BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w93 1/12 f. 20-25
  • Të krishterët dhe shoqëria njerëzore sot

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të krishterët dhe shoqëria njerëzore sot
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Të krishterët e vërtetë sot
  • Të ndarë, por jo armiqësorë
  • Keqkuptime nga klasat sunduese
  • «Kudo flitet kundër tij»
  • Të krishterë, jo trinitarë
  • Asnjë ekumenizëm
  • Dëshmitarët e Jehovait
    Të arsyetojmë nga Shkrimet
  • Ata vazhdojnë të ecin në të vërtetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
  • Të urryer për besimin e tyre
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • «Ata nuk janë pjesë e botës»
    Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1993
w93 1/12 f. 20-25

Të krishterët dhe shoqëria njerëzore sot

«Ju do të jeni objekt urrejtjeje nga të gjitha kombet për shkak të emrit tim.»​—MATEU 24:9, NW.

1. Cila duhej të ishte njëra nga shenjat dalluese të krishterimit?

NDARJA nga bota ishte një shenjë dalluese e të krishterëve të parë. Duke iu drejtuar Atit të tij qiellor, Jehovait, Krishti tha në lidhje me dishepujt e tij: «Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde, por bota i ka urryer, sepse nuk bëjnë pjesë në botë, ashtu si unë nuk bëj pjesë në botë.» (Gjoni 17:14, NW) Kur e çuan përpara Poncie Pilatit, Jezui deklaroi: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36, NW) Ndarja e krishterimit primitiv nga bota është vërtetuar si nga Shkrimet e Krishtere Greke edhe nga historianët.

2. (a) Me kalimin e kohës, vallë a duhej të kishte ndonjë ndryshim në marrëdhëniet ndërmjet ithtarëve të Jezuit dhe botës? (b) A do të vinte Mbretëria e Jezuit me anë të kthimit të kombeve?

2 Më vonë, a zbuloi vallë Jezui se do të kishte ndonjë ndryshim në marrëdhëniet ndërmjet ithtarëve të tij dhe botës dhe se Mbretëria e tij do të vinte me anë të kthimit të botës në krishterim? Jo. Asgjë nga ajo që ithtarët e Jezuit qenë të frymëzuar të shkruanin pas vdekjes së tij nuk të linte të kuptoje edhe vetëm për së largu këtë. (Jakovi 4:4 [shkruar pak para vitit 62 të e.s.]; 1. Gjonit 2:15-17; 5:19 [shkruar afërsisht në vitin 98 të e.s.]) Përkundrazi, Bibla e lidh «praninë» e Jezuit dhe «ardhjen» e tij të mëtejshme në fuqinë e Mbretërisë me «përfundimin e sistemit të gjërave», që kulminon me «fundin», ose shkatërrimin e tij. (Mateu 24:3, 14, 29, 30; Danieli 2:44; 7:13, 14) Në shenjën që dha mbi parousi̇̀a-n, ose praninë e tij, Jezui tha në lidhje me ithtarët e tij të vërtetë: «Pastaj njerëzit do t’ju hedhin në mjerim dhe do t’ju vrasin dhe do të jeni objekt urrejtjeje nga të gjitha kombet për shkak të emrit tim.»​—Mateu 24:9, NW.

Të krishterët e vërtetë sot

3, 4. (a) Në ç’mënyrë i përshkruan të krishterët e parë një enciklopedi katolike? (b) Cilat shprehje të ngjashme janë përdorur për të përshkruar si Dëshmitarët e Jehovait ashtu edhe të krishterët e parë?

