BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • jy kap. 129 f. 294-f. 295 par. 2
  • Pilati deklaron: «Ja, njeriu!»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pilati deklaron: «Ja, njeriu!»
  • Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
  • Material i ngjashëm
  • «Ja! Njeriu!»
    Njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë
  • Kush ishte Ponc Pilati?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Pilati
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Pilati dhe Herodi e shpallin Jezuin të pafajshëm
    Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
Shih më tepër
Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta
jy kap. 129 f. 294-f. 295 par. 2
Pilati nxjerr para turmës Jezuin me kurorë gjembash dhe me një veshje të purpurt

KAPITULI 129

Pilati deklaron: «Ja, njeriu!»

MATEU 27:15-17, 20-30 MARKU 15:6-19 LUKA 23:18-25 GJONI 18:39–19:5

  • PILATI MUNDOHET TË LIROJË JEZUIN

  • JUDENJTË KËRKOJNË TË LIROHET BARABA

  • JEZUIN E TALLIN DHE E KEQTRAJTOJNË

Pilati i thotë turmës që kërkon vdekjen e Jezuit: «Nuk gjeta asnjë bazë për akuzat që ngrini kundër këtij njeriu. Në fakt, as Herodi nuk gjeti gjë.» (Luka 23:14, 15) Tani, në përpjekje për ta shpëtuar Jezuin, Pilati provon një taktikë tjetër dhe u thotë njerëzve: «Ju keni një zakon që në Festën e Kalimit unë t’ju lë të lirë një të burgosur. A doni t’ju liroj Mbretin e judenjve?»—Gjoni 18:39.

Pilati e di se në burg është një njeri që quhet Baraba, i njohur si kusar, kryengritës dhe vrasës. Ndaj i pyet: «Cilin doni t’ju liroj, Barabën apo Jezuin që thonë se është Krishti?» Të nxitur nga krerët e priftërinjve, populli kërkon që të lirojë Barabën, jo Jezuin. Pilati i pyet për herë të dytë: «Cilin nga të dy doni t’ju liroj?» Turma bërtet: «Barabën.»—Mateu 27:17, 21.

I dëshpëruar, Pilati pyet: «Ç’duhet të bëj, pra, me Jezuin që thonë se është Krishti?» Ata ulërasin: «Vëre në shtyllë!» (Mateu 27:22) Sa turp! Po kërkojnë vdekjen e një njeriu të pafajshëm. Pilati u bën thirrje: «Pse, ç’të keqe ka bërë ky njeri? Nuk gjeta asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj do ta ndëshkoj dhe do ta lë të lirë.»—Luka 23:22.

Me gjithë përpjekjet e Pilatit, turma e harbuar bërtet njëzëri: «Vëre në shtyllë!» (Mateu 27:23) Krerët fetarë e kanë tërbuar turmën deri në këtë pikë sa janë të etur për gjak. Dhe nuk bëhet fjalë për gjakun e ndonjë krimineli a vrasësi, por të një njeriu të pafajshëm që vetëm pesë ditë më parë e mirëpritën në Jerusalem si mbret. Nëse dishepujt janë atje, qëndrojnë në heshtje dhe përpiqen të mos bien në sy.

Pilati kupton që përpjekjet e tij janë të kota. E meqë po bëhet trazirë, ai merr ujë, lan duart në sy të turmës dhe u thotë: «Unë jam i pafaj nga gjaku i këtij njeriu. Kjo është punë për ju.» Por as kjo nuk ua ndryshon mendjen njerëzve. Përkundrazi, ata thonë: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!»—Mateu 27:24, 25.

Guvernatori do më shumë të kënaqë ata, sesa të bëjë atë që e di se është e drejtë. Kështu, në përputhje me kërkesën e turmës, Pilati u liron Barabën. Ai jep urdhër që ta zhveshin Jezuin e pastaj ta fshikullojnë.

Pasi e torturojnë me të rrahura, ushtarët e çojnë Jezuin te pallati i guvernatorit. Trupa e ushtarëve mblidhen rreth tij dhe e keqtrajtojnë akoma më shumë. Thurin një kurorë me gjemba dhe ia ngjeshin në kokë. Ushtarët i japin edhe një kallam në dorën e djathtë dhe i hedhin përsipër një veshje të purpurt, si ajo që mbajnë familjet mbretërore. Pastaj e tallin me këto fjalë: «Tungjatjeta, o Mbret i judenjve!» (Mateu 27:28, 29) Veç kësaj, e pështyjnë dhe i bien me shuplaka në fytyrë. Ia marrin kallamin e fortë që ka në dorë dhe e godasin në kokë duke ia ngulur edhe më shumë gjembat e mprehtë të ‘kurorës’ së tij poshtëruese.

Dinjiteti dhe forca e jashtëzakonshme që shfaq Jezui gjatë gjithë kësaj sprove, i bën kaq përshtypje Pilatit, sa përpiqet edhe një herë të heqë fajin nga vetja duke thënë: «Ja, po e nxjerr para jush, që ta dini se nuk gjej asnjë faj tek ai.» Mos ndoshta Pilati mendon se, po ta shfaqë Jezuin para turmës të gjakosur e me plagë, atyre do t’u vijë keq? Ndërsa Jezui qëndron përballë turmës së pashpirt, Pilati deklaron: «Ja, njeriu!»—Gjoni 19:4, 5.

Ndonëse i rrahur e i gjakosur, Jezui pasqyron një dinjitet e qetësi që as Pilati s’mund ta mohojë. Në fakt fjalët e Pilatit përcjellin edhe respekt, edhe keqardhje.

FSHIKULLIMI

Një kamxhik fshikullimi

Dr. Uilliam Eduards përshkruan çfarë përfshinte fshikullimi që bënin romakët:

«Mjeti që përdorej zakonisht ishte një kamxhik i shkurtër (flagrum ose flagellum) që kishte disa rripa lëkure me gjatësi të ndryshme, të thurura ose jo. Nëpër to lidheshin gogla të vogla hekuri ose copëza të mprehta kockash deleje. . . . Kur ushtarët romakë goditnin vazhdimisht viktimat në kurriz me sa fuqi kishin, goglat e hekurit shkaktonin mavijosje të mëdha dhe rripat e lëkurës e kockat e deleve çanin lëkurën dhe indet nën të. Teksa goditjet vazhdonin, vragat thelloheshin deri te muskujt skeletorë dhe mishi shqitej në copa të vogla që rridhnin gjak.»—The Journal of the American Medical Association

  • Si mundohet Pilati të lirojë Jezuin e kështu të heqë nga vetja peshën e përgjegjësisë?

  • Çfarë përfshinte fshikullimi?

  • Pasi e fshikullojnë, si e keqtrajtojnë më tej Jezuin?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo