BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • uw kap. 21 f. 161-168
  • «Ata nuk janë nga bota»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Ata nuk janë nga bota»
  • Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote»
  • Dishepujt ndjekin udhëheqjen e Zotërisë
  • Asnjanësia e krishterë në kohën e fundit
  • «Ata nuk janë pjesë e botës»
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
  • A duhet të përfshihet feja në politikë?
    Tema të tjera
  • Të krishterë asnjanës në ditët e fundit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Të mbajmë asnjanësinë mes një bote të përçarë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
Shih më tepër
Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
uw kap. 21 f. 161-168

Kapitulli 21

«Ata nuk janë nga bota»

1. (a) Për çfarë u lut Jezui për dishepujt e tij, një natë përpara se të vdiste? (b) Përse është kaq e rëndësishme «të mos jesh pjesë e botës»?

NATËN para se të gozhdohej, Jezui u lut në mënyrë të zjarrtë për dishepujt e tij. Duke e ditur se ata do të ishin nën presione të tmerrshme nga Satanai, ai i tha Atit të tij: «Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.» (Gjoni 17:15, 16, Dio) Pse është kaq e rëndësishme ndarja nga bota? Sepse Satanai është sundimtari i saj. Ata që janë pjesë e botës janë nën kontrollin e tij. (Gjoni 14:30; 1. Gjonit 5:19) Në lidhje me këtë, është jetësore për çdo të krishterë të kuptojë se çfarë do të thotë ‘të mos jesh nga bota’. Si e tregoi Jezui këtë?

2. Në çfarë mënyrash Jezui ‘nuk ishte nga bota’?

2 Sigurisht, Jezui nuk e izoloi veten nga njerëzit e tjerë. Duke mos qenë «nga bota» nuk do të thoshte se i mungonte dashuria për të tjerët. Përkundrazi, ai shkoi nga qyteti në qytet duke u njoftuar atyre lajmin e mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë. Ai shëroi të sëmurët, u ktheu shikimin të verbërve, ngriti të vdekurit, madje dha edhe jetën e tij për njerëzimin. Por ai nuk donte qëndrimet dhe veprat e liga të njerëzve që ishin të mbushur me frymën e botës. Ai paralajmëroi kundër dëshirave imorale, mënyrës materialiste të jetesës dhe kërkesave egoiste për dukje personale. (Mat. 5:27, 28; 6:19-21; Luka 12:15-21; 20:46, 47) Në vend që të imitonte mënyrën e jetesës së njerëzve që ishin larguar nga Perëndia, Jezui ndoqi rrugët e Jehovait. (Gjoni 8:28, 29) Sa për debatet politike që përfshinin Romën dhe hebrenjtë, Jezui megjithëse hebre, nuk mori anën e asnjërit.

«Mbretëria ime nuk është e kësaj bote»

3. (a) Çfarë akuze në lidhje me Jezuin i paraqitën Pilatit udhëheqësit fetarë hebrenj dhe pse? (b) Çfarë tregon se Jezuit nuk i interesonte aspak të bëhej një mbret njerëzor?

3 Megjithatë, udhëheqësit fetarë hebrenj e akuzuan Jezuin se po prishte interesat kombëtare. Ata e arrestuan atë dhe e çuan tek guvernatori romak, Ponc Pilati. Ajo që i shqetësonte ata në të vërtetë, ishte se mësimet e Jezuit zbuluan hipokrizinë e tyre. Por me qëllim që ta nxisnin guvernatorin të vepronte, ata bënë akuzën: «Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t’i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti». (Luka 23:2, Dio) Fakti është se një vit më parë, kur njerëzit donin ta bënin mbret, Jezui refuzoi. (Gjoni 6:15) Ai e dinte se do të ishte një Mbret qiellor dhe se koha për t’u bërë Mbret nuk kishte ardhur akoma dhe se ai do të hipte në fron, jo nga lëvizjet popullore demokratike, por nga Perëndia Jehova.

4. Çfarë zbulojnë faktet rreth qëndrimit të Jezuit në lidhje me «pagimin e taksave ndaj Çesarit»?

4 Sa për pagimin e taksave, vetëm tri ditë përpara arrestimit të Jezuit, farisenjtë u përpoqën që ai të thoshte diçka për ta akuzuar mbi këtë çështje. Por në përgjigje të pyetjes së tyre tinëzare, Jezui u përgjigj: «Më tregoni një denar. E kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?» Kur ata thanë, «E Çesarit», ai u përgjigj: «Atëherë, sipas asaj që thotë, jepini Çesarit atë që i përket Çesarit, por Perëndisë atë që është e Perëndisë.»—Luka 20:20-25.

