët duhej të shërbenin si pleq dhe dhjakë nëpër kongregacione. Për të shmangur strukturën hierarkike që mbizotëronte në të ashtuquajturin krishterim, u arrit në përfundimin se ata duhej të zgjidheshin në mënyrë demokratike, nga votat e pjesëtarëve të secilit kongregacion. Por drita në rritje, e ardhur nëpërmjet Kullës së Rojës, në numrat e 1 shtatorit dhe 15 tetorit 1932, tregoi se Shkrimet nuk jepnin asnjë bazë për pleqtë e zgjedhur në mënyrë elektorale. Prandaj, zgjedhjet u zëvendësuan nga një komitet shërbimi dhe Shoqata zgjodhi një drejtor shërbimi.

7. Çfarë përmirësimesh sollën vetëtimat e dritës, në mënyrën e emërimit të shërbëtorëve në kongregacion?

7 Kulla e Rojës e 1 dhe 15 qershorit 1938, përmbante vetëtima drite, duke treguar se shërbëtorët në kongregacion nuk duheshin zgjedhur, por emëruar, d.m.th. të caktuar në mënyrë teokratike. Në vitin 1971, një vetëtimë tjetër drite tregoi se secili kongregacion nuk duhej drejtuar vetëm nga një shërbëtor i kongregacionit. Përkundrazi, secili duhej të kishte një trup pleqsh apo mbikëqyrësish, të emëruar nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. Pra, me shtimin e dritës në pothuajse 40 vjet, u bë e qartë se pleqtë dhe dhjakët, të njohur tani si shërbëtorë ndihmës, duhet të emërohen nga «skllavi besnik e i matur», nëpërmjet Trupit të tij Udhëheqës. (Mateu 24:45-47) Kjo ishte në përputhje me atë që ndodhte në kohët apostolike. Burra si Timoteu dhe Titi ishin emëruar si mbikëqyrës nga trupi udhëheqës i shekullit të parë. (1. Timoteut 3:1-7; 5:22; Titit 1:5-9) E gjithë kjo është në përputhje të plotë me Isaian 60:17: «Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjykatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.»

8. (a) Çfarë përmirësimesh solli rritja e së vërtetës në mënyrën se si vepronte Shoqata? (b) Cilat janë komitetet e Trupit Udhëheqës dhe cilat janë fushat e tyre respektive të aktivitetit apo të mbikëqyrjes?

8 Ekzistonte, gjithashtu, edhe çështja e mënyrës së të vepruarit të Shoqatës Watch Tower. Për shumë vite Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait ishte identifikuar me bordin drejtues të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania dhe në pjesën më të madhe çështjet ishin në dorën e kryetarit. Siç tregon Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait, 1977 (faqe 258-259, angl.), në 1976-ën Trupi Udhëheqës filloi të funksiononte me gjashtë komitete, secili i caktuar për t’u kujdesur për disa aspekte të veprës botërore. Komiteteti i Personelit merret me çështjet që kanë të bëjnë me personelin, duke përfshirë edhe interesat e të gjithë vullnetarëve që shërbejnë në familjen ndërkombëtare Bethel. Komiteti i Botimit trajton të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me botën, si edhe ato ligjore, të tilla si pronat dhe shtypjen. Komiteti i Shërbimit përqendrohet mbi veprën e dëshmisë dhe mbikëqyr punën e mbikëqyrësve udhëtues, të pionierëve dhe aktivitetet e lajmëtarëve nëpër kongregacione. Komiteti i Mësimit është përgjegjës për mbledhjet e kongregacioneve, për ditët e asambleve speciale, të asambleve qarkore, të kongreseve krahinore dhe ndërkombëtare, si edhe për shkollat e ndryshme të edukimit frymor të popullit të Perëndisë. Komiteti i Shkrimeve mbikëqyr përgatitjen dhe përkthimin e botimeve të çdo lloji, duke u siguruar se çdo gjë është në përputhje me Shkrimet. Komiteti Drejtues kujdeset për rastet e urgjencave dhe për çështje të tjera të ngutshme.b Gjithashtu, në vitet ’70 degët e zyrave të Shoqatës Watch Tower filluan të drejtoheshin nga një komitet e jo nga një mbikëqyrës.

