Libri biblik numër 24—Jeremia
Shkrimtari: Jeremia
Vendi ku u shkrua: Judë dhe Egjipt
Shkrimi përfundoi: 580 p.e.s.
Periudha përkatëse: 647 p.e.s.–580 p.e.s.
1. Kur dhe nga kush e mori detyrën Jeremia?
PROFETI Jeremia jetoi në kohë të rrezikshme e të trazuara. Ai e mori detyrën nga Jehovai në vitin 647 p.e.s., në vitin e 13-të të mbretërimit të Josisë, mbretit të Judës, që i frikësohej Perëndisë. Teksa meremetohej shtëpia e Jehovait, u gjet libri i Ligjit të Jehovait dhe iu lexua mbretit. Edhe pse u përpoq shumë që t’i nxiste njerëzit ta zbatonin ligjin, mbreti arriti ta frenonte idhujtarinë vetëm përkohësisht. Manaseu, gjyshi i Josisë, që kishte mbretëruar për 55 vjet, dhe Amoni, babai i tij, që ishte vrarë vetëm pas një mbretërimi 2-vjeçar, kishin vepruar me ligësi. Ata e kishin shtyrë popullin në orgji të ndyra dhe rite të tmerrshme, aq sa tani e kishin bërë zakon t’i paraqitnin temjan «mbretëreshës së qiejve» dhe të flijonin njerëz për perënditë-demonë. Manaseu e kishte mbushur Jerusalemin me gjak të pafajshëm.—Jer. 1:2; 44:19; 2 Mbret. 21:6, 16, 19-23; 23:26, 27.
2. Cili ishte caktimi i Jeremisë dhe cilat vite plot ngjarje trajton profecia e tij?
2 Jeremia nuk kishte një caktim të lehtë. Duhej të shërbente si profet i Jehovait për të parathënë shkretimin e Judës e të Jerusalemit, djegien e tempullit madhështor të Jehovait, dhe robërimin e popullit të tij—katastrofa pothuajse të pabesueshme! Duhej të profetizonte në Jerusalem për 40 vjet me radhë, gjatë mbretërimit të mbretërve të ligj Jehoahaz, Jehojakim, Jehojakin (Koniah) dhe Zedekia. (Jer. 1:2, 3) Më pas, në Egjipt, duhej të profetizonte për idhujtarinë e refugjatëve judenj në atë vend. Libri i tij përfundoi në vitin 580 p.e.s. Kështu, libri i Jeremisë trajton një periudhë 67-vjeçare plot ngjarje.—52:31.
3. (a) Nga duket se në kohët e hebrenjve libri i Jeremisë pranohej si autentik dhe pjesë e kanunit biblik? (b) Ç’dëshmi të mëtejshme gjejmë për këtë fakt në Shkrimet e Krishtere Greke?
3 Emri i profetit dhe i librit të tij në hebraisht është Jirmejáh ose Jirmejáhu, që mbase do të thotë «Jehovai lartëson; ose Jehovai zgjidh [ka të ngjarë nga barku]». Libri shfaqet në të gjithë katalogët e Shkrimeve Hebraike dhe pranohet përgjithësisht si pjesë e kanunit biblik. Përmbushja dramatike e shumë profecive gjatë kohës që vetë Jeremia ishte ende gjallë, provon plotësisht autenticitetin e tij. Për më tepër, Jeremia përmendet disa herë me emër në Shkrimet e Krishtere Greke. (Mat. 2:17, 18; 16:14; 27:9) Jezui e kishte studiuar librin e Jeremisë, dhe kjo duket kur citoi Jereminë 7:11 bashkë me Isainë 56:7 gjatë spastrimit të tempullit. (Mar. 11:17; Luka 19:46) Për shkak të guximit që shfaqi, disa menduan se Jezui ishte Jeremia. (Mat. 16:13, 14) Profecia e Jeremisë për një besëlidhje të re (Jer. 31:31-34) përmendet nga Pavli te Hebrenjve 8:8-12 dhe Heb 10:16, 17. Pavli citoi Jereminë 9:24, kur tha: «Ai që mburret, le të mburret në lidhje me Jehovain.» (1 Kor. 1:31) Zbulesa 18:21 përmban një zbatim edhe më të fuqishëm të ilustrimit të Jeremisë (Jer. 51:63, 64) për rënien e Babilonisë.
4. Si e mbështet arkeologjia tregimin e Jeremisë?
4 Edhe gjetjet arkeologjike e mbështetin tregimin e Jeremisë. Për shembull, një kronikë babilonase flet për pushtimin e Jerusalemit në vitin 617 p.e.s. nga mbreti Nabukodonosor (Nabukodrezar), kur ai kapi rob mbretin (Jehojakinin) dhe vendosi një tjetër që e zgjodhi vetë (Zedekinë).—24:1; 29:1, 2; 37:1.a
5. (a) Çfarë dihet për Jereminë? (b) Ç’mund të themi për stilin e librit të tij?
5 Sot për Jereminë kemi në dorë biografinë më të plotë se për çdo profet tjetër të lashtësisë, me përjashtim të Moisiut. Jeremia ka zbuluar shumë gjëra për veten, ndjenja, emocione, guxim të patundur, të përzier me përulësi e me një zemër të butë. Ai nuk ishte vetëm profet, por edhe prift, hartues i Shkrimeve dhe historian i saktë. Ai ishte i biri i priftit Hilkiah nga Anatothi, një qytet i priftërinjve në veri të Jerusalemit, në ‘Beniamin’. (1:1) Jeremia shkroi me një stil të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të lehtë për t’u kuptuar. Ky libër është plot ilustrime e përshkrime të gjalla dhe përmban prozë e poezi.
PËRMBAJTJA E JEREMISË
6. Si është vendosur materiali në librin e Jeremisë?
6 Materiali nuk është sipas radhës kronologjike, por sipas temave që trajton. Prandaj, në tregim ka shumë ndryshime për sa i përket kohës dhe rrethanave. Në fund, shkretimi i Jerusalemit dhe i Judës përshkruhet me mjaft hollësi në kapitullin 52. Kjo tregon jo vetëm përmbushjen e një pjese të madhe të profecisë, por siguron edhe sfondin për librin e Vajtimeve, që vjen pas tij.
7. Si u bë Jeremia profet dhe ç’siguri i jep Jehovai?
7 Jehovai i ngarkon detyrën Jeremisë (1:1-19). Mos vallë Jeremisë iu ngarkua kjo detyrë ngaqë dëshironte të ishte profet, apo ngaqë vinte nga një familje priftërore? Jehovai vetë shpjegon: «Që para se të të formoja në bark të nënës, të njihja, dhe që para se të dilje nga barku, të shenjtërova. Unë të bëra profet të kombeve.» Është një caktim nga Jehovai. A ka dëshirë të shkojë Jeremia? Me përulësi ai justifikohet: «S’jam veçse një djalosh.» Jehovai e siguron: «Ja, t’i vura fjalët e mia në gojë. Sot të kam caktuar të jesh mbi kombet dhe mbi mbretëritë, që të shkulësh e të rrëzosh, të shkatërrosh e të shembësh, të ndërtosh e të mbjellësh.» Jeremia s’duhet të ketë frikë. «Ata kanë për të luftuar kundër teje, por nuk do të të mposhtin, sepse unë jam me ty për të të çliruar,—thotë Jehovai.»—1:5, 6, 9, 10, 19.
8. (a) Për çfarë është treguar i pabesë Jerusalemi? (b) Si do të sjellë Jehovai një gjëmë?
8 Jerusalemi, si një grua e pabesë (2:1–6:30). Ç’mesazh i sjell Jeremisë fjala e Jehovait? Jerusalemi ka harruar dashurinë e parë. Ka braktisur Jehovain, burimin e ujit jetëdhënës, dhe është kurvëruar me perëndi pagane. Ai që ishte një rrush i kuq i zgjedhur, tanimë është bërë si «bisqe të prishura të një rrushi të huaj». (2:21) Cepat e rrobave të tij janë lyer me gjakun e shpirtrave të të varfërve e të pafajshmëve. Edhe Izraeli që ka kurvëruar, është më i drejtë se Juda. Perëndia u thërret këtyre bijve renegatë të kthehen sepse ai është zotëria i tyre. Por ata janë sjellë si një grua e pabesë. Mund të kthehen nëse heqin gjërat e tyre të neveritshme dhe rrethpresin zemrën. «Ngrini një sinjal për në Sion», sepse Jehovai do të sjellë një gjëmë nga veriu. (4:6) Shkatërrim mbi shkatërrim! Ai që Jehovai ka caktuar si ekzekutues, do të vijë si një luan që del nga shkurrnaja, si një erë zhuritëse nëpër shkretëtirë dhe me karroca si erë shtrëngate.
9. (a) Ç’fjalë ka Jeremia për Jerusalemin kokëfortë? (b) A kanë vlerë thirrjet e tyre për paqe?
9 Shkoni lart e poshtë nëpër Jerusalem. Çfarë shihni? Vetëm shkelje e pabesi! Populli ka mohuar Jehovain, prandaj fjala e Tij në gojën e Jeremisë do të bëhet si një zjarr që do t’i përpijë ata si copa druri. Ashtu si ata lanë Jehovain për t’i shërbyer një perëndie të huaj, edhe Ai do të bëjë që ata t’u shërbejnë të huajve në një vend të huaj. Ç’kokëfortë! Kanë sy, por s’mund të shohin; kanë veshë, por s’mund të dëgjojnë. Sa e tmerrshme! Profetët dhe priftërinjtë profetizojnë gënjeshtra, «e megjithatë popullit tim i ka pëlqyer kështu», siç thotë Jehovai. (5:31) Një gjëmë po vjen nga veriu, e megjithatë «nga më i vogli e deri te më i madhi, secili nxjerr fitim të padrejtë». Ata thonë: «‘Ka paqe! Ka paqe!’, kur paqe s’ka.» (6:13, 14) Por, plaçkitësi do të vijë befas. Jehovai e ka bërë Jereminë një provues metali në mes tyre, por s’ka gjë tjetër veç zgjyrë dhe argjend të flakur. Ata janë kokë e këmbë të këqinj.
10. Përse Jerusalemin e pret i njëjti fat si Shilohu dhe Efraimi?
10 Paralajmërim se tempulli nuk është mbrojtje (7:1–10:25). Fjala e Jehovait i drejtohet Jeremisë dhe ai duhet ta shpallë te porta e tempullit. Dëgjojeni, teksa u thërret atyre që hyjnë nëpër këtë portë: ‘Ju mbaheni me të madh për tempullin e Jehovait, por ç’bëni ndërkohë? Shtypni jetimët dhe vejushat, derdhni gjak të pafajshëm, shkoni pas perëndive të tjera, vidhni, vritni, kryeni kurorëshkelje, bëni betime të rreme dhe paraqitni blatime për Baalin! Hipokritë! E keni bërë shtëpinë e Jehovait «një shpellë kusarësh». Kujtoni se ç’bëri Jehovai në Shiloh. Ai do të veprojë njësoj edhe me shtëpinë tënde, o Judë, dhe do t’ju flakë, ashtu si flaku Efraimin (Izraelin) në veri.’—Jer. 7:4-11; 1 Sam. 2:12-14; 3:11-14; 4:12-22.
11. Përse është e kotë të lutesh për Judën?
11 Është e kotë të lutesh për Judën. Ja, njerëzit bëjnë kuleç flijimi për «mbretëreshën e qiejve». Vërtet, «ky është kombi që nuk i është bindur zërit të Jehovait, Perëndisë së tij, dhe që nuk e ka pranuar disiplinën. Besnikëria ka marrë fund». (Jer. 7:18, 28) Juda ka vënë gjëra të neveritshme në shtëpinë e Jehovait dhe ka djegur bijtë e bijat në zjarr në vendet e larta të Tofetit, në luginën e Hinomit. Prandaj, ajo do të quhet «lugina e vrasjes», dhe kufomat e tyre do të bëhen ushqim për zogjtë e për kafshët. (7:32) Ngazëllimi e gëzimi do të marrin fund në Judë e në Jerusalem.
12. Në vend të paqes, ç’do të bjerë mbi Judën e mbi perënditë që ajo ka adoptuar?
12 Ata kanë shpresuar për paqe e për shërim, por ja, tmerr! Do të shpërndahen, do të shfarosen e do të vajtojnë për shkak të kokëfortësisë së tyre. ‘Jehovai është Perëndia i gjallë dhe Mbreti në jetë të jetëve.’ Ndërsa Perënditë që nuk bënë qiejt dhe tokën nuk kanë frymë. Janë kotësi, për t’u tallur e do të marrin fund. (10:10-15) Jehovai do t’i flakë banorët e tokës. Dëgjo! Një sokëllimë e madhe po vjen nga vendi i veriut që të shkretojë qytetet e Judës. Profeti pranon: ‘Nuk i takon njeriut të drejtojë udhën e vet.’ Pastaj, lutet për ndreqje, që të mos katandiset në asgjë.—10:23.
13. Përse ndalohet Jeremia të lutet për Judën dhe si i jep Jehovai forcë në një çast rreziku?
13 Mallkohen ata që thyejnë besëlidhjen (11:1–12:17). Juda nuk u është bindur fjalëve të besëlidhjes me Jehovain. Më kot njerëzit thërrasin për ndihmë. Jeremia s’duhet të lutet për Judën, sepse Jehovai «ka ndezur një zjarr» kundër kësaj peme ulliri dikur të harlisur. (11:16) Kur bashkëqytetarët në Anatoth kurdisin plane që ta rrënojnë profetin Jeremia, ai i drejtohet Jehovait për forcë e ndihmë. Jehovai premton se do të hakmerret kundër Anatothit. Jeremia pyet: ‘Pse atëherë udha e të ligjve ka pasur sukses?’ Jehovai e siguron: ‘Unë do ta shkul me rrënjë e do ta shkatërroj kombin e pabindur.’—12:1, 17.
14. (a) Me ç’ilustrim bën të ditur Jehovai se Jerusalemi është i pakorrigjueshëm dhe se gjykimi kundër tij është i pakthyeshëm? (b) Ç’ndodh me Jereminë kur përpin fjalët e Jehovait?
14 Dënohet Jerusalemi i pakorrigjueshëm (13:1–15:21). Jeremia tregon se si Jehovai e urdhëroi të vinte në mes një rrip liri dhe pastaj të shkonte e ta fshihte në një të çarë shkrepi pranë Eufratit. Kur Jeremia shkoi të gërmonte për ta nxjerrë, rripi ishte prishur. «Nuk bënte për asgjë.» Në këtë mënyrë, Jehovai ilustroi vendosmërinë e tij për të prishur «krenarinë e Judës dhe krenarinë e pamasë të Jerusalemit». (13:7, 9) Ai do t’i përplasë me njëri-tjetrin kur të jenë të pirë, si qypa të mëdhenj plot me verë. «A mund të ndërrojë një kushit lëkurën ose një leopard pullat e veta?» (13:23) Pikërisht kështu është edhe Jerusalemi, i pakorrigjueshëm. Jeremia s’duhet të lutet për këta njerëz. Edhe sikur Moisiu e Samueli të dilnin para Jehovait për të ndërmjetësuar për popullin, ai nuk do t’i dëgjonte, pasi ishte i vendosur ta shkatërronte Jerusalemin. Jehovai i jep forcë Jeremisë përballë atyre që e tallin. Jeremia gjen dhe përpin fjalët e Jehovait, dhe kjo i sjell ‘ngazëllim dhe gëzim në zemër’. (15:16) S’është koha për shaka të kota, por për të pasur besim te Jehovai, i cili ka premtuar se do ta bëjë Jereminë si një mur bakri të fortifikuar kundër këtij populli.
15. (a) Sa të vështira janë kohët dhe përmes cilit urdhër e thekson Jehovai këtë? (b) Në ç’mënyrë kanë për ta njohur njerëzit emrin e Jehovait dhe përse nuk mashtrohet ai nga mëkati i tyre?
15 Jehovai do të dërgojë peshkatarë e gjuetarë (16:1–17:27). Për shkak të shkretimit që kanoset, Jehovai e urdhëron Jereminë: «Mos merr grua dhe mos bëj bij e bija në këtë vend.» (16:2) S’është koha për të mbajtur zi dhe as për të shtruar gosti me popullin, sepse Jehovai po përgatitet t’i flakë ata nga vendi. Pastaj Jehovai premton se do të dërgojë ‘peshkatarë që do t’i peshkojnë dhe gjuetarë që do t’i kërkojnë’. Kur ai t’i ketë kryer të gjitha këto, «ata kanë për ta marrë vesh se emri [i tij] është Jehova». (16:16, 21) Mëkati i Judës është skalitur në zemrat e njerëzve me kunj hekuri, madje me një majë diamanti. «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër», por Jehovai mund ta hetojë. Askush s’mund ta mashtrojë. Ata që bëjnë apostazi, «kanë lënë burimin e ujit jetëdhënës». (17:9, 13) Nëse Juda nuk e shenjtëron ditën e sabatit, Jehovai do t’i përpijë me zjarr portat e qytetit dhe kullat e banimit.
16. Ç’ilustron Jehovai me anë të poçarit dhe enëve të tij prej argjile?
16 Poçari dhe argjila (18:1–19:15). Jehovai e urdhëron Jereminë të shkojë në shtëpinë e poçarit. Atje ai vëren se si, nga një enë e prishur argjile, poçari bën një enë tjetër siç i pëlqen atij. Atëherë Jehovai shpall se ai është Poçari i shtëpisë së Izraelit, që ka fuqinë të rrëzojë ose të ndërtojë. Më pas, ai i thotë Jeremisë që të marrë një poç balte nga poçari, të shkojë në luginën e Hinomit dhe atje të shpallë gjëmat që do të sjellë Jehovai ngaqë populli e ka mbushur vendin me gjak të pafajshëm duke djegur bijtë e vet në zjarr si blatime të plota të djegura për Baalin. Pastaj Jeremia duhet ta thyejë poçin, për të treguar se si Jehovai do të thyejë Jerusalemin dhe popullin e Judës.
17. Ç’përvojë të rëndë përjeton Jeremia, por a e bën kjo të heshtë?
17 S’heq dorë edhe kur përndiqet (20:1-18). I acaruar nga predikimi i guximshëm i Jeremisë, Pashkuri, i ngarkuari kryesor për tempullin, e vë Jereminë në fallaka për një natë. Kur e zgjidhin, Jeremia profetizon se Pashkuri do të merret rob e do të vdesë në Babiloni. I hidhëruar nga përqeshjet dhe poshtërimet që i bëhen, Jeremia mendon të heqë dorë. Megjithatë, s’mund të rrijë në heshtje. Fjala e Jehovai është ‘në zemrën e tij si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat e tij’, prandaj ai nuk mund të rrijë pa folur. Edhe pse mallkon ditën kur lindi, ai thërret: «Këndojini Jehovait! Lëvdoni Jehovain! Sepse e çliroi shpirtin e të varfrit nga dora e keqbërësve.»—20:9, 13.
18. Për çfarë e njofton Jeremia Zedekinë?
18 Indinjata e Jehovai kundër sundimtarëve (21:1–22:30). Jeremia i përgjigjet një pyetjeje të Zedekisë dhe e njofton për zemërimin e Jehovait që do të bjerë mbi qytet: Mbreti i Babilonisë do ta rrethojë dhe ai do të shkatërrohet nga murtaja, shpata, zia e bukës dhe zjarri. Shalumi (Jehoahazi) do të vdesë në mërgim, Jehojakimin do ta varrosin si një gomar dhe biri i tij Koniahu (Jehojakini) do të vërvitet jashtë Judës e do të vdesë në Babiloni.
19. Ç’profetizon Jeremia për «një filiz të drejtë» dhe ç’përfaqësojnë dy shportat me fiq?
19 Shpresë te ‘një filiz i drejtë’ (23:1–24:10). Jehovai premton se do të vërë barinj të vërtetë, të cilët do të zëvendësojnë barinjtë e rremë, si dhe «një filiz të drejtë» nga trungu i Davidit, një mbret që ‘do të mbretërojë dhe do të veprojë me maturi, do të gjykojë me drejtësi dhe do të bëjë atë që është e drejtë në vend’. Si do ta quajnë? «Atë do ta thërrasin me këtë emër: ‘Jehovai është drejtësia jonë.’» Ai do të mbledhë mbetjen që është shpërndarë. (23:5, 6) Sikur profetët të kishin ndenjur me ata që ishin lidhur ngushtë me Jehovain, do ta kishin bërë popullin të dëgjonte e të kthehej nga udha e ligë. Përkundrazi, thotë Jehovai, ata ‘e bëjnë popullin tim të endet andej-këtej, nga gënjeshtrat e tyre’. (23:22, 32) «Ja, dy shporta me fiq.» Jehovai i përdor fiqtë e mirë dhe fiqtë e këqinj për të ilustruar një mbetje besnike që do të kthehej në vend me pëlqimin e Jehovait, dhe një klasë tjetër që do të shkonte drejt një fundi katastrofik.—24:1, 5, 8-10.
20. Si e përdor Jehovai Babiloninë si shërbëtorin e vet, por, kur t’i vijë radha, si do të përfundojë ajo?
20 Çështja e Jehovait me kombet (25:1-38). Ky kapitull është një përmbledhje e gjykimeve që paraqiten me më shumë hollësi në kapitujt 45 deri 49. Me tri profeci paralele me njëra-tjetrën Jehovai shpall se një gjëmë do të bjerë mbi gjithë kombet e tokës. Së pari, Nabukodrezari identifikohet si shërbëtori i Jehovait që do të shkretojë Judën dhe kombet rreth e qark, «dhe këto kombe do t’i shërbejnë shtatëdhjetë vjet mbretit të Babilonisë». Pastaj do t’i vijë radha Babilonisë që do të mbetet ‘shkreti brez pas brezi’.—25:1-14.
21. Cilët duhet të pinë nga kupa e tërbimit të Jehovait? Me ç’pasojë?
21 Profecia e dytë është vegimi i kupës me verën e tërbimit të Jehovait. Jeremia duhet t’ua japë këtë kupë njerëzve të kombeve dhe ata «duhet ta pinë e të lëkunden sa para-prapa dhe të sillen si të çmendur», për shkak të shkatërrimit që Jehovai po sjell mbi ta. Së pari, Jerusalemi dhe Juda! Pastaj, Egjipti, Filistia, Edomi, Tiri, vende afër dhe larg, madje «gjithë mbretëritë e tjera që janë mbi faqen e dheut. Edhe vetë mbreti i Sheshakut do të pijë pas tyre». Ata ‘do të pinë, do të vjellin dhe do të rrëzohen’. Asnjë s’do të shpëtojë.—25:15-29.
22. Me ç’gjëmë të madhe do të shpërthejë zemërimi i zjarrtë i Jehovait?
22 Në profecinë e tretë, Jeremia arrin lartësi poetike madhështore. «Nga lart Jehovai do të ulërijë . . . kundër tërë banorëve të tokës.» Një zhurmë, një gjëmë, një furtunë e madhe! «Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin.» Askush s’do të vajtojë, askush s’do t’i varrosë! Do të bëhen si pleh në tokë. Barinjtë e rremë do të theren, bashkë me të parët e kopesë. S’kanë për të shpëtuar. Dëgjoni klithmat e tyre! Jehovai «po u shkatërron kullotën . . . nga zemërimi i zjarrtë».—25:30-38.
23. (a) Ç’komplot thuret kundër Jeremisë, si mbrohet ai dhe ç’raste të mëparshme përmenden gjatë shfajësimit të Jeremisë? (b) Si e portretizon Jeremia zgjedhën babilonase që po vjen dhe ç’profeci lidhur me Hananiahun del e vërtetë?
23 Jeremia shfajësohet (26:1–28:17). Qeveritarët dhe populli komplotojnë për të vrarë Jereminë. Jeremia mbrohet. Ai ka thënë fjalën e Jehovait. Po ta vrasin, do të vrasin një njeri të pafajshëm. Vendimi: i pafajshëm. Tek shqyrtojnë rastin e Jeremisë, pleqtë e vendit përmendin rastet e mëparshme të profetëve Mikea dhe Urijah. Më pas Jehovai e urdhëron Jereminë të bëjë litarë dhe një zgjedhë, t’i vërë në qafë dhe t’ua dërgojë kombeve rreth e qark si shenja se do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë për tre breza sundimtarësh. Hananiahu, një nga profetët e rremë, i kundërvihet Jeremisë. Ai shpall se zgjedha e Babilonisë do të thyhet brenda dy vjetëve, dhe e ilustron këtë duke thyer zgjedhën e drunjtë. Jehovai e thekson profecinë e vet duke i thënë Jeremisë të bëjë një zgjedhë hekuri e të parathotë se Hananiahu do të vdesë brenda vitit. Hananiahu vdes.
24. (a) Ç’mesazh u dërgon Jeremia të mërguarve në Babiloni? (b) Me cilët do të bëjë Jehovai një besëlidhje të re dhe përse kjo do të jetë më e mirë se besëlidhja e mëparshme?
24 Ngushëllim për të mërguarit në Babiloni (29:1–31:40). Jeremia u shkruan atyre që ishin çuar në mërgim në Babiloni bashkë me Jekoninë (Jehojakinin): Sistemohuni aty ku jeni, sepse përpara se Jehovai t’ju kthejë sërish pas, po vjen një periudhë prej 70 vjetësh që duhet të kaloni në mërgim. Jehovai e urdhëron Jereminë të shkruajë në një libër për kthimin e tyre: Jehovai do të thyejë zgjedhën e tyre dhe «ata do t’i shërbejnë Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe Davidit, mbretit që [unë Jehovai] do të vë për ta». (30:9) Rakela duhet të mos qajë më me zë, sepse bijtë e saj «do të kthehen nga vendi i armikut». (31:16) Dhe ja tani, një shpallje inkurajuese nga Jehovai! Ai do të bëjë një besëlidhje të re me shtëpinë e Judës dhe me shtëpinë e Izraelit. Ajo do të jetë shumë më e mirë se besëlidhja që ata kanë prishur. Jehovai do ta shkruajë ligjin e tij brenda tyre, në zemër. «Unë do të jem Perëndia i tyre, e ata do të jenë populli im.» Të gjithë do ta njohin Jehovain, të vegjël e të mëdhenj, dhe ai do t’ua falë fajin. (31:31-34) Qyteti i tyre do të rindërtohet si diçka e shenjtë për Jehovain.
25. Si theksohet fakti se rivendosja e Izraelit është e sigurt dhe ç’lajm sjell fjala e Jehovait?
25 Besëlidhja e Jehovait me Davidin është e sigurt (32:1–34:22). Gjatë rrethimit të fundit të Jerusalemit nga Nabukodrezari, Jeremia ndodhet i burgosur. Megjithatë, si shenjë se Jehovai do ta rivendosë patjetër Izraelin, Jeremia blen një arë në Anatoth dhe fut në një enë balte aktin e blerjes dhe aktin që ishte lënë hapur. Tani fjala e Jehovai sjell një lajm të mirë: Juda dhe Jerusalemi do të gëzojnë përsëri dhe Jehovai do përmbushë besëlidhjen që ka bërë me Davidin. Kurse për Zedekinë vjen ky paralajmërim: mbreti i Babilonisë do t’i vërë zjarrin këtij qyteti dhe Zedekia do të shkojë rob në Babiloni. Mjerë ata pronarë që pranuan t’i lironin skllevërit, por pastaj e shkelën besëlidhjen e tyre.
26. Ç’premtim u bën Jehovai rekabitëve dhe përse?
26 Premtimi i Jehovait për Rekabin (35:1-19). Në ditët e mbretit Jehojakim, Jehovai e dërgon Jereminë te rekabitët. Këta ishin strehuar në Jerusalem kur babilonasit kishin ardhur për herë të parë kundër vendit. Jeremia u jep të pinë verë. Por ata nuk pranojnë, për shkak të urdhrit që kishte dhënë paraardhësi i tyre, Jonadabi, mbi 250 vjet më parë. Ç’kontrast i jashtëzakonshëm me udhën e pabesë të Judës! Jehovai u premton: «Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t’i mungojë kurrë ndokush që të më shërbejë.»—35:19.
27. Pse bëhet e nevojshme të rishkruhen profecitë e Jeremisë?
27 Jeremia rishkruan librin (36:1-32). Jehovai e urdhëron Jereminë të shkruajë të gjitha fjalët e profecive të deritanishme. Jeremia ia dikton fjalët Barukut, i cili i lexon ato më pas me zë të lartë në shtëpinë e Jehovait ditën e agjërimit. Mbreti Jehojakim dërgon njerëz që të marrin rrotullën dhe, pasi dëgjon një pjesë të saj, me zemërim, e bën copë-copë dhe e hedh në zjarr. Ai urdhëron të arrestohen Jeremia dhe Baruku, por Jehovai i fsheh dhe i thotë Jeremisë të shkruajë një kopje tjetër të rrotullës.
28. (a) Ç’profeci bën vazhdimisht Jeremia? (b) Si dallon qëndrimi i Ebed-Melekut nga ai i princave?
28 Ditët e fundit të Jerusalemit (37:1–39:18). Tregimi kthehet prapë në kohën e mbretërimit të Zedekisë. Mbreti i kërkon Jeremisë t’i lutet Jehovait për Judën. Profeti nuk pranon, duke thënë se dënimi i Jerusalemit është i pakthyeshëm. Jeremia përpiqet të shkojë në Anatoth, mirëpo e kapin, e akuzojnë si dezertor, e rrahin dhe e burgosin për shumë ditë. Zedekia dërgon njerëz që ta marrin. A ka ndonjë fjalë nga Jehovai? Patjetër! «Do të biesh në duart e mbretit të Babilonisë!» (37:17) Të zemëruar nga profecitë e vazhdueshme dënuese të Jeremisë, princat e flakin në një cisternë me llucë. Ebed-Meleku, një eunuk etiopas që ndodhej në shtëpinë e mbretit, me dashamirësi, ndërhyn për Jereminë dhe e shpëton nga një vdekje e ngadaltë, por ai mbetet gjithsesi nën ndalim tek Oborri i Rojës. Zedekia e thërret përsëri Jereminë, por përsëri merr këtë përgjigje: ‘Dorëzohu në duart e mbretit të Babilonisë ose përndryshe do të shkosh në robëri, kurse Jerusalemi do të shkatërrohet!’—38:17, 18.
29. Ç’gjëmë bie tani mbi Jerusalemin, por si ia dalin mbanë Jeremia dhe Ebed-Meleku?
29 Rrethimi i Jerusalemit zgjat 18 muaj, derisa, në vitin e 11-të të Zedekisë, në muret e qytetit hapet një e çarë. Mbreti dhe ushtria ia mbathin, por i kapin. Bijtë e tij dhe fisnikët i therin në sy të mbretit, kurse atë vetë e verbojnë dhe e çojnë në Babiloni të lidhur me vargonj. Qytetit i vënë zjarrin dhe e shkatërrojnë, kurse gjithë popullin, me përjashtim të disa njerëzve nga shtresa e ulët, e çojnë në mërgim në Babiloni. Me urdhër të Nabukodrezarit, Jereminë e lirojnë nga oborri. Përpara se ta lirojnë, ai i tregon Ebed-Melekut premtimin e Jehovait se ai do ta çlirojë, ngaqë ‘pati besim te Jehovai’.—39:18.
30. Përse populli që ka mbetur nuk ia vë veshin këshillës së Jeremisë dhe ç’gjykim shpall Jeremia në Egjipt?
30 Ngjarjet e fundit në Mizpah dhe në Egjipt (40:1–44:30). Jeremia qëndron në Mizpah me Gedaliahun, të cilin babilonasit e bëjnë guvernator të popullit që kishte mbetur në vend. Pas dy muajsh Gedaliahun e vrasin. Populli kërkon të këshillohet me Jereminë dhe ai u tregon fjalët e Jehovait: ‘Jehovai nuk do t’ju shkulë nga ky vend. Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë. Megjithatë, po qe se shkoni në Egjipt, do të vdisni!’ Mirëpo ata shkojnë në Egjipt dhe marrin me vete edhe Jereminë e Barukun. Në Tafnes, në Egjipt, Jeremia shpall dënimin nga Jehovai: mbreti i Babilonisë do të vendosë fronin e vet në Egjipt. Është e kotë që Izraeli të adhurojë perënditë e Egjiptit e t’i paraqesë flijime «mbretëreshës së qiejve». E kanë harruar se si e shkretoi Jehovai Jerusalemin për shkak të idhujtarisë? Jehovai do të sjellë një gjëmë mbi ta në Egjipt dhe ata s’do të kthehen më në Judë. Si shenjë, Jehovai do ta dorëzojë faraonin Hofra në duart e armiqve të tij.
31. Ç’siguri i jepet Barukut?
31 Shorti i Barukut (45:1-5). Baruku ndihet i dëshpëruar tek dëgjon profecitë e herëpashershme të Jeremisë për gjykimin. Atij i thuhet që së pari të mendojë për qëllimin që ka Jehovai për të ndërtuar e për të shembur, në vend që të ‘kërkojë gjëra të mëdha për veten’. (45:5) Ai do të shpëtojë nga gjithë ajo gjëmë.
32. Kundër cilëve do të vijë ‘shpata e Jehovait’?
32 Shpata e Jehovait kundër kombeve (46:1–49:39). Jeremia flet për fitoret e Babilonisë mbi Egjiptin në Karkemish e në vende të tjera. Kombet do të shfarosen, por Jakobi do të mbetet, edhe pse s’do të shpëtojë pa u ndëshkuar. ‘Shpata e Jehovait’ do të vijë kundër filistinëve, kundër Moabit krenar dhe Amonit që mbahet me të madh, kundër Edomit, Damaskut, Kedarit dhe Hazorit. (47:6) Harku i Elamit do të thyhet.
33. (a) Ç’do t’i ndodhë kupës së artë, Babilonisë? (b) Si duhet të veprojë populli i Perëndisë?
33 Shpata e Jehovait kundër Babilonisë (50:1–51:64). Jehovai flet për Babiloninë: tregojeni mes kombeve. Mos fshihni asgjë. Babilonia është pushtuar dhe perënditë e saj janë mbuluar me turp. Mbathjani prej saj. Ky çekan i farkëtarit që ka bërë copë-copë kombet e gjithë tokës, tani është thyer. «O Arrogancë», që shtypje Izraelin dhe Judën që ishin marrë rob, dije se Jehovai i ushtrive është Riblerësi i tyre! Babilonia do të bëhet strofull e kafshëve që ulërijnë. «Ashtu siç e përmbysi Perëndia Sodomën, Gomorrën . . . , po ashtu atje nuk do të banojë asnjeri.» (50:31, 40) Babilonia ishte një kupë e artë në duart e Jehovait që të dehte kombet, por ka rënë befas dhe është thyer. Ulërini për të! Jehovai ka nxitur frymën e mbretërve të Medisë që ta shkatërrojnë. Burrat e fuqishëm të Babilonisë kanë reshtur së luftuari. Janë bërë si gratë. Bija e Babilonisë do të shkelet fort si një lëmë. «Ata duhet të bien në gjumë të përjetshëm, nga i cili nuk do të zgjohen.» Deti ka ardhur dhe e ka mbuluar Babiloninë me dallgë të shumta. «Dil prej saj, o populli im, dhe secili të shpëtojë shpirtin e vet nga zemërimi i zjarrtë i Jehovait.» (51:39, 45) Dëgjoni klithmën, shkatërrimin e madh të Babilonisë! Armët e Babilonisë kanë për t’u copëtuar, sepse Jehovai është një Perëndi i shpagimeve. Ai do të shpaguajë patjetër.
34. Cila shenjë ilustron rënien e Babilonisë?
34 Jeremia e urdhëron Serajahun: Shko në Babiloni dhe lexo me zë të lartë fjalët e profecisë kundër Babilonisë. Pastaj lidhe librin me një gur dhe hidhe në mes të Eufratit. «Thuaj: ‘Kështu do të fundoset Babilonia dhe nuk do të ngrihet më kurrë, nga gjëma që do të sjell mbi të.’»—51:61-64.
35. Ç’tregim vijon tani?
35 Tregimi i rënies së Jerusalemit (52:1-34). Ky tregim është pothuajse identik me atë që përshkruhej më parë te 2 Mbretërve 24:18-20; 25:1-21, 27-30.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
36. (a) Çfarë shembulli të një zelli të guximshëm na la Jeremia? (b) Në cilat aspekte janë shembuj të shkëlqyer për ne Baruku, rekabitët dhe Ebed-Meleku?
36 Kjo profeci e frymëzuar është sa ndërtuese aq edhe e dobishme. Të vërejmë shembullin e guximshëm të vetë profetit. Ai nuk pati frikë t’i shpallte një mesazh të papëlqyeshëm një populli të paperëndishëm. Hodhi poshtë me përçmim shoqërinë me të ligjtë. E kuptoi urgjencën e mesazhit të Jehovait, u angazhua me gjithë zemër në veprën e Perëndisë dhe nuk u spraps kurrë. Fjala e Perëndisë ishte si zjarr në kockat e tij, dhe ngazëllimi e gëzimi i zemrës së tij. (Jer. 15:16-20; 20:8-13) Qofshim edhe ne gjithnjë kaq të zellshëm për fjalën e Jehovait! Le t’i mbështetim edhe ne besnikërisht shërbëtorët e Jehovait, ashtu si Baruku bëri me Jereminë! Bindja e sinqertë e rekabitëve është një shembull i shkëlqyer për ne, ashtu sikundër është edhe kujdesi i dashur që tregoi Ebed-Meleku për profetin e përndjekur.—36:8-19, 32; 35:1-19; 38:7-13; 39:15-18.
37. Si na forcohet besimi te aftësia e Jehovait për të profetizuar kur shqyrtojmë librin e Jeremisë?
37 Fjala e Jehovai që iu drejtua Jeremisë u përmbush me saktësi të jashtëzakonshme. Sigurisht, kjo na e forcon besimin te aftësia e Jehovait për të profetizuar. Të marrim, për shembull, përmbushjen e atyre profecive që Jeremia i përjetoi vetë, si: robërimi i Zedekisë dhe shkatërrimi i Jerusalemit (21:3-10; 39:6-9); rënia nga froni dhe vdekja në robëri e mbretit Shalum (Jehoahaz) (Jer. 22:11, 12; 2 Mbret. 23:30-34; 2 Kron. 36:1-4); marrja rob e mbretit Koniah (Jehojakin) në Babiloni (Jer. 22:24-27; 2 Mbret. 24:15, 16) dhe vdekja brenda një viti e profetit të rremë Hananiahut (Jer. 28:16, 17). Të gjitha këto profeci, dhe shumë të tjera, u përmbushën tamam si kishte thënë Jehovai. Profecia e Jeremisë ishte me autoritet dhe e dobishme edhe për profetët e shërbëtorët e mëvonshëm të Jehovait. Për shembull, Danieli dalloi nga shkrimet e Jeremisë se shkretimi i Jerusalemit do të zgjaste 70 vjet, kurse Ezdra e drejtoi vëmendjen te përmbushja e fjalëve të Jeremisë në fund të 70 vjetëve.—Dan. 9:2; 2 Kron. 36:20, 21; Ezd. 1:1; Jer. 25:11, 12; 29:10.
38. (a) Cila besëlidhje, për të cilën foli edhe Jezui, theksohet në profecinë e Jeremisë? (b) Cila shpresë e Mbretërisë shpallet?
38 Kur themeloi kremtimin e Darkës së Zotërisë me dishepujt e tij, Jezui tregoi përmbushjen e profecisë së Jeremisë për besëlidhjen e re. Ai foli për «besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim», përmes të cilit mëkatet e tyre u falën dhe ata u mblodhën si kombi frymor i Jehovait. (Luka 22:20; Jer. 31:31-34) Ata që lindin nga fryma dhe hyjnë në besëlidhjen e re, janë personat me të cilët Jezui bën një besëlidhje për Mbretërinë, që të sundojnë bashkë me të në qiell. (Luka 22:29; Zbul. 5:9, 10; 20:6) Për këtë Mbretëri flitet disa herë te profecia e Jeremisë. Mes gjithë atyre dënimeve kundër Jerusalemit të pabesë, Jeremia lëshon këtë rreze shprese: «Ja, po vijnë ditët,—thotë Jehovai,—kur do t’i nxjerr Davidit një filiz të drejtë. Do të mbretërojë një mbret, dhe ai do të veprojë me maturi, do të gjykojë me drejtësi dhe do të bëjë atë që është e drejtë në vend.» Po, një mbret që do të quhet «Jehovai është drejtësia jonë».—Jer. 23:5, 6.
39. Për çfarë na siguron ajo që paratha Jeremia për kthimin e një mbetjeje nga Babilonia?
39 Jeremia flet përsëri për një rivendosje: «Ata do t’i shërbejnë Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe Davidit, mbretit që do të vë për ta.» (30:9) Së fundi, ai tregon për fjalët e mira që Jehovai ka thënë për Izraelin dhe Judën, domethënë që ‘në ato ditë dhe në atë kohë [Jehovai] do të bëjë që të mbijë për Davidin një filiz i drejtë’, që do të shumojë farën e tij dhe që do të ketë «një bir që të mbretërojë si mbret në fronin e tij». (33:15, 21) Ashtu siç është e sigurt që një mbetje u kthye nga Babilonia, edhe Mbretëria e këtij ‘filizi’ të drejtë do të gjykojë me drejtësi dhe do të bëjë atë që është e drejtë në gjithë tokën.—Luka 1:32.
[Shënimi]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 326, 480, anglisht.