5. (a) Çfarë mësimi u dha Jezui dishepujve të tij në kohën e arrestimit? (b) Si ia shpjegoi Jezui Pilatit arsyen për atë që bënte?

5 Ajo që ndodhi gjatë kohës së arrestimit të Jezuit, tregoi se ai nuk po nxiste rebelim kundër Romës dhe nuk donte që dishepujt e tij të bënin kështu. Ushtarët romakë së bashku me hebrenjtë, duke mbajtur shpata dhe shkopinj, erdhën që të kapnin Jezuin. (Gjoni 18:3, 12; Marku 14:43) Duke parë këtë, apostulli Pjetër tërhoqi një shpatë dhe qëlloi njërin prej burrave, duke i prerë veshin e djathtë. Por Jezui e qortoi Pjetrin, duke i thënë: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» (Mat. 26:51, 52, Dio) Mëngjesin tjetër përpara Pilatit, Jezui shpjegoi arsyen e aktivitetit të tij, duke thënë: «Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej.»—Gjoni 18:36, Dio.

6. Cili ishte rezultati i asaj prove?

6 Pasi shqyrtoi dëshmitë, Pilati deklaroi se «nuk kishte bazë për akuzat» e sjella kundër Jezuit. Megjithatë, ai u thye prej kërkesave të turmës dhe e gozhdoi Jezuin.—Luka 23:13-15; Gjoni 19:12-16.

Dishepujt ndjekin udhëheqjen e Zotërisë

7. Si treguan të krishterët e parë se i largoheshin frymës së botës, por që e donin popullin?

7 Historia e krishterimit të hershëm, si në Bibël ashtu edhe në veprat e tjera historike, tregoi se dishepujt e Jezuit e kuptuan atë që u kërkua prej tyre «për të mos qenë pjesë e botës». Ata u përpoqën të largonin frymën e botës. Për shkak se iu larguan dhunës dhe zbavitjeve imorale të teatrove dhe cirqeve romake, ata u tallën si të urryerit e racës njerëzore. Megjithatë, larg urrejtjes së bashkëqytetarëve të tyre, ata e vunë veten në dispozicion të të tjerëve për t’i ndihmuar që të përfitonin nga përgatitjet e dashura të Perëndisë për shpëtim.

8. (a) Meqenëse ‛nuk ishin pjesë e botës’, çfarë përjetuan ata dishepuj të parë? (b) Si i konsideronin ata sundimtarët politikë dhe pagimin e taksave dhe pse?

8 Ashtu si Zotëria i tyre, ata gjithashtu ishin objekt i persekutimeve të forta, shpesh në duart e zyrtarëve qeveritarë të keqinformuar. (Gjoni 15:18-20) Por rreth vitit 56 të e. s., apostulli Pavël u shkroi miqve të krishterë në Romë për të përforcuar këshillën që u kishte dhënë Jezui. Pavli i nxiti që «të ishin të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta», sunduesve politikë, «sepse nuk ka autoritet përveçse nga Perëndia». Jo se i ka vendosur Jehovai qeveritë e botës, por ato sundojnë në saje të lejimit të tij. Pavli shpjegoi se ata «qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia», sepse Perëndia parashikoi dhe paratha rregullin në të cilin ato do të vinin në fuqi. Prandaj «autoritetet më të larta» përbëjnë «rregullimin e Perëndisë» për kohën e tanishme, derisa vetë Mbretëria e Perëndisë në duart e Jezu Krishtit të bëhet e vetmja qeveri sunduese mbi tokën. Kështu Pavli i këshilloi të krishterët që të tregonin nderimin e duhur ndaj zyrtarëve botërorë dhe të paguanin taksat që ata u ngarkonin.—Rom. 13:1-7; Titi 3:1, 2.

9. (a) Çfarë nuk duhet të harrojmë kur u nënshtrohemi «autoriteteve më të larta»? (b) Si tregon historia se dishepujt e parë ndiqnin me kujdes shembullin e Jezuit?

9 Megjithatë, Pavli nuk u tha se duhej t’u nënshtroheshin në mënyrë absolute, duke mos marrë parasysh Perëndinë, Fjalën e Perëndisë dhe ndërgjegjen e tyre të krishterë. Ata e dinin se Jezui adhuroi vetëm Jehovain, se Jezui nuk i lejoi njerëzit që ta bënin mbret dhe se i tha Pjetrit që ta flakte shpatën e tij. Ata në mënyrë të ndërgjegjshme iu përmbajtën udhëheqjes së Zotërisë së tyre. Libri Në rrugën drejt civilizimit—Një histori botërore (On the Road to Civilization—A World History), shkruar nga Heckel dhe Sigman, në faqet 237, 238 raporton: «Të krishterët refuzuan të merrnin pjesë në disa prej detyrave të qytetarëve romakë. Të krishterët e konsideronin si një dhunim të besimit të tyre, pjesëmarrjen në shërbimin ushtarak. Ata nuk duhej të pranonin përgjegjësi politike. Ata nuk duhej të adhuronin perandorin.»

10. (a) Përse të krishterët në Jeruzalem ndërmorën atë veprim në vitin 66 të e. s.? (b) Në çfarë mënyre ai siguroi një shembull të vlefshëm?

10 Në lidhje me debatet politike dhe ushtarake të ditëve të tyre, dishepujt e Jezuit mbajtën një qëndrim të fortë asnjanës. Në vitin 66 të e. s. hebrenjtë e provincës romake të Judesë ngritën krye kundër Çesarit. Ushtria romake menjëherë rrethoi Jeruzalemin. Çfarë bënë të krishterët që gjendeshin në qytet? Ata kujtuan këshillën e Jezuit për të qëndruar asnjanës dhe të dilnin jashtë ushtrive luftarake. Kur ushtria romake u tërhoq përkohësisht, të krishterët shfrytëzuan mundësinë dhe u larguan përmes lumit Jordan në malet e rajonit të Pelas. (Luka 21:20-24) Me qëndrimin e tyre asnjanës ata shërbyen si një shembull besimi për të krishterët e mëvonshëm.

Asnjanësia e krishterë në kohën e fundit

11. (a) Në çfarë vepre janë angazhuar Dëshmitarët e Jehovait dhe pse? (b) Në lidhje me çfarë ata janë asnjanës?

11 A tregojnë shënimet historike se ndonjë grup në këtë «kohë të fundit», që nga viti 1914 i e. s., ka vazhduar të ndjekë qëndrimin asnjanës të krishterë, ngjashëm atyre të krishterëve të hershëm? Po, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë kështu. Në të gjithë tokën ata janë angazhuar duke predikuar se Mbretëria e Perëndisë është mjeti i vetëm me anë të të cilit paqja, mirëqenia dhe lumturia e pafundme janë të mundshme për ata që duan drejtësinë në të gjithë tokën. (Mat. 24:14) Por në lidhje me debatet midis kombeve, ata kanë mbajtur një qëndrim të fortë asnjanës.

12. (a) Si është asnjanësia e Dëshmitarëve në kontrast me praktikat e klerit? (b) Çfarë përfshin asnjanësia politike për Dëshmitarët e Jehovait?

12 Në kontrast të fortë, kleri i të ashtuquajturit krishterim është përfshirë thellë në punët politike të botës. Në disa vende, ai në mënyrë aktive bën fushata pro ose kundër kandidatëve. Disa nga vetë klerikët mbajnë përgjegjësi politike. Të tjerët ushtrojnë presione të mëdha mbi politikanët, në favor të programeve të aprovuara nga kleri. Gjetiu, klerikët «konservatorë» janë të lidhur ngushtë me njerëzit në fuqi, ndërsa priftërinjtë «përparimtarë» dhe shërbëtorët e tyre mund të jenë mbështetës të lëvizjeve guerile, duke punuar për përmbysjen e tyre. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait në cilindo vend që jetojnë nuk përzihen në politikë. Ata nuk përzihen me atë që bëjnë të tjerët duke u bërë anëtarë të një partie politike, duke rendur për kandidaturë apo duke votuar në fushatat elektorale. Por, që nga koha kur Jezui tha se dishepujt e tij «nuk duhet të jenë pjesë e botës», Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në asnjë aktivitet politik.

13. Në lidhje me pjesëmarrjen në luftë, çfarë tregojnë faktet mbi qëndrimin e Dëshmitarëve të Jehovait?

13 Sikurse paratha Jezui, gjatë kësaj «kohe të fundit» kombet kanë luftuar herë pas here madje edhe fraksionet brenda kombeve kanë ngritur armë kundër njëri-tjetrit. (Mat. 24:3, 6, 7) Por përballë gjithë kësaj, çfarë qëndrimi marrin Dëshmitarët e Jehovait? Asnjanësia e tyre ndaj konflikteve të tilla, është e njohur mirë në të gjitha pjesët e botës. Në përputhje me qëndrimin e mbajtur nga Jezu Krishti dhe më vonë të treguar nga dishepujt e tij të parë, Kulla e Rojës, në artikullin e saj të 1 nëntorit 1939 (angl.) njoftoi: «Të gjithë që janë në anën e Zotërisë duhet të jenë asnjanës ndaj luftës së kombeve dhe duhet të jenë tërësisht dhe plotësisht për Teokratin e madh [Jehova] dhe Mbretin e tij [Jezu Krisht].» Faktet tregojnë se Dëshmitarët e Jehovait në të gjitha kombet dhe në çdo rrethanë vazhdojnë të mbajnë këtë qëndrim. Ata nuk kanë lejuar që përçarjet politike dhe luftërat, të thyejnë vëllazërinë e tyre ndërkombëtare si adhurues të Jehovait.—Isa. 2:3, 4; krahaso 2. Korintasve 10:3, 4.