Dritë në lidhje me sjelljen e krishterë

9. Si ndikoi drita e së vërtetës mbi marrëdhëniet e të krishterëve me qeveritë botërore?

9 Shumë vetëtima drite ka pasur në lidhje me sjelljen e krishterë. Për shembull, të shqyrtojmë çështjen e asnjanësisë. Një shkrepëtimë e veçantë drite mbi këtë çështje rrezatoi në artikullin «Asnjanësi», në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1939, (angl.). Kishte ardhur tamam në kohën e duhur, menjëherë pas shpërthimit të Luftës II Botërore! Artikulli përcaktonte asnjanësinë dhe tregonte se të krishterët nuk duhet të përfshihen në politikë apo në ballafaqimet midis kombeve. (Mikea 4:3, 5; Gjoni 17:14, 16) Ky është një faktor, për shkak të të cilit ata urrehen nga të gjitha kombet. (Mateu 24:9) Betejat e Izraelit të lashtë nuk përbëjnë ndonjë precedent për të krishterët, siç e bëri të qartë Jezui në Mateun 26:52. Për më tepër, asnjë komb politik sot nuk është teokraci, i sunduar nga Perëndia, siç ishte Izraeli i lashtë.

10. Çfarë zbuluan vetëtimat e dritës mbi faktin se si duhet ta konsiderojnë gjakun të krishterët?

10 Drita shkëlqeu, gjithashtu, edhe mbi shenjtërinë e gjakut. Studentët e Biblës mendonin se ndalimi i ngrënies së gjakut në Veprat 15:28, 29, kufizohej me të krishterët hebrenj. Megjithatë, Veprat 21:25 tregojnë se në kohët apostolike ky urdhër zbatohej edhe për individët nga kombet, që u bënë besimtarë. Prandaj, shenjtëria e gjakut zbatohet për të gjithë të krishterët, siç tregonte Kulla e Rojës e 1 korrikut 1945 (angl.). Kjo nuk do të thotë vetëm të refuzosh ngrënien e gjakut të kafshëve, si për shembull në suxhukët me gjak, por edhe të përmbahesh nga gjaku i njeriut, si në rastin e transfuzioneve të gjakut.

11. Çfarë u kuptua në lidhje me pikëpamjen e krishterë mbi përdorimin e duhanit?

11 Si rrjedhojë e dritës në rritje, zakone që fillimisht vetëm nuk miratoheshin, më vonë u trajtuan me seriozitetin e duhur. Një shembull i kësaj ishte në lidhje me përdorimin e duhanit. Në Kullën e Rojës të Sionit, 1 gusht 1895, vëllai Russell e drejtoi vëmendjen mbi 1. Korintasve 10:31 dhe 2. Korintasve 7:1 dhe shkroi: «Nuk mund të kuptoj se si mund të jetë në lavdi të Perëndisë apo në dobi të vetë të krishterit, përdorimi i duhanit në çdo lloj forme.» Qysh prej vitit 1973 u kuptua qartësisht se asnjë përdorues i duhanit nuk mund të ishte Dëshmitar i Jehovait. Në 1976-ën, u qartësua se asnjë Dëshmitar nuk mund të punojë në një vend ku praktikohet bixhozi e të ketë një qëndrim të mirë me kongregacionin.

Përmirësime të tjera

12. (a) Çfarë zbuloi një vetëtimë drite mbi numrin e çelësave të Mbretërisë që iu besuan Pjetrit? (b) Cilat ishin rrethanat, kur Pjetri përdori secilin çelës?

12 U hodh dritë, gjithashtu, edhe mbi numrin e çelësave simbolikë që Jezui i dha Pjetrit. Studentët e Biblës mendonin se Pjetri mori dy çelësa, të cilët hapnin rrugën që njerëzit të bëheshin trashëgimtarë të Mbretërisë, një për hebrenjtë, i cili u përdor në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. dhe tjetri për paganët, i cili u përdor në vitin 36 të e.s., kur Pjetri i predikoi Kornelit. (Veprat 2:14-41; 10:34-48) Me kohë, u kuptua se përfshihej edhe një grup i tretë, samaritanët. Pjetri e përdori çelësin e dytë kur u hapi atyre mundësinë e Mbretërisë. (Veprat 8:14-17) Prandaj, çelësi i tretë u përdor kur Pjetri i predikoi Kornelit.​—Kulla e Rojës, 1 tetor 1979, faqe 16-22, 26, angl.

13. Çfarë zbuluan vetëtimat e dritës në lidhje me vathët e deleve, të përmendura në kreun 10 të Gjonit?

13 Me një rreze tjetër drite, u kuptua se Jezui nuk foli vetëm për dy vathë, por për tre. (Gjoni, kreu 10) Ato ishin (1) vatha e hebrenjve, për të cilën Gjon Pagëzori ishte portieri, (2) vatha e trashëgimtarëve të mirosur të Mbretërisë dhe (3) vatha e «deleve të tjera», që kishin shpresë tokësore.​—Gjoni 10:2, 3, 15, 16; Kulla e Rojës, 15 shkurt 1984, faqe 10-20, angl.

14. Si i sqaroi drita e mëtejshme çështjet që lidheshin me fillimin e jubileut antitipik?

14 U qartësua, gjithashtu, edhe domethënia e jubileut antitipik. Sipas Ligjit, çdo 50 vjet kishte një jubile të madh, në të cilin gjërat u ktheheshin pronarëve të tyre fillestarë. (Levitiku 25:10) Për një kohë të gjatë kishin kujtuar se kjo ishte një shëmbëlltyrë e Mbretërisë Mijëvjeçare të Krishtit. Megjithatë, në kohë më të vona, u kuptua se jubileu antitipik filloi në fakt në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., kur ata që morën frymën e shenjtë të derdhur, u çliruan nga robëria e besëlidhjes së Ligjit të Moisiut.​—Kulla e Rojës, 1 janar 1987, faqe 18-28, angl.

Dritë më e madhe mbi terminologjinë

15. Cila dritë u hodh mbi përdorimin e fjalës «plan»?

15 «Predikuesi është përpjekur të gjejë fjalë të këndshme; dhe gjërat e shkruara janë të drejta dhe të vërteta.» (Eklisiastiu 12:10) Këto fjalë mund të zbatohen për bukuri në temën e sotme, pasi drita ka shkëlqyer jo vetëm mbi çështje të tilla të rëndësishme, si doktrina dhe sjellja, por edhe mbi terminologjinë e krishterë dhe domethënien e saj të saktë. Për shembull, midis Studentëve të Biblës, një ndër botimet më të dashura ishte vëllimi i parë i Studime mbi Shkrimet, i titulluar Plani hyjnor i kohëve. Megjithatë, me kalimin e kohës, u kuptua se Fjala e Perëndisë thotë që vetëm njerëzit bëjnë plane. (Proverbat 19:21) Shkrimet nuk thonë kurrë se Jehovai bën plane. Ai s’ka nevojë të planifikojë. Sa herë të ketë ndonjë qëllim është e sigurt se do të ketë sukses, pasi mençuria dhe fuqia e tij janë pa mbarim, siç lexojmë në Efesianëve 1:9, 10: «Sipas pëlqimit të tij ai vuri qëllim në vetvete për një administrim të plotë të kohëve të caktuara.» (BR) U kuptua, pra, gradualisht se termi «qëllim» është më i përshtatshmi kur bëhet fjalë për Jehovain.

16. Çfarë u kuptua gradualisht mbi domethënien e saktë të Lukës 2:14?

16 Midis gjërave që kërkonin një kuptueshmëri më të qartë ishte edhe Luka 2:14. Sipas King James Version lexojmë: Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij.» Mendohej se kjo nuk shprehte mendimin e saktë, pasi Perëndia nuk shpreh mirëdashje kundrejt të ligjve. Prandaj, Dëshmitarët e shikonin këtë si një çështje për njerëzit që kishin mirëdashje për Perëndinë. Pra, ata u referoheshin njerëzve të interesuar për Biblën, si persona me mirëdashje. Por më vonë u kuptua se puna ishte te mirëdashja, jo nga ana e njerëzve, por nga ana e Perëndisë. Prandaj, shënimi në përkthimin New World Translation thotë për Lukën 2:14 «njerëzit të cilët ai [Perëndia] i miraton». Të gjithë të krishterët që jetojnë në përputhje me betimin e tyre të dedikimit kanë mirëdashjen e Perëndisë.

17, 18. Çfarë do të shfajësojë Jehovai dhe çfarë do të shenjtërojë?

17 Në mënyrë të ngjashme, për një kohë të gjatë, Dëshmitarët kishin folur për shfajësimin e emrit të Jehovait. Por, a e kishte vënë në dyshim Satanai emrin e Jehovait? Në lidhje me këtë çështje, a ka vepruar në këtë mënyrë ndonjë përfaqësues i Satanait, sikur Jehovai të mos kishte të drejtë për këtë emër? Jo, aspak. Nuk ishte sfiduar emri i Jehovait, që të kishte nevojë për shfajësim. Ja, përse botimet e fundit të Shoqatës Watch Tower nuk flasin për shfajësimin e emrit të Jehovait. Ato flasin për shfajësimin e sovranitetit të Jehovait dhe për shenjtërimin e emrit të tij. Kjo është në përputhje me lutjen që na mësoi Jezui: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Vazhdimisht, Jehovai ka thënë se do të shenjtërojë emrin e tij, të cilin izraelitët nuk e kishin sfiduar, por e kishin përdhosur.​—Ezekieli 20:9, 14, 22; 36:23.

18 Në mënyrë interesante, në vitin 1971, libri «Kombet do të njohin se unë jam Jehovai»: Si?, bënte këtë dallim: «Jezu Krishti . . . lufton për shfajësimin e Sovranitetit universal të Jehovait dhe për lavdinë e emrit të tij.» (Faqe 364-365, angl.) Në vitin 1973, Mbretëria Mijëvjeçare e Perëndisë është afruar, thoshte: «‘Mjerimi i madh’ që po vjen është koha kur Perëndia i Plotfuqishëm Jehova do të shfajësojë sovranitetin e tij universal dhe do të shenjtërojë emrin e tij të denjë.» (Faqe 409, angl.) Pastaj, në 1975-ën, Shpëtimi i njerëzimit nga vuajtjet e botës është afër!, pohonte: «Atëherë do të ndodhë ngjarja më e madhe në historinë universale, shfajësimi i sovranitetit universal të Jehovait dhe shenjtërimi i emrit të tij të shenjtë.»​—Faqe 281, angl.

19, 20. Si mund ta tregojmë çmueshmërinë tonë për vetëtimat e dritës frymore?

19 Sa të lumtur janë shërbëtorët e Jehovait që kanë gjithë këtë dritë frymore! Në kontrast të plotë, shprehje e errësirës frymore në të cilën gjenden krerët e të ashtuquajturit krishterim, është deklarata e një kleriku: «Përse ka mëkate? Përse ka vuajtje? Përse ekziston e liga? Janë pyetje që dëshiroj t’i bëj Zotërisë kur të shkoj në qiell.» Por Dëshmitarët e Jehovait mund t’i thonë atij përse: për shkak të çështjes për të drejtën e sovranitetit të Jehovait dhe për pyetjen se a do ta mbanin integritetin ndaj Perëndisë krijesat njerëzore, përballë kundërshtimit të Djallit.

20 Nëpër vite, vetëtima drite të mëdha e të vogla kanë ndriçuar shtegun e shërbëtorëve të dedikuar të Jehovait. Kjo ka qenë një përmbushje e shkrimeve të tilla si Psalmi 97:11 dhe Proverbat 4:18. Por, le të mos harrojmë asnjëherë se të ecësh në dritë do të thotë të kesh çmueshmëri për dritën në rritje dhe të jetosh në harmoni me të. Siç kemi parë, kjo dritë në rritje përfshin sjelljen tonë dhe urdhrin që kemi për të predikuar.

[Shënimet]

a Duke reaguar ndaj kësaj pikëpamjeje, Kulla e Rojës e 1 dhe 15 qershorit 1929, i interpretoi «pushtetet e sipërm» si të ishin Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Kryesisht ishte ky aspekt që u korrigjua në 1962-shin.

b Kulla e Rojës, 1 gusht 1992, lajmëroi se vëllezër të zgjedhur nga «delet e tjera» ishin caktuar për të ndihmuar komitetet e Trupit Udhëheqës, në mënyrë të ngjashme me nethinimët e kohës së Ezdrës.​—Gjoni 10:16; Ezdra 2:58.

A të kujtohet?

◻ Ç’dritë është hedhur mbi argumentin e «pushteteve të sipërm»?

◻ Çfarë zhvillimesh organizative kanë sjellë vetëtimat e dritës?

◻ Si ka ndikuar mbi sjelljen e të krishterëve drita në rritje?

◻ Çfarë përmirësimesh ka sjellë drita frymore në kuptueshmërinë tonë të disa pikave nga Shkrimet?

[Burimi i figurës në faqen 25]

Çelësat në faqen 24: Vizatim i bazuar mbi një foto të marrë në Cooper-Hewitt, National Design Museum, Smithsonian Institution

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo