Përse të falim?
NJË studiues dhe shkrimtar hebre, Jozef Jakobs, e përcaktoi faljen si «më të lartën dhe më të vështirën e të gjitha mësimeve morale». Në të vërtetë, shumë e kanë të vështirë të thonë fjalët: «Të kam falur.»
Duket se falja është pak si leku. Mund të shpenzohet lirisht dhe në mënyrë të mëshirshme për të tjerët, por dhe mund të grumbullohet me kopraci për veten. E para është mënyra e të vepruarit që Perëndia e aprovon. Në lidhje me faljen, ne duhet të kultivojmë zakonet bujare të shpenzimit. Pse? Sepse Perëndia e inkurajon këtë dhe se për shkak të një fryme hakmarrëse dhe jo të gatshme për të falur, gjërat vetëm sa keqësohen.
Mjaft të dëgjuara janë fjalët: «Nuk inatosem; Më mjafton të laj hesapet!» E trishtueshme, por shumica sot udhëhiqet nga një kriter i tillë. Për shembull, një grua që refuzoi t’i fliste kunatës së saj për më shumë se shtatë vjet, tregon: «Ajo më bëri një poshtërsi të pabesueshme dhe kurrë nuk isha në gjendje ta falja.» Por ky trajtim i heshtur, kur përdoret si një levë për të nxjerrë një shfajësim nga i akuzuari apo si një armë për ta ndëshkuar, rrallë herë kënaq dëshirën për hakmarrje. Në vend të kësaj, thjesht mund të zgjatë polemikën, duke lejuar zhvillimin e një inati të vërtetë personal. Nëse kjo fazë e dhimbjes, nuk ndërpritet, kthetrat e fuqishme të hakmarrjes, mund të shkatërrojnë marrëdhëniet midis tyre madje edhe shëndetin.
Dëmi që vjen nga mosfalja
Kur një person nuk është i gatshëm për të falur, përfundimi i konfliktit shkakton stres. Nga ana tjetër, stresi mund të çojë në sëmundje serioze. William S. Sadler shkroi: «Askush më shumë se një mjek nuk mund të kuptojë kaq plotësisht përqindjen çuditërisht të madhe të sëmundjeve dhe vuajtjeve njerëzore që lidhen drejtpërdrejt me shqetësimet, frikën, konfliktet, . . . mendimet jo të shëndetshme dhe jetën imorale.» Por, deri në ç’pikë janë të dëmshme trazimet emocionale? Një botim mjekësor përgjigjet: «Statistikat . . . tregojnë se dy e treta e pacientëve që shkojnë tek mjeku, kanë simptoma të shkaktuara apo të ngacmuara nga stresi mendor.»
Po, hidhërimi, inati dhe smira, mund të jenë gjithçka, por jo të padëmshme. Këto emocione gërryese, janë si ndryshku që dalngadalë bren trupin e një makine. Nga jashtë, makina mund të duket e bukur, por poshtë bojës një proces shkatërrimi ka filluar.
Edhe më e rëndësishme është kur kemi një bazë për mëshirë dhe nuk falim, gjë që mund të na dëmtojë nga ana frymore. Në sytë e Perëndisë Jehova, mund të bëhemi si skllavi në ilustrimin e Jezuit, të cilit zotëria i tij i fali një borxh të madh. Por, kur shoku i tij iu lut që t’i falte një borxh shumë të vogël, ai u tregua i ashpër dhe i pashpirt. Me këtë, Jezui bëri të qartë se nëse ne në mënyrë të ngjashme, nuk jemi të gatshëm për të falur, Jehovai do të refuzojë të falë mëkatet tona. (Mateu 18:21-35) Prandaj, nëse nuk jemi të gatshëm për të falur, mund të humbim ndërgjegjen e pastër para Perëndisë, madje edhe shpresën tonë për të ardhmen! (Krahaso 2. Timoteut 1:3.) Pra, çfarë mund të bëjmë?
Mësoni të falni
Falja e vërtetë vjen nga zemra. Kjo do të thotë që të falësh gabimin e atij që të ka ofenduar dhe të flakësh çdo dëshirë për hakmarrje. Kështu, gjykimi dhe hakmarrja përfundimtare lihen në duart e Jehovait.—Romakëve 12:19.
Megjithatë, duhet shënuar se pasi «zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme», ajo nuk është gjithmonë e prirur ndaj faljes edhe kur kjo duhet. (Jeremia 17:9) Vetë Jezui tha: «Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.»—Mateu 15:19.
Lumturisht, zemra jonë mund të edukohet për të bërë atë që është e drejtë. Megjithatë, edukimi që na nevojitet duhet të vijë nga një burim më i lartë. Ne nuk mund ta bëjmë këtë vetëm. (Jeremia 10:23) Nën frymëzimin hyjnor, psalmisti e kuptoi këtë dhe u lut për udhëheqjen e Perëndisë. Ai i kërkoi Perëndisë në lutje: «Më mëso statutet e tua. Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua.»—Psalmi 119:26, 27.
Sipas një psalmi tjetër, Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë «njohu rrugën» e Jehovait. Ai e përjetoi atë drejtpërdrejt dhe mësoi nga ajo aq sa mundi të thoshte: «Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.»—Psalmi 103:8, 13.
Ashtu si Davidi edhe ne duhet të mësojmë. Prandaj, në lidhje me faljen, të studiojmë dhe të konsiderojmë në lutje shembullin e përsosur të Perëndisë si edhe atë të Birit të tij. Kështu, mund të mësojmë të falim nga zemra.
Por, dikush me të drejtë mund të pyesë: Ç’mund të thuhet për mëkatet e rënda? Të gjitha mëkatet duhet të falen?
Të ruajmë ekuilibrin
Kur një person është dëmtuar në mënyrë të rëndë, dhimbja mund të jetë shumë e thellë, veçanërisht, nëse dikush bëhet viktimë e pafajshme e një mëkati serioz. Disa madje mund të habiten, ‘Si mund të fal dikë që pabesisht më tradhton e më bën të vuaj?’ Në rastin e një mëkati të rëndë, që mund të çojë në përjashtimin nga organizata, viktima duhet të ndjekë këshillën e dhënë tek Mateu 18: 15-17.
Në ndonjë rast, pjesa më e madhe mund të varet nga ofenduesi. Që kur ka kryer gabimin, a ka treguar ndonjë shenjë pendimi të sinqertë? A ka ndryshuar, ndoshta duke kërkuar seriozisht edhe të riparojë gabimin. Në sytë e Jehovait një pendim i tillë, është çelësi i faljes madje edhe në rastin e mëkateve të tmerrshme. Për shembull, Jehovai fali Manaseun, një nga mbretërit më të këqij në historinë e Izraelit. Mbi ç’bazë? Perëndia veproi kështu sepse Manaseu më në fund u përul dhe u pendua për rrugët e tij të këqija.—2. Kronikave 33:12, 13.
Në Bibël, pendimi i vërtetë përfshin një ndryshim të sinqertë në qëndrim, keqardhje në zemër për ndonjë gabim të kryer. Ku është e përshtatshme dhe e mundur, pendimi shoqërohet me përpjekjet për të zhdëmtuar viktimën. (Luka 19:7-10; 2. Korintasve 7:11) Aty, ku nuk ka një pendim të tillë, Jehovai nuk fal.a Përveç kësaj, Perëndia nuk pret që të krishterët të falin ata që një kohë ishin të ndriçuar frymësisht, por që tani vullnetarisht dhe pa u penduar praktikojnë ligësinë. (Hebrenjve 10:26-31) Në rastet ekstreme, me të drejtë falja mund të jetë e papërshtatshme.—Psalmi 139:21, 22; Ezekieli 18:30-32.
Nëse falja është e mundur apo jo, viktima e një mëkati serioz, mund të dojë të shqyrtojë një tjetër pyetje: A duhet të mbetem nën një shqetësim të fortë emocional, duke ndier zemërim dhe një lëndim të thellë derisa çështja të zbulohet plotësisht? Le të shqyrtojmë një shembull. Mbreti David, ndihej thellësisht i prekur kur gjenerali i tij Joab vrau Abnerin dhe Amasën, «dy njerëz më të mirë dhe më të drejtë se ai». (1. Mbretërve 2:32) Davidi e shprehu zemërimin dhe hidhërimin e tij me gojë dhe padyshim edhe Jehovait në lutje. Megjithatë, ndërkohë, intensiteti i ndjenjave të Davidit ndoshta u ul. Ai nuk mbeti pre e zemërimit deri në fund të jetës së tij. Madje, Davidi vazhdoi të punonte me Joabin, edhe pse nuk e kishte falur këtë vrasës të papenduar. Ai veproi në atë mënyrë që deri në fund të kryhej drejtësia.—2. Samuelit 3:28-39; 1. Mbretërve 2:5, 6.
Mund të duhet disa kohë dhe përpjekje nga ana e atyre që janë të prekur nga mëkatet serioze të të tjerëve, që të mposhtin zemërimin e tyre fillestar. Procesi i shërimit mund të jetë shumë më i lehtë nëse ofenduesi e pranon gabimin dhe pendohet. Megjithatë, pavarësisht nga reagimi i fajtorit, viktima e pafajshme do të mund të gjente ngushëllim dhe qetësim në njohurinë ndaj drejtësisë dhe mençurisë së Jehovait dhe në kongregacionin e krishterë.
Gjithashtu, ki parasysh se kur ke falur një mëkatar, nuk do të thotë se ke falur mëkatin. Për të krishterët, falja nënkupton lënien me besim të plotë të çështjes në duart e Jehovait. Ai është Gjykatësi i drejtë i gjithë universit dhe do të zbatojë drejtësinë në kohën e duhur. Kjo do të përfshijë gjykimin e tradhtarëve «kurvarëve dhe kurorëshkelësve».—Hebrenjve 13:4.
Dobitë e faljes
Psalmisti David këndoi: «Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.» (Psalmi 86:5) A jeni si Jehovai, «të gatshëm për të falur»? Dobitë janë të mëdha.
Së pari, falja e të tjerëve siguron marrëdhënia të mira. Bibla i nxit të krishterët: «Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.»—Efesianëve 4:32.
Së dyti, falja sjell paqe. Kjo nuk është vetëm paqe me të afërmit, por edhe një paqe e brendshme.—Romakëve 14:19; Kolosianëve 3:13-15.
Së treti, falja na ndihmon që të kujtojmë se edhe ne kemi nevojë që të jemi të falur. Po, «sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë».—Romakëve 3:23.
Së fundi, duke falur të tjerët pastrojmë rrugën që edhe mëkatet tona të falen nga Perëndia. Jezui tha: «Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve.»—Mateu 6:14.
Imagjinoni mendimet e shumta që mund të kenë okupuar mendjen e Jezuit, mbrëmjen e vdekjes së tij. Ai ishte i shqetësuar për dishepujt e tij, veprën e predikimit dhe veçanërisht për integritetin e tij ndaj Jehovait. Megjithatë, edhe kur po vuante në mënyrë intensive në shtyllën e mundimeve, për çfarë foli ai? Një nga gjërat e fundit që ai tha ishte, «O Atë, fali ata». (Luka 23:34) Ne mund të imitojmë shembullin e përsosur të Jezuit për të falur njëri-tjetrin me zemër.
[Shënimi]
a Megjithatë, Jehovai merr parasysh edhe faktorë të tjerë kur vendos nëse duhet të falë apo jo. Për shembull, nëse një shkelës nuk i njeh standardet e drejta të Perëndisë, për shkak të padijes mund t’i zvogëlohet pesha e fajit. Kur Jezui iu lut të Atit që të falte ekzekutuesit e tij, është e qartë se ai po fliste për ushtarët romakë, të cilët i shkaktuan vdekjen. Duke mos e ditur se cili ishte ai në të vërtetë, ‘nuk dinin se çfarë po bënin’. Por, udhëheqësit fetarë që ishin prapa atij ekzekutimi mbanin fajin më të madh dhe për shumë nga ata, asnjë falje nuk ishte e mundur.—Gjoni 11:45-53; krahaso Veprat 17:30.
[Figurat në faqen 5]
A e keni kapur kuptimin e ilustrimit të Jezuit mbi skllavin e pamëshirshëm?
[Figurat në faqen 7]
Falja e të tjerëve siguron marrëdhënie të mira dhe sjell lumturi