14. (a) Për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës, çfarë tjetër kanë refuzuar të bëjnë Dëshmitarët? (b) Si e shpjegojnë ata arsyen për këtë?

14 Një shqyrtim i fakteve historike tregon se Dëshmitarët e Jehovait jo vetëm që kanë refuzuar të veshin uniformën ushtarake dhe të marrin armën, por gjithashtu, gjatë më tepër se gjysmës së shekullit të kaluar, ata kanë refuzuar të bëjnë shërbim civil apo të pranojnë caktime të tjera si zëvendësim për shërbimin ushtarak. Pse? Sepse ata kanë studiuar kërkesat e Perëndisë dhe pastaj kanë bërë një vendim të vetëdijshëm personal. Askush nuk u thotë se çfarë duhet të bëjnë. As përzihen me atë që të tjerët zgjedhin për të bërë. Por kur thirren për të shpjeguar qëndrimin e tyre, Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë të njohur se, si persona që i janë dedikuar Perëndisë ata kanë për detyrë t’i përdorin trupat e tyre në shërbim të tij dhe tani nuk mund t’ua dorëzojnë ato zotërinjve tokësorë të cilët po veprojnë në kundërshtim me qëllimin e Perëndisë.—Rom. 6:12-14; 12:1, 2; Mik. 4:3.

15. (a) Për shkak se qëndrojnë të ndarë nga bota, çfarë kanë përjetuar Dëshmitarët e Jehovait? (b) Edhe pse u burgosën, çfarë tregon se ata u udhëhoqën nga parimet e krishtere?

15 Rezultatet kanë qenë ashtu si Jezui tha: «Por sepse nuk jeni nga bota . . . prandaj bota ju urren.» (Gjoni 15:19, Dio) Shumë nga Dëshmitarët e Jehovait janë burgosur, sepse nuk donin të shkelnin asnjanësinë e tyre të krishterë. Disa janë trajtuar në mënyrë brutale, madje deri në vdekje. Të tjerët kanë vazhduar të tregojnë asnjanësinë e tyre gjatë viteve të izolimit. Një libër raporton: «Çdo njeri e dinte se asnjë Dëshmitar i Jehovait [në kampin e përqendrimit] nuk do të zbatonte një urdhër në kundërshtim me besimin dhe bindjen e tij fetare, apo ndonjë veprim drejtuar kundër një personi tjetër, edhe nëse ai person ishte një vrasës dhe një oficer SS. Nga ana tjetër, ai do të kryente çdo punë, madje edhe më të neveritshmen, sa më mirë që të mundej, nëse për të nga ana morale do të ishte asnjanëse.»—Values and Violence in Auschwitz, nga Ana Powelczynska, faqe 89.

16. (a) Drejt kujt janë duke ecur kombet dhe kështu nga çfarë janë larguar me kujdes Dëshmitarët e Jehovait? (b) Pse atëherë ndarja nga bota është një çështje kaq serioze?

16 Dëshmitarët e Jehovait e dinë se të gjitha kombet janë në rrjedhë drejt «luftës së ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm» në Harmagedon. Si një popull i bashkuar, shërbëtorët e Jehovait kanë marrë qëndrimin e tyre në favor të Mbretërisë së Tij Mesianike. Ata tregojnë kujdes që të mos bien në qëndrime që janë në kundërshtim me atë të Mbretërisë. (Zbul. 16:14, 16; 19:11-21) Ata e vlerësojnë seriozisht deklaratën e Jezuit se ndjekësit e tij të vërtetë «nuk janë pjesë e botës». Ata e dinë se kjo botë e vjetër së shpejti do të kalojë dhe vetëm ata që kryejnë vërtet vullnetin e Perëndisë, do të mbeten përgjithmonë.—1. Gjonit 2:15-17.

Pyetje për përsëritje

● Si tregoi Jezui se çfarë përfshihet në atë që «të mos jemi pjesë e botës»?

● Çfarë tregon qëndrimi i të krishterëve të parë ndaj (1) frymës së botës? (2) sunduesve botërorë dhe pagimit të taksave? (3) shërbimit ushtarak?

● Në çfarë mënyrash Dëshmitarët e Jehovait në kohët moderne japin dëshmi të asnjanësisë së tyre të krishterë?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo