KAPITULLI 16
Jezui tregon zell për adhurimin e vërtetë
JEZUI PASTRON TEMPULLIN
Pas dasmës në Kanë, Jezui merr rrugën për në Kapernaum. Me të janë nëna dhe gjysmëvëllezërit e tij: Jakovi, Jozefi, Simoni dhe Juda.
Pse po shkon Jezui në Kapernaum? Ky qytet ka një pozicion gjeografik më strategjik dhe është më i madh se Nazareti e Kana. Për më tepër, shumë nga dishepujt e rinj të Jezuit jetojnë në Kapernaum ose në afërsi të tij, kështu Jezui mund t’i stërvitë në vendin e tyre.
Gjatë qëndrimit në Kapernaum, Jezui kryen edhe mrekulli, dhe lajmi përhapet në mbarë qytetin e në zonat përreth. Por Jezui dhe shokët e tij, që janë judenj të përkushtuar, së shpejti duhet të nisen për në Jerusalem që të kremtojnë Festën e Kalimit të vitit 30 të e.s.
Ndërsa janë në tempull në Jerusalem, dishepujve u bën shumë përshtypje diçka që s’e kishin vënë re te Jezui.
Sipas Ligjit të Perëndisë, izraelitët duhet të bëjnë në tempull flijime në kafshë. Gjithashtu, ata që vijnë nga larg, kanë nevojë për ushqime gjatë kohës që rrinë në Jerusalem. Ja pse Ligji i lejon të marrin me vete pará e të blejnë ‘gjedhë, dele, dhi’, si edhe gjëra që u duhen gjatë qëndrimit këtu. (Ligji i përtërirë 14:24-26) Ndaj tregtarët në Jerusalem shesin kafshë ose zogj në një oborr të madh të tempullit. Por disa prej tyre i mashtrojnë njerëzit duke ua hedhur me çmimet.
Plot indinjatë, Jezui derdh monedhat e këmbyesve të parave, u përmbys tryezat dhe i dëbon nga tempulli. Pastaj thotë: «Hiqini që këtej këto gjëra! Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»—Gjoni 2:16.
Kur e shohin këtë, dishepujve të Jezuit u vjen ndër mend profecia për Birin e Perëndisë: «Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.» Ndërsa judenjtë e pyesin: «Ç’shenjë do të na tregosh se ke autoritet t’i bësh këto gjëra?» Jezui u përgjigjet: «Shembeni këtë tempull dhe për tri ditë unë do ta ngre përsëri.»—Gjoni 2:17-19; Psalmi 69:9.
Judenjtë mendojnë se Jezui e ka fjalën për tempullin në Jerusalem, ndaj e pyesin: «U deshën 46 vjet që të ndërtohej ky tempull, e ti do ta ngresh për tri ditë?!» (Gjoni 2:20) Me fjalën «tempull», Jezui po i referohet trupit të tij. Dishepujt i kujtojnë këto fjalë tri vite më vonë, kur Jezui ringjallet.