Ne mund të bëjmë vepra më të mëdha
1 Shërbimi i Jezuit u karakterizua nga vepra të jashtëzakonshme. Në mënyrë të mrekullueshme ai ushqeu mijëra vetë, shëroi mjaft të sëmurë dhe i ringjalli disa nga vdekja. (Mat. 8:1-17; 14:14-21; Gjoni 11:38-44) Aktiviteti i tij, tërhoqi vëmendjen e një kombi të tërë. Megjithatë, natën e fundit para se të vdiste, ai u tha ithtarëve të tij të besueshëm: «Kush ushtron besim tek unë, edhe ai do të bëjë veprat që bëj unë; dhe ai do të bëjë vepra më të mëdha se këto.» (Gjoni 14:12) Si mund të bëjmë ne vepra «më të mëdha»?
2 Duke mbuluar më shumë territor: Sfera e aktivitetit të Jezuit u kufizua me Palestinën, ndonëse dishepujve të tij të hershëm iu tha që të dëshmonin «deri në pjesën më të largët të tokës», edhe më tej zonës ku vetë Jezui predikoi. (Vep. 1:8, BR) Vepra e predikimit që filloi ai, tani është globale dhe shtrihet në 232 vende. (Mat. 24:14) A po merr pjesë plotësisht në punimin e territorit që i është caktuar kongregacionit tënd?
3 Duke arritur më shumë njerëz: Jezui la relativisht pak dishepuj për të vazhduar veprën e predikimit. Megjithatë, si rezultat i dëshmisë së tyre të zellshme në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., numri i atyre që përqafuan të vërtetën dhe që u pagëzuan atë ditë, ishte rreth tre mijë shpirtra. (Vep. 2:1-11, 37-41) Grumbullimi i atyre «të prirur me të drejtë për jetën e përhershme» ka vazhduar deri në kohën tonë, ku mesatarisht po pagëzohen mbi 1.000 persona në ditë. (Vep. 13:48) A po bën gjithçka që mundesh për të arritur njerëzit me zemër të ndershme, kudo ku mund të gjenden dhe të ndjekësh interesin e gjetur sa më shpejt që është e mundur?
4 Duke predikuar shumë më gjatë: Shërbimi tokësor i Jezuit u kufizua në tre vjet e gjysmë. Shumica prej nesh po predikojnë nga një periudhë edhe më e gjatë. Pavarësisht se sa gjatë na lejohet ta vazhdojmë këtë vepër, jemi mirënjohës që mund të ndihmojmë çdo dishepull të ri për të filluar në rrugën që të çon në jetë. (Mat. 7:14) A ke shumë për të bërë çdo muaj në veprën e Zotërisë?—1. Kor. 15:58.
5 Ne mund të vazhdojmë të sigurt se me mbështetjen e Jezuit, do të bëjmë vepra edhe më të mëdha, si dishepuj të vërtetë të tij.—Mat. 28:19, 20.