Vazhdoni «të jepni shumë fryt»
1 Duke përdorur disa terma simbolikë, Jezui e krahasoi veten me hardhinë e vërtetë, Atin e tij me një Kultivues dhe ithtarët e tij të mirosur me degët e hardhisë që japin fryt. Kur foli për veprën e «Kultivuesit», Jezui theksoi se sa e rëndësishme ishte të qëndronin të lidhur fort pas hardhisë. (Gjoni 15:1-4) Nga kjo mësojmë se të gjithë ata që kanë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, duhet të jenë si një degë pjellore e ‘hardhisë së vërtetë’, Jezu Krishtit. Po, duhet të vazhdojmë të sjellim shumë nga «fryti i frymës» dhe nga fryti për Mbretërinë.—Gal. 5:22, 23; Mat. 24:14; 28:19, 20.
2 Fryti i frymës: Përparimi ynë frymor mund të matet kryesisht me masën në të cilën shfaqim frytin e frymës. A përpiqeni të kultivoni frytin e frymës së Perëndisë, duke studiuar e duke medituar rregullisht për Fjalën e Perëndisë? (Filip. 1:9-11) Mos ngurroni të luteni për frymën e shenjtë, e cila mund të prodhojë te ju cilësi që i sjellin lavdi Jehovait dhe që ju ndihmojnë të bëni përparim të vazhdueshëm frymor.—Luka 11:13; Gjoni 13:35.
3 Veç këtyre, kultivimi i frytit të frymës na ndihmon të jemi shërbëtorë më të zellshëm. Për shembull, dashuria dhe besimi na nxitin të lëmë vend në programin tonë të ngarkuar për të dalë rregullisht në shërbim. Cilësi si, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, butësia dhe vetëkontrolli na ndihmojnë të reagojmë siç duhet para atyre që na kundërshtojnë. Gëzimi na ndihmon të gjejmë kënaqësi në shërbim, edhe kur njerëzit nuk tregojnë interes.
4 Fryti për Mbretërinë: Gjithashtu, ne duam të prodhojmë edhe fryt për Mbretërinë. Kjo përfshin të paraqitim «një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e [Jehovait]». (Hebr. 13:15) E bëjmë këtë duke shpallur me zell dhe pa u lëkundur lajmin e mirë. A po bëni përpjekje të prodhoni më shumë fryt për Mbretërinë duke përmirësuar shërbimin?
5 Jezui tregoi se ithtarët e tij besnikë do të sillnin fryt në masa të ndryshme. (Mat. 13:23) Prandaj, s’duhet të krahasohemi me të tjerët, por t’i japim Jehovait më të mirën tonë. (Gal. 6:4) Një vetëshqyrtim i ndershëm i rrethanave tona me ndihmën e Fjalës së Perëndisë, do të na ndihmojë të vazhdojmë t’i japim lavdi Jehovait ‘duke dhënë shumë fryt’.—Gjoni 15:8.