3 Cili është sot grupi fetar që ka fituar reputacionin se është besnik ndaj parimeve të krishtere dhe i ndarë nga kjo botë dhe që pjesëtarët e të cilit urrehen dhe persekutohen? E po mirë, cila organizatë e krishterë që vepron në të gjithë botën u përgjigjet në të gjitha këto aspekte përshkrimeve historike mbi të krishterët e parë? Në lidhje me këta të fundit, një enciklopedi katolike thotë: «Bashkësia primitive e krishterë, megjithëse në fillim qe konsideruar vetëm si një sekt tjetër brenda judaizmit, u zbulua si e vetme për mësimin e saj teologjik dhe në mënyrë të veçantë për zellin e pjesëtarëve të saj, që vepruan si dëshmitarë të Krishtit ‘në të gjithë Judenë dhe Samarinë e deri në skajet e tokës’ (Veprat 1,8).»​—New Catholic Encyclopedia, 1981, vëll. 3, fq. 694.

4 Le të vërehen shprehjet «e konsideruar . . . si një sekt tjetër», «i vetëm për mësimin e tij», «për zellin . . . si dëshmitarë». Vërej tani se si i përshkruan Dëshmitarët e Jehovait e njëjta enciklopdi: «Një sekt . . . Dëshmitarët janë thellësisht të bindur se fundi i botës do të vijë brenda pak vitesh. Duket se ky besim i gjallë është forca kryesore që ushqen zellin e tyre të palodhur. . . . Detyra themelore e çdo pjesëtari të sektit është të japë dëshmi mbi Jehovain, duke lajmëruar afrimin e Mbretërisë së tij. . . . Ata e konsiderojnë Biblën burimin e vetëm të besimit të tyre dhe të normave të sjelljes . . . Për të qenë një Dëshmitar i vërtetë duhet të predikosh në një mënyrë ose në tjetrën.»​—Vëll. 7, faqet 864-865.

5. (a) Nën cilat aspekte mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait janë të vetme? (b) Jep shembuj që tregojnë se besimet e Dëshmitarëve të Jehovait janë në harmoni me Biblën?

5 Në cilat aspekte mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait janë të vetme? E njëjta enciklopedi na përmend disa: «Ata [Dëshmitarët e Jehovait] e dënojnë Trinitetin si idhujtari pagane . . . E konsiderojnë Jezuin si dëshmitarin më të madh të Jehovait, ‘një perëndi’ (kështu, përkthejnë, Gjoni 1,1), më i ulët vetëm se Jehovai. . . . Ai vdiq si njeri dhe u ngjall si Bir frymor i pavdekshëm. Mundimi i tij dhe vdekja qenë çmimi që ai pagoi për të rifituar në favor të njerëzimit të drejtën për të jetuar në përjetësi mbi tokë. Në fakt, ‘shumica e madhe’ (Ap 7,9) e Dëshmitarëve të vërtetë shpreson në një Parajsë tokësore; vetëm 144.000 besnikë (Ap 7,4; 14,1. 4) mund të marrin lavdinë qiellore me Krishtin. Të ligjtë do të pësojnë shkatërrimin e përhershëm. . . . Pagëzimi, që Dëshmitarët e praktikojnë me zhytje . . . [është] simbol i jashtëm i dedikimit të tyre në shërbim të Perëndisë Jehova. . . . Dëshmitarët e Jehovait kanë tërhequr vëmendjen e publikut duke refuzuar transfuzionet e gjakut . . . Morali i tyre bashkëshortor dhe seksual është shumë i palëkundur.» Dëshmitarët e Jehovait mund të jenë vetmit nën këto aspekte, por në të gjitha këto pika pozicioni i tyre është fortësisht i themeluar në Bibël.​—Psalmi 37:29; Mateu 3:16; 6:10; Veprat 15:28, 29; Romakëve 6:23; 1. Korintasve 6:9, 10; 8:6; Zbulesa (Apokalipsi) 1:5.

6. Çfarë pozicioni kanë mbajtur Dëshmitarët e Jehovait? Përse?

6 Kjo vepër katolike romake shton se në vitin 1965 (ndoshta viti në të cilin është shkruar artikulli) «Dëshmitarët nuk konsideroheshin akoma pjesë e shoqërisë në të cilën jetonin». Duket se autori mendonte se me kalimin e kohës, dora dorës që do të shtoheshin në numër dhe do të fitonin «gjithnjë e më shumë karakteristikat e një kishe, në ndryshim me ato të një sekti», Dëshmitarët e Jehovait do të bëheshin pjesë e kësaj bote. Por nuk ka qenë kështu. Sot, që janë katër herë më shumë në numër se në 1965-ën, Dëshmitarët e Jehovait në mënyrë koherente e kanë mbajtur pozicionin e tyre në lidhje me botën. «Nuk bëjnë pjesë në botë», ashtu si Jezui «nuk bëri pjesë në botë.»​—Gjoni 17:16, NW.

Të ndarë, por jo armiqësorë

7, 8. Ashtu si në rastin e të krishterëve të parë, çfarë mund të thuhet sot për Dëshmitarët e Jehovait?

7 Duke cituar mbrojtjen e bërë nga apologjeti i shekullit II, Justin Martiri, për të krishterët e parë, Robert M. Grant në librin e tij Krishterimi primitiv dhe shoqëria shkroi: «Nëse të krishterët do të ishin revolucionarë, do të qëndronin të fshehur për të arritur qëllimet e tyre. . . . Ata janë aleatët më të mirë të perandorit në çështjen e paqes dhe rregullit.» Ngjashëm, Dëshmitarët e Jehovait sot dallohen në të gjithë botën si qytetarë paqësorë dhe të disiplinuar. Qeveritë, të çfarëdo lloji qofshin, e dinë se nuk kanë asgjë për t’u frikësuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

8 Një gazetar nga Amerika e Veriut shkroi: «Duhet një fantazi prej fanatiku dhe prej paranoiku për të besuar se Dëshmitarët e Jehovait përbëjnë një rrezik për çdo lloj regjimi politik; janë grupi fetar më pak armiqësor dhe më i dashuruar pas paqes që mund të ekzistojë.» Jean-Pierre Cattelain në një libër mbi kundërshtimin me ndërgjegje shkruan: «Dëshmitarët u nënshtrohen në mënyrë të përsosur autoriteteve dhe në përgjithësi u binden ligjeve; paguajnë taksat dhe nuk përpiqen të kundërshtojnë, të ndryshojnë apo të shkatërrojnë qeveritë, sepse ata nuk shqetësohen për punët e kësaj bote.» (L’objection de conscience) Cattelain vazhdon duke thënë se vetëm nëse Shteti do të kërkojë jetën e tyre, të cilën ata ia kanë dedikuar tërësisht Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait do të refuzojnë të binden. Në këtë u ngjajnë shumë të krishterëve të parë.​—Marku 12:17; Veprat 5:29.

Keqkuptime nga klasat sunduese

9. Përsa i përket ndarjes nga bota, cili ndryshim i dukshëm vërehet midis të krishterëve të parë dhe katolikëve të sotëm?

9 Shumica e perandorëve romakë i keqkuptuan të krishterët e parë dhe i persekutuan. Duke shpjeguar arsyen, Epistulli [letër] i Diognetit, që sipas disave i përket shekullit II të e.s., deklaron: «Të krishterët banojnë në botë, por nuk janë pjesë dhe parcelë e botës.» Ndërsa Këshilli II i Vatikanit, në Kushtetutën e tij Dogmatike mbi Kishën, ka deklaruar se katolikët duhet «të kërkonin mbretërinë e Perëndisë duke u marrrë me punët e kësaj bote» dhe «të punonin për shenjtërimin e botës nga brenda.»

10. (a) Si konsideroheshin të krishterët e parë nga klasat sunduese? (b) Si konsiderohen shpesh Dëshmitarët e Jehovait dhe si ndikon kjo mbi ta?

10 Historiani E. G. Hardy deklaron se perandorët romakë i konsideronin të krishterët e parë si «disa fanatikë të përbuzur». Historiani francez Étienne Trocmé flet mbi «përbuzjen e grekëve me kulturë dhe të funksionarëve romakë për një sekt lindor që atyre u dukej shumë i çuditshëm [të krishterët]». Nga një letërkëmbim ndërmjet të riut Plinit të Ri guvernator romak në Bitinia dhe perandorit Trajan, kuptohet se në përgjithësi klasat sunduese e injoronin natyrën e vërtetë të krishterimit. Ngjashëm, sot Dëshmitarët e Jehovait keqkuptohen dhe përbuzen nga klasat sunduese të botës. Megjithatë, kjo nuk i habit Dëshmitarët dhe as nuk i frikëson.​—Veprat 4:13; 1. Pjetrit 4:12, 13.

«Kudo flitet kundër tij»

11. (a) Çfarë thuhej për të krishterët e parë dhe çfarë është thënë për Dëshmitarët e Jehovait? (b) Përse Dëshmitarët e Jehovait nuk marrin pjesë në politikë?

11 Për të krishterët e parë qe thënë: «Përsa i përket këtij sekti na është e dukshme se kudo flitet kundër tij.» (Veprat 28:22, NW) Në shekullin II të e.s. pagani Celsus pohonte se krishterimi tërheq vetëm llumin e shoqërisë njerëzore. Ngjashëm, për Dëshmitarët e Jehovait është thënë se «pjesa më e madhe e tyre është nga të privuarit e shoqërisë sonë». Studiuesi i historisë së kishës, August Neander, shkroi se «të krishterët paraqiteshin si njerëz të vdekur në lidhje me botën dhe të paaftë në të gjitha punët e jetës; . . . bëhej pyetja se çfarë do të ndodhte me veprimtaritë e jetës nëse të gjithë do të kishin qenë si ata?» Meqë nuk marrin pjesë në politikë edhe Dëshmitarët e Jehovait shpesh akuzohen se janë një peshë e vdekur për shoqërinë njerëzore. Por, si mund të ishin në të njëjtën kohë veprimtarë politikë dhe përkrahës të Mbretërisë së Perëndisë si e vetmja shpresë për njerëzimin? Dëshmitarët e Jehovait i marrin për zemër fjalët e apostullit Pavël: «Vuaj edhe ti bashkë me mua porsi ushtari i mirë i Krishtit Jezus. Askush veçse ai, që merr mbi vete detyrën e ushtarit, nuk ngatërrohet me punë të jetës së rendomtë që t’ i pëlqejë atij që e mori në ushtri.»​—2. Timoteut 2:3, 4.

12. Në cilin aspekt të rëndësishëm të ndarjes nga bota Dëshmitarët e Jehovait u ngjajnë të krishterëve të parë?

12 Profesor K. S. Latourette shkruan: «Një nga çështjet mbi të cilën të krishterët e parë nuk shkonin mirë me botën greko-romake ishte pjesëmarrja në luftë. Për tre shekujt e parë asnjë tekst i krishterë prej të cilit ka mbetur shenjë nuk pohon pjesëmarrjen e të krishterit në luftë.» (A History of Christianity) Edward Gibbon shkruan: «Për një të krishterë ishte e pamundur, pa mohuar një nga detyrat më të shenjta, të merrte rolin e ushtarit, gjykatësit apo princit.» (The History of the Decline and Fall of the Roman Empire) Dëshmitarët e Jehovait, në mënyrë të ngjashme, marrin një pozicion të përpiktë neutral dhe ndjekin parimet biblike të paraqitura tek Isaia 2:2-4 dhe në Mateun 26:52.

13. Cila akuzë u drejtohet Dëshmitarëve të Jehovait, por çfarë tregojnë faktet?

13 Armiqtë akuzojnë Dëshmitarët e Jehovait se shkatërrojnë familjet. Është e vërtetë se ka raste familjesh që ndahen kur një ose më shumë pjesëtarë bëhen Dëshmitarë të Jehovait. Jezui paratha se kjo do të ndodhte. (Luka 12:51-53) Por, statistikat tregojnë se martesat që prishen për këtë arsye janë një përjashtim. Për shembull, midis Dëshmitarëve të Jehovait në Francë, në një ndër tre çifte të martuara njëri prej bashkëshortëve nuk është Dëshmitar. E megjithatë, përqindja e divorceve në këto martesa të përziera nuk është më e lartë se mesatarja kombëtare. Përse? Dy apostuj, Pavli dhe Pjetri, dhanë këshilla të frymëzuara të mençura për të krishterët e martuar me jobesimtarë dhe Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të ndjekin këto këshilla. (1. Korintasve 7:12-16; 1. Pjetrit 3:1-4) Nëse një martesë e përzier prishet, pothuajse gjithmonë, iniciativën e merr bashkëshorti jo Dëshmitar. Nga ana tjetër mund të themi se me mijëra martesa kanë shpëtuar sepse njëri prej bashkëshortëve është bërë Dëshmitar i Jehovait dhe ka filluar të zbatojë parimet biblike në jetën e tij.

Të krishterë, jo trinitarë

14. Si i akuzonin të krishterët e parë dhe përse ishte absurde?

14 Në mënyrë paradoksale, të krishterët e parë në perandorinë romake akuzoheshin se ishin ateistë. Dr. August Neander shkruan: «Mohues të perëndive, ateistë, . . . me këto shprehje thirreshin zakonisht të krishterët nga populli.» Ishte me të vërtetë absurde që të krishterët, të cilët adhuronin Krijuesin e gjallë dhe jo hyjni të shumëfishta, të përcaktoheshin ateistë nga paganët që adhuronin ato që «nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njeriut, dru dhe gur»!​—Isaia 37:19.

15, 16. (a) Çfarë kanë deklaruar disa fetarë rreth Dëshmitarëve të Jehovait, por çfarë pyetje bën të lindë kjo? (b) Çfarë tregon se Dëshmitarët e Jehovait janë me të vërtetë të krishterë?

15 Po aq absurde është deklarata e disa autoriteteve të krishterimit, sipas të cilëve Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të krishterë. Po përse nuk janë? Sepse nuk besojnë në Trinitetin. Sipas një përcaktimi që pasqyron paragjykimet e krishterimit, «janë të krishterë ata që e pranojnë Krishtin si Perëndi». Në kundërshtim me këtë përcaktim, një fjalor modern përcakton emrin «i krishter» si «një njeri që beson në Jezu Krishtin dhe ndjek mësimet e tij» dhe «krishterim» «fenë e bazuar në mësimet e Jezu Krishtit dhe në besimin se ai ishte bir i Perëndisë». Cili grup fetar i përgjigjet më shumë këtij përcaktimi?

16 Përsa i përket identitetit të Jezuit, Dëshmitarët e Jehovait pranojnë vetë dëshminë e tij. Ai tha: «Unë jam Biri i Perëndisë», jo «unë jam Perëndia Biri». (Gjoni 10:36; krahaso Gjoni 20:31). Pranojnë deklaratën e frymëzuar të apostullit Pavël, sipas së cilës Krishti, «dyke qënë ndë formët të Perëndisë, nuk’ e numëroj për rrëmbim të-qënuritë si-një-një me Perëndinë».a (Filipianëve 2:6, BK) Një libër (The Paganism in Our Christianity) deklaron: «Jezu Krishti nuk ka përmendur kurrë një fenomen të tillë [një Trini personash të barabartë] dhe fjala ‘Trinitet’ nuk paraqitet aspak në Besëlidhjen e Re. Kjo ide qe adoptuar nga Kisha vetëm tre shekuj pas vdekjes së Zotërisë tonë; dhe origjina e konceptit është tërësisht pagane.» Dëshmitarët e Jehovait pranojnë atë që mëson Bibla në lidhje me Jezu Krishtin. Janë të krishterë, jo trinitarë.

Asnjë ekumenizëm

17. Përse Dëshmitarët e Jehovait nuk bashkëpunojnë me lëvizjen ekumenike apo bashkimin e besimeve?

17 Dy kritika të tjera kundër Dëshmitarëve të Jehovait janë faktet se nuk bashkëpunojnë me lëvizjen ekumenike dhe se kryejnë atë që përcaktohet një «prozelitizëm agresiv». Që të dyja akuzat u drejtoheshin edhe të krishterëve të parë. Krishterimi, katolik, ortodoks dhe protestant, është në mënyrë të pamohueshme pjesë e botës. Dëshmitarët e Jehovait, ashtu si Jezui, «nuk bëjnë pjesë në botë». (Gjoni 17:14) Si mund të bëhen aleatë, nëpërmjet lëvizjeve ndërfetare, me organizata fetare që nxisin sjellje dhe besime jo të krishtere?

18. (a) Përse nuk mund të kritikohen Dëshmitarët e Jehovait për bindjen e tyre se janë të vetmit që praktikojnë fenë e vërtetë? (b) Megjithëse besojnë se kanë fenë e vërtetë, çfarë nuk kanë katolikët?

18 Kush mund t’i kritikojë Dëshmitarët e Jehovait në mënyrë të ligjshme sepse, ashtu si të krishterët e parë, janë të bindur se janë të vetmit që praktikojnë fenë e vërtetë? Vetë Kisha katolike, ndërsa nga njëra anë thotë në mënyrë hipokrite se bashkëpunon me lëvizjen ekumenike, nga ana tjetër shpall: «Ne besojmë se kjo fe e vetme e vërtetë ekziston në Kishën katolike e apostolike, së cilës Zotëria Jezu i ka besuar misionin që t’ua komunikojë të gjithë njerëzve, duke u thënë apostujve: ‘Shkoni pra dhe bëni dishepuj nga të gjitha kombet.’ » (Këshilli II i Vatikanit, «Deklaratë mbi lirinë fetare») Megjithatë, duket se kjo bindje nuk mjafton për të futur tek katolikët zellin e nevojshëm të palodhur që të shkojnë për të bërë dishepuj.

19. (a) Çfarë janë të vendosur të bëjnë Dëshmitarët e Jehovait dhe me çfarë motivi? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin e ardhshëm?

19 Dëshmitarët e Jehovait e kanë këtë zell. Janë të vendosur të vazhdojnë për të dëshmuar derisa do të dojë Perëndia. (Mateu 24:14) Vepra e tyre e dëshmisë është e zellshme, por jo agresive. Është e motivuar nga dashuria për të afërmin, jo nga urrejtja për njerëzimin. Ata shpresojnë që një numër sa më i madh që të jetë i mundur njerëzish të shpëtojë. (1. Timoteut 4:16) Ashtu si të krishterët e parë, përpiqen të jenë «paqësorë me të gjithë njerëzit». (Romakëve 12:18) Në artikullin e ardhshëm do të shohim se si e bëjnë këtë.

[Shënimi]

a Për një trajtim të këtij vargu në lidhje me dogmën e Trinitetit, shiko Kullën e Rojës të 15 qershorit 1971, faqet 355-356 (ang.).

Pyetjet për përsëritje

◻ Çfarë i dallonte të krishterët e parë dhe përse mund të thuhet se Dëshmitarët e Jehovait u ngjajnë atyre?

◻ Në cilat aspekte Dëshmitarët e Jehovait tregojnë se janë qytetarë të mirë?

◻ Në ç’mënyrë klasat sunduese i konsideronin të krishterët e parë dhe a ndryshon situata sot?

◻ Bindja se kanë të vërtetën, i shtyn Dëshmitarët të bëjnë çfarë gjëje?

[Figurat në faqen 20]

Dëshmitarët e Jehovait janë të vendosur të vazhdojnë për të dëshmuar derisa të dojë Perëndia

[Figura në faqen 25]

«Ja njeriu»,—tha Pilati, duke treguar atë që nuk bënte pjesë në botë.​—Gjoni 19:5

[Burimi]

“Ecce Homo” by A. Ciseri: Florence, Galleria d’Arte Moderna / Alinari/​Art Resource, N.Y.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo