BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • A është Mbretëria e Perëndisë një gjendje e zemrës?
    Kulla e Rojës—2011 | 1 Mars
    • A është Mbretëria e Perëndisë një gjendje e zemrës?

      Papa Bendikti XVI thotë në librin e tij Jezui i Nazaretit: «Mbretëria e Perëndisë vjen kur një zemër bindet.» Për disa, Mbretëria e Perëndisë është pikërisht kjo: një ndryshim që ndodh brenda dikujt kur pranon Jezu Krishtin dhe zhvillon besimin. A është Mbretëria e Perëndisë thjesht një transformim i vetes, një mbretëri ‘vetëm në zemrën tënde’?

      PËR Jezuin, Mbretëria ishte vërtet diçka që e kishte për zemër. Mbretëria ishte «boshti i predikimit të Jezuit», siç pranon papa Benedikti. Gjatë pjesës më të madhe të shërbimit të tij relativisht të shkurtër, Jezui udhëtonte anekënd vendit dhe «predikonte lajmin e mirë për mbretërinë». (Mateu 4:23) Me anë të mësimdhënies dhe mrekullive që kreu, Jezui e bëri të qartë se Mbretëria nuk nënkupton të pranosh Perëndinë dhe t’i bindesh atij. Ajo përfshin sundim, gjykim dhe bekime të përhershme.

      Sundimi dhe gjykimi

      Në një rast, gjatë ditëve të fundit të shërbimit të Jezuit, nëna e dishepujve të ngushtë të Jezuit, Jakovit dhe Gjonit, shkoi tek ai dhe i tha: «Thuaj që djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën tënde e tjetri në të majtë në mbretërinë tënde.» (Mateu 20:21) Qartë, ajo nuk po fliste për diçka në zemrën e bijve të saj. E kuptonte se Mbretëria përfshinte sundimin me Jezuin dhe donte që bijtë të merrnin pjesë në të. Në fakt, Jezui u premtoi 11 apostujve besnikë se do të ishin në Mbretërinë e tij dhe ‘do të uleshin në frone’ e ‘do të gjykonin’ me të. (Luka 22:30) Pra për dishepujt e tij Mbretëria e Jezuit do të ishte një sundim i vërtetë—një administrim, një qeveri.

      Ç’të themi për njerëzit në përgjithësi në kohën e Jezuit? A mendonin ata se Mbretëria ishte vetëm një transformim vetjak, apo pritnin diçka më tepër? Pak pas Pashkëve të vitit 33 të e.s. kur Jezui po hynte në Jerusalem mbi një kërriç, turma e mirëpriti dhe disa thanë me zë të lartë: «Shpëtoje, të lutemi, Birin e Davidit!» (Mateu 21:9) Pse thanë ashtu? Pa dyshim e kishin kuptuar se Jezui ishte Mesia i premtuar dhe se Perëndia do t’i jepte atij një Mbretëri të përjetshme, «fronin e Davidit, të atit».​—Luka 1:32; Zakaria 9:9.

      Bekime të përhershme

      Madje, edhe njerëzit që në dukje shfaqnin pak interes për shërbimin e Jezuit, kishin njohuri për njërin nga mësimet e tij. Gjatë ekzekutimit të Jezuit, një kriminel që e kishin vënë në shtyllë afër tij, iu përgjërua: «Jezu, më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde.» Cila ishte përgjigjja e Jezuit? «Ti do të jesh me mua në Parajsë»,—e siguroi burrin që po vdiste.​—Luka 23:42, 43.

      Pa dyshim, ai keqbërës besonte se pasi të ngrihej nga të vdekurit, Jezui do të merrte ose do të hynte në një Mbretëri. Jezui jo vetëm që do të kishte autoritetin që ta ringjallte e ta ndihmonte burrin të kthente rrugë​—bashkë me miliona të tjerë—​por edhe dëshirën për ta bërë këtë. Po, me fuqinë që do t’i jepej si Sundimtar në qiej, me anë të Mbretërisë, Jezui do t’i sillte bekime të përhershme njerëzimit në mbarë tokën.​—Gjoni 5:28, 29.

      Një Mbretëri mes tyre

      A nuk tha Jezui: «Mbretëria e Perëndisë është mes jush.» Po, këto fjalë të Jezuit gjenden te Luka 17:21. Në fakt, disa përkthime të Biblës thonë: «Mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush», kurse të tjera thonë: «Midis jush». (Për shembull, shih përkthimin Diodati i Ri dhe Bibla ECM.) Çfarë donte të thoshte Jezui me këtë?

      Konteksti e tregon se Jezui ia drejtoi këto fjalë një grupi fetar judaik e kundërshtar, të quajtur farisenj. Ata e pritnin Mesinë dhe Mbretërinë e tij sipas mënyrës së tyre. Sipas tyre, Mesia do të vinte «me retë e qiejve», si një Mbret i lavdishëm, që të çlironte judenjtë nga romakët e të rivendoste mbretërinë e Izraelit. (Danieli 7:13, 14) Por Jezui e nxori në pah sa gabim e kishin, duke u thënë: «Mbretëria e Perëndisë kur të vijë, nuk do të bjerë në sy.» Pastaj, shtoi: «Shikoni! . . . Mbretëria e Perëndisë është mes jush.»​—Luka 17:20, 21.

      Ndërkohë që Jezui mësoi dhe kreu mrekulli që e identifikonin qartë si Mbreti i premtuar i asaj Mbretërie, farisenjtë iu kundërvunë edhe më tepër. Atyre u mungonte një zemër e pastër dhe besimi i sinqertë. Ata e vinin në dyshim se Jezui ishte Mesia. Kështu la që faktet të flitnin vetë: Mbretëria, e përfaqësuar nga Mbreti i saj i caktuar, ishte «mes tyre». Ai nuk u kërkoi që të shihnin përbrenda vetes.a Jezui dhe dishepujt e tij ishin para tyre. Ai tha: «Mbretëria e Perëndisë është këtu me ju.»​—Luka 17:21, Contemporary English Version.

  • A është Mbretëria e Perëndisë një gjendje e zemrës?
    Kulla e Rojës—2011 | 1 Mars
    • a Duke qenë se Jezui po fliste me farisenjtë, sigurisht që ai nuk donte të thoshte që këta ishin transformuar përbrenda ose që zemra e tyre ishte bërë e ndjeshme.

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo